top of page

BLEDAR KACA LARTËSON EMRIN...


Më i riu i artistëve dernjanë çel siparin e veprimtarive në kuadrin e 75-vjetorit të Ansamblit “Kuvendi”


BLEDAR KACA LARTËSON EMRIN E ANSAMBLIT “KUVENDI” ZALL DARDHË


Nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh, Akademik

· Në repertorin e tij numërohen 36 këngë. Këngën hit “Mos harro që je dibran” që e bëri shumë të njohur Bledarin e ka kënduar për herë të parë në vitin 2016. Ai, edhe sot është pjesë vitale e Ansamblit “Kuvendi” Zall Dardhë me president Z. Neshat Ndreu. Në këtë rrugëtim të gjatë me këngën si bashkudhëtare, Bledar Kaca ka bashkëpunuar ngushtë me poetët e këngës (tekstshkrues) Munir Hoxha, Gjovalin Dushaj e Ramadan Topuzi



Pallati i Kulturës “Artan Cuku” Kamëz, këtë të diel të 5 shkurtit 2023 qe i mbushur si asnjëherë tjetër me qindra artdashës. Ndonëse në një ditë dimri të acartë me temperaturë minus 1 gradë C, ata ju përgjigjën ftesës së mikut të tyre Defrim Methasani – Mjeshtër i Madh dhe të kreut të Shoqatës Ansambli “Kuvendi” Zall Dardhë, Z.Neshat Ndreu për të ndjekur të parin recital të artistit Bledar Kaca.

Ndonëse Bledi ka tashmë albume me mbi 36 këngë në Yotube, mjaftë të preferuara nga publiku, së bashku ata zgjodhën jo pa qëllim Kamzën për ta promovuar këtë artist që ka performuar suksesshëm deri në Gjermani, Bruksel, Londër, Prishtinë, Shkup e Strugë. Sepse në Kamëz jetojnë e punojnë mbi 1000 familje dibrane e mes tyre qindra të ardhura nga Zall Dardha që njihet si djep i këngës e valles popullore. Pikërisht, përfaqësues të këtyre familjeve dhe jo vetëm, por edhe nga Kukësi, Puka, Mati, Korça e Përmeti qenë ata që mbushën sallën e madhe të koncerteve të Pallatit të Kulturës “Artan Cuku”.


BLEDAR KACA, KËNGËTAR I TRADITËS


Në këtë mjedis artistësh e artdashësish, miku e kolegu ynë Defrim Methasani, ndër moderatorët më të mirë në rang kombëtar – ikonë e gazetarisë sportive dhe mjeshtër i dokumentarit televiziv, pa dyshim që do ta moderonte mjeshtërisht këtë koncert recital të këngëtarit Bledar Kaca, i cili në dy orë mori përmasat e një spektakli show.

Fillimisht, në 4-5 minuta, pjesëmarrësit u njohën me jetën dhe aktivitetin e Bledarit nëpërmjet një telereportazhi të realizuar me dashuri dhe mjeshtri të rrallë nga Defrim Methasani.

Më pas salla gjëmoi nga grupi i valleve me tupana, me titullin sinjifikativ “Tradita Popullore”, ku vajza e djem të rinj performuan mjaftë bukur këtë shfaqje të traditës, çka e elektrizoi që në fillim këtë sallë moderne koncertesh.

“Moj Zall Dardhë, bahçse folklori”, kënga që hapi recitalin, padyshim që do ta identifikonte Bledar Kacën si këngëtar të traditës së shkëlqyer të Ansamblit “Kuvendi”. Me interpretimin mjeshtëror të kësaj kënge si dhe të atyre me motive popullore dhe performacën e tij të shkëlqyer, Bledar Kaca, më i riu i këtij Ansambli, dëshmoi se ecën besnikërisht në gjurmët e ikonave të Ansamblit “Kuvendi” të Dardhës në vite: Hazis Ndreu – Nderi i Kombit, Liri Rasha, dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, Caje Poleshit, Sherif Dervishit (edhe këta të dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh”, etj. Këta ikona, si dhe kompozitori i tangos shqiptare Muharrem Xhediku dhe aktori, regjisori e këngëtari i mirënjohur Skënder Cala – Mjeshtër i Madh, që kanë frymëzuar e frymëzojnë edhe artistin Bledar Kaca do t’i evidentonte me veneracion moderatori Defrim Methasani edhe në këtë koncert recital, ashtu siç do të promovonte me vlerat që bartin e transmetojnë tek publiku edhe poetët e këngës Munir Hoxha e Ramadan Topuzi.

