Shumë vite më parë, besoj në ato të gjimnazit, më ka trokitur thellë në mendja një pyetje dhe madje më ka munduar më shumë se një brejtje ndërgjegjeje: pse kishim shumë vepra dhe madje monografi për shkrimtarët, heronjtë dhe madje artistët, po nuk kishim qoftë edhe dy a tri monografi për gjuhëtarët.
Ishte koha kur shtypi shkencor, letrar dhe ditor mbushej me tekste historiko, letrare, kritike dhe madje publicistike për shkrimtarë, heronj, patriotë të të gjitha kohëve dhe periudhave, po asnjë monografi për gjuhëtarë e albanologë të mëhershëm apo bashkëkohës, disa prej të cilëve, si Aleksandër Xhuvani, Idriz Ajeti dhe sidomos Eqrem Çabej ishin ngritur në kult dhe korpuset e veprave të tyre botoheshin e ribotoheshin në Tiranë, e sidomos në Prishtinë.
Në vitet ’90 kur dija ime tejkalonte njohjet deskriptive akademike për albanologjinë, më ranë në dorë monografitë e para për Hahnin (shkruar në vitet ’60), Xhuvanin (diku në vitet ’70), dhe Çabejn (menjëherë pas vdekjes në fillim të viteve ’80). Me përjashtim të monografisë për Hahnin, që kishte karakter shterues akademik, dy të tjerat ishin mjaft modeste dhe ishin shkruar, sikur thuhej në zhargonin e kohës “për nevojat e masave”. Prej studimeve monografike për albanologët që kishin shënuar dy shekujt e fundit, e kisha kuptuar veç tjerash se rruga e tyre nuk ishte as përafërsisht si rruga e shkrimtarëve bashkëkohës të tyre, e kisha kuptuar se jeta krijuese e një shkrimtari ishte tjetër nga përkushtimi krijues i një shkencëtari, kisha kuptuar se të shkruash një vepër të madhe artistike mbase nuk të duhej më shumë se një fletore e thjesht a disa letra gazete, ndërsa për të shkruar një vepër shkencore albanologjike nuk mjaftonte një biblioteke me libra.
E kisha diskutuar këtë mungesë në fushë të albanologjisë shumë herë mes kolegëve, por energjinë dhe përkushtimin tim e kishte orientuar saktë dhe thjeshtë Profesor Jup Kastrati, kur në fillim të viteve 2000. më kishte kujtuar që për një monografi a biografi albanologjike duhet të plotësoja disa kushte. E para, të hulumtoja, përgatisja dhe sistemoja të plotë veprën shteruese të studiuesit përkatës; e dyta, të njihja dhe të zotëroja shkollën gjuhësore, autorët dhe veprat në të cilën është mbështetur mjeshtri im; dhe e treta, të përshkoja me kujdes arkivin familjar dhe arkivat shkencore ku ka punuar gjatë jetës.
Bazat e kësaj vepre dhe besoj të veprës që po i pasvjen janë sa të përcaktuara më parë, aq edhe të rastit.
Në ’90 vjetorin e lindjes së Profesor Idriz Ajetit, Instituti Albanologjik i Prishtinës organizoi një Konferencë shkencore, në të cilën unë paraqita kumtesën “Profesor Idriz Ajeti dhe Albanologjia”. Pas përfundimit të Konferencës në Institut, unë e botova kumtesën e plotë në një faqe interneti. Disa ditë më vonë, një nga djemtë e rinj të Akademisë e shkarkon kumtesën time nga interneti dhe ia tregon Profesorit, i cili kërkon menjëherë që të ftohem në Akademi dhe ta sjell kumtesën time për botim atje në revistën “Studime”. Shkova menjëherë dhe biseduam për shumë gjëra nga fusha e albanologjisë, ndërsa në fund më uroi që këtë kumtesë, duke ia bashkuar edhe një bibliografi të plotë ta botoj, sikur u shpreh ai “me kopertina”. Do ta botoj i thashë, jo këtë kumtesë, po një vepër të tërë. Të keni shëndet e jetë të gjatë dhe do ta shihni, i thash, duke e falënderuar për vlerësimin që i bëri studimit tim prej rreth 30 faqesh kompjuteri, që në mënyrën se si ishte shkarkuar nga interneti, me shkronja më të mëdha, sigurisht për sytë e Profesorit, në dorën e tij kishte më shumë se 50 faqe.
Nuk kaloi shumë kohë dhe duke respektuar udhëzimet e Profesor Jup Kastratit, fillova me hulumtimin dhe sistemimin e bibliografisë së tij të botuar jo vetëm në vepra dhe revista shkencore po edhe në shtypin ditor të kohës. Kur ia dërgova pas disa vitesh dosjen e parë, pyetja e parë që më bëri ishte nëse prej tyre mund të dilte një vëllim i vogël. I shihte me ngazëllim ato tekste e copa gazetash dhe ia tregonte zonjës së tij Hajrije për t’i parë e lexuar.
Në ndërkohë unë përgatita një Bibliografi shkoqitëse të veprës së tij jetësore në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera. E kisha faqosur në më shumë se 70 faqe libri. Dilte rrallë e më rrallë në Akademi. Më porositi që tash e tutje të shkoja në shtëpi dhe t’ia dërgoja bibliografinë atje. Ia dërgova dhe e mori ashtu mes duarve duke më thënë që ta botoj ashtu si është.
