
Tregim nga Kozma Gjergji
Lexuesit të nderuar mbase i kujtohet nga tregimi i mëparshëm "E errëta e dashurisë" Jonida, viktimë e sinqeritetit, naivitetit dhe e verbërisë të dashurisë me artistin e dështuar e mashtrues, për shpëtimin e të cilit nga burgu për shpërndarje narkotiku, ajo iu kërkoi prindërve të shisnin dyqanin e i dërgonin urgjentisht lekët.
Kjo gjë, qëndrimi pa punë dhe braktisja e dëshirës për studime universitare e shqetësuan jashtzakonisht të atin. Ai vendos të shkoi menjëherë ta takoi, bashkëbisedoi, këshilloi e bindi të ndahet prej së keqes. Dhe ashtu bën, e ja sot në mbrëmje vonë niset me tragetin e shpejtë "La vicchingha", me të cilin pas shtatë orë udhëtim arrin herët në mëngjez në Ankona, ku e pret e bija bashkë me partnerin, tashmë çuditërisht i liruar nga arresti.
Teksa kapërcen portinerinë i dallon qartë që vijojnë të ecin drejt tij. Dhëndri e mban njërën dorë mbi qafën e Jonidës, kurse me tjetrën kruan penisin. Paskali, ndonse nuk i pëlqen ky ekspozim i intimes para syve të tij, s'e jep veten. Përqafohen me mall, dhe pasi vendosin valiçen në bagazh zënë vend në veturë. Babai preferon ndënjsen e prapme për të qënë sa më lirshëm.
Sapo ulet ndjen një lloj sikleti, ngaqë sedilja e tërheq si në gropë e këmbët i shkelin mbi copëra biskotash, letra karamelesh, bërthama frutash… I krijohet përshtypja sikur gjëndet në ndonjë furrik pulash apo katua qenësh. Megjithatë nuk ankohet ose të kërkoi të ndërroi vëndin.
Vajza ia kupton situatën, ndaj nxiton të justifikohet, duke i thënë të mos bezdiset nga kjo shkujdese artistësh (e ka fjalën për të shoqin), të cilët si shpirtra të lirë e pëlqejnë rrëmujën e kaosin dhe çburgosjen nga rregullat e hekurta.
Paskali s'është dakord me atë arsyetim, sepse sipas tij edhe gjendja e estetika e sendeve dhe mjedisit tregon botën e karakterin e atyre që i përdorin e banojnë aty. Nuk e përfytyron dot sesi mund të nxjerrin vepra me vlera të epërme krijues pa një minimum qytetarie apo me sjellje vulgu.
Mbërrijnë në shtëpi. Çifti tregon vëmendje e kujdes të shtuar që mysafiri të shlodhet e rehatoet komod pas tërë atij udhëtimi. Ndërkohë Roberto largohet për t'i lënë të çmallen e komunikojnë sa më lirshëm babë e bijë deri kur dreka të jetë gati.
Vajza, që e ka plotësisht të qartë qëllimin e vizitës së të atit, i mer me mend të gjitha pyetjet, sugjerimet e këshillat e pa dëshiruara, prandaj mendon t'i shmang duke e mbajtur vetë vazhdimisht iniciativën e bisedës. Kështu u jep qëllimisht mjaft hapësirë kërshërive për të ditur sa më tepër rreth udhëtimit e përshtypjeve që i ka bërë ky vend, për shëndetin e gjendjen e të afërmve, fqinjve, miqve, për ndryshimet më të reja në vendlindje e atdhe…
Paskalit edhe pse nuk i interesojnë këto, e informon me durim e dashamirësi, duke u përpjekur me kujdes e merak prindëror të dalë tek shqetësimi, për të cilin ka ardhur enkas. Mirëpo ajo i rrëshqet e i largohet mjeshtërisht si nepërka zjarrit. Dhe ia del të shpërfaq gradualisht tërë adhurimin për bashkëjetuesin, i cili siç pohon, vetëm shkëlqen si njeri dhe artist i të gjitha arteve. Edhe kur flasin për cilësinë e llojet e gatimit modeli është po ai. Në një çast babai hedh vështrimin tej dritares dhe shpreh keqardhje që moti mund të prishet. Menjëherë Jonida pohon se atë e kish parashikuar partneri qysh pardje. Ndërsa ai e dëgjon sepse i përngjasohet me një nga ata ëngjëjt që shqyhet gazit për marrëzitë e veta.
Ajo i telefonon Robertit që dreka është gati, i cili nuk vonon të shfaqet në derë. Shikon si me habi e kënaqsi që e presin të drekojnë bashkë. Iu drejtohet me një ton miqësor.
-Të kishit filluar… S'prishte gjë, sepse unë s'jam skllav i rregullave tradicionale…
Zë vend në tryezë dhe bën urimin: "Na bëftë mirë! " Nisin të hanë. Dhëndri bie i gjithi mbi pjatë. Gishtërinjtë e tij vërsulen si dhjetë langonj të babëzitur. Me atë oreks do ta kishte zili dhe peshkaqeni. Mbllaçit shkujdesur, duke krijuar para vetes një lëmë me fije makaronash, thërrime buke, copëza ëmbëlsirash… si të jetë zhgërryer derri. Ngrefoset rëndë dhe shfryn hundën zhurmshëm herë si borie e ngjirur e herë si pallmë gomari.
