top of page

BARTOLOMEU SHQIPTAR I VITIT 1951 NË LIBRIN E OSMAN KACELIT


SHPENDI TOPOLLAJ



Edhe pse kishin kaluar plot 379 vjet nga Nata e Shën Bartolemeut në Francën e Katerina Mediçit kundër protestantëve hygenotë, kjo histori e urrejtshme u përsërit fatkeqsisht edhe në vendin tonë. Në gjithë historinë e zezë të krimeve komuniste në Shqipëri, pa asnjë pikë dyshimi, ngjarjet tragjike që pasuan atë “bombën” e famshme që shpërtheu pa bërë asnjë dëm në vitin 1951 në kangjelat e Ambasadës sovjetike në Tiranë, mbeten faqja më e turpshme, por edhe më demaskuese ndaj një regjimi sa demagogjik aq edhe të pashpirt e kriminal. Kjo është edhe arsyeja që për librin e mikut tim të mirë Osman Kaceli kushtuar viktimave të asaj mizorie, ndieva detyrimin moral të them diçka rreth tij. Kam vite që njihem me Osmanin dhe më ka mbetur në mendje ajo brenga, për të mos thënë ai pikëllimi që atij nuk i qe fashitur edhe nga largësia e kohës, për vrasjen e babait të tij. Madje, kur fliste rreth asaj ngjarje, shihja se ai po aq dhimbje, brengë e pikëllim ndiente për të gjithë ata që u pushkatuan poshtërsisht dhe u varrosën në një gropë të përbashkët të lidhur me tela me gjëmba. Dhe fisnikëria e tij dukej qartazi; se ai nuk kërkonte të hakmerrej ndaj ndokujt, pra nuk kërkonte shpagë, pasi udhëhiqej nga këshilla e Diogjenit të urtë se “Me armiqtë e mi mund të hakmerrem duke u bërë më i virtytshëm se ata”. Osmani, me librin e tij “22 martirët e 26 shkurtit 1951” donte që vetëm e vërteta të dilte në dritën e diellit, me qëllim që shoqëria njerëzore të mësonte nga gabimet e rënda që ishin bërë, pasi vetëm kështu ato nuk do përsëriteshin më. Lexoja librin “Antologjia e plagëve nën terrorin komunist” të autorëve të nderuar Agim Musta (i ndjerë) dhe Enver Lepenica, ku parathënien e tij Luan Myftiu e mbyll me fjalët: “Mos vallë duhet të presë shoqëria shqiptare derisa kriminelët e djeshëm komunistë të deklarojnë se gjoja fajtorët për kasaphanën diktatoriale janë vetë viktimat? Se Shqipëria, sipas tyre, e ka merituar mjerimin dhe poshtërimin që i bëri komunizmi? Se xhelatët e gijotinës komuniste na paskan qenë ca pëllumba të bardhë që gjoja u dridhej zemra kur prisnin koka të pafajshme?… Jo! Nuk duhet pritur!...Duhet shkruar drejtë historia tragjike e perandorisë gjakatare të komunizmit. Duhet njohur deri në qelizën e fundit të rrënjës së saj të helmuar ligësia dhe rreziku i ideologjisë kriminale komuniste.” Dhe përfundon: “Nuk mund të shkohet në Evropë me krimet e fshehura në valixhet e mbushura me urrejtje klasore dhe para të pista pushtetarësh hajdutë”. Dhe fatkeqësisht kjo urrejtje klasore dhe këta hajdutë, sa vjen e po marrin përmasa të papajtueshme me demokracinë dhe prirjet tona drejt perëndimit. Kjo pra, përveç homazhit për ata martirë, dhe mosharrimit të vuajtjeve të familjeve të tyre, është arsyeja përse Osman Kaceli i hyri një pune jo të lehtë për shkrimin e këtij libri, botuar nga SH.B. Jozef. Ironia e gjithë asaj që ndodhi është se shkak u bë pikërsht ai vend që gjoja drejtonte lëvizjen komuniste ndërkombëtare, nga i cili qenë kopjuar të gjitha format e rafinuara, por edhe primitive të goditjes së kundërshtarëve ose atyre që duhet të shërbenin si shembuj për të trembur, tmerruar e nënshtruar masën e gjërë të njerëzve. Për të mbërritur te portetet, prejardhjet, jetët, veprat, arsimimi e deri karakteret e personazheve të përfshira në këtë libër, Osmanit i janë dashur përpjekje të mëdha, të pareshtura, kohë në dispozicion, mbledhje kujtimesh dhe shfletime pafund. Por ai këtë e ka kryer me vendosmëri e këmbëngulje, por edhe me bindje se po realizonte një synim të madh dhe të vlefshëm. Them të madh, pasi brezat e rinj e kanë të vështirë të kuptojnë e besojnë atë që ngjau