(Dr. Sejdi Gashi, Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë, Instituti Albanologjik- Prishtinë, 2024, f. 212.)
Ata që i kanë përcjellë zhvillimet, diskutimet, konferencat dhe ligjërimet për hyrjen e leksikut të huaj për komunikim në gjuhën shqipe të tri dekadave të fundit në hapësirën shqiptare, nuk e kanë të vështirë të kujtojnë këtu shqetësimet e tyre për hyrjen e leksikut të huaj në komunikimin e përditshëm të shqiptarëve. Studimet dhe diskutimet e para dhe të shumta të kësaj natyre kanë të bëjnë kryesisht me leksikun e përgjithshëm dhe të përditshëm në shtypin ditorë, mediet elektronike dhe diskutimet në institucionet politike: kuvende partish politike, organizata joqeveritare dhe sidomos Kuvendet Kombëtare në Tiranë, Prishtinë e më tej.
Po t’i bëjmë një vështrim përgjithësues kësaj literature nuk është vështirë këtu të shihet se fjala është për shqetësime individuale dhe institucionale (nëse këto shqetësime të institucioneve i konsiderojmë tryezat, simpoziumet dhe konferencat shkencore), por të cilat kaluan pa ndonjë punë të mëtejme individuale në interes të pasurimit të neologjizmave të shqipes dhe pa ndonjë projekt të institucioneve shkencore për planifikimin gjuhësor në mbrojtje të leksikut të shqipes nga fjalë, nocione apo terma të huaj.
Filologët në përgjithësi dhe leksikologët në veçanti gjatë këtyre dekadave nuk e kishin vënë re ndërkaq, se rrafshet tematike (politike, fetare, kulturore, ekonomike e financiare), nuk ishin porta të vetme prej nga hynin fjalët, nocionet dhe termat e huaj në gjuhën shqipe. Përkundrazi, ishte një formë e moderne e shkollës së shekullit XIX, përkatësisht gjysmës së parë të shekullit XX, fjalët dhe sendet, ajo dije që po kthehej së bashku me modalitetet e hyrjes së fjalëve bashkë me objektin, përkatësisht historinë e ardhjes së tyre nga njëra gjuhë në gjuhë të tjera, në të vërtetë nga gjuha angleze në gjuhë të Evropës. Ishte filozofia evropiane e kapërcimit nga ndikimi i “hemisferës Lindore” në shfaqjen e diskursit të ‘demokracisë evropiane’ dhe nga prodhimet teknike amerikane e aziatike te importimi i tyre në hapësirën shqiptare dhe përdorimi i tyre së bashku me emërtimet që na vinë në pakot përcjellëse.
Këtë veçori, tani të bartur përmes medieve jo si njësi leksikore po si dije shkencore (sociolinguistike dhe sociologjike) e ka sjellë në sintezën e tij monografike dr. Sejdi Gashi, studiuesi i cili prej vitesh jo vetëm që merret me probleme të leksikut, por punon dhe përplotëson sipas kritereve të fjalorëve bashkëkohorë Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, një vepër në proces finalizimi.
Monografia e studiuesit Sejdi Gashi, Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë, është projektuar në tre krerë, duke përfshirë Hyrjen, Përfundimin dhe Literaturën. Brenda këtij vëllimi, me karakter teorik (fillimisht), historiko-gjuhësor(në kapitullin e parë dhe zbatues (kapitulli i parë dhe i dytë), autori sikur i ka vënë vetës për detyrë që lexuesit t’i jap një pasqyrë për të gjitha çështjet që e preokupojnë dhe e përcjellin mendimin shkencor në fushë të fjalësit, nocioneve dhe terminologjisë së komunikimit tonë në një rrafsh shumë specifik dhe me ndikim: mediet. Parimet, natyrisht, autori i ka specifikuar që në hyrje të veprës. “Studimi, - shkruan autori ynë, - përpiqet të hedhë dritë mbi këto çështje: 1. Analizë e termave që vijnë nga fusha të ndryshme të dijes dhe klasifikimi i tyre (teknologji, drejtësi, ekonomi/biznes, politikë, mjekësi), të hasur në mediet e shkruara në Kosovë dhe në Shqipëri”; 2. Analizë e termave të cilët janë shterminologjizuar, pra kanë kaluar nga leksiku terminologjik në atë të përgjithshëm, duke theksuar rolin e medies në këtë proces” etj. Le të theksohet në këtë rast se në këtë kohë të komunikimit global, terminologjia e medieve në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi e Luginë të Preshevës, mund të jetë më e modeste po aspak më ndryshe nga ajo në Shqipëri dhe Kosovë, prandaj përfshirja e saj në këtë vëllim, përkatësisht në analizën specifike të saj nuk do të ndryshonte në asnjë drejtim gjendjen dhe përfundimet e tij.
