top of page

BARI I KRIPËS


Thani Naqo

tregim

Me rastin e Shën Valentinit bleu një tufë me lule, tek Holandezi, për njëzet e pesë dollarë dhe një gjerdan floriri, tek Çifuti, që kushtoi treqind dollarë. Kur kish hyrë në dyqanin e Holandezit i shkoi mendja të blinte një fermë dhe të merrej me kultivimin e luleve e shkurreve dekorative. Mirëpo, ajo dëshirë agronomi, iu fik në çast, mbasi ferma do acaronte më keq mardhëniet me të shoqen. Në folezën, formë zemre të varëses, ngjiti një foto dyshe, të zvogëluar, pozim i hershëm rinor. Ai dhe ajo. Kokat ngjitur me njëri-tjetrin. Të qeshur e të lumtur.

Ai nuk kish qenë ndonjëherë në cermonitë festive që organizonte departamenti ku punonte e shoqja.

-Me që këmbëngul, eja, - i tha ajo, - ama supozoje se nuk njihemi.

-Okay,1) do ta supozoj se nuk njihemi.

-Të rrish mënjanë dhe urtë, - e këshilloi dhe ja tundi gishtin tregues para hundës. - Nuk dua që kolegët e mi të marrin vesh çfarë pune bën dhe në ç’gjëndje je me anglishten.

Ceremonia e dhurimit të luleve dhe mbërthimi i varëses të florinjtë në qafën e saj u krye në dhomën e gjumit. Mirëpo, edhe ditën e shenjtë të tё dashuruarve, ajo u tregua e ftohtë e mospërfillëse. E falenderoi për dhuratat, ama nuk e lejoi që ai të çikte buzët e saj. Kish veshur minifund të zi dhe bluzë grizo, të hapur, që nxirte në pah bardhësinë e kurmit dhe hovin e gjoksit. Lidhëset e sandaleve i gjarpëronin mbi pulpa. Ndryshe nga herët e tjera ajo qe spërkatur me një lloj parfumi tejet ndjellës, blerë enkas për Shën Valentin. Molekulat parfumiane i patën nxitur egon e mashkullit kokëkrisur:

-Ç’je kaq e bukur, dreqi të marrtë!

-Zbulim i vonuar, - u përgjigj ajo me ironi.

Pa hyrë ende në sallën e madhe të restorantit, ai ishte ndjerë keqas. Në pasqyrën e hollit pamja e tij i kish fanitur Barin e Kripës.1)

Ai nuk e dinte se organizatorja e festës të Shën Valentinit ishte gruaja e tij. Porsi shtojzovalle, doli në podium e shoqëruar nga duartrokitje të zjarrta. Atëherë ai qe bindur për popullaritetin që gëzonte e shoqja në departamentin e supermaketit, Woll Mart.2) Donte apo nuk donte, edhe ai, agronomi, duartrokiti gruan e tij. Atë çast i qe kujtuar porosia e saj, “të qëndrosh mënjanë e urtë” dhe ishte ngjeshur pas banakut me buzëqeshjen e ngrirë të murgarit. Ajo recitoi në anglisht një poezi për dashnorët valentinianë dhe, sa filloi muzika, sikur të qe artiste e vërtetë dansi, doli në mes të sallës. Pikërisht atëherë e kuptoi se partneri që e shoqëronte në vallёzim, ishte bosi i saj. Përmendja e emrit të tij, prej kohësh i kish tingëlluar si këmbanë alarmi. Moria e pasqyrëzave trekëndëshe, mbi murin pas banakut, i thëthinë shikimin. Hetoi siluetёn e tij gjatoshe, copëzuar në trekëndësha dhe iu kujtua sërish Bari i Kripës. Në dy trekëndësha pa kokën e tij tullace dhe në tre trekëndashët e mëposhtme, fashën kryeneçe të flokëve të zeza, kaçurela, që fillonte mbi tëmtha dhe mbrapa qafës.

-Tungjatjeta, Bar i Kripës! - dëgjoi klithmën e pamëshirshme të metaforës dhe u ngjesh më tepër pas banakut, sikur donte të zvogëlonte siluetën e tij gjatoshe. Atëherë vuri re se bosi i të shoqes e përgjonte nga tavolina kryesore ku ishte elita e kompanisë. Ajo ishte ulur përkrah tij, i thoshte diçka në vesh, kurse ai çaplonte gojën e madhe nga e qeshura. Të dyve u xixëllonin dhëmbët nga shkrepja e dritës të aparateve fotografike. Në atë gjëndje, gjysëm të dehur e me pamje murgaci, e gjeti njëra nga biondinat.

-Vetmia është vdekje, - tha ajo dhe u prezantua me emrin sllav Lilinova. Ai flaku petkun e murgarit dhe u tregua xhentëllmen kur ajo i nderi dorën për t’u prezantuar.