me ne shqiptarët, por edhe për faktin se edhe te të vjetrit ngjet shpesh ajo që konstaton Aleksandër Sollzhenjicini te libri i tij prej mbi 2.090 faqesh “Arkipelagu Gulak”, ku thotë: “Por në një çerek shekulli, ne nuk kemi gjurmuar asnjë, nuk kemi çuar ndonjë njeri në gjyq. Janë plagët e tyre që ne kemi frikë t`i rihapim dhe si simbol i atyre, Molotovi, mburravec dhe i budallallepsur, banon në lagjen “Granovski” Nr. 3; një njeri që nuk ka mësuar asgjë, madje edhe tani ai është i ngopur me gjakun tonë dhe fisnikërisht kalon në trotuar për t`u ulur në automobilin e tij të gjatë dhe të gjërë”. Lexoni intervistat e tij dhënë Feliks Tuçevit (Felix Tchouev), dhe do të shihni sesi krenohet ai edhe kur ishte në moshë të thyer dhe kohët kishin ndryshuar, me firmat që kishte hedhur për milionat e viktimave që pa asnjë arsye i shkaktuan popullit të tyre. Shiheni foton e shkencëtares Sabiha Kasimati të vendosur në ballinën e librit dhe do më jepni të drejtë kur them se sikur grekëve të vjetër e sidomos Hesiodit dhe Aristofanit që u mor më gjatë me të te komedia e tij, t`u kërkohej të zgjidhnin për portretin e perëndeshës së Paqes, vajzës së Zeusit dhe Temidës, Irenës, nuk do gjenin diçka më të bukur se ajo grua, personifikim i pafajësisë. E pra, xhelatët komunistë, si bisha të etura për gjak nuk e kursyen as atë, pas vendimit banditesk të Byrosë Politike të 20 shkurtit, për të arrestuar 220 qytetarë dhe për të pushkatuar 22 prej tyre, njësoj si decimacioni romak, kur kohortet humbisnin betejën. Dhe kështu, sipas llogjikës mesjetare të tyre, do ishin ballëlart para babait të tyre shpirtëror, kryekriminelit gjeorgjian, hajdutit të dikurshëm të trenave dhe bankave të Rusisë. Pastaj, sipas gjykimit të Jozef Radit, “Kjo batërdi kriminale, asht plan i studjuem n`imtësi për nji masakër terrorizuese; asht përzgjedhje selektive e figurave prej gjithë shtresave shoqnore e krahinore; asht goditje fatale ndaj simbolit intelektual dhe kurajos civile; asht barbaria e luftës së klasave si luftë civile, që ka mbetë si atavizëm edhe sot e kësaj dite”… Nga ana tjetër, Osmani pa retorikë apo emfazë, i portretizon ata martirë ashtu siç ishin në të vërtetë; pinjollë familjesh të shquara, të ndershëm, të kulturuar, bashkëshortë e prindër të përkushtuar, që jetonin me djersën e ballit e mbi të gjitha të respektuar si atdhetarë, madje edhe nga ata që kishin pritur okupatorin me armë në 39 - tën apo qenë rreshtuar me luftëtarët e lirisë më pas. Patjetër që antikomunizmi i tyre kishte rënë në sy, si dhe neveria për nënshtrimin ndaj klikës së Tito - Rankoviçit. Dhe kjo qe e mjaftueshme për injorantët shpirtliq që t`i fusnin me kohë në rreth si kontigjent që në rastin më të parë duhej eliminuar. Arrestimet e tyre natën, hetuesia e egër, ku babanë e autorit, Jonuzin që ndiqte muzikën klasike dhe që kishte gjysh bashkëluftëtarin e Oso Kukës, një poliglot që Fishta i madh i këndonte: “Merr Kacel i her lahutën, e na thuej një kangë shqiptare”, e vranë dhe e hodhën nga dritarja, duke lënë jetimë shtatë kalamaj, dhe gruan e re, internimi i tyre, vuajtjet që ata pësuan, janë pak a shumë histori të ngjashme dhe rrëqethëse. Ashtu sikurse ishte e njëjtë edhe vdekja, dhe lidhja me tela me gjëmba, dhe gropa e përbashkët, ku hienat i mbuluan, apo gjetja e eshtrave, nderimi dhe dekorimi i tyre me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe i familjarëve me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Fatet e njerëzve, por edhe të vetë shteteve ndjekin shpesh rrugë krejt të papritura. Por një gjë mbetet e pandryshuar; ajo që Romen Rolani e ka shprehur aq mirë se “Ka të vdekur në të cilët ka më tepër jetë, sesa në të gjallët”.

18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page