Bebushi
Vitin e fundit nuk mundi të përqendrohej në mësime. Rritja e menjëhershme trupore, mania për të kundërshtuar, një ndjenjë e re që nuk i gjente burimin, e shtynin drejt një jete të pavarur. Kur mësuesit shpjegonin, sodiste nga dritarja faqen e malit përpallë, sidomos pyllin që lartësonte foletë e zogjve për tua bërë më të lehtë fluturimin.
Për të, ajo faqe mali ishte libri i hapur. Shqiponjat futnin mes kthetrave si mes thonjëzave jetën e çdo viktime. Mëllenjat shtrëngonin trupin mes krahëve si brenda kllapave. Në atë faqe mali, mësoi gjeometrinë e foleve të drunjta që ndërtonte për gardalinat. Një fole për pesë pemë dhe këtë, e kish bërë gati në dy të dhjetat e pyllit; kështu mësoi thyesat dhe zgjidhjen e ekuacioneve. Por një vit, një rrufe nga ato të fillimeve të verës që goditi shtyllën e tensionit të lartë, i vuri zjarrin pyllit. Rënkonin pemët nga pesha e gjigandit të hekurt dhe degët nuk thoshin të thyheshin. Qau shumë. Në grremçat e pemëve bashkë me foletë e drunjta, kishte varur dhe qeskat e kujtimeve. Sa kujtime! Mësoi shumë nga ajo faqe mali. Mbaroi vera; erdhi vjeshta dhe me dëftesën e lirimit në njërën dorë, bashkë me të atin, trokiti në zyrën e punës.- Një ndërtesë nga ato të fillimshekullit të kaluar, ku muret ndarës nëpërmjet kallamave të suvatuar thithnin kërcitjet e dyshemeve sa herë që nëpunësit lëviznin nga një zyrë në tjetrën. Nga njëra anë e ndërtesës dukej deti ndërsa nga ana tjetër qyteti ku mund të dalloje lehtë kush ishte i punësuar dhe kush i papunë. Dukeshin gjithashtu ata që zbrisnin shkallëve të zyrës së punës me kurajën e premtimeve dhe ata që largoheshin me vërtetimin në duar. Adoleshenti u bashkua me të fundit.- Tani për tani, do të punosh në Qendrën Sanitare- i thanë. - Janë njerëz të mirë e të ditur dhe prej tyre do të mësosh shumë gjëra.- Atë frazë, e dëgjoi dhe nga shefi i kuadrit i cili e udhëzoi për disiplinën në punë, respektin për eprorët dhe kur shqiptoi fjalën e fundit, nuk harroi të verr gishtin e madh në gropën e gjoksit , pastaj nëpërmjet gishtave të tjerë, i tregoi shkallën hierarkike: - Eprori yt direkt do të jetë Sotiri. Është një burrë i shkurtër dhe i dobët, por me mëndje të shëndosh. – Do ta gjesh në depon e pompave të dezinfektimit. Në atë depo, dritaret nuk ishin të mëdha e të hapura si ato të klasës dhe era e ilaçeve i digjte sytë e i merrte frymën. Gjithashtu era e uniformës së eprorit nuk mbante atë erën e këndshme të përparëses së bardhë të mësueses së kimisë. Kur burri i shkurtër i tha të shtrëngonte fortë pompën mes duarve që të mund të ndërronte membranën, iu duk sikur mbante në duar një bombë prej vërteti që mund t’ i merrte jo vetëm jetën, por të shkatërronte dhe gjithë qytetin.