Kapitulli i parë sjell një histori të zhvillimit të leksikografisë shqiptare, me theks të veçantë përfaqësuesit kryesorë të kësaj dijeje dhe fjalorëve të terminologjisë që kanë shënuar dijen e gjertanishme në fushë. Historianët e albanologjisë, prej kohësh kanë vënë re disa specifika të këtyre zhvillimeve nga termat biblikë të Gjon Buzukut, te terminologjia e krahasuar e Fjalorit të Frang Bardhit, te termat dhe neologjizmat e rilindësve (Naim Frashërit, Sami Frashërit, Jani Vretos), te bardët e lëvizjes shqiptare edhe në fushë të gjuhës në gjysmën e dytë të shekullit XX, me theks të veçantë institucionalizimin e kësaj terminologjie të re në gjysmën e dytë të shekullit XX. Një hapësirë më vete dhe me të dhëna përshkruese Sejdi Gashi ka ofruar një numër të caktuar fjalorësh të terminologjisë, të cilët që në pamje të parë të shtojnë kërshërinë e njohjes, qoftë edhe për natyrën diferencuese të pamjes së tyre dhe formatit të organizimit e dedikimit.
Në kapitullin e dytë autori sjell kujtoj tri nivele apo rrafshe të qëndrimit të gjuhës në medie, nga përdorimi elementar, te përmasa profesionale, për të arritur te shkalla më e lartë e diskursit të komunikimit publik, në rrafshin e terminologjisë dhe diskursit politik, si një aspekt i veçantë madje i një sinteze a monografie më vete. Pas të dhënave themelore, Sejdi Gashi, korpusin e terminologjisë së vjelë nga mediet e ka ndarë sipas disa nënkapitujve të këtyre kërkimeve dhe veçoritë e tyre i ka trajtuar sipas fushave: të teknologjisë, të drejtësisë, të ekonomisë (biznesit), politikës (përkatësisht diskursit politik) dhe mjekësisë.
Po t’i bëhet një tipologji e fjalëve dhe shprehjeve që janë përfshirë në korpusin e termave dhe shprehjeve nga fusha e teknologjisë nuk është vështirë të shihet se disa prej tyre, në fjalësin e shqipes ishin të pranishëm prej kohësh (ekspert, titan, ventilatorë, turbinë), leksik tashmë i stabilizuar brenda fjalësit të shqipes (Anije kozmike, navigim, shkencë kompjuterike) dhe leksik për përdorimin e të cilit na duhen më shumë se 36 shkronja, sa ka shqipja (cache, downlaud, phishing) etj. Të parat dhe të dytat tashmë janë stabilizuar brenda shqipes, falë etërve tanë të përkushtuar për fjalësin e shqipes, ndërsa të tretat i takojnë brezit të autorit të librit, përkatësisht brezit tonë.
Korpusi i leksikut, nocioneve dhe termave të drejtësisë janë një fushë më vete dhe përcaktojnë disa përbërës të rëndësishëm të ndërtimit të shteteve të shqiptarëve sipas parimeve, metodave, koncepteve dhe termave të ligjërimit administrativ, me të cilin ashtu si në asnjë formë tjetër shqiptarët kanë kaluar kapërcyellin përkatësisht tranzicionin nga periudha komuniste në atë të demokracisë, duke përfshirë në mënyrë të veçantë pjesën e tranzicionit, si (guvernator, fajde, abrogim, daktiloskopi etj.).
