top of page

Barsaletat dhe nëmat e Goles.


E jetuar.. Nga Dr. Lili Kristuli

Barsaletat dhe nëmat e Goles.

Golen, djalin e dajës të babit tim, të dy herët që ra në burg, e mori më qafë kujtesa e mirë. Mbante mend jo vetëm barsaletat që i sajonte vetë, po edhe gjithë të dëgjuarat, e i tregonte pa teklif, me qëllimin e mirë t’i bënte njerzit për të qeshur. Vetëm se pjesa më e madhe e barsaletave kishte qëlluar me goxha spec! Kështu, pasi bëri shtatë vjet burg, për “agjitacion e propagandë kundër Pushtetit Popullor nëpërmjet barsaletave”, të nesërmen e lirimit, u gjend në një vaki. Nuk ishte vaki e rëndë; kishte vdekur një kushëriri ynë, aty te të nëntëdhjetat ndaj, pasi pinë kafenë, në dhomën e burrave krisi muhabeti. Andej nga mbasditja, për ngushëllimet e rastit, mbërriti edhe komshiu Ndoni, hafija i lagjes, ay që kishte spiunuar e kishte dalë shahit në gjyqin e Goles. Ky, bëri kinse nuk e pa, po Ndonit i hante prapanica për punë: -Hë o Gole, a vure nonjë çikë mend? -Vura si jo, se për mend më dërguan në “fresk”! - Na trego ndonjë barsaletë burgu, e provokoi Ndoni. - Kam hequr dorë nga barsaletat, u mbrojt Golja. - Të lumtë, ja kështu të do partia! Pa hë, na trego si e kaloje kohën aty, vazhdoi të provokonte komshiu. -Po ja, mësova të nëm, tha Golja. Vemë bast se mund të të nëm 99 herë pa i përsëritur dy herë të njëjtat? E, papritur që Ndoni të bënte gëk a mëk, u ngrit më këmbë, mori pozë si aktor i tragjedive greke e filloi : O ty, që e ke gjuhën si gjuhë nëpërke, t’u thaftë goja e folç me gishta, u bëfsh me hije, t’u bëftë ferra Ibrahim, t’raft zhuga, t’shplaftë panuklla, të piftë dheri trutë, u ulç e mos u ngritç më, të marrtë koka erë, mos t’çeltë sabahi, mos të zëntë akshami, t’kapshin ethet n’gusht, u bëfsh kruspull, t’prufshin n’vigjë, t’a thëntë prifti në çaçkë të kokës, t’knoftë hoxha n’vesh, u bafsh me t’dhanë ujë me lugë! –nëma në rang personal këto, pa i lenë mënjanë as hollësirat mbi xhinsin: të mbiftë bari mbi çati, t’k’noftë qyqja mbi kulm, ta bëfsha shtëpinë në shën Thanas, t'u mshelt shpija me therra, t’hupt fara, t’u harroftë emri, t’a punoftë tokën gjaksi, mos bëfsh rehat në shtratin tënd,dalçi hardall jarabi, mos bëfshi prokopi, u vraftë qulli, u bafshi lamsh ndër vedi, u bëfshi lanet, ju bëftë zoti helaq!... Zhdërvjelltësia me të cilën kalonte nga një dialekt në tjetrin dhe recitimi pompoz i Goles, bënë që nëmat në gojën e tij, të tingëllonin si poezi; 99 vargje, një poemë e vërtetë. Në dhomë nuk pipëtinte as miza. Ndoni qe stepur me gojën hapur, si idiot i sapo mbërritur nga një tjetër dimension! Golja piu një gllënjkë ujë, vështroi rreth e rrotull fytyrat prej dylli të sebeptarëve, u mbush mirë me frymë e shfreu- E po ku të thashë nëntëdhjetenëntë, qindi u bëftë o Ndon Hafija!: - Të marrtë muti shalët ty, e asaj racës së qelbur të spiunëve! E arrestuan të nesërmen. I dhanë 15 vjet freskllik, kësaj here për “nxitje urrejtjeje ndaj Pushtetit Popullor, nëpërmjet nëmave.”

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page