top of page

Bexhet Braho, Gramshi, Shqipëria, Italia…


IL TITANICO DELL’ ADRIATICO



Nga Vangjush Saro

Këto ditë jam duke shfletuar librin “IL TITANICO DELL’ ADRIATICO”, (publikuar në Amazon). Duke lexuar për fatin dhe sakrificat e një familjeje e të një individi, në sfondin e një drame të madhe kombëtare, që më pas rrezatoi në performimin e mëtejmë të Diasporës shqiptare, është e natyrshme të ndalem dhe të shfaq, në këto pak radhë, simpatinë time, nderimin tim për librin dhe autorin e tij. Bexhet Braho vjen nga Gramshi, një trevë me historinë dhe të tashmen e saj, një komunitet e qytetari ndër më të urtat, që e vlerëson kulturën dhe arsimin (dhe me të cilën jam ngushtësisht i lidhur, pasi që edhe vetë punova e kontribuova atje për më tepër se një dekadë, në fushat që ceka më lart).

Libri është një pasqyrë e përpjekjeve të paimagjinueshme të refugjatëve shqiptarë për të ‘kapur’ Perëndimin. (Ai më solli ndërmend novelën time të para disa viteve “Dy fëmijë në Kampionatin Botëror të Futbollit”; sado që ngjarjet dhe personazhet e librit të Brahos ndryshojnë shumë nga aventurat e atyre dy të miturve, treguar me humor dhe me një ironi të pashmangshme.) Drama e refugjatëve shqiptarë, anonte nga tragjedia; ajo pushtoi vëmendjen e botës. Ikja u bë një obsesion. Për shqiptarët e lodhur nga një jetë e mundimshme dhe nga një regjim i padrejtë, Italia ishte shpëtimi, bota e ëndërruar në vite. (“Nessuno puo fermare gli albanesi.”) Me shumë episode, në shumë tension e vuajtje, por edhe plot shpresë ditë pas dite, “IL TITANICO DELL’ ADRIATICO” përcjell një nga faqet më të dhimbshme të historisë së vendit, eksodet biblike të shqiptarëve drejt Perëndimit, kryesisht drejt Italisë fqinjë, por edhe drejt Greqisë dhe vendeve të tjera evropiane e më tej. Kalimi i kufijve - në anije apo maleve a në ujëra të pasigurta (Vjosa) - përcillet si një realitet i egër, vërtetësisht i hidhur. Kushtet poshtëruese të udhëtimeve në anijet e rrëmbyera, mbijetesa në një ‘komunitet’ të vështirë, pritjet e gjata në porte e stadiume, arratisjet e pafat, etj., ishin pjesë e këtij kalvari. (“Era fresco di giorno, immagina di nottte.”) E zhgënjimet janë pjesë e aventurës së madhe. (“Forse mi ero illuso guardando la televisione italiana.”)

Meditimi si dhe dialogu intensiv shoqërojnë dhe ilustrojnë ‘historinë’ e rrëfyer në këtë libër. Shkruar me sinqeritet e thjeshtësi, me një stil miks - edhe letërsi, edhe publicistikë, edhe përgjithësim, edhe përvojë e një jete - kjo prozë interesante është një shembull i mirë i arritjeve të shqiptarëve në vende të tjera, është një prezantim plot dinjitet i një intelektuali që ka realizuar ëndrrën e tij, inspiruar më parë nga gjyshi dhe mandej i ati, çka na kujton se pak a shumë kjo ishte një përvojë dhe një ëndërr e shumë shqiptarëve.

Libri “IL TITANICO DELL’ ADRIATICO” vjen mirëfilli në italisht dhe kjo është një tjetër meritë dhe arritje e autorit. Sigurisht, ai mund të kjetë menduar edhe për një version në shqip të kësaj sage. Ashtu si këngëtarë e instrumentistë të njohur, ashtu si studentë, punëtorë apo biznesmenë të suksesshëm, përmes më shumë se 200 faqeve të shkruara mirë, bindshëm, Bexhet Braho tregon historinë, por edhe ëndrrën që nuk ishte vetëm e tija…

82 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page