Besëlidhja e Vjetër


Besëlidhja e Vjetër

Vargëzuar dhe stilizuar nga

(Bibla) Prof.dr. Resmi osmani



KËNGA E KËNGËVE


Nusja dëshëron me gjithë shpirt dhe kërkon dhëndërrin.

1

Më puth me gojën tënde,

Buzët e tua, dashuria jote,

Janë më dehëse se më e mira e verërave!

Emëri yt, është më këndellës

Se aroma e parfumeve të tua,

Ndaj edhe çdo vashë thotë: të dua!

2

Pas teje do të ngarend.

Pranë vetes, më merr i dashur,

Më ço në odat e tua,

të kënaqemi e gazmohemi.

Më shumë se verën,

do ta kujtojmë tënden dashuri,

Je kaq i mirë e i ri!

Ndaj kanë të drejtë të të duan.

3

Jam esmerkë por e bukur,

O bija të Jeruzalemit!

Si çadrat e Kedarit,

Si perdet e Salamonit

Në jam esmerkë, dielli më ka zënë:

Vëllezërit e mi, pojake më caktuan,

që vreshtat të ruaj.

Ata me mua janë idhnuar,

Se veç vreshtin tim nuk e kam shpëtuar!

4

Më rrëfe, o ti që dashuron zemra ime,

Grigjën ku e kullot?

Në vakt zhegu ku e mrizon.

Pse vallë nën vel e fshehur duhet të rri,

Pranë tufave të shokëve të tu andej-këndej,

Ku mund të të gjej?

5

Po qe se nuk e di,

O më e bukura e vashave ti,

Pas gjurmëve të grigjës shko e hulumto.

Kulloti kecat e tu pranë shatorreve të barinjve


Shprehje e dashurisë së ndërsjelltë midis dhëndërrit dhe nuses.

1

E dashura e zemrës sime,

Ti më shëmbëllen si pela ime,

Midis qerreve të faraonit.

Të bukura faqet e tua me stoli,

E ndritur qafa me gjerdan e inxhi,

Ne kollan të artë, me tokza argjendi

do bëjmë për ty!

2

Teksa mbreti prehet mbi shtroje,

Livanda ime përhap ermirimin e saj.

Ndjesia ime pranë tij,

Është si një qeskëz e vogël mirre,

Që prehet gjithë natën

Mes gjive të mia,

Kënaqësia ime është

si një tufë lulesh alkane

në vreshtat e En-Gadit.

3

Je e bukur, e mahnitshme, e dashur,

Oh sa e bukur!

Sytë e tu janë si ato të pëllumbeshave.

4

Sa i hijshëm, je i dashuri zemrës sime,

Oh sa i dëshirueshëm!

Shtrati ynë lulëzon e bleron si një livadh,

Trarët e shtëpive tona janë prej cedri,

Tavanët prej qiparisi.

5

Unë jam si trëndafili I Sharonit,

Si zambaku I luginave,

Si një zambak midis ferrishteve të livadheve,

Rrëzëllen e dashura ime midis vashave.

6

Si moll’e lulëzuar midis pemëve të pyllit,

Përngjan i dashuri im midis rioshëve,

Nën hijen e tij të prehem, shumë kam dëshiruar,

Dhe ja, aty jam ulur,

Kam qëndruar.

Fryti i tij ëmbëlson gojën time!

Më çoi në shtëpinë e gostive,

Dhe ngriti mbi mua flamurin e dashurisë!

7

Më ushqeni me pite rrushi,

Më përtërini me mollë,

Sepse vuaj nga dashuria!

8

Nën kryet tim, dora e tij e majtë,

E djathta më ledhaton.

Ju përgjërohem, o bija të Jeruzalemit,

Për gazelat dhe drenushat e fushave

Mos e ngisni dhe mos e zgjoni dashurinë nga gjumi

Derisa vetë asaj kështu t’i pëlqejë!

MBRETI VIZITON SHTËPINË E NUSES

1

Jehon zëri i të dashurit tim:

Vjen duke kërcyer mbi male

Duke u hedhur mbi kodrat,

Si një gazelë, si dreri riosh.

Ja ku mbriti para mureve të shtëpisë sonë.