Një korpus më vete të cilin leksiku i shqipes e ka trashëguar, por e ka përshtatur me sukses si njësi themelore dhe si bazë të krijimit të fjalëve të reja, është ai i mjekësisë dhe i shkencave të tjera të natyrës, përkatësia e të cilës, sa natyrën e brendshme të saj e përcakton po aq edhe natyrën evropiane të bashkëjetesës së saj me gjuhët tjera të kontinentit. Pa dashur të sjellim një dorëz njësish leksikore, nocionore e terminologjike (abdomen, alergji, amnezi, anemi, angiografi, anomali, antibiotik, antioksidues, astmë, autizëm, benzen, celulit, cirkadian, cirrozë etj.), këtu po e theksojmë vetëm faktin se hyrjet e tyre janë para se gjithash rezultat i zhvillimeve evropiane dhe botërore në fushë të shkencave të natyrës në përgjithësi dhe fushës së mjekësisë në veçanti.
Më parë se sa në fushë të shkencave të natyrës, termat e të cilave kanë përfshirë zhvillimet shkencore dhe ekonomike të kohës, në veprën e tij, studiuesi dr. Sejdi Gashi, e ka vënë tehun e kërkimit dhe të diskutimit në leksikun e ekonomisë/biznesit (aksionar, alokim, aset, bitkoin, bruto, depozitë, global, neto etj.) dhe politik (administratë, aleancë, ballkanizim,bicefalizëm, bilateral, bipolar, despotizëm, disidencë, eurocentrizëm etj.). Në rastin e parë kemi të bëjmë me eksportin, përkatësisht mjetet e punës dhe të jetës së përditshme, të cilat vijnë si bashku me emrat e tyre, duke përfshirë këtu edhe nocionet dhe termat e administrimit të tyre. Numri i njësive të tyre, i përfshirë në këtë vëllim, është jo vetëm më i madh po edhe më i diskutueshëm, prandaj ndryshe nga terminologjia e fushave të tjera, (teknologjisë, mjekësisë, drejtësisë etj.), në këtë vëllim leksiku, përkatësisht nocionet dhe termat, marrin karakter më të hapur, të tipologjisë, diskutimit dhe të sintezës. Pra, kalohet nga korpusi në sistem dhe diskurs të pranishëm në media dhe në jetën publike.
Kapitulli i tretë Huazimet leksikore dhe përdorimi i tyre në medie është një sintezë e hapur e atyre çështjeve përkatësisht atij korpusi fjalësh, nocionesh e termash, në të cilat autori e ka vënë theksin në kapitullin e parë dhe të dytë. Kapitulli ndërtohet mbi tri çështje: huazimet terminologjike, të cilat në gjuhën shqipe janë shumë të mëdha, shumështresore dhe shumëdimensionale; ndikimi i medieve në shterminologjizimin e terminologjisë, një rol ky shumë i rëndësishëm edhe i leksikografëve e leksikologëve në jetën tonë shkencore, shoqërore dhe kulturore; dhe së fundi, roli i medieve në prestigjin e gjuhës, një dimension ky i trajtuar prej shumë dekadave për të mos thënë që në fillimet e saj, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kur dalin në plan të parë diskutimet mbi njësinë leksikore, si njësi kulturore, mendore dhe shkencore.
Vepra e dr. Sejdi Gashit, Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë, përmbyllet me disa përfundime themeltare të kësaj çështjeje, në gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze; literaturën vendore, si përbërës i rëndësishëm i traditës së kërkimeve shkencore në këtë fushë, dhe literaturën ndërkombëtare, si përbërës i rëndësishëm i përvojës ndërkombëtare në studimet e kësaj fushe; si dhe recensionet e këtij botimi: Dr. Naim Berisha e Prof. Viktor Bakillari.
Prishtinë, 28 nëntor 2024
VEPËR KOLOSALE!