Vullnet Mato
Thuhet, bota ka dyzet Shejtanë,
tridhjetenëntë në Shqipëri.
Shejtan-Baba bredh çdo anë,
këtu ka lënë gjithë bijtë e tij...
Ata i ka ngarkuar, në krye të herës,
të zbatojnë kryesisht, një detyrë:
me mallkimin e djajve të skëterrës,
ta kthejnë vendin në shkretëtirë.
Ky vend i shqipove të Ballkanit
të mos quhet më tej, Shqipëri,
po “Shkretëtira e bijve të Shejtanit”
ku djallëzia të ketë liri pa kufi.
T’i paguajnë padrejtësi gjyqtarit,
t’i rrëmbejnë pronarit pasurinë,
t’i mohojnë të drejtat qytetarit,
të trashëgojnë shqiptarët varfërinë.
Të nxitin birin të vrasë babanë,
të vrasë burri, nënën e fëmijëve,
të grinden djemtë, me thika e armë,
të shkrumbojnë zjarret nëpër pyje.
Të përhapin gjithandej gënjeshtra,
me pasiguri të paralizohet rendi,
të sfilitet njeriu, t’i mërzitet jeta,
të vritet shpresa, të braktiset vendi.
Të mbillet me helm droge, çdo brazdë,
të mbeten trojet me zhapinj e breshka.
Ndryshe kush qëndron pa ikur jashtë,
të përballet me gjakpirës morra, pleshta.
Ky vend mund të shpëtojë nga shkretimi,
po të shporren gjithë bijtë e shejtanit,
dhe të ngulitet në popull mendimi:
Vetëm të mençurit i dalin zot vatanit.
Comments