
Historianin e shkrimtarin Meçan Hoxha jemi mësuar ta lexojmë në libra studimorë(historikë, 11) e letrarë(prozë letrre, 4) dhe tani na befason në njëformat tjetër krijimtarie, me një vëllim me poezi.
Emri i tij si studiues e krijues ka spikatur ndër vite me vlera të çmuara nga lexuesi, vlera që e çuan dhe në zgjedhjen si Kryetar i shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit, detyrë që e kreu me përkushtim dhe me arritje mbresëlënëse.
Meçan Hoxhën më parë e kisha njohur si publiçist e politikan: Kisha lexuar reportazhet e tij në shtypin e kohës, që i publikonte dhe radio Tirana. E kisha ndjekur dhe në Parlamentin e parë pluralist të Shqipërisë, me diskutime që e dallonin për erudicion, tolerancë e mirëkuptim.
Në Durrës, rastisi të banojmë në një lagje dhe veprimtaria e përbashkët në organizata shoqërore dhe në krijimtari letrare na afroi e na bëri bashkëpuntorë.
Librat e botuar nga z.Meçan kanë qënë gjithmonë lajme të gëzuara dhe për ne shokët dhe, herë pas here kemi organizuar promovime shumë të suksesshme. Botimet e tij janë dalluar për nivel të lartë ideo-artistik dhe janë mirëpritur nga lexuesit. Për to kanë shkruar kritikë të njohur e kanë publikuar organe prestigjioze të shtypit periodik të shkruar e atij elektronik.
Ndonse ka hyrë në të 80-at, vazhdon të punojë me ritmet e një të riu. Këto ditë na befasoi me një format të ri të krijimtarisë së tij, me një vëllim me poezi.
Vëllimi i titulluar “Aromë gjethi”, miklon që në titull, aq sa shkrimtari i mirënjohur Shyqyri Fejzo, u ndal te ky titull me një shkrim të veçantë, botuar në “Zemra Shqiptare”.
Në këtë vëllim, çdo poezi ka aromë njerëzore, plotë dashuri dhe mesazhet e çdo vargu janë të qarta, origjinale, gjuhësisht të pastërta, të sinqerta, të thjeshta e krejtë natyrshëm. Libri përbëhet nga 100 poezi, kompozuar në shtatë tema, që përbëjnë dhe kapitujt e librit.(Buqetë për familjen, Bukuritë e vendlindjes, Freski natyre, Motive lavdie, Koha jonë, Lotë kurbeti, Zëri I poetit).
Në komentin tim do të ndalem tek poezitë kushtuar familjes, ku ngazëllejnë ato kushtuar prindërve e fëmijëve dhe, më shumë te kapitulli “Motive Lavdie”, ku mbushesh me krenari kombëtare nga krijimet për dëshmorët e për epopenë e Lavdishme të LANÇ.
Poezia e tij “Shikimi i Nënës” të gëzon, të motivon edhe të bën të lotosh.
Në kutinë e artë të ngjizjes
Nëna më pa e para,
Ashtu edhe në siparin e lindjes,
Shoqëruar me të qara.
Mirënjohje, dashuri, respekti për nënën e tij dhe për të gjitha nënat e botës.
Sa bukur…!
Përjetova dashuri e gëzime,
Gjeta dhe balsam shërimi.
Apo,
Jam ndier mirë nënokja ime,
Mbajtur rob, n’ato shikime.
Edhe tani nga bota tjetër,
Më shikon si zog e si flutur.
Poezia për djalin engjëll, më bëri të lotoj. Arbëri nga qielli e shikon babain.
Sa me madhështi paraqitet në vargjet:
Lamtumirë baba,…
Ndjeva zërin tënd,
Dhimbja e largimit,
M'pushtoi në çdo vend.

Shikimi yt i ëmbël,
Mbeti veç kujtim,
Dhimbja mu bë hije,
Ankth i pambarim…
Tek kapitulli “Motive Lavdie” poeti e tregon veten si studiues, hulumtues, dhe mbi të gjitha historian i vërtetë dhe atdhetar me shpirt.
Poeti Meçan Hoxha e ka stekën e lartë të studimit.
E nis me mbretin Gent, gjithë respekt për veprimtarinë dhe luftën e mbretit për të mbrojtur Ilirinë.
Përshëndetje Mbreti Gent,
Gjak i të parëve të mi!
Edhe këtu në Itali, si në Iliri,
Madhështor, me famë mbreti.
Përulem me repekt te monumenti yt
Dhe bisedojmë bashkë në këtë vizitë.
Apo si shkruan për Skënderbeun:
Ne shqiptarët, e kemi këngë frymëzimi,
Lavdi të përjetëshme, gdhendur në flori,
Krenari identiteti e burim gëzimi,
Valvitur në Flamur, për Paqe dhe Liri.
Për Flamurin poeti shkruan:
Kudo që ndodhet një shqiptar
Edhe në se nuk e ka në dorë,
Në zemër mban një Flamur,
Flamur prej gjaku arbëror.
Poezia për 7 Prillin është frymëzuese dhe respekt për ata që dhanë jetën në Qëndresën Antifashiste.
Përshëndetje Mujo!
Kemi ardhur shumë sot,
Na thërret Liria,
Ritual që e bëjmë përmot.
Nderimi ynë është i përjetshëm,
Për ty dhe shokët e tjerë,
Sepse është e shtrenjtë liria,
Për mbi të, s’ka tjetër vlerë.
Për poezinë “Monolog i Kasolles së Galigatit”, autori shkruan:
Çfarë u kam bërë unë ballistëve,
Që më tallin, fyejnë e përçmojnë?
Po zogistëve dhe komunistëve,
Strehë u dhashë, pse më harrojnë?
Ju më dogjët, më bëtë shkrumb e hi,
Nuk më latë as kashtë e, as gardh.
Nuk di ç’po ndodh me këtë histori,
Veçse s’ma nxini faqen, e kam të bardhë.
A ka më mirë e më bukur se kaq sa është shkruar për Lirinë, në poezinë “Madhështia e Lirisë”?:
Liria nuk matet me asgjë,
Ajo peshohet vetëm me liri.
Edhe kur mos mbetet asnjë,
Do lindin të tjerë, për tu bërë fli.
Këto janë disa fragmente, po poezitë për krenarinë dhe lavdinë e popullit tonë ndër shekuj, shkruar nga Meçani, do i gjeni në libër. Ato janë Himn, dashuri, respekt, mirënjohje për ata që dhanë jetën.
Këtë temë, Meçan Hoxha e ka kryfjalë të veprimtarisë së tij. Është i përhershëm me kumtime në tubime e me shkrime në shtypin periodik, për çdo ngjarje historike kombëtare e lokale, po kësaj here foli me zë më të lartë, me emocione më të forta, këndoi me fjalën e bukur të poezisë. Urime!
Comments