Dy këngët me tekst të këtyre dy poetëve të talentuar “Mos harro që je dibran”dhe “Bekimi i prindërve”, padyshim që ishin ndër më duartrokiturat nga pjesëmarrësit që ndoqën këtë koncert recital të Bledar Kacës. Por më të larmishëm e bënë atë edhe duetet me këngëtaret Vida Kumoka, Elvira Fierza, Aferdita Lala, Mentor Topuzi, Leonard Islami, Mirgen Zela e Gentian Dervishi gjatë interpretimit të këngëve: “Ky kurbeti fort i rëndë”; “ Sot marton motra një vlla”; “ Potpuri dibrane”; “Bekimi i prindërve”; “Dibra e Kukësi krah për krah”; “Dasma e djalit”, “Moj Bulqizë unazë floriri” dhe “Çifti jonë qoft i bekue”.

Këto këngë të interpretuara mjaftë bukur dhe të shoqëruara nga grupi i valleve, qenë mbresëlënësë për qindra pjesëmarrësit që i ndoqën ato. Dhe jo vetëm Bledar Kaca, por dhe babai i tij Shefqeti, bashkëshortja Donika e xhaxhai Muniri (Drejtor i Shkollës “Ismet Manushi” Sukth, ndjehen më krenarë se kurrë me djalin e tyre artist që me këtë koncert recital përfaqësoi denjësisht Dardhën, Dibrën dhe gjithë Shqiptarinë.

Veçanërisht me këngën hit “Mos harro që je dibran”, vargjet e së cilës janë simboli historik i Dibrës dhe dibranëve në shekuj, i mendjemprehtësisë dhe urtësisë së tyre, Bledar Kaca u prezantua si këngëtar virtuoz që ngre peshë zemrat e dibranëve, kudo që ndodhen në hapësirën mbarëshqiptare në botë.


PAK NGA KARIERA ARTISTIKE E BLEDAR KACËS


Bledar Kaca, i profilizuar nga mjeshtri i dokumentarit televiziv Defrim Methasani, si zë i bukur dhe melodioz i këngës dibrane dhe shqiptare, ka lindur dhe është rritur në fshatin piktoresk Tartaj të Zall Dardhës që ngjan si një ballkon i një vendi, që malet i ka si kapele, ndërsa poshtë në këmbët e tij ka lumin Drin. Aty ai kreu shkollën fillore, ndërsa tetëvjeçaren e mbaroi në Lashkizë dhe të mesmen në qytetin e Durrësit.

Në vitin 2001, kur ishte vetëm 13 vjeç, Bledari nisi karierën si muzikant, duke marrë pjesë në disa gëzime familjare, me daulle tumpan, por që këngën gjithmonë e ka patur pasion dhe ëndërr të tijën edhe pse nuk kishte provuar kurrë të dalë në skenë para publikut.

Nuk kaloi shumë kohë dhe pas tre viteve, në 2004, Bledi filloj të këndojë me një grup orkestre në Dibër, në gëzime dhe evente familjare. Por, paralelisht, asokohe ai angazhohet edhe në Grupin Folklorik “Kuvendi” të Zall Dardhës me drejtues artistik Xhelal Çerpen, ku mori pjesë në disa koncerte, jo vetëm në skenën e Zall Dardhës, por edhe në Peshkopi, Burrel etj.

Pas dy vitesh, më 2006, Bledari shpërngulet nga Zall Dardha për t’u vendosur familjarisht në Sukth të Durrësit, ku përsëri këtu angazhohet me një tjetër grup muzikor.

Në vitin 2007 Bledar Kaca kreu një kurs 6 mujor për piano. Pastaj nisi të marrë pjesë në koncerte e gëzime familjare në Kosovë, Maqedoni, Greqi, Itali, Gjermani, Francë, Suedi, Hollandë e Angli, ku me zërin e tij melodioz ngrinte peshë zemrat e emigrantëve shqiptarë në këto vende. Bashkëpunimet e tij janë me disa këngëtarë të njohur si: Vida Kumoka, Elvira Fjerza, Perlat Sheqeri, Leonard Islami, Mentor Topuzi, Gentian Dervishi e Mirgen Zela.

Në repertorin e tij numërohen 36 këngë. Këngën hit “Mos harro që je dibran” që e bëri shumë të njohur Bledarin e ka kënduar për herë të parë në vitin 2016. Ai, edhe sot është pjesë vitale e Ansamblit “Kuvendi” Zall Dardhë me president Z. Neshat Ndreu. Në këtë rrugëtim të gjatë me këngën si bashkudhëtare, Bledar Kaca ka bashkëpunuar ngushtë me poetët e këngës (tekstshkrues) Munir Hoxha, Gjovalin Dushaj e Ramadan Topuzi.

Bledari është i martuar dhe ka dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Familja e tij e origjinës përbëhet nga babai, nëna, një vëlla dhe dy motra.


DEKORIMET NGA FEDERATA UNIVERSALE:

KADRI CANI DHE BLEDAR KACA

MARRIN TITULLIN “AMBASADOR PËR PAQE”


Gërshëtimi i repertorit të këtij koncerti recital me dhënien e titullit “Ambasador për Paqe” dy personaliteve të Zall Dardhës, intelektualit me përmasa e rrezatim mbarëkombëtar Kadri Cani dhe protagonistit të këtij takimi, artistit Bledar Kaca, qe një risi, dhe pse jo qasje ideale e Federatës së Paqes Universale në Shqipëri.