Demonët i pëshpëritën “gënjeje!” dhe ai, për ta lajkatuar, i tha:

-Je simpatike, si të kam përfytyruar.

Lilinova kapërdiu një gllënjkë uiski nga gota e tij dhe qeshi hareshëm. Nga që iu miklua sedra femërore, dërdëlliti se para dhjetë viteve ajo kish qenë më e bukura e Nju Jorkut.

-Kurse tani, - shtoi me zë të ulët, por krenare, - unë dhe jot shoqe jemi dy shpirtëra gazmore që mbajmë gjallë Departamentin e Woll Martit.

Lilinova piu një gllënjkë tjetër nga gota e tij dhe iu afrua më pranë, aq sa këllku dhe supi i saj u prekën me të tiat. Duke i pëshpëritur në vesh, tregoi një çast nga beteja me të shoqin. Fillimisht, ai nuk mundi të kapë shkakun e luftës bashkëshortore, por kuptoi se i shoqi i Lilinovës ish kirurg i ardhur nga India, pikërisht ai që kishte zvogëluar hundën e të shoqes. Lilinova vuri gishtin në kokë, për të treguar ekzaktësisht vëndin ku ishte shkulur tufa e flokëve.

-Pas divorcit m’u kthye lumturia, - tha.

Ndërkohë që ai e ndihmoi të ulej në stolin e lartë, fustani rozë iu mblodh mbi gjunjë. Lilinova kish lëkurë të butë, esmere, dhe gjinj të mëdhenj, si pjepra; ishte e pa sytjena. Kamarieri i solli asaj një gotë me uiski, pa akull, dhe e ajo çukiti gotën e saj me gotën e tij, “sipas traditës bullgare,- tha -Prindërit e mi janë sllavë të mirëfilltë, – shtoi dhe, në pak minuta, krijoi atmosferёn sikur të dy njiheshin prej kohësh. Megjithëse ajo e fliste shpejt anglishten, ai mundi të kuptojë se bullgarët dikur mburreshin me Aleksandrin e Madh por, kur e morën vesh se paskej qënë homoseksual, ua bënë dalje grekëve. - Tani e lakmojnë shqiptarët, - shtoi Lilinova, ia shkeli syrin djallush, e qeshi. Përmendi piktorë, skulptorë, poetë, shkrimtarë e kompozitorë bullgarë, por emrat e tyre ai për herë të parë i dëgjonte. Ajo kërkoi, hamendazi, në çantën e dorës dhe nxori një stemë me Aleksandrin e Madh. Ndërkohë që ia mbërtheu stemën në cep të jakës së këmishës, ai u kënaq me aromën e këndshme që shpërtheu nga gjoksi i saj, por nuk mundi ta përcaktojë se prej çfarë lulesh ishte sajuar parfumi. Befas, Lilinova e ftoi të vallёzonin së bashku.

-Sipas traditës ballkanase, vallёzimin e parë duhet ta bëj me gruan time, - u përgjigj ai, por Lilinova buzëqeshi hidhur. Atëherë u ndërmend se ishte nata e Shën Valentinit dhe ai dhe e shoqja kishin harruar njëri-tjetrin. Mirëpo ja, një femër tjetër, bionde e bukur, po i bënte shoqëri erotike. Gjaku i vërshoi nëpër damarë, si kurrë ndonjëherë dhe demonët gazmorë filluan të hedhin valle në zemrën e tij. Në pak sekonda u shkrinë me gjakun dhe organi mashkullor përpëlitej si ketër i zënë në çark. Atëherë pa sozinjtë e tij në morinë e pasqyrave trekëndëshe. U buzëqeshi, mbasi zbuloi se përthyerja e dritës mbi copëzat e xhamta ia patën shpërfytyruar pamjen. Edhe buzët e shumëfishuara të Lilinovës dukeshin më sensuale, flegrat e hundës të zgjeruara. Fytyra e saj iu duk më e bukur se e të shoqes. Fare pranë, një pëllëmbë larg hundës, ishin buzët e saj. Lilinova kish hundë poçore dhe, jo vetëm hunda, por edhe tiparet e lëkura esmere, tregonin përzierjen e gjakut sllav me atë turk. Ajo, siç dukej, ia përgjoi frymëmarjen e shpejtuar, dhe i mëshoi supit gjersa u mbështet plotësisht pas tij. Atëherë ai mori guxim dhe, si pa dashje, preku me gju gjurin e saj. Pas prekjes asaj i përndritën sytë e zinj, por edhe sytë e sozinjve të tij nëpër pasqyrëza. Pas njëzet vjet martesë, për herë të parë iu bë sikur pa frymën e tij që lodronte me qerpikët dhe me bajluket e saj. Pikërisht atë çast demonët i pëshpëritën “bëje xheloze tët’ shoqe dhe ajo të pëlcasë nga marazi.” Mirëpo, shtrirja e hapit të saj, përmes sallës, sidomos lodrimi i pulpave mbi takat e gjata, i lanë të pashlyer mospërfilljen bashkëshortore. Pikërisht atë çast e ftoi Lilinovën për të vallzuar:

-Eja kërcejmë tango.

