“Bijtë e Shqipes”: Inagurohet ndërtesa e re e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia.
Më 13 Tetor 2024, ditën e Diel, Shoqata Mbarëshqiptare Social-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, e drejtuar nga Dritan Matraku kryetar dhe nënkryetar Mexhit Koboçi, do të organizojë festën më të madhe të realizuar ndonjëherë kushtuar komunitetit shqiptaro-amerikan, përurimin e Qendrës Komunitare dhe Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” në Filadelfia. Kjo shoqatë që bashkon në gjirin e saj gjithë shqiptarët nga diaspora jonë historike, ata të ardhur në vite në Filadelfia dhe përreth dhe të gjithë ata që vijnë nga trojet etnike që mbetën jashtë kufijve të vendit kundër dëshirës së tyre. Kjo është një festë e madhe, sikurse citohet, dhe natyrshëm ngritja e Qendrës Komunitare dhe Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” në Filadelfia është një festivitet më shumë se sa vlerat që kjo shoqatë ka shpërndarë ndër vite për audiencën me mënyrën e jetesës dhe dashurinë e vërtetë për Shqipërinë e shqiptarëve të kudondodhur, për traditat, kulturën, zakonet, doket, festivitetet dhe gjuhën e bukur shqipe.
“Kjo është një Shqipëri e harruar, zjarri i vogël por i ndezur i së cilës është në gjendje të shndërrohet në flakë nëse i jepet mundësia të bëhet pjesë e plotë e jetës së vendit tonë”, thotë Vlash Fili, njëri nga shkrimtarët me zë dhe njëri nga mbështetësit e kësaj shoqate, kur flet me pasion në intervistat e tij për diasporën historike shqiptare. Këto fjalë të tij përshkruajnë edhe arsyen pse vite më parë “Bijtë e Shqipes” mori kauzën për t'i ndihmuar këta shqiptarë të ndihen si pjesë e pandarë e tërësisë së vlerave shqiptare.
Projekti më i madh në mbështetje të kësaj kauze është jo vetëm kjo Qendër Komunitare e Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” dhe natyrshëm që mbetet një nga gëzimet më të mëdha, por e tërë rruga, angazhimi, përkushtimi, shkolla shqipe, aktivitete dhe më së shumti dhe promovimi i librave të shkrimtarëve shqiptarë në festa e organizime të shumta . Në të gjitha këto vite, “Bijtë e Shqipes” është shkruar me simbole drite. Ndaj jo më kot shkruhet dritësisht gëzimi: „Festë Madhështore për inagurimin e Qendrës së Re Të Komunitetit, 13 Tetor, 2024, Ora 11:00 AM.“ Dhe ja si shkruajnë ata duke iu drejtuar të gjithë bashkatdhetarëve: „Të nderuar bashkatdhetarë! Më 13 Tetor 2024, ditën e Diel, Shoqata Mbarëshqiptare Social kulturore “Bijtë e Shqipes” do të organizojë festën më të madhe të realizuar ndonjëherë kushtuar komunitetit shqiptare-amerikan, përurimin e Qendrës Komunitare dhe Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” në Filadelfia. Të gjithë jemi krenarë për këtë sukses. Ne e ndërtuam së bashku, ne duhet të festojmë dhe të gëzojmë së bashku me aktivitete të ndryshme për të rritur, familjarë dhe fëmijë dhe me një program të veçantë dhe emocionues.
Personalitete të njohura do të na bashkohen për të festuar këtë moment historik.“ Dhe këtë thirrje të gëzueshme e mbyllin duke falenderuar të gjithë bashkëpunëtorët ndër vite dhe duke bërë thirrjen publike, „ Ejani të festojmë arritjen tonë të përbashkët! Le t’i hapim dyert e shtëpisë sonë, Shtëpisë së Shqiptarisë së fëmijëve, nipërve dhe stërnipërve tanë! Të ndezim zjarr atmosferën të gjithë bashkë! Ju mirëpresim! Ceremoni Përurimi; E Diel, 13 Tetor 11:00 am-5:00 pm; 3322 Willits Road; Philadelphia, PA 19136“.
E ku ka më bukur kur thuhet se dyert e kësaj Qendre Kulturore janë „dyert e shtëpisë sonë, Shtëpisë së Shqiptarisë së fëmijëve, nipërve dhe stërnipërve tanë“. E ku ka më bukur! Kjo nënkupton se shoqata “Bijtë e Shqipes” gjithnjë synon të bëhet ai kujtim delikat për shtetin dhe qytetarët shqiptarë se ekzistojnë krenarisht dhe jetojnë me kranari kudo që janë, por se ekziston edhe një Shqipëri tjetër, e cila mbeti përgjithmonë jashtë kufijve fizikë të Atdheut tonë, por e vulosur përgjithmonë në kujtimet e paraardhësve të saj. Shqiptarët mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë. Njerëz që mbajnë brenda vetes frymën e dashurisë dhe traditës shqiptare dhe me krenari e quajnë veten shqiptarë.
Me këtë mesazh, me këto fjalë të bukura dua të përforcoj një bisedë me një djalë shqiptar të lindur jashtë Atdheut, të cilin e atakova në Rinas para se të kthehej nga pushimet e para në vendlindjen e prindërve të tij, por që dhe ai vetë e thoshte se „Ishte krenar që ishte shqiptar“. „Kur vizitova për herë të parë Shqipërinë, ndjeva se po kthehesha në shtëpi, se isha aty ku duhet të isha. Sikur që kur kanë lindur prindërit e mi, unë nuk e kam ndjerë se kam qenë mysafir”, më tha djaloshi, i lindur në Londër, në rrëfimin e tij për jetën si pjesë e diasporës shqiptare nëpër botë.
Ndonjëherë mjaftojnë disa fjalë të mira të thëna në kohën e duhur për të ngrohur zemrën e dikujt, për të frymëzuar dikë, për të bërë një ndryshim. Në çdo event ku marr pjesë, i bëj thirrje të pranishmëve që të mos i harrojnë bashkatdhetarët tanë, t'u shkruajnë një fjalë të mirë që ta dinë se Shqipëria po mendon për ta. Urime Shoqata Mbarëshqiptare Social-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, suksese hapjes zyrtare të Qendrës Komunitare dhe Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” në Filadelfia, përgëzime Shtëpisë së Shqiptarisë së fëmijëve, nipërve dhe stërnipërve tanë.
Londër, e enjte, 10 Tetor 2024
留言