Pikërisht këtë qasje do të reflektonin në fjalët e tyre rastësore, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Paqes Universale në Shqipëri, Gani Roshi dhe Muharrem Gjoka – Mjeshtër i Madh, ambasador për Paqe, Presidenti i Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu”- Nderi i kombit”, njëherësh “Qytetar Nderi” i Qarkut Dibër.

Fjalët rrjedhin lirshëm kur bëhet fjalë për Kadri Canin, i cili pasi shërbeu për disa dekada me përkushtim të rrallë si mjek veteriner në vendlindjen e tij, Zall Dardhë, pas vitit 1997 do të bënte emër si specialisti më i mirë i kësaj fushe në disa ish kooperativa bujqësore të Tiranës. Përvojën e fituar do ta implementonte më së miri pas ‘’90-ës me ngritjen e një kompleksi blegtoral në Pezë, ndërkohë që Bar-Restoranti i tij “Belaliza” është mjaftë i preferuar nga një klientelë e përzgjedhur.

Kadri Cani, që nga dje (5 shkurt 2023) mban edhe titullin “AMBASADOR PËR PAQE”, është i njohur si mbështetës dhe sponsor i disa veprimtarive, jo vetëm të Ansamblit “Kuvendi” Zall Dardhë, por edhe për botimin e librave të disa autorëve dibranë.


SIPARI I VEPRIMTARIVE PËR 75-VJETORIN E ANSAMBLIT “KUVENDI” ZALL DARDHË


Organizimi i shfaqjes “Recilal i këngëtarit Bledar Kaca” të datës 5 shkurt 2023 në Pallatin e Kulturës “Artan Cuku” Kamëz, përveçse Defrim Methasanit ka dhe një emër tjetër të spikatur. Ai është Neshat Ndreu – President i Shoqatës “Ansambli Kuvendi Zall Dardhë”.

Nëse para katër vitesh, me rastin e 70-vjetorit të këtij Ansambli, Neshati organizoi një koncert festiv po në pallatin e Kulturës Kamëz, ku ky ansambël u dekorua nga ish-Presidenti Meta me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit I, këtë 5 shkurt festa mori karakter gjithpërfshirës. Pas afro një muaj përgatitjesh dhe takimesh intensive të artistit Bledar Kaca me Neshatin dhe moderatorin e shumëtalentuar Defrim Methasani, falë aftësive organizuese e menaxhuese të tyre u finalizua projekti i shfaqjes së recitalit të parë të këtij këngëtari virtuoz. Ndaj dhe me krenari legjitime, teksa shpërndan “Çertifikata Mirënjohje” për artistët që shoqëruan Bledar Kacën në këtë recital: Vida Kumoka, Elvira Fjerza, Aferdita Lala, Elvis Domi dhe për potetët e këngës Munir Hoxha e Ramadan Topuzi, Neshat Ndreu e konsideron këtë recital si siparin e aktiviteteve të shumta e të larmishme që do të zhvillohen në kuadrin e 75-vjetorit të Ansamblit “Kuvendi” Zall Dardhë, që sipas tij do të kulmojnë me koncertin e madh festiv në 30 qershorin e vitit të ardhshëm në Pallatin e Kongreseve. Kësisoj historia riciklohet. Atë që bënë burrat e shquar të Dardhës, para shtatë dekadash, duke themeluar Ansamblin “Kuvendi”, me në krye ikonën e artit e kulturës Kombëtare Hazis Ndreu – Nderi i Kombit, po e ripërtërin Neshat Ndreu-President i Shoqatës “Ansambli Kuvendi Zall Dardhë”, të cilin kreu i shtetit e ka dekoruar me Titullin “Për merita të veçanta civile” – titull ky që u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për merita të veçanta civile në Republikën e Shqipërisë. Janë të rrallë burrat si Ai, që edhe në këto kohë të vështira kontribuojnë për ringjalljen e traditës. Realizimi prej tij i vizitës së ish-Presidentit Meta në Zall Dardhë më 18 shtator 2020 (dhe më 19 shtator 2020 në qytetin e Peshkopisë), ku u vlerësuan me dekorata të larta artistët më të mirë të kësaj treve: Hazis Ndreu, Muharrem Xhediku, Xhelal Çerpja, Qerim Sula e Sherif Dervishi (pas vdekjes), si dhe Liri Rasha, Sahje Poleshi, Halil Rama, Xhelil Imeraj, Lutfi Ndreu, Shaban Mëziu, Hysen Ndreu, Neshat Ndreu e Agim Cani është shembull frymëzimi për të gjithë ata që duan të promovojnë e trashëgojnë traditat e shkëlqyera të Dardhës.



155 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page