Të nesërmen në vend që të shkonte në punë, shkoi pas shokëve të klasës gjer te porta e gjimnazit. Ishin të gjithë të qeshur. Në gjumë, u kishte veshur syve të tij të gjitha fytyrat dhe të gjitha shkonin, sidomos fytyra e shoqes së bankës që për një çast, nuk donte t’ ia kthente. -Mbaj sytë e mi – i tha ajo - në qoftë se do të më shikosh të bukur. Atë ditë për fat të mirë mungonte laborantja dhe e kërkuan në laboratorin e qendrës për të larë epruvetat. Epruveta, shumë epruveta dhe nëpër mure , portrete shkencëtarësh të huaj. –Ti këtu? - E pyeti kimisti duke shprehur habinë. - Nuk u regjistrove në gjimnaz? Ta dish- i tha pastaj duke e afruar ngrohtësisht pranë vetes – Liria do të mërzitet shumë që le shkollën! Mësuese Liria kishte vlera të veçanta fonetike dhe ato shërbenin më së miri për kuptimin e mësimit. Në klasë nuk fliste për tema të tjera. Jo se ishte e pasigurt për njohurit e saj, por që nxënësit të mos dilnin jashtë kufijve të programit mësimor. Pastaj ishte dhe tjetra; e veçanta e zërit të saj, për vet moshën e nxënësve, do të ndikonte shumë në jetën e tyre dhe kjo e trembte. Ndoshta e detyronte instinkti i femrës; ajo shtysë e brendshme që te mësueset është tepër e zhvilluar. Humbi për një çast në rikthimin e jetës shkollore. Po lante epruvetat kur në laborator hyri Sotiri dhe pa përshëndetur iu drejtua kimistit.- Viktor vëllai! - I tha.- Me atë që më ndodhi dje, kur ta dëgjosh, do të mbetesh pa gojë.- Dhe pa pritur reagimin e kimistit filloi: – Dje kur lamë punën dhe u ndava nga Bebushi,- kështu pagëzoi adoleshentin – dola të shikoj për ndonjë oktapod andej nga bulevardi i vjetër. Siç ecja mbi bordurën, kur ç’ të shikoj; në det, një oktapod i madh ishte mbështetur në një gur dhe po hante një gaforre. Ti e di që bordura është rreth tre metra lartë nivelit të detit; thash të hidhem , të mos hidhem dhe me që koha nuk më premtonte, u hodha me gjithë rroba. -Kimisti dëgjonte dhe vërente me kujdes çdo lëvizje të Sotirit. Adoleshenti që e njihte mirë lartësinë e bordurës se ishte hedhur që andej me dhjetëra herë në det, donte ta kundërshtonte për lartësinë, por siç pa reagimin e kimistin ndryshoi mendim. Ndërkohë, Sotiri e kish kapur oktapodin nga koka. – Mirë e kapa mor Viktor vëllai, po më kapi dhe ai mua dhe më tërhoqi në thellësi. Aq e pate Sotir! I thashë vetes. Ky është fundi yt, të bëhesh ushqim për oktapodin! Kur ç’ të shikoj Viktor. Oktapodi ndryshoi drejtim. Më çoi përsëri drejt bulevardit, më ngjiti në murr, kapërceu bordurën dhe më zbriti në pllakat e trotuarit. E! Këtu të kam i thash dhe nxora thikën nga brezi dhe fët e fët e fët, e bëra copa, copa. – Kur kimisti hapi duart t’ i shprehte admirimin për atë trillim që dhe vet Anderseni do t’ ia kishte zilinë, adoleshenti që pas epruvetave thirri: Gënjeshtar! Sotiri rrëmbeu një epruvetë dhe pa parë, e lëshoi andej nga erdhi zëri i Bebushit. Të gjitha epruvetat që ishin në rafte, si ato bosh dhe ato me solucione, u bënë thërrime. Shkencëtarët sikur donin të dilnin nga portretet. Kimisti vuri duart në kokë duke i thënë Sotirit: Ç ‘më bëre! Që atë ditë, marrëdhëniet e usta - çirak nuk shkonin mirë. Trillimi i Sotirit u bë i njohur nga të gjithë në Qendrën Sanitare dhe bashkë me të dhe adoleshenti i porsa ardhur dhe që vet Sotiri e kish pagëzuar me emrin Bebush. Kalonin ditët, muajt dhe Bebushi bëhej gjithnjë e më simpatik, sidomos te mjekët që u shërbente për porosi të ndryshme. Jo vetëm kaq, por me kalimin e kohës fitoi dhe besimin e tyre. E merrnin me vete kur shkonin me punë nëpër fshatra, ose kur donin të justifikonin ndonjë veprim privat, duke lënë kështu gjithë punën mbi supet e Sotirit. Për këtë Sotiri u ankua dhe te drejtori, por ankesa e tij ra si guri në pus se dhe drejtori siç tha vetë Sotiri, nuk ishte më i mirë se të tjerët. Bebushin e donte shumë dhe kimisti; ky njeri me veti dhe vlera. Për të kishin respekt të gjithë mjekët , por asnjëri nuk i bënte shoqëri hapur. Një mëngjes i solli të falat e mësueses Lirisë dhe Bebushi zuri një cep të laboratorit dhe qau. E kish marr malli për mësuesen e tij të dashur. Në një orë mësimi e kishte zënë të humbur në faqen e malit dhe kur mbaroi shpjegimin, i premtoi klasës një ekskursion në pyll për pushimin e së dielës. Që atë ditë adoleshenti nuk iu nda kimistit, por dhe kimisti nuk e ndau prej vetes. Në saj të tij, Bebushi u