top of page

Baxhul Merkaj: Pena e mprehtë e ikonave shqiptare

Baxhul Merkaj: Pena e mprehtë e ikonave shqiptare

 

Ndërsa koha ime e gazetarisë në Tiranë, më obligonte jo vetëm me detyrën, por dhe me syrin vëzhgues të njerëzve dhe kolegëve përreth. Një prej tyre, Baxhul Merkaj nuk kërkonte ndonjë hyrje të gjatë. Ai thjesht hynte në vëzhgimin e thjeshtë, me qetësinë e një njeriu që e njeh mirë terrenin e artit dhe lë pas gjurmë të thella. Studiues dhe kritik arti me autoritet moral e profesional. Ai lindi në Lapardha të Vlorës, në vitin 1944. Dashuria për artin e shoqëroi që herët. Ishte si fillim Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë (1964), më pas Akademia e Arteve (1971). Që atëherë, pena e tij ka folur pa pushim. Afro 400 artikuj, ese e intervista, poezi e skica letrare, tregime e publicistika, botime brenda e jashtë vendit, dy çmime kombëtare në publicistikë dhe një arkiv mendimi që sot është pjesë e kujtesës sonë kulturore.

Në librat e tij, Merkaj sjell një galeri grash që ngjasojnë me “hyjnesha” të artit shqiptar, artiste të skenës, këngëtare, piktore, interprete, figura që nuk thjesht kanë jetuar artin, por e kanë bërë atë mënyrë ekzistence. Ai nuk i radhit si trofe, i shikon, i dëgjon, i rindërton në faqe, duke u kthyer historinë njerëzore, brishtësinë, dritën.

Ndër veprat më përfaqësuese, spikat “Personalitete elitare të artit shqiptar”, një enciklopedi e pazakontë, ku bashkëjetojnë Aleksandër Moisiu dhe Sandër Prosi, Odhise Paskali dhe Ibrahim Kodra, përkrah artistëve të brezave më të rinj. Libri nuk është thjesht informim: është rikthim i kujtesës, një lloj pelegrinazhi kulturor që na kujton se arti ynë ka pasur gjithmonë korifej. Shpesh thuhet se për gratë shqiptare, nënë, bijë, motër, bashkëshorte, është folur mjaft. Por t’i zgjedhësh disa prej tyre, t’u japësh fytyrë, zë, histori, dhe t’i lartësohesh me përgjegjësi letrare, kjo është një veprim dashurie. Një mision që Baxhul Merkaj e merr me përulësi dhe e përmbush me përkushtim. Kështu, në portretin e Margaritës Xhepa, ai sheh “Ofelinë” e pandarë nga koha, nënë dhe heroinë, grua e artit që nuk jeton sipas orës së zakonshme. Në trajtesën për Nexhmije Pagarushën, “mbretëreshën e këngës shqiptare”, autori flet me një dritë poetike: kënga e saj duket se vjen “nga kopshti i parë i botës”, ndërsa dëshira për ta dëgjuar pafund kthehet në metaforë, një biletë për në qiell, sepse toka duket e vogël për madhështinë e saj.

Faqe pas faqeje, si në një lloj parade kalojnë Drita Aga, “mike e detit dhe poetit”, Jackie Lima me ëndrrën e saj amerikane; Miradije Ramiqi, zë i bukurisë dhe i së vërtetës; Hajrie Rondo, “Tana” e paharrueshme e kinemasë, Maya Aliçkaj, “Argjiroja” e melodive; piktorja indiane Chandana Khan; Brunilda Mumajesi, “sirena” që ecën buzë Vlorës. Të gjitha, të ndryshme, por të bashkuara nga një gjë, universi i tyre artistik merr kuptim në dritën e penës së Merkajt.

Dhe po, rrugëtimi mbyllet aty ku s’mund të mungonte, te Vaçe Zela. Për të, autori përdor fjalë pakta, por të rënda: “legjendë e gjallë”. Në atë pikë lexuesi e kupton se kjo vepër nuk është vetëm homazh; është amanet për brezat që vijnë. Në fund, mbetet bindja se Baxhul Merkaj ka bërë diçka themelore, ka mbrojtur dinjitetin e figurës artistike shqiptare. Me një penë të mprehtë, por gjithmonë humane, ai na kujton se arti nuk është luks, është memoria jonë, identiteti ynë, mënyra jonë për të thënë se kemi qenë dhe do të jemi. Kështu flet dhe poezia e tij. Kështu flet publicistika e tij e thjeshtë, por shumë e dashur dhe me art. Kështu flet ai duke rishpërndarë mirësi e krenari të lartë, duke i vendosur theksin të qënit shqiptar, lab e vlonjat.

(Fjala e Lirë - Londër)

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page