BASTARDËT,
- Tregim
Bufalaqja Antonetë mbërriti në kopësht thuajse pa frymë. Duke shtrembëruar ato tiparet e saj prej majmunke, tha: - “Aresi”, qeni i madh i Oros Drazhit këputi zingjirin. Tana, që u zu gafil në pikën kulminante të rrëfimit të një historie komike me qen, ia dha gazit në atë far feje, sa gati i ra të fikët. Që të mos binte, ajo i hodhi të shoqit duart rreth qafës, iu kalavar mu si një kulpër, e gjithë duke qeshur ia ktheu: - Ç’na bëre, moj Netë?! Sikur ta dije, që kishim në gojë pikërisht një qen...! Ç’është e vërteta, rrëfimi i Tanës, qe një aludim. Tek e mbramja, ajo u kujtua për fëmijët e saj, Gertën dhe Elvisin, të cilët, para pak minutash, u larguan nga kopështi dhe dolën në rrugë. Të shtyrë nga kureshtja fëminore, ata i ranë pas një ciganke faqekuqe aty rreth të njëzetave, me veshjen karakteristike të xhinsit të saj. Qe mu si një rreklamë shëtitëse kjo cigane e rè, me lloi-lloi xhingla-minglash në kyçet e duarve, që i farfurinin nga ngjyrat e ndezura. Çdo të diel, ajo i binte katundit mespërmes dhe u shtinte fall fshatarkave mendjelehta, për tu marrë ato pak të holla, që i mbanin lidhur cepeve të shamive. - U duhet rënë pas fëmijëve, Abil! - tha Tana, teksa një parandjenjë e ligë i trokiti në zemër. Pikërisht ato çaste, që nga mëhalla e Domenikëve u dëgjua një ulërimë gruaje. Abil Bega u ngjit majë mullarit të jonxhës aty pranë dhe hodhi vështrimin nga rruga, që fshihej pas porenit me thana. Atij i zunë sytë të shoqen e Omer Çeprezit, Milzën. Milza qe shtrirë mbi kalldrëmin e rrugës me kryet e lëvarur mbi vijën e ujit; kurse “Aresi” i Oros Drazhit, qe larguar prej Milzës dhe po afrohej drejt tyre. Tana me Antonetën, tashmë i kishin vënë llozin nga brenda portës së avllisë. Njëherësh, si me komandë, u mbyllën edhe dy portat e shtëpive të fqinjëve kundruall. "Aresi" i Oros Drazhit pat qenë këlyshi i shtatë i një bushtre rrugësh. Qe ngjizur nga kryqëzimi i një mashkulli të rracës Rotvailer me një femër të rracës Terranova, të parët e së cilës, patën jetuar në një ishull me të njëjtin emër. Në rrembat e "Aresit" rridhte edhe një tjetër gjak, që i përkiste një rrrace daneze ardhur nga Liten Holl i Anglisë. Të zotit, i pëlqente të thoshte shpesh, që kjo lloj rrace, na paskesh qenë aq me famë sa pat shkruar për të e përditëshmja "The Times Union". Por gjindja, fjalët e tij i merrte si llomotitje pasionante të një njeriu të rëndomtë, i cili, ngase nuk kish mundur të qulloste vetë asgjë të mirë në jetë, sajonte histori me paraardhësit e qenit. Dhe si gjithëherë, e dërrmonin me të njëjtën fjali: "Pallavra, Oros! Qeni jot është, thjeshtë, një bastard si gjithë të tjerët". Që nga dita kur ndjeu zingjirin në qafë, "Aresi" i Oros Drazhit, nisi të shfaqte shenja të një egërsie të paparë ndonjëherë. Iu rrit shumë koka dhe sytë, iu zmadhuan e iu skuqën. Hante si i babëzitur me një grykësi të hatashme; dhe brenda një viti, erdh’ e u bë sa një gomar i madh. Dy burra, ngritën me të shpejt të shoqen e Omer Çeprezit, e futën në oborrin e shtëpisë së saj, dhe i vunë llozin portës. Tana me Antonetën, qenë në merak për fëmijët, ndaj