KONSTANTIN KRISTOFORIDHI NË PRIZMIN E NJE TRADITE ALBANOLOGJIKE
Shkruan: Begzad Baliu
Përmbledhje me studime për Konstantin Kristoforidhin. Materiale nga Konferenca shkencore ndërkombëtare “Konstantin Kristoforidhi – figurë e shquar e Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, Qendra Kërkimore Shkencore, Sektori i Albanologjisë - Ballkanologjisë, Elbasan, 2002, f. 328.
Në studimet albanologjike tash më është krijuar një traditë e mirë e botimit të përmbledhjeve letrare e studimore për krijues dhe personalitete të rëndësishme shkencore: Gjon Buzukun, Jeronim De Radën, Dora d’Istrian, Naim Frashërin, Fan Nolin, Migjenin, Gjergj Fishtën, Aleksandër Xhuvanin, Eqrem Çabejn etj. Në një seri të tërë konferencash dhe madje seminaresh të rregullta, si në: Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Prishtinë), Serinë e Konfe¬re¬ncave të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në serinë shumënumërshe për vite të tëra të revistës “Jeta e re” (Prishtinë) etj., janë përmbledhur kumtesa kushtuar personalite¬teve vendore dhe të huaja të albanologjisë. Një përmbledhje e tillë është edhe kjo vepër me kumtesa shkencore kushtuar Konstantin Kristoforidhit.
Në konferencën kushtuar themeluesit të shqipes bashkëkohore Konstantin Kristofori¬dhit kanë marrë pjesë studiues të shumtë nga institucione të larta shkencore e arsimore të fushës së albanologjisë, si: Elbasani, Tirana, Prishtina, Shkodra, Tetova, Gjirokastra, Mynihu, Boni, Parisi, Berlini, Roma, Nju Xhersi etj. Vepra e tij bëhet objekt kërkimi e vlerësimi nga linguistë, historianë të letërsisë, pedagogë, gramatikologë, indoeuropeistë, ballka¬nologë, leksikografë, studiues të gjuhësisë krahasi¬mtare, didaktologë, arkivistë, shqipërues etj.
Vëllimi hapet me një fjalë përuruese të Rektorit të Universitetit mikpritës “A. Xhuvani”, Profesor dr. Jani Dode dhe vazhdon me një paraqitje përimtuese të gjenealogjisë së familjes Kristoforidhi nga i nipi dr. Robert Kristofer, e parë, sikur thotë ai nga perspe¬ktiva amerikane. Jetës dhe veprës së Kristoforidhit i qaset njëri prej njohësve dhe studiuesve më të përkushtuar të tij Profesor dr. Xhevat Lloshi më kumtesën e tij “Kristo¬foridhi dhe themeluesi i albanologjisë”, duke nxjerrë në dritë disa anë të panjohura të lidhjes dhe sidomos të ndihmesës që Kristoforidhi i dha Hahnit. Nëse interesimi i Hahn-it për gjuhën shqipe lidhet me domosdoshmërinë e kryerjes së misionit të tij, (i rrethuar nga shqiptarët), rezultatet e tij në fushë të albanologjisë lidhen me ndihmën që Kristoforidhi i dha në njohjen, leximin, saktësimin e fjalëve të shënuara dhe të dëgjuara nga shqipfolës me të cilët komunikonte Hahni. Të kësaj natyre janë edhe studimet krahasuese mes veprave të Kristoforidhit dhe Dozonit (Christian Gut), Xhuzepe Anxhelo Noçitit (Italo Kostante Fortinos), Ndre Mjedës (Mentor Quku), Dhiatës së re (Teuta Toska) etj.
Studime me vlerë paraqesin kumtesat e bardëve të sotëm të studimeve albanologjike: Shaban Demirajt, Jup Kastratit, Shefik Osmanit etj., të cilët merren me veprat tashmë të njohura të tij, në një mënyrë të veçantë dhe të plotësuar me elemente të tjera historike apo edhe të strukturës së brendshme të saj nga fusha e gramatikës, leksikografisë, pedagogjisë etj. Pra, kontributi i Konstantin Kristoforidhit nuk shihet vetëm nga aspekti i vlerësimit të veprave të tij të veçanta, kryesisht “Fjalorit...”, “Gramatikës...”, “Dhiatës..” etj., por edhe brenda fushave të veçanta në të cilat këto vepra kanë pasur ndikim të dukshëm. Studiues të shumtë, të prirë nga interesimet specializuese, kanë trajtuar kontributin e Kristoforidhit në fushë të standardizimit të gjuhës shqipe (Mehmet Çeliku e Qemal Murati), në formimin e identitetit kombëtar (Bardhyl Demiraj), në krijimin e alfabetit të shqipes (Tomor Osmani), në krijimin e hapësirës shkencore kombëtare (Tomor Plangarica), në historinë e fjalës të gjuhës shqipe (David Luka - Petrit Kotrri), në mënyrën e përdorimit të stilit fetar (Artan Haxhi - Tefë Topalli), në lëvrimin e letërsisë (Robert Elsie, Jonida Xhyrra) dhe sidomos në fushë të letërsisë artistike për fëmijë (Astrit Bishqemi), në unifikimin e mendimit patriotik të Rilindjes Kombëtare (Vilson Kurti); në karakterin didaktik - gjuhësor (Abdulla Ballhysa - Ali Shashaj, Njazi Kazazi), në rrafshin historik të veprës së tij (Hysen Shabani - Liman Varoshi), në sistemin diellor (Shpëtim Vyshka) etj.
Brenda studimit të strukturave gramatikore, për të cilat Kristoforidhi ka dhënë kontribute të shumta, gjurmojnë, vlerësojnë e rindërtojnë nga aspekti historik e bashkëkohor studiuesit Wilfred Fiedler, Remzi Parnaska, Bahri Beci, Latif Mulaku, Mustafa Karapinjalli, Ruzhdi Stringa, Ali Jashari, Emine Sadiku, Valter Memisha etj. Një veçori të kësaj përmbledhje paraqet teksti i Shaban Sinanit, kërkimet e të cilit në Arkivin shtetëror tregojnë se jeta dhe vepra e Konstantin Kristoforidhit janë të hapura për kërkime të reja dhe vlerësime që nxisin diskutime të reja shkencore në fushë të gramatikës, leksikografisë, përkthi¬mit dhe sidomos historisë së gjuhës e të albanolo¬gjisë përgjithësisht.
Në traditën e botimeve albanologjike vëllimi me studime kushtuar Konstantin Kristoforidhit shënon një veçori të theksuar deri më tash, për shumë arsye: për studimin bazë të veprës së Kristoforidhit dhe për pamjen historike të jetës e veprës së tij, për konceptet e reja mbi të cilat është parë një anë e veprës së tij, për fushat e reja përimtuese të mbështetura jo vetëm në strukturat gramatikore e leksikografike të veprës së tij etj. Për shkak të të gjitha këtyre elementeve dhe rrugëve të reja që kanë hapur studimet e theksuara vlerësojmë se ky vëllim paraqet një projekt referencial, si një shembull i mirë për konferencat e ardhshme kushtuar personaliteteve emblematike të albanologjisë, sikur është Konstantin Kristoforidhi.
댓글