Sheh nga dritaret,

Mes kangjellave përgjon vështrimet.

Më foli dhe më tha:

“Çohu e dashura ime.

Eja e bukura ime,

Sepse dimëri shkoi

Shiu pushoi,

Lulet buisin mbi dhe

Erdhi koha e të kënduarit

E dëgjon zërin e turtulleshës?

Fiku ngjiz frytet e papjkekur,

Ermirojnë vreshtat në lulëzim

Çohu mikja ime, e bukura ime dhe eja!”

2

O pëllumbesha ime,

Qe folenë e ke në plasat e shkëmbinjve

Në zgavrat e rrëpirave,

Shfaqma pamjen tënde, fytyrën plot hijeshi.

Më bëj të dëgjoj tingullin e këndshëm të zërit tënd

Sepse zëri yt është i këndshëm

Dhe fytyra jote është e hijshme.

I zini dhelprat e vogla

Që dëmtojnë vreshtat, sepse vreshtat tona

Janë në lulëzim.

3

I dashuri, është vetëm imi

E tija unë jam.

Ai kullot grigjën midis zambakëve.

Para se flladi i ditës të fryjë,

E hijet të arratisen,

Kthehu i dashuri im

Dhe sulu si gazelë e drenushë,

Mbi malet që na ndajnë.

4

Sa e bukur je o mikja ime, sa e bukur je!

Sytë e tu pas velit, janë si të pëllumbeshave

Gërshetat e shpërndara si tufa e dhive në pllajë,

Dhëmbët si kope dhensh të bardha,

Buzët si një fije e kuqe flakë,

Goja e buzëqeshur,

Tëmthat si një thelë shege,

Qafa si kulla e fildishit.

5

Dy sisët e tua, si dy kaproj të vegjël binjakë,

Që kullosin midis zambakëve.

Përpara se flladi i ditës të fryjë

Dhe hijet të ikin, do të shkoj në malin e mirrës

Dhe kodrën e temjanit.

Je e tëra e bukur, mikja ime,

Vetë përsosmëria.

Me një shikim të vetëm të syve të tu,

O nusja ime, zemrën ma rrëmbeve!

Oh sa e këndshme është dashuria jote,

motra ime, nusja ime.

Më e këndshme se vera, është dshuria jote,

Aroma jote më e mira e gjithë ermirimeve.

Nusja ime: buzët e tua, si hoje mjalti pikojnë

Mjaltë dhe qumësht, nën gjuhë tënde qëndrojnë,

Aroma e rrobeve të tua, është si aroma e Libanit

Motra ime, nusja ime, është një kopsht i mbyllur

Burim i mbyllur, gurrë e vulosur.

6

Filizat e tua janë një kopsht shegësh

Me fryte të zgjedhur,

Me lule të alkanës dhe me nardo,

Me nardo dhe kroko, kanellë dhe cinnamon

Me të gjitha drurët e temianit,

Të mirrës dhe aloes,

Me më të mirat e gjithë aromave

Ti je një kopsht lulishtesh,

Një pus ujërash të freskëta,

Rrëkesh që burojnë nga Libani.

Zgjohu o veri dhe fry o jugë!

Fry mbi kopshtin tim,

që aromat e tij të përhapen.

Le të hyjë i dashuri im në kopshtin e tij

Dhe le të shijojë frytet e zgjedhura.

7

Në kopshtin tim,hyra, o motra ime, o nusja ime,

Mirrën dhe balsamin e mblodha,

Hojen e mjaltit e shijova,

Verën e piva, qumshtin e ngjërova.

Shokë, hani, pini; po,

Dehuni o të dashur!



Pikëllimi i ndarjes së dytë të dhëndërrit

1

Unë flija, po zemra ime përgjonte.

Dëgjoj zërin e të dashurit tim,

Që troket dhe thotë:

“Hapma motra ime, mikja ime,

Pëllumbesh ime, e persosura ime,sepse kryet tim

Është gjithë vesë dhe kaçurrelat e mia,

Gjithë pikla të natës.

2

“E zhvesha rroben time,

Si mund ta vesh përsëri?

I lava këmbët,

Si mund ti ndot përsëri”?

I dashuri im e vuri dorën te vrima e derës