-Nuk kam shumë kohë të pres, - ma përsëriti duke buzëqeshur.
-Jo, jo - i tash, - do të kem kohë unë dhe do të prisni Ju. Nuk keni pse nguteni! Ja, po i afroheni 100 vjetorit dhe vitet do të fillojmë t’i numërojmë nga fillimi!
Ky moment shënoi, një hap të ri në besueshmërinë tonë të ndërsjellë, se një vepër e re po kurorëzohej. Profesor Idrizi kërkoi nga zonja e tij Hajrie që të hapë bibliotekën personale për të gjitha botimet e tij dhe madje për të gjitha veprat ku ishte mbështetur dhe në margjina kishte mbajtur shënime. Nuk kalonte shumë kohë dhe z. Hajrie më thërriste për të më njoftuar se kishte gjetur një nga dorëshkrimet e veprave të tij. Për mendimin tim kisha edhe një vit kohë për të përfunduar veprën e nisur, kur Z. Hajrie më thirri të më njihte me një gjë të re: Dokumentet zyrtare dëshmonin se Profesor Ajeti nuk kishte lindur më 25 a 26 qershor 1917, sikur ishte shënuar në të gjitha veprat dhe biografitë e tij publike e akademike, po më 27janar 1917. Në një kohë që unë sa kisha fituar besimin e tij për të bërë edhe hapin e parë drejt arkivit personal, ndërkohë që kisha në dorë të dhëna gjithpërpërfshirëse nga arkivat e disa prej institucioneve arsimore dhe shkencore të Prishtinës, në kohën që kisha porositur dokumente me interes në qendrat arsimore dhe shkencore në Tiranë, Sarajevë, Beograd, Shkup etj., koha e përmbylljes së saj ishte shkurtuar për më se gjashtë muaj.
Tek po e pinim kafen e mesditës me Profesor Bahtijar Kryeziun, e njoftoj për shqetësimin që kisha, madje pikërisht në një kafene, pranë hyrjes në pallatin e tij.
- Unë kam një zgjedhje për këtë shqetësim, - më përgjigjet Profesor Kryeziu. – Unë ndjehem shumë borxhli ndaj Profesor Ajetit, ai ka nënshkruar të gjitha arritjet e mia, të studentit, të magjistrantit dhe të doktorantit, madje edhe të kandidatit për Akademi, prandaj ju propozoj që veprës suaj në proces, në të vërtetë, kapitujve të përfunduar, tua bashkojmë edhe studimet e mija të shkruara për përvjetorë të ndryshëm dhe për disa fusha të ndryshme të dijes së tij, dhe në këtë mënyrë librin do ta nxjerrim nga shtypi për një muaj.
- Ashtu qoftë! – i them pa e diskutuar fare, ta pimë këtë kafe pikërisht për këtë vendim, për të cilin besoj do të jetë dakord edhe Profesor Ajeti.
Nuk shkoi shumë kohë dhe me librin e lidhur, versioni parapërfundimtar, e vizituam bashkë Profesor Idriz Ajetin në shtëpi. U gëzua shumë kur na pa me libër në dorë. Madje librin sa e mori në dorë, u ngrit dhe e vendosi përballë në tavolinën e punës. Bëmë edhe disa fotografi. Kishim kohë për të gjitha. Edhe për shtypjen e saj në prag të vitit të ri 2017.
Megjithëse kjo vepër u shtyp dhe u shpërnda, mua asnjëherë nuk më ka shkuar ndërmend të ndahem nga projekti fillestar për monografinë. Përkundrazi, kjo vepër ka plotësuar fazën e tretë, për të cilën më kishte folur Profesor Jup Kastrati, fazën e mirëkuptimit dhe mirëbesimit. Kjo vepër i ka hapur dyert e mia për të parë rrënjësisht të gjitha dorëshkrimet dhe dokumentet e arkivit privat të Profesor Idriz Ajetit dhe mirëkuptimin e disa arkivave të Institucioneve arsimore, shkencore dhe kulturore në Kosovë dhe jashtë saj në rajon. Nuk e kam pritur ndërkaq vlerësimin e disa dhjetëra gjuhëtarëve e albanologëve në rajon, Europë, Azi e Amerikë që më kanë bërë përmes letrave personale dhe më duhet të them e kam provuar edhe njëherë heshtjen, egon, inferioritetin dhe madje nihilizmin e shumë bashkëkohësve të tij, që më parë se kolegë ishin edhe nxënës a studentë të tij.
Dua të theksoj këtu se kjo fazë e tretë, po më sjell një përvojë të re. E para, mësimin që të mos ngutem në përfundimin e saj dhe të asnjë vepre tjetër; e dyta, që të rishoh njëherë a më shumë ato që kam shkruar deri më tash; dhe sidomos e treta, me mënyrën se si të merrem me përpunimin dhe diskutimin e dokumenteve të reja arkivore.
Një mësim të ri, një nderim dhe një vlerësim për Profesor Ajetin, më parë se sa për ne autorët e veprës sigurisht është ky përurim që më bën të punoj me përkushtim në përfundimin e veprës tjetër në vazhdim.
Shënim: Fjala e falënderimit në Universitetin e Tetovës, me rastin e përurimit të veprës për Profesor Idriz Ajetin. Tetovë, më 30 shtator 2017
Comments