-Tango është për të vdekurit, - tha ajo dhe atëherë ai hetoi siluetën e saj veshur në rozë.

-Më dukesh si lule jargavan, - ia bëri qejfin, pikërisht kur e shoqja shpërtheu në një kërcim të çakërdisur xhazi. Bosi i saj mbante ritmin duke përplasur pëllëmbët, rënë në gjunjë në mes të sallës dhe vështronte pa drojtje kurmin e saj nga poshtë lart.

Atëherë atij iu errësuan sytë nga inati. Ndjeu marjemendsh, jo për shkak të uiskit, por nga lëvizjet e shkathta të pulpave të gruas së tij. Ajo po realizonte figura dansimi fugore, njëlloj si në rini. Befas ai pa shalën e saj harkuar mbi kryet e bosit. Ishte figurë sa e turpshme aq e mahnitëse, e një akrobateje, që u pasua me duartrokitje të zjarrta. Donte ta mbërrthente për flokësh e t’i thosh “paske marrë përsipër ta gjallërosh vetëm ti këtë mbrëmje,” por u step nga e thirrma eksituese e banakierit:

-Uaaauuu, femër gjeniale!

Pyeti banakierin për banjat dhe u çapit këmbëkëmbyer, me gotë në dorë, për nga ana tjetër e restorantit. Në pasqyrën e madhe të hollit pa veten kur doli nga banjat, me gotën shtrënguar mes dhëmbëve e duke kopsitur pantallonat. Porsa doli në verandën e restorantit, spazmat e dallgëve në stomak u përsëritën. Me njërën dorë, mbështetur pas një kolone, volli. Pas vjelljes, shpëlau gojën me uiski, por isht e pa munduar të vinte cigaren në buzë. Duart i dridheshin si kurrë ndonjëherë në jetën e tij.

Në sallën e madhe shpërthyen ovacione e ai njohu kurorën e shprishur të flokëve të së shoqs, gati në lartësinë e shandanëve. Kolegët e kishin ngritur lart, kurse ajo qeshte tejet e lumtur, me krahët e hapura si pulëbardhë. Fluturimi shoqërohej me duartrokitje dhe klithma histerike. Demonët patriarkalë e shkelmuan në zemër dhe, befas, pa vetëdije, ngritur krahun e qëlloi kolonën me grusht. Ofshau nga dhimbja dhe shkundi krahun lart e poshtë, buzëkafshuar.

-Shkërdhatë!

Sharja jehoi në akustikën e harqeve të verandës. Gotën e flaku, me sa i hante krahu, diku nga fundi i parkingut. Kërcitja e qelqit e zgjoi nga ëndrra e keqe e hakmarrjes. Parkingu lëshonte duhmat e nxehta me kutërbim zifti, kurse ai ia mbërthyer sytë qiellit dhe mezi dalloi disa yje të mekur, të ftohtë e të largët. Bulëza djerse i kullonin përmes shpinës. Dallgët e muzikës rok shpërthyen jashtë sallës dhe, përmes asaj zallamahie, dalloi ritmikën e takave femërore. I ngjasuan me të sandaleve të së shoqes e nuk e kthye kokën pas.

-Eja të luajmë tangon në makinën time.

Lilinova e kapi miqësisht për krahu, kurse ai shkëputi vrullshëm bërrylin nga mbërrthimi i pëllëmbës të saj e thirri porsi i shkrehur:

-Zhduku, djall, Lilinova!

Lilinova ngau makinën si e çmendur, fishkëllimat e gomave përcëlluan parkingun dhe atij i shkoi ndër mend se ajo atë natë do bënte aksident. Ndërkohë që përgjuoi zhurmën karakteristike të skarpamentos të makinës, shkuli nga jaka e këmishës stemën e Aleksandrit të Madh dhe i lëshoi zemërimin natës së nxehtë:

-Kokën hëngërsh, kurvic’ e djallit!

E shoqja pranoi se kish vjellë dy herë në banjën e restorantit dhe iu lut të ndalonte makinën. Ishte hera e parë që e shihte të shpërfytyruar nga alkooli. Mbi pëllëmbën e ashpër të dorës, të asaj dore që një orë më parë kish goditur kolonën, ajo mbështeti ballin dhe volli; damari femëror dënkiste fort.

“Kjo është jot shoqe. E bukur, ndjellëse dhe padrone,” - i tha vetes ndërsa ajo rënkonte e villte.

Për të kush e di sa herën, i shkoi ndërmend se në short i pati rënë një femër që të ndjell ta dashurosh, por, njëkohësisht, edhe ta urresh.

34 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page