PASURIA GJUHËSORE E SHKRIMTARIT YMER ELSHANI NË NJË VËLLIM LEKSIKOR
Bilall Maliqi, shkrimtar
Begzad Baliu –Bahtijar Kryeziu, Fjalor i veprës letrare të YmerElshanit, Prishtinë, 2021, f. 560.
Në vazhdën e leximit të studimeve e veprave albanologjike të studiuesve të njohur, profesorëve Bahtijar Kryeziu e Begzad Baliu,të cilët vërtetë janë një minierë e pashtershme në shkencën e albanologjisë, në kërkime profesionale e në krijimtari letrare, u ndala edhe në një vepër tjetër me shumë rëndësi, me titull “Fjalor i veprës letrare të Ymer Elshanit”, të cilin e kanë përgatitur në bashkautorësi, ashtu sikur e kanë përgatitur në bashkautorësi edhe një monografi të shkurtër për akademik Idriz Ajetin, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së profesor Ajetit, veprën leksikografike për Martin Camajn dhe, sikur kam kuptuar, po punojnë edhe për autor të tjerë të shquar të letërsisë shqipe, përkatësisht për poetët e shekullit XX, duke filluar nga leksiku i poezisë së Anton Zako Çajupit e deri te leksiku i poezisë së Visar Zhitit.
Shkrimtari i një tragjedie të madhe, familja e të cilit u flijua për lirinë e Kosovës, Ymer Elshani, është njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë shqipe për fëmijë në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ai e ka pasuruar letërsinë shqipe për fëmijë dhe të rinj me tema të mëdha historike dhe me tema psikologjike për fëmijë e në mënyrë të veçantë ai e ka bërë të pasur poezinë dhe sidomos prozën tregimtare e romanin me tema fantastiko-shkencore.
Brenda vëllimit Fjalor i veprës letrare të Ymer Elshanit, gjejmë shprehje të shumta e të ndryshme, të shkrira në një korpus leksikor historik, profesional, gjuhësor e bashkëkohor, kuptohet, sipas rendit alfabetik, në të cilin shënohen fjalë të zgjedhura, të cilat janë vjelë nga vepra letrare (në poezi e në prozë)të shkrimtarit të njohur për fëmijë, Ymer Elshanit.
Profesorët e nderuar, Bahtijar Kryeziu e Begzad Baliu, kanë vjelë nga vepra e poetit jo vetëm fjalët po edhe togfjalëshat, shprehjet, frazeologjizmat dhe neologjizmat e krijuara në kontekst të temave të krijimtarisë letrare ose me qëllim të bartjes së një mesazhi të ri, të cilat në kontekstin historik shpesh janë të njohura e të lidhura me leksikun e të folmes të krahinës së Drenicës, asaj krahine ku lindi, jetoi, u frymëzua dhe madje nuk u largua deri në vdekje shkrimtari ynë i madh i letrave për fëmijë -YmerElshani. Vetëm struktura përmbajtjesore e librit, në të vërtetë vëllimi prej 560 faqesh, shpërfaq më së miri pasurinë gjuhësore dhe sidomos leksikore e semantike të veprës të tij poetike, numrin e madh të neologjizmave të krijuara nga ana e tij dhe sigurisht shtresat e nënshtresat kuptimore të saj.
Secila krahinë etnografike, anekënd trojeve shqiptare, ka fjalësin e saj me përdorim e shqiptim pak a shumë të veçantë nga goja e popullit, por që një numër të tyre ende nuk i njeh Fjalori i gjuhës shqipe. Duke i vjelë ato në terren, sigurisht se e pasurojmë Fjalorin e gjuhës shqipe, por njëherazi, me atë thesar të çmuar nga krijimtaria letrare e Elshanit, ne pasurojmë vlerat dhe trajtat, semantikën e tyre dhe në këtë mënyrë ne pasurojmë një dimension tjetër leksikor e semantik të fjalorit të gjuhës sonë. Te shkrimtarët, ose më mirë të themi te shumica e shkrimtarëve, gjejmë trashëgiminë tonë të formësuar e të përdorur letrare.
