Bir, ndiz zjarrin tënd!
Prof Dr Fatmir Terziu
Është një fragment. Pos tij vijon e qeshura dhe… Pak a shumë është i tillë. Dy zonja kalojnë pranë aktorit të humorit Theofil Haxhijani dhe ngulin sytë tek hunda e tij e gjatë. Aktori me një sens të thjeshtë, tepër domethënës, delikat por gjithë takt u kthehet: „Mos Ju pengon gjë hunda ime?!“ E ndërsa e qeshura konsumohet mjediseve të tjera, ajo që ka mbetur pos frazës që ende të bën për të qeshur është një filozofi më vete. Mjafton vetëm kaq. Mjafton të bëhet zbërthimi i saj dhe „Mos Ju pengon gjë hunda ime?!“ të kuptohet në tërë aftësitë e saj komunikuese. E gjitha thuajse duket se ndodhet tek libri i tij autobiografik „Një mendje, hiç mendje“, por është e pamundur të besohet kështu, pasi gjuha e trupit dhe e mimikës së këtij aktori artist me vlera të padiskutueshme fliste, flet dhe do të flasë akoma më shumë se sa teksti. E tillë ka qenë që në fillesën e saj, kur ai u gjend përpara konkurrencës në rritje të aktorëve ku nis jetën artistike, ku emrat e aktorëve, Jorgo Nano, Lekë Mosi, Myfit Brajo, Illo Martiko, madje dhe Violeta Cari (Haxhijani), bshkëshortja e tij dhe shoqja më e mirë e udhës së tij artistike, ishin jo thjesht përditësi e angazhim artistik.
Shpeshherë i gjendur në krah të regjisorit të talentuar, Thoma Milaj, ajo që pasohet nga teksti dhe „body-language“ (gjuha e trupit) kanë një kuptim më të gjerë në qasjen e humorit që përcillte vetë prezenca dhe statura e aktorit, po aq dhe ajo që ai enkas e përdorte si armën e fundit të tij për të angazhuar të qeshurën masive, pra atë element jetik të ushqimit të humorit artistik. Me këtë kontekst dhe profil memorjesh ikona e Estradës së Sarandës, Theofil Haxhijani, i mbërthen tashmë 82 vitet e jetës së tij në një grusht metaforash humori, që mbeten buqetë e pavdekshme për brezat që ai i bëri të ndjehen mirë, të qeshin e të mbajnë jetën larg halleve dhe përditësive të kohërave. Ai ende është „rinosh“ në qasjen memoriale, dhe kështu mbetet ajo që ne vazhdojmë të ndjejmë për udhën e tij artitike.
Theofil Haxhijani lindi në qytetin e Delvinës, më 14 nëntor 1939 dhe për gati 30 vjet punoi si aktor profesionist në estradën profesioniste të Sarandës. Spikati si aktor i humorit në Lëvizjen Teatrore Amatore të Delvinës dhe për aftësitë e tij u tërhoq në Estradën Profesioniste te Sarandës, ne shtator te vitit 1965. U martua me aktoren Violeta Cari Haxhijani, me të cilën interpretoi së bashku në skenën e kësaj estrade shumë role, sidomos kuplete, parody, skeçe të muzikuara, komedi muzikore etj. Ka realizuar mbi 200 role, kryesisht në gjinitë e shkurtra të humorit,, por u bë i njohur posaçërisht si kupletist e parodist me zërin e tij të ngrohtë, melodioz, me sensin ironik e sarkastik si dhe me mimikën karakterizuese. Krahas roleve në llojet e shkurtra të dramaturgjisë si skeçe, dialogje, monologje, kuplete etj., luajti edhe role në komedi.
Ai u dallua me rolin Sokrati, te komedia „Me plot deshirë“, 1978, ku loja e tij e bëri që Sokrati të ishte një nga figurat më të arrira të tij. Në këtë rol tërhoqi vëmendjen shpotia ndaj zyrtarëve të shkëputur nga jeta, sikurse edhe dhuntia për të luajtur bukur e me korrektesë në partin vokal-muzikor. Më pas interpretoi tenente Moretin në komedinë muzikore „Alarm me postekomandë“ (1981) teë Enver Isufit. Pas vitit 1991 emigroi në Greqi. Në vitin 1970 iu dha Urdhri "Naim Frashëri" i Klasit të Tretë. Më 1978 u pranua si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në vitin 1979 mori titullin "Artist i Merituar", ndërsa në muajin nëntor 2014 iu dha titulli "Mjeshtër i Madh".
Theofil Haxhijani ka interpretuar edhe ne disa filma ku permendim “Udhëtim në pranverë” – (1975); “Nga mesi i errësirës” – (1978);“Pranverë në Gjirokastër” – (1978); “Historiani dhe kameleoni” – (1989) etj. Natyrisht nuk ka si të mos e kuptosh sensin e humorit tek polici i “Udhëtim në pranverë”, apo tek roli i Zeqos tek “Nga mesi i errësirës”, edhe pse teksti pret sublimen e gjuhës së aktorit. Por ajo që mbetet e mrekullueshme, tipike, e thënë qartë dhe shkurt si „alla-theofiliane“ janë komeditë me një e shumë akte, vodevilet gazmore e deri tek operetat e plota), ku shihet plasticiteti i qenësishëm, mimika e nevojshme dhe aktrimi jetik, natyral, domethënës që mbërthen talentin e vet, po aq edhe këngëtarin melodioz, paraodistin e kupletistin brilant, atë që në thelb e në heshtje të gjithë në Sarandë e parnojnë si themelin e një institucioni, që nuk mbetet vetëm tek rolet, por tek mjeshtëria që i dallon ato.
