Ligjërues brilant, historian i letërsisë, kritik letrar, poet e prozator, publicist e polemist, Profesor Agim Vinca, mbahet mend për diskursin e tij të lartë, për gjuhën e tij të pasur, për fjalën e tij të zgjedhur, për drejtshqiptimin e secilit tingull.
Profesor Agim Vinca do të mbahet mend gjatë për reagimin e tij prej studenti në vitet ’60, në kërkim të mësimit të një gjuhe të Europës, e jo vetëm të serbokroatishtes, e kjo do të thotë në kërkim të europeizmit të kulturës dhe shkencës shqiptare; do të kujtohet sot për angazhimin e tij për studimin dhe botimin integral të krijimtarisë letrare nga Shqipëria dhe Kosova e viteve ’70 e ’80, e kjo do to të thotë për krijimin e një atmosfere mbarëkombëtare në hapësirën shqiptare; do të vlerësohet për guximin qytetar e intelektual në mbrojtjen e letërsisë dhe kulturës shqiptare në ish-Jugosllavi, në kohën kur numri i intelektualëve shqiptarë, që merrnin guximin të shkruanin e flisnin, ishte shumë i vogël; do të nderohet sot për tekstet polemizuese të tij në mbrojtje të çështjes kombëtare në vitet e postkomunizmit në Shqipëri e ish-Jugosllavi; do të urohet gjatë për angazhimin e tij në mbrojtje të luftërave çlirimtare në Kosovë, Maqedoni e Luginë të Preshevës, e kjo do të thotë në mbrojtje të idesë së madhe historike për bashkimin e kombit shqiptar; do të çmohet mend për angazhimin e tij në demokratizimin e jetës pluraliste në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni etj.
Profesor Agim Vinca do të nderohet sot gjerësisht, në 77 - vjetorin e lindjes, për kohezionin kombëtar të frymës së Rilindjes Kombëtare në jetën kulturore, politike dhe mendore të popullit shqiptar.
Profesor Agim Vinca sot do të nderohet nga lexuesit e tij, nga studiuesit e tij dhe nga brezat e dikurshëm e të sotëm, si një nga pasardhësit e mendimit kryengritës.
Profesor Agim Vinca do të nderohet sot, sigurisht, prej një numri më të vogël qytetarësh, për qëndrimin kritik të tij, për mungesën e kompromisit të tij me liderë, klane e parti politike në hapësirën shqiptare dhe për “vetminë” e tij, një gjendje tipike për frymën intelektuale të të gjitha kohëve, për përjashtimin tij nga shumë institucione akademike ku e kishte dhe e ka vendin.
Profesor Agim Vincën po e nderojmë sot, edhe me këtë tekst për Ditëlindjen e 77-të, si rrallë të tjerë të brezit të tij: pa kompletin e veprave të tij, pa të cilin besojmë, nuk do të ndjehet mirë ai sot dhe nuk do të ndjehemi mirë ne, lexuesit e studiuesit prej shumë dekadash, të veprës së tij.
Në të vërtetë, më parë se sa mosha e tij -vitet e tij, prej më shumë se shtatë dekadash, Ajo -vepra e tij, ju ka pri a i ka përcjellë me përkushtim shumë procese kulturore, shkencore, politike dhe kombëtare në jetën e popullit shqiptar. Vepra e tij, sot, do të mund të botohet në Prishtinë, -ku është botuar kryesisht për herë të parë; në Tiranë, -ku ai ka ëndërruar dhe ju është gëzuar botimeve të tyre; si dhe kudo në Maqedoni. Ajo, si tërësi, do të mund të botohej kudo, në Prishtinë, në Tiranë dhe në Shkup, si rrallë ndonjë vepër e autorëve të tjerë, sepse e tillë: gjithëkombëtare është lexuar në shtypin e hapësirë kombëtare, është lexuar në konferencat kombëtare dhe ka pasur synim: lexuesin e kësaj hapësire.
Jetë të gjatë, Profesori Ynë!
Comments