Ymer Elshani, shkrimtar i madh i letërsisë për fëmijë, shumë herë edhe me fjalën edhe me kuptimin është i drejtpërdrejtë me fëmijët, po edhe me ndonjë fjalë që i vë në lajthitje sa i përket kuptimshmërisë saj.Ymer Elshani, sigurisht se ka përdorur fjalë të visarit të tij ku ka jetuar dhe kanë qenë sigurisht të njohura për shtresën e lexuesve të asaj anëve, por për lexuesit e një hapësire gjithëkombëtare ato ndonjëherë duhet të shpjegohen më thukët.
Duhet ditur mirë se brenda komplet veprës së shkrimtarit Ymer Elshani, përveç që është e pasur me tematikë të zgjedhur, të arrirë artistikisht dhe estetikisht, ajo brenda vetes ngërthen edhe përbërës të tjerë gjuhësorë, si: toponime, antrotoponime, fjalëformime interesante, emra të trajtave të pasura gramatikore, veçori të cilat shumë rrallë gjenden në gjuhën shqipe, etj., të cilat ia rrisin kërshërinë studiuesve dhe të interesuarve të tjerë të merren me këtë krijues të veçantë të letërsisë për fëmijë dhe të lexuesve të cilëve u interesojnë fjalët e shkrimtarëve me emër, të cilat nuk mund t’i shkokëlojnë e t’i kenë në një botim të tillë, të veçantë.
Shkrimtari, Ymer Elshani, bie në kategorinë e poetëve të mëdhenj shqiptarë për fëmijë, gjithnjë duke u thirrur në veprimtarinë e tij të begatshme, shoqëruar me vlera të larta artistike dhe estetike, me të cilat është marrë seriozisht kritika kombëtare në përmasa gjithëpërfshirëse.
Në këtë shumësi fjalësh që gjenden brenda fjalorit, lexuesit nga areale të ndryshme shqiptare, do të gjejnë ndonjë fjali, apo fjalë krahine që përdoren në vendlindjen e poetit, e të tjerat i ka në fjalorin e veprës të autorëve me shpjegime, krahasime e diskutime.
Është me shumë interes edhe fakti se, sikundër shkruajnë autorët, ata kanë bashkëpunuar me banorët e këtyre tërthoreve, sidomos studentët e shumtë, që në këtë rast vijnë nga ato vise ku ka jetuar autori dhe që përdorin, dinë kuptimet e tyre ose i përdorin si fjalë shpesh me kuptime të reja. Bashkëpunimi me studentët e ka bërë këtë fjalor më kuptimplotë e më të përdorshëm në rrethe më të gjera të hapësirës kombëtare.
Studiuesi, prof. Begzad Baliu, ka botuar gjithashtu edhe një vepër tjetër të kësaj natyre, po të këtij karakteri, me titull “Semantika e varietetit” (Kërkime në fjalësin e veprës së BeqirMusliut), në bashkautorësi me dr. Faton Krasniqin, prandaj si duket kërkimet e tij vazhdojnë ta pasurojnë Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, nga një burim i veçantë i letërsisë shqipe: poezia e shekullit XX.
Le të shpresojmë se dy studiuesit tanë, Bahtijar Kryeziu e Begzad Baliu, pas këtyre veprave monumentale për shkrimtarët: Beqir Musliu, Martin Camaj e Ymer Elshani, do të vazhdojnë punën e vjeljes së leksikut të krijimtarisë letrare nga shkrimtarë të tjerë, jo vetëm nga Kosova e Shqipëria, po edhe nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e edhe nga Lugina e Preshevës, me një qëllim domethënës: krahasimin e këtij leksiku me poetë të trevave të ndryshme, që besoj është edhe mënyrë e krahasimit të tij sipas trevave, folësve, dialektit, kuptimeve e neologjizmave të krijuara në krijimtarinë letrare nga njëri krijues te tjetri.
Vepra të tilla, besoj, i bëjnë nder krijuesit dhe lexuesit, veprës dhe artit të saj, gjuhës dhe mesazheve poetike, strukturës gjuhësore dhe përdorimit semantik të saj etj. I tillë është edhe Fjalori për krijuesin, i cili jetën dhe veprën ia fali lirisë së popullit të tij dhe pasurisë së gjuhës së tij.
Σχόλια