top of page

BISEDË ME HËNËN


BISEDË ME HËNËN

-cikël me poezi-

Ç’MË THA HËNA ...

Te berryli i sokakut m’u përvodh dielli

Si fëmijë do që të luajë,ta ndjek nga pas

Prapa perdes së murmë u fsheh mos e gjej

I lutem mos më iki, por unë me kot i flas


Me një buzëqeshje dinake seç afrohet hëna

Me ngjyrën e verdhë të ftohtë më ironizon

-Ej, ti, si më harrove? Unë s’të tradhëtova

Kur puthje vajzën bjonde mbrëmjen vonë.


Humbi dielli te berryli i sokakut të shkretë

Hëna mbi kryet më ulet, pëshpërit: oh,sa keq

Do të vete,më thotë, të trokas te dritarja e saj

Mos të degjoj njeri,derën ngadalë do ta tërheq.


Te bliri i vetmuar me aromë të dehni buzët

E unë t’ju ruaj, me xhelozi t’ju bëj shoqëri

Ta dish miku im,se dhe Romeo me Zhuljetën

Nën dritën time magji,çmendeshin në dashuri.



PEIZAZH I SHPËRFYTYRUAR


Hëna doli e shastisur e nusëron mbi qafën e malit

Me sytë e qelqtë e dritë të zbehtë praron trishtim

Një qyqe e ve, e vetmuar i shkon pranë t’i bëj shoqëri

Puthen në heshtje, drita e mardhur me këngën vajtim


Serenata rigon dhembje e zbut zëmrën e gurtë të malit

Pikëllimi i dritës e vaji i qyqes i bëhen lëmsh në fyt

Dridhet agimi i brishtë i mëngjesit me monica thëllimi

E lulet me barin në lëndinë, e kthejnë vesën në lot dritë.


Shpirtnxira natë i prishi qetësinë dhe ëndërrimin hënës

Nxiti erën t’ishkulë flokët pemëve dhe zogjtë t’i tremb

Pa nisi lart edhe ca re budallaqe t’i mbulojnë fytyrën

Të zhgaravisin peizazhin me ligësi, ta përqesh, ta nëm


Dhe hëna e zbehtë u mërzit e iku pa thënë asnjë fjalë

U zu me natën lugate, veshur me mantelin e saj të zi

Ia prishi mbrëmjen, ëndrrën e ëmbël me magji hyjnore

Irritoi peizazhin romantik e pikoi dhembje melankoli.


HËNË, MOJ HËNË


Në qiellin e mardhur hëna me indiferencë shëtit

I flas, e përshëndes, ajo e ftohtë s’më kthen sytë

Kaq netë më vinte me naze topolakja te dritarja

Të përqafoheshim fort, të ëndërronim, lozonjarja


Buzëqeshja e akullt sajoi shpejt në buzët një lak

Fshehtas sytë mes një shtegu,shikonin një yll larg

Ëndrrës iu morën mendtë e ra në një pellg me ujë

Përqafimi pa ngjyrë, ah, edhe shpirti që flet rëmujë.


I përgjërohem hënës, ajo s’do të më vij në dritare

Më kthen shpinën,u kërrus shumë,është ligur fare

I shoh pak sytë e buhavitur, si e përgjumur kotet

Pastaj nxiton pas malit, fshihet mos i shikoj lotët.


MBRËMË HËNA VALLËZOI NË KOPSHTIN TËND



Mbrëmë hëna vallëzoi si e çmendur në kopshtin tënd mbretëror

Lulet dhe trëndafilat nuk përmbaheshin më,të zjarrtët spektatorë.

Zogjtë e përgjumur hapën gjysmë sytë dhe të shikonin, ah, me zili

Yjet të nusëronin që nga larg, të spërkatnin me aromë dehës jasemi



Kaçurrelat e tua vallëzonin me hir e belin dridhnin si vajzë nazike

Gjokshapur me gjinj të bardhë, të luaj me to,ah,kjo puhizë erotike

Lumturia u ul mbi stol me një shportë mbushur plot me lule borë

Ia hedh henës valltare në supe që magjepsi kopshtin tënd mbreteror.


Ndaj të gdhirë mbaroi party pastaj sytë e bukur lan ti me pak vesë

I erdhi radha diellit të harliset, të puth ëmbël në faqe e fort të të ndez

Vjen princesha me kafe në dorë, të parat trëndafilat t’i bëjnë shoqëri

Petalet ulen përmbi flokët e saj e në vesh i pëshpërisin për natën magji



FTESA E HENËS


Sonte hëna nuk pati frikë nga të ftohtët

Yjeve iu lut të zbukurohen këtë natë

Qiellit i mori sallën e madhe blu me qira

Ftoi të dashuruarit në vals e serenatë


Sonte hëna nuk pati frikë nga të ftohtët

Veshi kostumin e bukur me dritë të bardhë

Troket gotën: Sonte nuk ua mbaj sekretin

Kërceni me dashurinë derisa të zbardhë


Sonte hëna nuk ka frikë nga të ftohtët

Në koktein e dashurisë ulur si zonjë e parë

Si magjistare i kthen ata në shtojzovalle

Dhe në mëngjes i përcjell me yllin polar.

25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page