Paskali habitet me të bijën, që krejt ndryshe nga dikur, këto vese nuk i bëjnë asnjë përshtypje. Konstaton se ka humbur mjaft nga vetja, madje është tjetërsuar.
Jonida dhe Roberti e ftojnë atë për të vizituar qytetin kryesor të krahinës. Ai e mirëpret ftesën dhe brenda orës janë atje. E fillojnë nga pjesa antike dhe vazhdojnë me kështjellën dukale, muzeun e Katedralen e Madhe.
Të ngarkuar me plot mbresa qëndrojnë të shlodhen e konsumojnë diçka tek Bari i Drerëve, emër ky që i ka mbetur nga koha kur këtu tregtohej gjërësisht kjo specie. Porositin sipas preferencave. Robertit i vlon dëshira e jashtëzakonshme të paraqitet para vjehrrit sa më interesant dhe t'i mburret për dijet e kulturën e shumanshme që zotëron. Nis menjëherë.
-Pas surprizës të njohjes me legjendën mbi prejardhjen e fisit shqiptar, më ka mahnitur pa masë një libër për racat njerzore.. Ndër të tjera tregohej se popullsia juaj rezultuaka gjenetikisht njësoi me ato të Europës Veriore. Pra, ju paskeni të njëjtën prejardhje gjaku e përbërje genesh si të popujve gjermanikë. Vërtetohej se shqiptarët, ndryshe nga popujt mesdhetarë kanë po ato sëmundje e defekte gjenetike si të popujve me gjak arian.
Paskali e dëgjon i tërhequr, ndonse tema të tilla i ka fortë të dëshiruara. Sytë e tij ndalen gjatë tek banaku, ku në sfond ngrihet skulptura e një luftëtari mbi kalë. Bie në mendime. Për të futur në bisedë të atin, Jonida i drejtohet Robertit.
-Babai e ka pasion historinë, ndaj dhe i tërheq vëmendjen skulptura e luftëtarit mbi kalë.
I shoqi e kap çastin. Dhe shpejt fillon të flasë me një stil të ngritur si në dramat klasike.
-Ajo skulpturë prej metali të lavdisë, bronxit, është thjeshtë një punim tradicional, një përfytyrim klasikegjen i historisë. Për çdo popull historia është shpata, mburoja, kujtesa, identiteti. Edhe ne artistët frymëzohemi nga ajo e pastaj frymëzojmë edhe të tjerët. Nëse s'do ta njihnim do ishim hiçgjë.
Rrëfehet në mitologji se Zeusi ndihmoi një ushtri të madhe të pushtonte atdheun e një populli tjetër më të vogël. Sulmoi shumë herë dhe për çudi s'po e mposhtte dot. Atëhere provojë ta nënshtronte edhe me armët e etjes e urisë. Ua ndërpreu burimet e ujit dhe dogji arat, por asnjë shënjë kapitullimi nga banorët.
Kryezoti e kuptoi se ata i kishte bërë të pathyeshëm e prej çeliku dashuria për vendin e prijësit, një dashuri me rrënjë tek ninullat, këngët, mitet, rrëfenjat, përrallat, ngjarjet kushtruese. Atëhere Ai shpiku "Barin e kujtesës" për t'ua shpëlar trutë e i lënë pa atë kujtesë. Në një variant tjetër quhet "Bari i harresës".
E hodhi nga qielli mbi tërë vendin. Banorët thithën bashkë me ajrin edhe barin. Dhe ç'ndodhi?! Kujtesa e tyre u shpëla e fshi krejt. Kur armiqtë sulmuan përsëri nuk ndeshën më në asnjë rezistencë. Banorët qëndronin tërësisht indiferentë. Vendi u pushtua lehtësisht. Tani fillonte kujtesa edhe për ata, dhe ndjeheshin bijë të pushtuesit. Ja, pse duhet njohur historia, që nëpër shekuj ka ecur pikërisht mbi këmbët e atij kali me trimëritë më të jashtëzakonshëme, me humbjet më tronditëse, me fitoret më vezulluese dhe mizoritë më të tmerrshme.
Kam parë në Romë kryeheroin tuaj Gjergj Kastriot Skënderbeun, derdhur në bronx, ashtu përmbi kalë e me shpatën në dorë, duke rendur që prej gjashtë shekuj në mbrojtje të qytetrimit.
Por, ndërsa Roma e Napoli atë e pritën e nderuan si Perëndi, nuk ndodhi kështu shekuj më vonë me kryeministrin e parë të shtetit tuaj të pavarur, zotërin e ndjerë Ismail Qemal Vlora… Një pllakë përkujtimore në hyrje të godinës pesëkatshe të hotelit "Brufani" në Peruxha fikson vdekjen e tij të pabesë e krejt të papritur. Ka mbetur mister si të gjitha vdekjet e këtij lloji. Dyshimet e të thënat flasin për një përzjerje helmi italo-greke-serbe, ashtu siç edhe e kishin projektuar në fshehtësi ndarjen e Shqipërisë midis tyre. Pra, po nuk i njohëm dhe i harruam këto, do bëhemi si ata banorët që humbën kujtesën.
Roberti, duke parë se Paskali e ndjek pa ndonjë interes e kureshtje, nuk e zgjat më tutje. Nxjerrë portofolin, një këllëf syzesh i adaptuar, derdh monedhat në pëllëmbë, i numron me kujdes e ia jep saktësisht kamarierit.
Kozma Gjergji.