Bledi Ylli të bën përshtypje
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Feb 2, 2023
- 5 min read

Ka poetë që edhe pse operojnë ne terrene të “njohur” të poezisë bashkëkohore, arrijnë të krijojnë para lexuesit një klimë dhe realitete të reja leximi. E them pa mëdyshje se Bledi Ylli është njëri prej tyre; I zhurmshëm mes zhurmës, i heshtur mes heshtjes, por ndërkaq një receptor i jashtëzakonshëm i zërave të bashkëkohesisë dhe ndjesive njerëzore. Duke jetuar në një vend ku perenditë dhe njerëzit jetojnë së bashku, poezia e tij e ka të pamundur të mos prekë dhe të mos preket prej tyre. Kam vite që e ndjek ecurinë poetike të këtij poeti dhe ajo ç’ka me mbetet në mend nga gjithçka shkruan ai, është lirika e tij e ndjerë dhe aftësia e tij e kultivuar për të depërtuar sa më tepër në substancialitetin e objektit poetik. Duke cituar titullin e një poezie të Ricos “Kuptimi i thjeshtësisë” kam përshtypjen se shumë nga poezitë e tij ngjizen dhe frymëzohen pikërisht nga ky kuptim. Autorit si mbetet veçse t’i nxjerr ata nga vendet ku ndodhen, duke ju dhënë ndërkaq edhe diçka nga fryma e tij. Subjektet e poezive të tij janë sa të thjeshtë aq dhe të ndërlikuar, sa të ndriçuar po aq dhe gri. Kjo ndodh se autori rrëmben nga përditshmëria ato çfarë e ngacmojnë dhe duken që së largu se janë të ngarkuar me lëndë jetësore dhe me eksplozivin e duhur shpërthyes. Ndaj nuk duhet të na bëjë përshtypje nëse ne faqet e librit të tij do të gjeni pranë e pranë dy poezi me subjekte dhe ngjyra krejt të ndryshme. Një takim dhe një ndarje, një dashuri që po lind dhe një rekuiem. Ajo ç’ka evidentohet në krijimtarinë e këtij autori është teksti i ngjeshur me mesazhe dhe ide, si dhe pamjet grafi ke që i shoqërojnë ato. Ajri që rrethon poezitë e tij ka gjithmonë diçka nga natyra dhe karakteri i tij impulsiv, diçka nga mbrëmjet e ndezura të Athinës dhe Mangalemit, por edhe nga dhimbjet therëse për imazhin e nënës në ikje. Në kufijtë ndarës të gjendjeve të tij shpirtërore, autori vendos gjithmonë një kontrast ngjyrash të theksuara. E bardha, e zeza dhe grija e qiellit në dimër. Edhe pse në numër të kufizuar ato përseri janë të afta për të realizuar kontrastet e synuar nga autori.

Kështu ndodh në poezinë “Dikur për ty “Njëmijë Ëndrra’’ Shpirt i bukur “Vetëm lind” ‘’Kohë e humbur’’ e shumë e shumë të tjera. Në fakt më tepër se poezi ato janë refleksione ndjesish njerëzore të derdhura në art trajte statujëzash poetike, që bëjnë lëvizje të befta sa mes pasqyrave të ndryshkura të natës, aq edhe përballë pasqyrave të praruara të ditës Nuk e teproj po të them se lirika të tilla kanë konfiguracionet e padukshme te erës, por që të shkaktojnë në trup dridhje të ëmbla...
Më vjen të nxjerr ty nga çdo varg Të lë diku nëpër kujtime Por ti ndriçon më shumë nga larg Dhe bëhesh diell për muzën time.
