SHËNIME DHE PAK REFLEKSION NGA ROMANI “UDHËTIMI I FUNDIT” I KOÇO VOGLIT.
Vdekja është stacioni i fundit i jetës së gjallë në tokë, mandej shpirti shkon në qiell. Ky fenomen është bërë subjekt i romanit “Udhëtimi i fundit” i romancierit dhe prozatorit tanimë të njohur sarandit, Koço Vogli. Me vdekjen jeta merr fund biologjikisht, ndërsa në superciozitet ajo vijon të jetojë në qiell. Ndaj dhe në këtë roman shkrimtari Koço Vogli e zhvendos ngjarjen dhe tërë subjektin nga qielli në tokë dhe nga toka në qiell. Bashkëbisedon mes të gjallëve dhe mes shpirtit të tyre qiellor. Por ka një fokus; janë banorët e shtëpisë së fëmijës, kjo shtresë shoqërore e braktisur si nga ana e prindërimit, ashtu edhe nga ajo shtetërore. Subjekti sjell ngjarje aty ku jeton meditimi i zhytur në trishtimin e oqeanit të dhimbjes, aty ku loti bashkohet me buzëqeshjen premtuese, aty ku shpresa fle në ëndërrimet e së arthmes pa paramenduar e paragjykuar zhgënjimin e së nesërmes. Pse kështu?! Deri në makrabitet, se vdekje ka edhe mes këtyre banorëve, po asnjë ndëshkim nga drejtësia, sa mendon dhe thua se ka edhe pasoja pa shkak(!!!). Rezonanca e sjelljes së personelit kujdestar në këto shtëpi fëmijësh vijon. Denoncime për abuzime ka, por mbeten si vet banorët e kësaj shtëpie, jetime. Heshtje pa ndëshkime. Ky është mëkat i madh njerëzor. Vet këta kujdestar tundin flamujt e lavdisë së pameritueshme dhe ngritjen në karierë si kërmij të jargavitur mbi lëndinën me vesë të pastër të këtyre vogëlushëve fatkeqë që fati i ka braktisur. Syri i tyre ndrydhet, tkurret, por ama ecin dhe përpiqen të mbijetojnë. Fate njerëzore që nuk i zgjedh, por të vijnë vet e të pllakosin dyert e jetës. Zemra e tyre përvuajtëse përjeton dhimbje, por karakteri jo qaraman. Kjo tematikë e kësaj situate e ka frymëzuar muzën e shkrimtarit Koço Vogli të na jap këtë vepër letrare me vlera të larta artistike dhe mesazhe jetike. Tablotë ballafaqohen mes jetës dhe shpirtit të të vdekurve, një antitezë e goditur si mjet realizues i romanit në tingujt e dramacitetit dhe krijojnë kontraste që formojnë pikën kulminante të subjektit të romanit. Autori denoncon me zë të fuqishëm braktisjen prindërore si mungesë e dashurisë njerëzore sepse askujt nuk ka pse t’i vijë turp nga fëmija i tij, qoftë edhe si krijesë njerëzore i ardhur në jetë si rezultat i një dashurie fatale apo fryt i një lidhjeje intime të dështuar. Fëmija është i pafajshëm dhe pikë së pari do kujdesin prindëror, do dashurinë dhe ngrohtësinë e tyre për mirërritje dhe mirëedukim. Ndryshe, në mungesë të tyre, është si të kujdesesh për një pemë që mbjell në shkretëtirën ranore duke luftuar me thatësirën e saj që pema të mbijetojë, po dhe po mbijetoi del një bimë anemike. Subjekti ngjeshet dhe krijon fakte të fuqishme emocionale nga vet dialogu dhe monologu i personazheve dhe i shpirtrave të tyre në rrëfimin e së vërtetës së dhimshme brenda jetës së banorëve të kësaj familjeje të madhe. Mënyra e vdekjes së tyre është e ndryshme, por shkaku i njëjtë; moskujdesi dhe shpërfillja ndaj tyre. Njëri vdes në makinë mes acarit të ftohtë dimëror i vetmuar, i braktisur deri në diskriminim për banesë apo një kthine ku të ndjente të ngrohtin dhe pak ushqim , ose të paktën të fuste kokën se pushteti nuk e përfill, por vetëm kur jep lamtumirën e fundit me largimin nga kjo jetë të bëjën falas shërbimet funerale dhe përcjelljen për në banesën e fundit. Tjetra vdes se bie nga pema për të marrë frytet e saj të shuante urinë se ushqimin ja kanë ndaluar kujdestarët për shkelje disiplinore . Sarkazëm e fuqisjme e autorit sa të kujton fragmente nga filmi “Lulëkuqe mbi mure” ku fati përsëritet edhe në socializmin ngadhnjimtar të krijimit të njeriut të ri. E kështu me rradhë ngjarjet vijnë e bëhen më apeluese për të pasur më shumë vëmendje ndaj tyre, për t’u zbutur sadopakë dramën dhe tragjizmin e jetës, jetë e cila i ka flakur në një cak si Luli i vogël migjenian. Autori nuk luan rolin e avokatit, as të prokurorit dhe gjykatësit, por të një qytetari të emancipuar me një vështrim kritikë ndaj jetës dhe mënyrës së trajtimit të kësaj shtrese të cilëve, në një farë mënyre, nuk u ikën “persekutimi” shoqëror e social dhe kur dalin në jetë e krijojnë familje. Por jepet edhe një unitet mes këtyre banorve për të ndihmuar njëri-tjetrin në fatkeqësitë që ata i quajën të përbashkëta se vet fati i bashkoi dhe janë të detyruar t’a përballojnë se jeta do përballuar si të vjen. Asnjëherë nuk është vonë për reflektim. Për t’a ka vend jeta si për të gjithë dhe integrimi i tyre është detyrë dhe përgjegjësi e tërë shoqërisë së shëndoshë. Po të marrësh shembull qytetin tonë ku ndohet një shtëpi fëmijësh, disa prej këtyre banorëve i kanë dhënë qytetit nder, krenari e lavdi duke thyer rekorde kombëtare e ndërkombëtare në not dhe duke marrë edhe tituj të lartë sportiv. Por asnjë prej tyre nuk është nderuar e vlerësuar si “Qytetar Nderi”. Pse?! Është ajo që parathamë dhe e bën autorin të ngjiz subjektin e romanit; persekutimi shoqëror dhe përçmimi ndaj tyre. Parja me një sy sikur nuk janë tokësor , por kanë ardhur nga një planet tjetër. A s’kanë të drejtë të jetojnë jetën si të gjithë? Por duan pak ndihmë, kurajo e mbështetje se vijën nga hiçi në kuptimin e trashëgimisë qoftë pronësore e qoftë monetare. Së fundi dua të them se romani i Koço Voglit është një sukse në trajtimin e një teme të veçantë, sepse edhe letërsia sikur i ka lënë jetim këta fatëkq. Koço ja ka arritur qëllimit të zbutë sadopakë dhimbjen e tyre dhe t’i sjellë shoqërisë dhe institucioneve shtetërore sinjalin për më shumë vëmendje në trajtimin dhe integrimin e tyre dhe të mos kujtohemi kur ata marrin ” Udhëtimin e fundit”. Megjithse një vepër letrare, sjell një realitet të hidhur dhe shpresojmë që t’a lexojnë e të reflektojnë. Suksese Koço!
Sarandë; 13-11-2020
Comments