morën zemër e dolën në rrugë; por u kthyen nxitimthi e u futën sërish brenda, sapo i shoqi, ia dha një vikame që nga maja e mullarit. Drejt tyre po afrohej një tjetër kafshë e egërsuar. Ishte qeni i kovaçit Subi, i pagëzuar me nofkën "Zoti ambasador", një bastard i ndyrë, që ia pati falur gajdexhiu endacak, Petro Somilla, ngase nuk kish pas me çfarë ta ushqente. "Zoti ambasador", qe fryt i një marëdhënje seksuale qesharake e një mashkulli bolldok tridhjetë kilogramësh i quajtur "Apolon Likeri", me një femër bolonjezi nga Italia, që thirrej "Arakna", pesha e së cilës, historikisht nuk i kish kaluar ndonjëherë katër kilogramë. "Zoti ambasador", kishte influencë të madhe në anën perendimore të thertores "Llomka". Kasapi Bitër Satëri e kish marrë në sy të mirë: për ç’do therje që bënte, i hidhte bujarisht zorrët e bagëtive të imta, si dhe lëkurët e kokave që ripte. "Zoti ambasador", u pà të kërleshej me qimet e qafës përpjetë e të vështronte përpara me dy sy të përgjakur. Abil Bega, krijoi bindjen, që edhe "Zoti ambasador" ishte tërbuar. Ajo, që nuk donte t'ia dinte çfarë po ndodhte, qe Antoneta bufalaqja, e cila, qeshte me Tanën, ndërsa thoshte me të tallur, se i kishte cingëritur veshi gjithë natën si një kërmill i dehur nga vesa; dhe se kjo, ishte për atë një sinjal i kobshëm. Kurse Tana, thuajse e humbi fare: qe bërë teleshman, kish marrë një pamje të shushatur, si të qe mbyllur papritur e pakujtur në një thark, nga i cili nuk mund të dilej. Andej nga mëhalla e epërme e Radotëve, që nga baxha e një çatie, u dëgjua zëri i mekur i plakut Pal Radota, i cili tha se fëmijët e Abil Begës, bashkë me ciganen, qenë siguruar në shtëpinë e tij. - O Zot, të qofsha falë! - thirri Tana e lehtësuar. Pas dy-tre minutash, në rrugë ia behën edhe dy qenë të tjerë, të cilët, më pare njiheshin si të urtë e paqtor. Këta ishin stërnipër të përftuar nga kryqëzimi qysh para shtatë brezash i një mashkulli labrador me një bushtër, përzierje dalmati e pastori gjerman. I pari thirrej "Zullapi i mençur". Kishte një turi të zgjatur si turiri i një deveje dhe nuk kish bisht. E pati lënë bishtin në një betejë të zhvilluar para dy vjetësh, teksa përpiqej tu rrëmbente vërsnikëve të tij një plënx dhie. Kurse i dyti quhej "Princi i zabërhan", një barkalec rrumbullak me bishtin të kthyer krrut përpjetë. Edhe këto bijë bastardësh, ulërinin dhe skërmiteshin duke rrotulluar gjithandej sytë e përgjakur. Herë-herë dukeshin të trembur, a thua se donin t'i iknin e t'i fshiheshin një xhindi të padukshëm. Futeshin nxitimthi në çdo skutë për të nuhatur. Pastaj dilnin sërish në rrugë dhe i lehnin e i grindeshin dritës së diellit. "Zullapi i mençur" dhe "Princi zabërhan", gjetën një vrimë të hapur gardhi, dhe u futën në kopështin e Abil Begës. Aty, ata nisën të silleshin rreth mullarit; ngrinin turinjtë përpjetë e i lihnin Abilit. Që nga mëhalla e poshtëme, erdhi jehona e një përleshje, që i bëri dy qentë të vraponin nga vinte poterja. Abil Bega, u bë dëshmitar i një beteje të vërtetë: katër bastardë të egërsuar, mbështilleshin e shpështilleshin me njëri-tjetrin duke u rrokullisur