ADEM DEMAÇI NË SYTË E EUROPËS
Begzad Baliu, Fragmente nga Parathënia e librit të Reshat Sahitajt “Adem Demaçi i vlerësuar nga Europa”, Prishtinë, 2016
(...) Libri i Reshat Sahitajt “Adem Demaçi i vlerësuar nga Europa”, një botim ky i veçantë i kolanës së tij “Idealistët 6”, e kam lexuar me ndjenja të theksuara për disa arsye: e para, sepse kjo vepër i është kushtuar njërit prej personaliteteve emblematike të shekullit XX, pa të cilin nuk mund të shkruhet historia e popullit shqiptar; e dyta, sepse e ka shkruar shkrimtari, regjisori e skenaristi, me dhunti të veçantë në fushë të krijimtarisë letrare e artistike; e treta, se e ka shkruar publicisti, i cili viteve të fundit po e shkruan dhe po e përplotëson me dokumente origjinale historinë e Lëvizjes kombëtare në diasporë, me theks të veçantë në Bruksel; e katërta, sepse e ka shkruar njëri prej idealistëve të Lëvizjes kombëtare në diasporë, i cili një jetë të tërë ia ka kushtuar çështjes së Kosovës; dhe e pesta, sepse e ka shkruar shkrimtari, publicisti, pjesëtari i kësaj Lëvizjeje, i cili ka qenë njëkohësisht edhe pjesëmarrësi më aktiv për realizimin e një prej ëndrrave të tij: ndarjen e Çmimit Saharov nga Parlamenti i Europës, për simbolin e rezistencës shqiptare në Kosovë, Adem Demaçin.
(...)
Autori i këtij vëllimi, Reshat Sahitaj, krijues, artist dhe regjisor, e fillon rrëfimin e tij sa për vete aq edhe për njerëzit e kohës që e rrethojnë dhe këtë histori e bartë nga odat e vendlindjes në një nga qytetet e mëdha dhe me ndikim politik e kulturor në Europë. Në rininë e tij prej mërgimtari asnjëherë nuk do të lirohet prej tregimeve historike dhe tragjike të babait dhe fqinjëve të tjerë, prej këngëve - kur të përvajshme e kur epike, prej kallëzimeve - kur me zë të lartë e kur me zë të heshtur të brezit të tij, prej ngjarjeve që rrëfeheshin në disa vepra të lexuara e madje edhe të përshkruara në dritën e qiririt, sikur ishte romani i Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut” dhe historia rrëqethëse e mesazhit të romanit të tij etj. Meqë, prej këtyre imazheve të fëmijërisë dhe të rinisë, nuk kishte arritur të lirohej asnjëherë, autori i këtij vëllimi përpiqej që disa prej tyre t’i realizonte, t’i aktualizonte dhe t’i përjetonte në veprat e tij letrare, artistike, dramatike, teatrore, regjisoriale etj; ndërsa disa të tjera t’i barte dhe t’i rrëfente në aktivitetet dhe në protestat e tij e të kolegëve të tij në shumë kryeqendra të shteteve europiane për lirinë e Kosovës.
Në këtë rrjedhë kujtimesh e imazhesh emri, vepra dhe personaliteti i Adem Demaçit, autorin e këtij vëllimi do ta përcjellë në vazhdimësi në shumë takime, protesta, vlerësime etj., prandaj në këtë vëllim pamjet dhe konceptet politike të Adem Demaçit shfaqen kudo: përmes fotografive, portreteve, parullave në demonstrata, ligjërimeve artistike në tubime me bashkatdhetarët, në bisedat për Kosovën me miçtë e huaj dhe atdhetarët shqiptarë, në takimet me parlamentarët, diplomatët, gazetarët etj. Nuk është e rastit prandaj pse autori i këtij vëllimi do të kujdeset që menjëherë pas daljes së Adem Demaçit nga burgu, të bëjë përpjekje që të vejë kontaktet me të dhe ta ftojë që sa më parë në Bruksel të takohet me parlamentarët dhe diplomatët e këtij vendi, për ta dëshmuar të vërtetën e tij personale dhe të vërtetën për gjendjen në Kosovë e çështjen shqiptare në përgjithësi. Nuk është e rastit prandaj, që menjëherë pas daljes nga burgu do ta fillojë procesin e takimit me diplomatët dhe me parlamentarët evropianë për nominimin e tij për çmimin më të rëndësishëm të Parlamentit Europian: Çmimin Saharov. Janë shumë interesante dhe domethënëse përshkrimet dhe dëshmitë e tij me dokumente origjinale e fotografi, me përkthime të shtypit vendor e ndërkombëtar për përpjekjet këmbëngulëse të tij për nominimin e këtij çmimi, si në rastin e parë (më 1990) ashtu edhe një vit më vonë, kur edhe Adem Demaçi e fiton këtë Çmim.