Për këtë e mjaft gjëra të tjera, që në takimin tim me të në Sarandë, pas shumë vitesh në kuadrin e Triremës Joniane, të organizuar mrekullisht nga i pavdekshmi, poeti i Jugut, Agim Mato, „Mjeshtër i Madh“ ndjeva të lëvrinin domosdoshmërisht vargjet e mëposhtme, natyrisht me një diagramë artistike për të:
BUZËQESHJE
Aktorit të humorit Theofil Haxhijani
Ajo që qeshëm ishte velë e ngrehur mbi erërat e çelikut
shkëlqim i detyrueshëm i stërkalave të Jonit
kristal pamja e Delvinës në qendër të zemrës
nxitimi i shirave të ngadalta nga burimi i kuarcuar
për të lënë fjalët mbi një personazh të lumtur të shenjtë
larg nga barku i grifshës
lindur në ato monumente të kthyera në kujtesën tonë
një jehonë
të pafajshmit të lindur nga korraca e një kohe
i shuan ëndërrat nga etja natyrore
duke lejuar një qasje
si pluhur zjarri në rritje nga dihamat e kaluara gjatë natës
BUZËQESHJE.
E në tërë këtë normë të artit, pos asj që e thjeshtëzojmë „buzëqeshje“, frymëzim është më shumë se një prekje, më shumë si një dehje, tërheqje në melosin e vetë artit, ku arti dhe artisti bëjnë llogoren e vet, aty ku jeta ndërtohet me tërësinë e komplkesin e gjërave të plota. Aty është dhe mbetet vetë ajo që kërkohej nga aktori prej aktorëve e emrave të tillë të mëdhenj si Prokop Mima, Mihal Popi, Enver Dauti, Violeta Manushi, Skënder Sallaku, Melpomeni Çobani, që të bëhej pjesë e udhës së tij në art. Po njeriu i artit, ka një simbolikë të kësaj forme në tërë formësimin e tij artistik, që vjen që nga lindja, që nga ardhja në jetë e përditësohet më shumë si frymëzim nga vetë e përditshmja, nga jetikja, nga nëna, tek kjo e fundit ai gjeti frazën që i duhej më shumë se udhë, më shumë se frymëzim artistik:“Bir, ndiz zjarrin tënd!”. Dhe kështu zjarri artistik i Theofil Haxhijanit ishte një zjarr që vinte nga shumë vatra, ku porosia e udhëzimi i nënës së tij të dashur e udhëhoqi dhe e bekoi në jetë thjesht me një një dashuri të madhe.
Në këtë frazë të ushqyer nga nëna e tij, si dhe tek frymëzimi artistik prej emrave të lartcituar natyrshëm kuptohet dhe ajo që ushqeu dhe ndoqi në tërë aktivitetin e tij humoristik, ku natyrshëm bie në sy filozofia e palsticitetit të aktrimit dhe e produktit të humorit. Në tërë këtë angazhim dhe lojë artistike plasticiteti i aktorit emëron aftësinë për të dhënë formë dhe për të marrë formë në lidhjen mes teksti dhe aktrimit, lojës dhe mesazhit të saj adekuat tek spektatori. Ashtu sikurse jeta në vetvete është plastike, edhe këto forma të ardhura nga oja dhe intepretimi duhet t'i marrim si një sugjerim për të menduar për ndryshueshmërinë e shumë prej strukturave që më parë janë supozuar të ishin fikse.
Loja dhe arti i tillë në qasjen e këtij plasticiteti nuk është i barabartë me një kapacitet të pakufizuar për metamorfozë, por vetë plastikësia e formës art-sjellëse nuk është thjesht elasticitet, nuk është thjesht rrjedhshmëri, as nuk është përshtatshmëri, por është polimorfizëm me përshtatshmërinë e pafund, pasi duhet theksuar pas një loje të tillë të domosdoshme humori, truri mund të shërohet pas çdo gjëje, mund të përshtatet me çdo detyrë që kishte rënë pre e ideologjisë së asaj kohe të interpretimit, e cila përpiqen të përdorte trurin si metaforë për punëtorin e përsosur, për Njeriun e Ri. Sot nëse i rinjdekim këto jashtë formatit ideologjik të kohës që i solli në jetë nga telsti i kontrolluar mes një loje të tillë profesionale kuptojmë se e gjitha duhet të mbetet tek ajo është e domosdoshme për të krijuar forma të reja nga asgjësimi i atyre të vjetrave, por që gjithnjë thelbësore mbetet ajo që vjen nga Bir, ndiz zjarrin tënd!
Comentários