top of page

Besim Sahatçiu dhe "Era dhe Lisi"

Updated: Jul 14, 2023


Besim Sahatçiu dhe "Era dhe Lisi"


Fatmir Terziu


Shtatori i vitit 1979 ishte për mua viti kur duhej të tregoja sprovën e nxënësit të shkollës së mesme. Ishte viti i parë në shkollë të mesme dhe natyrshëm nga prindërit e mi, sidomos nga babai kërkohej vetëm shkolla. "Mësimet, mësimet dhe rezultatet dua prej teje", më thoshte im atë. Dhe kështu ishte tepër vështirë të gjeje kohë të lirë, aq më shumë të shihje televizor. Televizioni ynë një tip "Iliria" bardhë e zi, komandohej shpesh nga gjyshi dhe thuajse ai ishte 'pronari' i tij. Gjithmonë e mbante tek lajmet e orës 20:00. Por çuditërisht atë shtator ishte ndryshe. Gjyshi kishte ngrehur një antenë me tela alumini mbi hurma dhe fshehtas lidhte aty kabllin sa vinte ora 20:00. Çudi me gjyshin!

Ai që s'të linte të lije lajmet pa shikuar, ditët e mërkura të javës kishte "shije" tjetër. Lidhte kabllin dhe pa zhurmë mbyllte portën e jashtme. Pastaj mbyllte perdet dhe urdhëronte të gjithë të rrinin urtë. Fillonte tek stacioni i Shkupit filmi "Era dhe Lisi". Filmi sa kishte realizuar premierën e vet në Korrik të 1979-ës dhe gati një muaj më pas shfaqej në ekranin e televizorit. Ishte realizim i ri, dhe tematika e tij e pasluftës e bënte akoma më tërheqës.


Një film që sillte Kosovën e atyre viteve në ekranin televiziv nën aktrimin e aktorëve Abdurrahman Shala, Faruk Begolli, Istref Begolli, Qemajl Ajdini, Xhevat Qorraj etj. Zhanri i këtij filmi, dramë e pasluftës, me regji të regjisorit të talentuar, Besim Sahatçiu, natyrshëm ishte një arsye më shumë të bëhej veprimi i gjyshit, por edhe ajo mënyrë që në fshehtësi të shihje stacionin e shtetit fqinj, në një kohë kur nuk lejohej nga pushteti i asaj kohe dhe quhej shfaqje e huaj.

Në fakt ditës tjetër, pas shfaqjes së atij filmi të mërkurave, pra të enjteve, aty buzë transhesë, tek jonxhat në Spajkore të Elbasanit ne komentonim dhe mbureshim për filmin shqiptar që vinte në sytë tanë dhe veshët tanë nga ekrani i televizionit të ish-republikës Jugosllave të Maqedonisë, televizionit të Shkupit. Ne si të rinj të asaj kohe flisnim jashtë ndjenjës për shijet artistike të filmit, por mbureshim se në filmin e parë matanë 'kufirit' flitej shqip, këndohej shqip, shihej flamuri kuq e zi me shkabën dykrenare të valëvitej, shikonim traditat, kulturën, parrullat që shpeshherë ngjanin me tonat, si ajo "Pushteti i Popullit" apo edhe të tjera. Dhe për moshën tonë, për aq sa dinim krenoheshim me trimat e dalë nga lufta, mburreshim me fitoret e tyre, na vinte keq për të humburit, na vinte inat për plagët e luftës.

Filmi na kishte bërë për vete. Mezi e prisnim pastaj ditën e mërkurë të vinte. Mbaronim punët shpejt dhe mësimet gjithashtu që të ishim gati në kohën e duhur kur ekrani do të sillte para nesh dy karakteret e pëlqyeshëm, Burimin dhe Lisin. Dhe ashtu ndodhte thuajse në çdo shtëpi të lagjes sime. Në orarin e filmit lagja ishte në qetësi absolute. Kjo kishte shqetësuar edhe Këshillin Popullor. Një mbledhje urgjente e tij dërgoi nëpër shtëpi 'kontrollorët' e antenave. Kështu erdhën edhe në shtëpinë tonë. Fatmirësisht nuk e diktuan dot, se ajo ishte fshehur mirë mes gjetheve dhe hurmave plot të atij viti. Kështu pas javës së tretë, ne ishim detyruar të prisnim në shtëpi edhe disa familje të tjera. Ashtu ngjeshur e ngjeshur shihnim gati pa lëvizur e pa folur filmin "Era dhe Lisi".