dashurua me librat. Nuk vonoi dhe arriti të përzgjedhë mendimet nga njerëz të ditur, fjalëve të nënkuptueshme u jepte kuptim, mësoi gjithashtu nëpërmjet fjalës të gjente shkakun e një veprimi, gjersa një ditë zbuloi pse kimisti lihej mënjanë nga gjithë të tjerët. Ditë tjetër Bebushi nuk shkoi në punë. As ditën e dytë dhe as ditën e tretë. Ky veprim ishte si gjalp në bukën e Sotirit që trokiti në zyrën e drejtorit dhe i kërkoi një ndihmës tjetër. –Ke mësuar pse e la punën? - Pyeti drejtori dhe pa pritur përgjigje , e la vetëm në zyrë dhe shkoi në laborator për të marr lajmë nga kimisti. Kur u kthye e urdhëroi Sotirin të shkonte e ta gjente dhe të hënën të vinin të dy në zyrë. Por nuk u desh se në mbrëmjen e së shtunës drejtori e pa Bebushin në shëtitore dhe si i hodhi dorën në qafë, e shtrëngoi pas vetes. - Pas dy vjetëve – i tha - që ti do të kesh kryer kursin për laborant, Ervheja do të dalë në pension. Pa përfytyro veten të punosh me një bluzë të bardhë pranë Viktorit! Të hënën Bebushi erdhi në punë gjithë qejf, gjë që si pëlqeu aspak Sotirit, po ç’ të bënte? Tek prisnin përgjegjësin për të marr programin e ditës, Sotirit diçka iu kujtua dhe shkoi t’ ia tregonte kimistit ndërkaq, në portën e hyrjes u dukën dy vajza nga ndërmarrja e ushqimores me kampione në duar dhe fill pas tyre, përgjegjësi që kish kthyer mëngjes, mëngjes dy-tre dyshe. Si u hodhi një shpoti vajzave, pyeti Bebushin për Sotirin dhe kur e pa të dilte nga laboratori, nuk ia përtoi mllefin. –Hë mor ti- i tha- ngele pas bythës së atij bir krimineli! Bebushi edhe pse sa kishte dalë nga një ndeshje me eprorin, nuk pyeti aspak për shkallën hierarkike. – Ke pirë- i tha –dhe nuk di seç thua! - Je i pushuar nga puna!- Bërtiti përgjegjësi dhe e qëlloi me shkelma. Pastaj i kënaqur nga shkelmat që i dha adoleshentit, hyri në zyrë për tu dhënë programin dhe kur doli, shoqëroi zgjatjen e dorës me një «hajt shporruni!» Bebushi u nis për tu ankuar, por Sotiri e kapi nga kërcelli i dorës dhe si afroi fytyrën e tij te veshi i adoleshentit, i tha në intimitet: «Mos shko, se atij qeni s’ ka ç’ ti bëjë as drejtori.» Që atë ditë marrëdhëniet e mira usta- çirak erdhën në rritje dhe kjo ra në sytë e të gjithëve. Kish përshkuar dielli mesin e qiellit kur Bebushi përhapte klorin në një puset të ujërave të zeza që pat shpërthyer aty afër Kopshtit me Drek. Si për dreq shokët e klasës që ishin kthyer pas një ekskursioni, kur e panë, u afruan për ta përshëndetur. Ca mbyllën hundët me gishta, të tjerët me pëllëmbët zunë hundët dhe gojët dhe u larguan. Shoqja e bankës dhe ajo me gojë e hundë të mbyllura iu afrua më pranë dhe e këshilloi ta linte atë punë të rëndomtë se nuk i shkonte. Më pas, asnjë zë. Ngeli i vetëm me klorin në duar atje mbi ujërat e zeza. Kur u kthye në depo, hoqi shpejtë e shpejtë uniformën dhe ia dha vrapit për një fjalë ngushëllimi, por kimisti nuk ndodhej në vendin e punës. Vasil Klironomi
Si ne tregimin "BEBUSHI" dhe ne tregime te tjere te publikuar kohet e fundit,
Klironomi na terheq vemendjen per strukturen e thjeshte te ndertimit te tre-
gimit. Me pak fjale, pa zhurme e buje, tipizon karaktere, te ngjajshem e te be-
sueshem me ata te adoleshences tone. Te ngrohte e te afert per lexuesin.
Suksese me te tjera arritje! Myslim Maska
I shumë-respektuari Kozma Gjergji!
Është fatmirësi për mua që u njohëm nëpërmjet krijimeve tona. Mendoj se për krijimet e mia gjithmonë ke pasur një shpjegim e vlerësim të saktë e të ngrohtë.
Mendimi yt përherë ka qenë i sinqertë dhe i afrueshëm me çka unë kam dashur të them. Jo vetëm kaq, por dhe i guximshëm. Jam i sigurt se do të gjejmë një shteg tjetër,për të vazhduar atë që nisëm.
Miqësisht, Vasil Klironomi.
Kushdo e gjen një piesëz nga adoleshenca e vet tek Bebushi, personazhi simpatikë i tregimit më të ri të z.Vasil Klironomi. Është nga ata tipa që natyra i rrit para kohe nga trupi dhe nxitojnë ta fillojnë punën më shpejt se bashkëmoshatarët. Në një vështrim heroi të duket si ariu e i pagdhendur, por jo na thotë autori, pikërisht tek e papërsosura është bukuria e interesantia, dhe për të na e vërtetuar këtë i mjafton të sjellë me emocion pakëz gjëra të thjeshta e njerzore.
Tregimi është shkruar me finesë dhe gjithë fabula e intriga janë vetëm disa përthyerje psikologjike të personazhit.
Me frymëzime e arritje të tjera i dashur mik! Kozma Gjergji.