në mes të udhës. Abili njohu të parin, "Shën Dokrraxhiun", i cili kishte për baba vëllain e tij të madh, lindur tre vjet më parë nën një urë gjysëm të shkatërruar. "Shën Dokrraxhiu" kish mbërthyer me dhëmbë në qafë qenin e Sergj Kukolës, një tjetër bastard ky, që thirrej "Rrëngëçorri". “Rrëngëçorri”, vuante nga sëmundja e skorbutit. Prej dhimbjes që i shkaktonin kafshimet e “Shën Dokrraxhiut”, ulërinte gjerë në kupë të qiellit. Por dukej sheshit, që "Shën Dokrraxhiu" nuk kish ndërmend ta lëshonte, ngase edhe ky, ndjente në kurrizin e tij një dhimbje të llahtarëshme, sepse një tjetër bastard i quajtur "Xhuxhi hemafrodit", e kish mbërthyer me nofulla aty ku mbarojnë brinjët e ku nisin kokallat e pasme. Dhe sa më shumë që "Xhuxhi hemafrodit” i ngulte dhëmbët "Shën Dokrraxhiut", aq më tepër ky ia ngulte "Rrëngëçorrit". I katërti qe një kone e vogël, një bastard i përftuar nga një femër e rracës Terrier i Tibetit me një mashkull të rracës bolonjeze. Quhej "Zuzarja bishtpërpjetë". Të parët e saj nga nëna, patën qenë inteligjentë e të dashur, me qime të gjata bardhë e zi, gërshetuar me ngjyrë ari. Ndërsa babai i saj, kish qenë i bardhë, i gëzueshëm; i vogël vetëm katër kilogram, por tepër vigjilent, me një dhunti të jashtëzakonshme për të nuhatur rreziqet. Mirëpo, "Zuzarja bishtpërpjetë", as që donte t'ia dinte për vyrtytet e të parëve të saj, sillej rreth e rreth e i ngulte dhëmbët ku të mundëte. Përleshja e tyre mori fund vetëm kur mbërriti aty "Aresi" i Oros Drazhit, i cili, sa hap e mbyll sytë, shqeu në bark "Xhuxhin hemafrodit"; pastaj, me ato nofullat e tij të fuqishme mbërtheu në zverk "Rrëngëçorrin”, dhe si e tundi dhe e shkundi nja tri herë me lëvizje të befta të kokës, e hodhi mbi një sobë të ndryshkur, që gjendej rreth murit të shtëpisë gjysëm të rrënuar të Sergj Kukolës. "Rrëngëçorri" nuk dha më asnjë shenjë jete. Qe bëltuc aq shumë sa dukej mu si një lëkurë e nderë për t'u tharë në diell. "Shën Dokrraxhiu" dhe "Zuzarja bishtpërpjetë", ia dhanë vrapit, ndërsa cingërinin të tmerruar. Gjetën një vrimë gardhi dhe dolën në arën e Omer Çeprezit. Aty, i bënë një cop herë karshillëk njëri-tjetrit dhe nisën një përleshje të rè. Në përgjigje të kësaj përleshje, u dëgjua të vinte aty një e lehur paksa e çuditshme, që nuk ngjante me lehjet e tjera. Qe zëri i hollë prej sopranoje i Milzës, gruas së Omer Çeprezit, e cila, pak kohë më pare, qe shkafoqur nga "Aresi" i Oros Drazhit. Nuk kishte pik dyshimi, që edhe Milza ishte tërbuar dhe kish nisur të lihte si qen. Ndërkohë, nga mëhalla e Radotëve, u shfaqën njëri pas tjetrit tre bastardë të tjerë. I pari thirrej " Zgjebsi", stërnip i një bolldoku njëzetë e pesë kilogramësh, për të cilin thuhej se qe arratisur nga shtëpia e një zonje të fisme. Kjo zonjë, tepër e zhgënjyer nga dashuritë me burrat, kish pas shtyrë vetminë me “Zgjebësin”. Por natën e vitit të ri, "Zgjebsi" e braktisi këtë zonjë, sepse ia shkrepi të zdërhallej pyllishtes me një femër të rracës Labrador, me të cilën na u dashurua marrëzisht teksa rrëmihnin në një pirg plehërash. Duhet thënë që ky bastard, kishte dukë të madhe, sepse