top of page

Bijat e Edip Ohrit dhe njerëzit e aviacionit…


Bijat e Edip Ohrit dhe njerëzit e aviacionit…


Agustin Gjinaj


Triptik


Strugë…

Pasi Kryetari i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, Dega Strugë, prof. Neki Lumani më ftoi në promovimin e librit tim “Edip Ohri legjenda e aviacionit”, një “dërgatë’ tiranase u nisëm me 22 mars 2014 për në Strugë, ku në hotel “Apollonia”, Shoqata e historianëve dhe Komuna e Strugës, do të organizonte promovimin e librit.

Kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela, një “hero” i mëvonshëm i demokratizimit të jetës në shtetin maqedon, tha në takim se : “Jemi një qytet me shumicë shqiptarë e asnjë emër rruge nuk është shqiptar, kur kemi figura si Edip Ohri, që mund ti vëmë nëpër rrugët dhe sheshet tona, emra që e meritojnë dhe do ta kishin zbukuruar e hijeshuar Strugën.”

Në sallën e mbushur pasi diskutuan Prof. Dr. Nebi Dervishi, historian dhe pedagog në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Astrit Jaupi, ish-komandant i FAjrore dhe Mehmet Latifi, recensentë të këtij libri, me duartrokitje u prit fjala e Mirjana Ohrit, vajzës së madhe të Edip Ohrit.

TV Kombëtar Shkupi bëri një dokumentar nga gazetarja e mirënjohur Merita Dulatahu. Libri na bëri miq me struganë të panjohur deri pak kohë më parë si Mehmet Latifi i ndjerë, Xhemal Arsllani, Ziadin Sela, Neki Lumani, Nebi Dervishi, Suat Saqipi e të tjerë.



Athinë…

Pak më vonë bashkë me Mirjanën shkuam në Athinë te motra tjetër, Arjana. Me nismën e gazetarit Gaston Sanxhaku drejtues i “Plus- Gazeta e Athinës” e me mbështetjen e Ambasadës Shqiptare, do të organizohej promovim i librit për Edipin. Para promovimit, na priti ambasadori Dashnor Dervishi, atasheu ushtarak Drini Nikolla, këshilltare në Amabasadë, znj. Enkeleda Mërkuri. Promovimi u organizua në darkë, ku përveç punonjësve të ambasadës pati një pjesëmarrje modeste edhe nga ish- ushtarakë, komuniteti shqiptar, madje edhe një shkrimtare angleze, mike e Arjana Ohrit. Përveç mikut tim Luan Ziflo, ishte edhe ish-oficeri i Gjadrit, Nexhmi Hysolli, i cili atje mbante një emër tjetër. Pas dy tre fjalëve të rastit gjithçka më pas u bë me e thjeshtë, më familjare. Ndjehej një mirëdashje në takimet me vajzat e Edipit, të cilave nuk dinin si t’ja shprehnin mbështetjen për fatin e babait të tyre, por edhe të vetë vajzave.

“Në vitet që babai ishte në burg- po i tregonte një grupi të vogël Arjana Ohri, e ndodhur pa çadër në një ditë që shiu binte me rrebeshe, papritur një autobuz i vogël ndaloi te këmbët e mija dhe dikush hapi derën e më tha “Hyp”.

Vetëm pas pak e mblodha veten dhe pashë që ishte autobuzi i vogël i pilotëve të Rinasit. Fryma po më merrej sapo e mora vesh ku kisha hypur, pasi nuk guxoja të shikoj njeri në fytyrë, dikur aq të njohura e të dashura edhe për mua, nuk dija se çfarë të thosha e as u afrova të një vend ku më thanë të ulesha, por diku aty te ish-Shtëpia e Oficerëve u kërkova të ndalojnë.

Kur u hap dera mu duk se u mbusha me frymë dhe pa asnjë kujdes e vura këmbën mu në mes të një pellgu me ujë, vetëm të largohesha sa më parë. Ndërsa pas meje dera po mbyllej avash-avash, një zë i ngrohtë më tha: “Të fala babait”.

Atëhere mbeta krejt pa frymë, u ktheva vrulltaz nga autobuzi, por nuk dallova asnjë fytyrë të njohur, ndoshta nga xhamat e veshur nga frymët e njerëzve, ndoshta nga lotët që më rridhnin faqeve të mija.

“Këta janë shokët e babait-thashë me vete, jo ata që e çuan në burgjet e diktaturës”.



Tiranë…

Kohë më parë më telefonoi Mira Ohri për një kafe, pasi kishte marrë nga autoriteti i dosjeve, dokumentat që sipas ligjit i takonin familjarëve për t’u njohur, për ti ditur apo publikuar lidhur me burgosjen e babait. Ma zgjati dosjen për ta shfletuar, një dosje e madhe ku dalloheshin fshirjet e kryera nga “autoriteti”, por që pa ndonjë vështirësi të madhe, mund të lexoheshin.

- Asnjë njeri nga aviacioni nuk ishte marrë me spiunllëqet e asaj kohe. Do të ishte zhgënjyese edhe për mua e për mënyrën si i kam njohur njerëzit e aviacionit- thotë mendueshëm Mira.

Fjalët e saj janë në një farë mënyre si një çlirim nga një makth disa vjeçar, çka është normale, pasi gjithkush do të donte të dinte kush ishte, kush ishin ata që u bënë vegla e shkatërruan një jetë, disa jetë, një familje pa asnjë lloj të vërtetë akuzuese.


Filloj të meditoj me vete se në librin “Edip Ohri- legjenda e aviacionit”, unë kam dashur të flas për jetën e vështirë e po aq të lavdishme të pilotit Edip Ohri, por edhe të një brezi të tërë që e ngritën këtë armë me aq mund e sakrifica. Jeta e Edip Ohrit është jeta aktive e një partizani, një komunisti, një komandanti dhe e një deputeti të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, që punoi me bindje se bënte më të mirën për vendin e tij, sikurse është edhe jeta e njeriut që u burgos për motive politike me pasoja dramatike për të e familjen.

Edip Ohri si një nga pionierët e kësaj arme, drejtuesi kryesor, ideatori, projektuesi e modernizuesi kryesor i saj, përfundoi në burg pothuajse ashtu si Aviacioni Luftarak Shqiptar dhe avionët e kësaj arme, që përfunduan për skrap apo për shitje.

Bijat e shquara të Edip Ohrit, i “dënoi” monizmi edhe ato në mënyrë direkte e indirekte, e atëhere kur e risjell në mëndje librin për komandantin e shquar, më vjen pak keq se sa pak janë ato pjesë e këtij libri, e jetës së tij. Mirjana sot është nënkryetare e OBVL- Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës, e dënon regjimin e kaluar dhe krimet e kryera prej tij, por asnjëherë ajo e motrat e saj nuk deshën ti kthejnë vitete e demokracise në vite të një “luftë të re klasash” sidomos me veglat e rregjimit.

Mirjana, Arjana dhe Loreta e ndjerë, vajzat fisnike e me dinjitet të Edip Ohrit nuk u përkulën nga asnjë goditje e marrë nga politika e viteve të monizmit, nga asnjë peripeci e kaluar në jetën e tyre, asgjë nuk mundi ti largojë nga dashuria dhe respekti për Shqipërinë, Strugën e prejardhjes, Tiranën ku janë lindur e rritur, për Shtetin Shqiptar, për ushtrinë e mbi të gjitha për armën e aviacionit dhe njerëzit e kësaj arme.

29 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page