Prezantimi i parë


Që në fillim të filmit, pas shkronjave dhe titrave që shfaqen e zhduken, prezantimi i parë është themelor. Kamera fokusohet me mjeshtëri në prezantimin e figurave qendrore të tij. Axha Ramë, Lisi, del në pamjen tipike të tij. Një partizan i sapodalë nga lufta. I veshur me unifirmën tipike të asaj lufte, ku nga vetë biseda më vonë zbulohet, se është një uniformë e rastësishme. Një uniformë që në gojën e sekretarit zbulon se është "një bluzë angleze e dalë tashmë boje", duke shtuar se ndihma britanike për Luftën ka qenë e prekshme dhe e ndjeshme. Stema e Këshillit të Rrethit me Yllin e Kuq në mes na udhëton pas në vite, pikërisht në atë periudhë kur komunizmi sundonte me të gjithë format e tij në një vend si ish-Jugosllavia e sapodalë nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe thuajse shenjat e luftës e të pasluftës shfaqen në gjithë ecurinë e filmit. Portretet e Titos në krah të Stalinit janë thuajse në ballë të çdo skene që lidhet me politikën dhe pushtetin. Roli i Sekretarit duket tipik dhe natyrshëm zbulon që në hyrje anën e tij politike. "Leximi i postës" që në prezantimin e parë e bën këtë figurë të shfaqet disi qendrore dhe vendimmarëse në sytë e shikuesit. Era dhe Lisi është një film shqiptar i realizuar nga "Kosovafilmi" në Prishtinë, në vitin 1979. Skenari është realizuar nga Petrit Imani dhe muzika nga Rexho Mulliqi. Drejtor i fotografisë është Rudolf Sopi, kamera, Shukri Kaçaniku, skenografia, Shahin Kryeziu. Filmi është me ekran të gjerë dhe me ngjyra.


Regjia e filmit


Regjia e filmit kësisoj duket e arritur. Detajet që sjell mjeshtërisht regjisori Sahatçiu, qartësojnë rolin e kameras dhe aktrimin me pasion. Kjo shihet në fillim në lidhjen dhe njohjen e Burimit me Lisin, ku 'antgonizmi' dhe 'egërsia shpërfillëse e Ramës" në atë fillim pastaj nënkupton shumë gjëra që lidhen me zotësinë dhe aftësinë e tij, pa qenë i shkolluar. Në këtë ndërtesë që vjen nga regjia shihet e gjithë skena që vjen nga pushteti i kameras. Kamera prezanton stenda, pamje, emërtesa dyqanesh e zejesh, sidomos ato që lidhen me emërtesat si "Llastragjia" apo edhe me detajet e shqetësimet e disa njerëzve lidhur me perçet e grave dhe ferexhetë.


Propozimi i posteve për Lisin, dhe dhënia e detyrës së Kryetarit të Këshillit të Rrethit shihet si një pikë imediate e realizuar mjeshtërisht nga regjisori Besim Sahatçiu, pasi fokuson tipare që lidhen me përçarjen, xhelozinë dhe egon e njeriut të porsadalë nga lufta. I tillë nuk shfaqet Axha Ramë, por mjedisi që e rrethon atë kushtëzohet nga ndjenja të tilla. Kamera fokuson fytyrat e kundërshtarëve dhe natyrshëm plotëson idenë regjisoriale. Më tutje detajet që lidhen me grumbullimin e drithit dhe shqetësimin e njerëzve për fatin e tij, gjen një absurditet përgjigje duke e dhënë: "Drithi do të shkojë nëpër qytetet e punëtorëve ushtarë".


Kostumografia


Një punë e mrekullueshme në film është edhe kostumografia. Veshjet tradicionale shqiptare, sidomos kostumet e burrave i japin filmit një pasuri kulturore tepër të rradhë. Shfaqja e tirqeve, xhamadanëve dhe tiparev të tjera burrërore, janë risi regjisoriale të dukshme dhe realizime të mirëfillta artistike që i shërbejnë gjatë kohërave, edhe pse në thelb filmi ka mjaft mpleksje politike e motive që lidhen me 'revolucionarizmin' apo 'bashkëjetëesën' komuniste midis etnive dhe kombeve. Duke shpërfillur propagandën dhe duke parë anën artistike të filmit shihet qartë se "Era dhe Lisi" është një arritje televizive e kohës. Në këtë film shihen qartë parametrat narrativë si aspekte ndërlidhëse me juktapozicionin historik dhe nocioni kombëtar të kulturës shqiptare nën diktatin e të huajit.