ecte rëndë-rëndë mu si një shef policie rajoni. Tjetri, që çapitej pas tij, thirrej "Konti veshllapush". Ai qe pjellë bastardësh të përftuar nga kryqëzimi i nuk dihej çfarë rracash; kish qejf të nuhaste prapanicat, mbante gjuhën jashtë, dhe ngado që shkonte linte tek-tuk në tokë jargë. I fundit ecte "Cubi i përvuajtur", një bastard ky, që ngjante më tepër me një majmun të rracës gibbon. Origjina e tij vinte nga qeni gjerman mastif i viteve 1500, për të cilin, thuhej se na qenkesh përdorur për të ndërsyer demat; por brez pas brezi, gjaku i kësaj rrace kish ndryshuar shumë. Qe shprishur për shkak të abuzimeve të mëdha seksuale, deri sa një bushtër bastarde e quajtur "Këshilltarja torovole", polli në mes të një ferrishteje një brez të ri bastardësh, mes të cilëve edhe "Cubin e përvuajtur". Edhe këta të tre bastardë i kish mbërthyer sëmundja e tërbimit. Abil Bega e mati me sy largësinë që e ndante për të hyrë në shtëpi dhe ia shkrepi t’i jepte të shoqes, që po e vështronte nga dritarja, një shembull trimërie: të zbriste që aty e të futej turravrap në shtëpi. Por në çast, nga ana tjetër e rrugës, ia behu "Aresi" i Oros Drazhit; i madh, i kërleshur, i acaruar sa s'ka, i gatshëm të shqyente cilindo, që mund t'i dilte para. Andej nga Mëhalla e Spanëve, që nga dritarja e katit të dytë të një shtëpie, Vejusha Nina Spani, duke vikatur me sa i hante zëri, hodhi tezën e gjetjes së një arme. Po nuk mori asnjë përgjigjje. Rrugët qenë boshatisur nga njerëzit, dhe dyertë e shtëpive, ishin ngallmuar nga brenda. Tek e fundit, kujt i drejtohej ajo thirrje, kur dihej që katundi qe boshatisur me kohë nga burrat? Qenë larguar jashtë vendit. Në katund ndjehej shumë mungesa e burrërisë së kohërave të shkuara. Edhe nëse ndodhte të ktheheshin, ata vinin një nga një; por kurrë të gjithë njëherësh; dhe rrallë sillnin ndonjë lajm për të tjerët. Kishin mbetur vetëm pleq e plaka; dhe tek-tuk ndonjë shkretan si Abil Bega, që nuk donte ta lëshonte dheu. Dalngadalë, ra muzgu i mbrëmjes. Nga mëhalla e Domenikëve, u mbyllën njëra pas tjetrës kanatet e tre-katër dritareve, si dhe u lëshuan perdet. Matanë rrugës kryesore, u dëgjuan hapat e dikujt, që vrapoi e humbi prapa një porte, e cila u mbyll me rrapëllimë; një mace e vogël bardhoshe, nisi të mjaullinte pranë portës së mbyllur; por ngase nuk i dha kush vëmendje, u ngjit mbi shalcën e një trungu arre, dhe u rehatua aty për të kaluar natën. Lart në qiell, hëna e plotë, si një kokërr hurme e pjekur, derdhte mjellnajzën e saj të verdhemtë mbi kalldrëmin e rrugëve, mbi shtëpitë, që nuk jepnin as shenjën më të vogël të jetës. Në një kohë fare të shkurtër, bastardët e tërbuar futën gjithë katundin nën kontroll. Asnjë zë, madje as edhe një pëshpërimë njeriu të gjallë nuk dëgjohej, përpos dihatjeve të shpeshta të qenve, hungurimave, grindjeve dhe lehjeve, që pasoheshin më të rrallë me ulërima të befta viktimash. I shikoje të lëviznin duke u përvjedhur si hije të zeza nga njëra rrugë te tjetra. Futeshin kopshtieve, shkatërronin të mbjellat, i shurronin e i ndynin me jargët e të pëgërat e tyre. Dhe, në dhëmbët e mprehtë si