E matur dhe shumë konçize e brendshmja e kësaj poezie duket se buron nga maturia e divanëve filozofikë të mendimtarëve të njohur Beratas, por edhe nga intelegjenca dhe kultura e filozofisë bashkëkohore të poetit. Mpleksja dhe harmonizimi i të dyja kulturave ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë për mirë. Autori e ka shpallur me kohë kredon e tij intelektuale dhe nuk ngurron ta shpërfaq me çdo kordë zanore. Në këtë kontekst në shumë nga poezitë e tij realiteti dhe e kundërta e tij gjejnë gjithmonë shkaqe për tu ndeshur dhe kundërshtuar njëri-tjetrin. E pakryera tenton të bëhet e kryer, ndërsa e sotmja të bëhet e nesërme më e përkryer. Kjo e ka bërë poezinë e tij më të menduar dhe me ëndërrimtare njëherësh. Edhe poezitë e shkruara në formë sentencash të mbeten ne mendje sa për peshën e pohimeve të tyre aq dhe për shkallën e lartë artistike të artikulimit. Eshtë një poezi që matet dhjetë herë përpara se të flasë dhe kjo është shenjë pjekurie e autorit. Në biseda me lexues të poezisë , kam dëgjuar shpesh herë përshtypjet se poezia e Bledit po i kthenë poezisë emrin e mirë që ka pasur, duke të zgjuar njëherësh edhe dëshirën e humbur të leximit. Në faqet e portaleve të ndryshëm ka shumë krijues që kërkojnë të evidentohen si protagonistë, duke publikuar herë pas here krijime të zbehta dhe të parealizuara. Ndryshe nga ta, krijimet e Bledit karakterizohen nga subjektet e zgjedhur dhe një narracion tërheqës jetësor, narracion që më shumë se pasqyrim është në vetvete një refleksion dhe interpretim përditësije. Gjithmonë me një shumëllojshmëri mjetesh dhe thellësi të admirueshme psikologjike ai tashmë ka krijuar një identitet më vete. Duke qenë e identifikuar në kohë dhe hapësirë edhe lineariteti i rrëfimit dhe pasqyrimit të saj vetvetiu pëson përthyerje dhe zhvendosje të herë pas hershme. Autori i shmanget me sa mundet proliksitetit të fjalës dhe përshkrimeve të panevojshme. Atij i mjaftojnë vetëm pak rreshta, si për të përshkruar një dramë të brendshme sentimentale, ashtu edhe një dramë më të madhe, siç është ajo e shoqërisë së konsumit, që e ka humbur me kohë frymën e saj humane...
Jetë e bukur zemër madhe Realitet edhe përrallë Miq sa shumë kur je në valle E sa “hiç”, kur je në hall Ti më pe të shtrirë përtokë Dorën ule, por pe orën Unë të dija mik për kokë Thashë, për mua e zgjati dorën.
Në këtë poezi dhe të tjera, narrativa e heroit lirik ndërthurur ngusht me alegorinë e autorit shërben jo vetëm për të ndriçuar pjesë të poetikës së tij individuale, por edhe për nënvizimin e shpirtit demoniak të një shoqërie të dehumanizuar dhe të zhveshur nga gjithcka të mirë. Në poezite e dashurisë alternimi i frymës lirike me simbolin i ka dhënë vargut të tij fuqi, edhe identitet artistik, larg klisheve dhe trajtimeve të zakonshme letrareske.
Thashë të shkruaj për sytë e tu Nga partitura të fundin akt Asgjë nuk pipëtin ketu Unë përballë muzgut të flaktë.
Janë disa orë kaq monotone Sa përmbi letër prehet një muzë Sytë i vijnë rrotull kësaj dhome Shpirt jep lapsi aty mbi buzë.
Vini re se me sa efikasitet i përdor autori elementet destruktive, për ta bërë sa më të vërtetë çastin e tij të errët të vetmisë dhe dramës individuale. Mungesa e pipëtimës, orët monotone, lapsi që jep shpirt mbi buzë etj, janë kaq të gjetur dhe orgjinale. Bledi Ylli të bën përshtypje për entuziazmin që e derdh me bollëk nëpër vargje, për elegancën e shprehjes, por edhe për trillet e tij të panumërta poetike. Shumësia e motiveve dhe thellësia e trajtimit origjinal të tyre, e ngrejnë poezinë e tij tashmë në maja përherë e më të larta. Jo më kot librat e tij lexohen me një frymë dhe numri i tyre vazhdon të shtohet çdo ditë e më shumë. Duke kundruar marrëdhëniet e ngushta mes poetit dhe poezisë, unë e kam të vështirë të përcaktoj se kush prej tyre e do dhe adhuron më shumë njëri-tjetrin, poeti apo poezia. Sidoqofte ata vazhdojnë të ecin vazhdimisht krahë njeri tjetrit dhe nuk kanë ndërmend ta lënë në mes këtë udhëtim.
Comments