Duke parë parametrat narrativë të filmit, zbulohet edhe fenomeni karakter-informues nën pushtetin montues, pra pushtetin e editorit, argumenti që përçon lidhja tematike në këtë pikë është një arsye tjetër që forcon vlerat artistike të filmit. Edhe në këtë pikë është dora kryesore që ndikon fuqishëm. Regjisori Sahatçiu ashtu siç e quan kompozitori dhe publiçisti Akil Koci është "korife i skenës filmike të Kosovës". Sipas Kocit: "ndër veprat e para që realizoi dhe e cila dallohet me një realizim të thellë artistik si metodën e tij krijuese është "Era dhe Lisi", i cili fitoi "Arenën e Argjend" në Festivalin e Pulës.

Duke parë vlerësimin aktual të Kocit për regjisorin Sahatçiu dhe vlerësimet e mara nga ky film, natysrhëm gjejmë edhe pikëlidhjen e tij me shijen e hershme. Kjo shije forcohet më së shumti edhe në ditët që jetojmë, pra sic e theksuam duke larguar motivet politike dhe propagandën që shpesh duket absurde në të. Duke e parë në këtë lidhje, filmi ka meritat e tij në lëminë e trashëgimisë dhe traditave shqiptare. Figura shqiptare, figura e burrit dhe e gruas është një figurë tipike, e vecantë dhe e realizuar thjesht e me simpati duke peneluar artistikisht pamjen e tij në mesin e pamjes së kohës që ai është realizuar. Kjo trashëgimi vjen edhe më e fuqishme kur shihet gjuha e folur dhe dëshmia e saj e shkruar. Dhe më së shumti kur roli ndërtues i shqiptarit është një realizim domethënës. Ne e shohi këtë figurë në ecje e sipër. Karrocat me kuaj, toponimet e vendeve si Ahishta apo edhe Lahuta e Drinës janë një sfidë për pamjen ndryshe që vjen nga pushteti i diktuar dhe dekoratat neë gjoks të Lisit.


Aspekti njerëzor


Njohja si aspekt njerëzor, është një tipar sa individual aq edhe grupor. Njohja e Lisit me Burimin është pikërisht një e tillë, që i shërben së tërës, që i shërben lidhjeve në të mirë të origjinës së tyre. Madje kjo përforcohet edhe me zellin e Burimit dhe gatishmërinë e tij për t'iu gjendur sa më afër Axha Ramës që në momentin e parë. Kjo lidhje tipike nën ritmin e muzikës së filmit jepet sa emocionale aq edhe dashamirëse. Kulmohet në momentet që lidhen me krizën e shqetësimeve që pasqyrohen me efekte anësore tek Lisi, si një pasqyrë e lidhur me rrjedhën dhe plagët e luftës. Këtu kompleksi i regjisorit Sahatçiu vjen më i plotë dhe më i realizuar. Po të citojmë sërrish Kocin, si një nga kompozitorët e një prej filmave të tij, pikërisht "Përrenjtë vërshojnë" të realizuar më 1983, ne kuptojmë qartë se "në krijimtarinë filmike të Besim sahatçiut hasim në unitet dhe profesionalitet të skajshëm ku ritmi i filmit pulson dhe lëviz në trajta të ndryshme duke na prezantuar ngjarjen në një ecuri vëllimore si vërtetësi e universit artistik dhe estetik dhe me këtë ai e vërteton se "Regjisori nuk është vetëm ekspert....regjisori është mendimtar dhe poet i frymëzuar nga tingujt dhe ngjyrat e kohës së tij,vëzhgues i mprehtë dhe i guximshëm i cili në skenë i transponon temat qenësore që e rrethojnë,të cilat e shqetësojnë dhe pa të cilat nuk mund të depërtohet në të vërtetën dhe nuk mund të ketë progres".


Konkluzion


Pra parë në aspektin regjisorial Besim Sahatciu dhe krijimtaria e tij, sidomos vlerat e hasura tek "Era dhe Lisi" janë një dokument i pashlyeshëm Kombëtar në të gjitha pikat, më i fuqishëm në realizimin e tij artistik. Ajo që shpreh Stanley Kubrick "filmi është, ose duhet të jetë, më shumë ngjashëm muzikës se sa imagjinatës. Ai duhet të jetë një progres i ndjenjave dhe dëshirave. Tema, çfarë është brenda emocioneve, kuptimit, e gjitha vjen më vonë", duket se e plotëson vlerësimin rreth këtij filmi dhe punës regjisoriale, pasi edhe sot kuptimi dhe emocionalja e këtij filmi kuptohen qartë dhe ndjeshëm.

51 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page