çataj, që feksnin nga skërmitjet, priste më e keqja në formën e një qenje të padukshme, mikroskopike: bacili i tërbimit. Në orët e vona të natës, Abil Bega mundi të depërtonte fshehurazi e të futej në plevicën e kasapit Bitër Satëri, që ndodhej rreth pesëdhjetë hapa larg shtëpisë së tij. Qëllimi ishte, që të dilte nga dritarja e pasme e kësaj plevice. Më pas, përmes një rrugine qorre, të hidhej drejt e në kopështin e Lame Kalamarit. Aty, në rast rreziku, egzistonte mundësia të ngjitej shpejt në ndonjë pemë; dhe, nëse kopështi nuk do të qe nën kontrollin e tyre, atëherë, një vrap i shpejtë e do të gjendej brenda në shtëpi. Veçse kjo ndërmarrje, qe, si të thuash, me zarar të madh, sepse i duhej rënë mespërmes rrugës kryesore, në të djathtë të së cilës, ndodhej thertorja "Llomka". Era e gjakut kish bërë, që rreth "Llomkës" të grumbullohej një zogori e madhe bastardësh, të cilët, silleshin e përsilleshin duke nuhatur me flegrat e hundës kaush përpjetë; i grindeshin njëri-tjetrit, hunguronin e skërmisnin dhëmbët. Dhe, mes gjithë këtij taborri bastardësh, shquhej "Aresi" i Oros Drazhit, i cili, shkonte e vinte mu si një udhëheqës revolucioni. Përpos kësaj, pranë shtëpisë së Abilit, një tjetër bastard i tërbuar, i quajtur "Eunuku hijetrishtë", kish orë të tëra që i lehte një iriqi të kruspullosur mu në mes të udhës; dhe as që kish ndërmend të largohej prej aty. Kur lodhej së lehuri në këmbë, "Eunuku hijetrishtë", ulej dhe lehte në bisht, pa pushim e në mënyrë monotone; dhe, sapo kafsha e vogël shpalosej që të ecte përpara, "Eunuku hijetrishtë" hidhej ta kafshonte, por gjembat e mprehtë i shponin turirin; dhe kjo, e inatoste më shumë atë. Abil Bega kuptoi, që nuk qe e mundur të bënte më tej drejt shtëpisë, ndaj u pështet me parakrahët në parvazin e dritares dhe e treti vështrimin mbi lukuninë e bastardëve, që sillej rreth thertores "Llomka". Që nga ana e pasme e "Llomkës", atij i erdhi në vesh një ulërimë e gjatë dhe e thekëshme. Pastaj, ja ku u shfaq te qoshku i djathtë i thertores një bushtër e zezë, gjysëmtopalle në këmbën e pasme. Kjo bushtër, thirrej "Lëngaraqja e fisme". Ecte me kurrizin të kthyer hark përpjetë, bishtin të futur nën shalë, turirin skërmitës të zgjatur përpara, dhe, herë pas here, kthehej në beft sa majtas, djathtas, në mbrojtje të seksit të vet. Mes gjithë asaj lukunie të djegur për seks, më ashikët, qenë "Cubi i përvuajtur", bashkë me " Shën Dokrraxhiun", të cilëve, ua shkrepi t'i hidheshin në shpinë “Langaraqes së fisme” në të njëjtën kohë. Dhe ndodhi kështu një përleshje e egër, një kapërthim mes tyre, një shtjellë gjithëformëshe. Pak metra më tutje, një bastardi i quajtur "Morraxhiu elitar", u ul shpejt në bisht, dhe si një borizan trim, pa i bërë syri tërr, ktheu turirin përpjetë dhe ia dha një ulërime të tejzgjatur. Ishte një kushtrim i fillimit të një beteje të madhe, gjithëpërfshirëse! Në fare pak kohë, ia behu aty një tjetër ushtri bastardësh. Abil Bega, pa dhe kuptoi, që të gjithë, pra që të gjithë, qenë kundërshtar të njëri-tjetrit. Më i tmerrshëm qe një bastard i quajtur "Fisniku i kërbulur", të cilin, para