(...)
Ashtu si autori dhe ekipi i tij, edhe miqtë e tij ndërkombëtarë e bën të mundur që Adem Demaçi përmes ligjërimeve të tij, deklaratave dhe diskutimeve para diplomatëve ndërkombëtarë, klubeve dhe shtypit vendor e ndërkombëtar të rrëfej jo vetëm për të kaluarën e Kosovës e të popullit shqiptar, por edhe për daljet e para te luftëtarëve të UÇK-së, si dhe krijimit të një Programi Kombëtar me karakter të përgjithshëm, i cili këtu shpërfaqet për herë të parë, duke e ruajtur aktualitetin edhe sot. Në të vërtetë diskutimet për këtë Program do të duhej të rifillonin me qëllim të një përlindjeje kombëtare në dekadën e dytët shekullit XXI.
Vepra e Reshat Sahitajt për Adem Demaçin paraqet edhe një prej pamjeve më tragjikomike të sjelljes së përfaqësuesve të popullit shqiptar në Kosovë e në troje të popullit shqiptar: presidentë e kryeministra, ministra, sindikalistë e misionarë të të gjitha llojeve, që para emigrantëve shqiptarë në diasporë flisnin me vetëdijen folklorike të Isa Boletinit; për mentalitetin e politikanëve shqiptarë që para diplomatëve e politikanëve evropianë silleshin sikur të kishin marrë misionin e Krishtit dhe sikur në Kosovë nuk po bëhej luftë për lirinë po për demokracinë; që flisnin diçka tjetër para ndonjë sekretari a asistenti në institucionet europiane të rangut më të ulët, ndërsa në Prishtinë ktheheshin me “premtimet dhe përkrahjen e institucioneve më të larta euro-atlantike”, se “gjendja në Kosovë do të përmirësohet shpejtë”; për mentalitetin e bardëve të politikës partiake në Kosovë, që para zyrtarëve të vegjël evropianë shtronin çështjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, në Maqedoni e në Luginën e Preshevës, ndërsa në Kosovë ktheheshin me deklaratat se “kanë shtruar jo vetëm çështjen e Kosovës po edhe çështjen shqiptare nën Jugosllavi”; për grupin e parë të shqiptarëve nga Kosova që u pranua në Parlamentin Europian, por që në këtë institucion më të lartë të parlamentarizmit europian shkuan, si zakonisht, të papërgatitur dhe pa as edhe një dokument të vetëm të shkruar, të cilin do ta linin aty; për ndërkambëzat ndërmjet institucionalistëve të Kosovës: përfaqësuesve të Rugovës dhe atyre të Qeverisë së Bukoshit etj.
(...)
Vepra e Reshat Sahitajt për Adem Demaçin dëshmon shumë herë për domethënien e sjelljeve të ‘diplomacisë’ sonë dje dhe për mjerimin e sjelljes së diplomacisë sonë sot! Për përpjekjen e idealistëve shqiptarë dje, për të bërë diplomacinë e Kosovës nëpër dyer të vogla të institucioneve të shteteve europiane, ku ata jetonin dhe për sjelljen heshtake e kur e kur edhe të papërgjegjshme të diplomatëve të Kosovës sot, për të kryer obligimet themelore diplomatike ndaj shtetit të Kosovës, në vendet ku janë emëruar.
E, Reshat Sahitaj, dhe ekipi i tij, sikur mund të shihet prej këtij vëllimi shumëfish të dokumentuar, ka bërë atë që nuk e ka bërë ende asnjë institucion i diplomacisë sonë shtetërore: diplomacinë historike.
Prishtinë, korrik 2016
Opmerkingen