Bolshevikët
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 18, 2020
- 2 min read

30 vjet në Purgator janë shumë, por janë edhe mjaft për të harruar të kaluarën për t’a përsëritur atë në të ardhmen ne Ferr. Parajsa e premtuar pas diktaturës nuk duket. Kjo do të thotë se s’kemi luajtur nga vendi. Jemi aty ku ishim para 30 vjetëve. Një fillim i ri duhet. Deri tani kemi parë vetëm një zevendësim të gardës së vjetër staliniste me bijtë që fshehin idealet por udhëhiqen prej tyre. Bolshevikët e vjetër sot e quajnë veten mazhorancë, terma të njëjtë, njëra vjen nga lindja tjetra nga perëndimi që në shqip të dyja përkthehen ‘shumicë’. Kultura e udhëheqjes me shumicë që quhet thjesht ‘demokraci’, mungon tek ne: populli nuk udhëheq, por tërhiqet zvarrë. Dhe i japim konceptit emër të huaj, herë bolshevizëm, si në Rusi; herë maxhorancë, si në Perëndim.
Me ndryshim emrash nuk ndryshon asgjë, thelbi mbetet po ai që ishte në kohën e sundimit të PPSH-së. Tani po ajo parti udhëheq, ç’rëndësi ka socialiste a emër tjetër. Shqiptarët janë më të lirë për të lëvizur, për të ikur, por jo më të lirë për të zgjedhur. Sistemi lejon vjedhjen e votave apo manipulimin e zgjedhësve dhe të zgjedhurve, nuk lejon hapje listash, ose ndryshon kushtetutën nisur nga interesat e bolshevikëve a mazhorancës, me president kukull a pakompetenca, pa vota nga populli; dhe kryeministër që sillet e vepron si diktator ose sikur të kishte trashëguar fronin e mbretit; politikanët e parlamentarët shfrynë inatet personale dhe nuk merren me zgjidhjen e nevojave a me punën për të cilën janë zgjedhur. Bota e kupton se kjo nuk shkon dhe ua lë çështjet shqiptarëve në dorë t’i zgjidhin si të duan; dhe e izolon vendin, nuk pranon asnjë udhëtar, sepse, fundja, duhet të merret me punët e veta, Shqipëria me mendësinë se çdo gjë rrotullohet rreth saj, nuk është i vetmi problem që Bota ka.
Comentários