dy vjetësh e pat lindur "Lëngaraqja e fisme", pasi qe mbarsur me shtatë vëllezërit e saj, pjella të një barku. Ky "Fisniku i kërbulur", kishte një dhëmb të rritur tej mase, që i zgjatej jashtë gjer poshtë nofullës së poshtëme. Taktika e e tij e luftimit, synonte goditje të pjesëve të buta të barqeve të kundërshtarëve, të cilat, ai i sulmonte menjëherë pas një feksje të shpejtë si vetëtima. Me të përveshur buzën e sipërme, "Fisniku i kërbulur" nisi të shqyente barqet nga ku kërcenin jashtë rropullitë. Viktimat e tij qenë: "Morraxhiu elitar", "Kapedani i zgjebosur", "Peshkopi i mëhallës", "Konti i veshllapush", si dhe shtatë bastardë të tjerë të ardhur nga zona të afërta, që Abili nuk u a dinte emrat. "Fisniku i kërbulur", ngordhi në mes të porenit me shkurre thane, ku u fut duke tërhequr zvarrë zorrët e barkut, pasi qe shqyer pabesisht nga bastardi i quajtur "Patriku qimekuq". "Princi zabërhan", "Markezi i shpifur", "Zullapi i mençur", dhe një tjetër i quajtur "Zorraxhiu", qenë katër bastardë, të cilët vajtën në botën tjetër duke shqyer njëri-tjetrin në një kohë rekord. I pari, "Princi zabërhan" u shqye në fyt nga bastardi i quajtur "Markezi i shpifur". "Markezi i shpifur" u ça në bark nga "Zullapi i mençur", i cili, do t'i dorëzohej pa kushte bastardit të quajtur "Zorraxhiu", që e mbyti duke i marrë frymën, pasi e kishte mbërthyer me dhëmbë në turi dhe nuk e lëshonte. Bastardi i quajtur "Zorraxhiu" do të binte viktimë e bastardit të quajtur "Kalorësi topall". Edhe "Aresi" i Oros Drazhit, e rriti shumë famën e tij në këtë betejë. Vetëm ta shihje si i mbërthente kundërshtarët në zverk me ato nofullat e tij të fuqishme, se si i flakte fluturimthi majtas e djathtas duke i përplasur sheshit për të mos u ngritur më! Por ja që, edhe për "Aresin", qe shkruar i njëjti fat, madje gati i pabesueshëm. Ndodhi që "Zuzarja bishtpërpjetë" e gjendur rastësisht poshtë këmbëve të tij, i nguli dhëmbët në pjesën e butë poshtë nofullës së poshtëme, iu var në fyt; dhe nuk do ta lëshonte për tre ditë rresht. "Aresi" i Oros Drazhit e pa vdekjen me sy, madje në mënyrë të ngadalshme. Ai e mbajti "Zuzaren bishtpërpjetë" tre ditë varur në qafë, duke uluritur nga dhimbja; përshkoi kilometra të tëra fushave e pyjeve derisa ngordhën të dy bashkë, në të njëjtën kohë, në një përrua. Më me fat qenë bastardët e quajtur "Cubi i përvuajtur", "Eunuku hijetrishtë", si dhe "Zoti ambasador", të cilët u përvodhën nga fusha e betejës qysh në çastet e para, kur "Morraxhiu elitar", dha atë kushtrimin e luftës. Edhe "Shën Dokrraxhiu", u zhduk pa nam e nishan; nuk u gjet as të nesërmen, kur gjindja doli nga shtëpitë për të ngarkuar në një karrocë me kuaj bastardët e ngordhur e për t’i futur e mbuluar me dhè në një gropë silazhi. Pas një jave, "Shën Dokrraxhiut" i erdhi era në mes të porenit me shkurre thanash, ku qe fshehur, e më pas kish ngordhur, nga një e çarë në bark. Të vetmit, që mbijetuan qenë "Zgjebaraku" dhe bushtra e quajtur "Lëngaraqja e fisme", të cilët, për çudinë e Abil Begës, u larguan nga fusha e betejës duke lëpirë plagët e njëri-tjetrit.
Ramiz GJINI
Comentários