BARDI I MALIT TË ÇEPURIT


BARDI I MALIT TË ÇEPURIT

..dhe mali i dashuruar...


Nga Timo Mërkuri



“Bardët janë këngëtarë dhe poetë keltë” na prezanton Straboni[1], gjeografi i madh i antikitetit duke shtuar se janë një ndër tre grupet e njerëzve që nderohen më shumë në shoqërinë kelte krahas me Vatët dhe Druidët ndërsa përshkrimin e parë të tyre e ka dhënë Poseidonius[2] qysh në shekullin e I p.e.s. ku shkruan se: “Keltët kishin disa njerëz që i quanin bardë (bardoi) të cilët bënin muzikë. Ata ishin poetë që i shprehnin lëvdatat e tyre me këngë” dhe ishin një trashëgim indoeuropian i keltëve. Fjala “bard” perkthehet apo nënkupton “thurës i lavdeve” duke dëshmuar në këtë mënyrë se “lavdia” ishte ajo pjesë e jetës njerëzore, që siguronte pavdekshmë-rinë e njeriut nëpërmjet mbartjes së tij në epikën heroike të popullit.

“Bardët “ krijonin këngë “lëvduese” heroike për bëmat e trimëritë e fisnikëve keltë dhe këto këngë i këndonin në kështjellat e tyre, në të cilat banonin edhe vetë si bujtës, sepse ata nuk lejoheshin të mirnin ndonjë titull fisnikërie a të ndërtonin shtëpi të larta në asnjë rast. Kështjellat e heshtura në majë të maleve shkëmborë mirnin frymë nëpërmjet këngëve të bardëve kur ktheheshin nga luftërat ku fisnikët e kalorësit shihnin nëpër ‘to betejat që kishin bërë, fitoret që kishin korur…

Ndodhi që nëpër këngët epike të bardëve, krahas vringëllimave të shpatave nisën të dëgjohen dhe psherëtimat e vashave që rrinin pa gjumë netëve nga meraku për fatin e luftëtarëve. Si të ndrojtura dëgjoheshin fillimisht këto psherëtima, të fshehura në ndonjë qoshe vargu, por tingulli i tyre bënte të dridheshin zemra që nuk dridheshin as përpara shpatës. Dhe sigurisht edhe malet ndjenin një si drithërimë, ca si mornica që u përshkonin gjithë qënien e tyre nëpër damarët e gurtë dhe përcollën erërrat nëpër melodi. Ndihmuar nga erërat e malit u ngrit një oktavë më lart tonaliteti i psherëtimave duke u shtrirë e zgjatur në melodi dhe duke spostuar pak nga pak bëmat e trimëritë e luftëtarëve…

Kohët ndryshuan, ndryshuan dhe bardët bashkë me këngët e tyre dhe tashmë lavde e hymne i këndohen dhe dashurisë. Madje një nga këta “bardë” aty në malin e Çepurit ngre këngë e hymne vetëm për dashurinë sikur do të na dëshmojë se “vetëm dashuria është ajo pjesë e jetës njerëzore që siguron lumturinë dhe të hap portat e pavdekësisë”. Madje dhe vajzën e dashuruar e ngre në rangun e perëndive duke e quajtur “Hyjneshë” e “Hyjnore” dhe shkruan për ‘të se dhe rrathët e ferrit se bëjnë ta harojë: “Nëntë rrathë harese ma mbështollën vargun/Nëntëdhjetëenëntë herë mëndja më vajti/E më mbeti tek ty”[3]. Dhe ndërsa i thotë vajzës …”Çepurit si ky hap i imi qepesh” befas sheh se “Çepuri mbet pa fjetur” dhe se “I pafjetur Çepur zhvesh rrobat/gjoksin vë përballë” sepse”…”një Çepur të tërë shprushe/për tu nisur pas teje”.

Spaska ndroje ky bard të flaës për dashurinë, madje dhe vetë zotit i qëndron përballë…”Nëse asht mëkat/me dashtë/mos më fal o zot/Kam me e dashtë përditë/nga çasti në çast/Vullnetarisht e pranova/këtë fat” madje dhe në mot te hidhët…”një shi si ky moti e kam ëndërue/dhe ty dhe ty moj/tek ai shteg Çepuri/degët tuj mi shkundullue” dhe…”Një pamje luleje/me aromë Çepuri/përfiton syve me pranverë” praandaj I thotë vashës …”Laj sytë me një puhi mali/a gurrë Çepuri/dhe nisu” sepse…”Vetëm unë/si një pikë e fundme uji/tek ajo rrënjë luleje kam ngelur/dhe Çepuri”.

Është i çuditshëm ky bard i malit të Çepurit sepse këndon vetëm në këtë mal, si bilbili që këndon vetëm në një korie për çdo vit. Ndërsa bardët e tjerë i kanë malet për të kënduar hymne trimërie për fitoret e për gjakun e heronjve, ky dhe lotët i derdh…”se nuk fluturon para syve të mi ajo grishë e Çepurit/dhe fundit të kësaj dite” dhe se…”Këtu rrëzë Çepurit/ka mbetur vetëm hija e etur/në një pritje të pasosur” sepse….”Vetëm Çepuri ma ruen hijen’, por gjithsesi..”Nëpër bishtat e syve të tu do gjej pak vend/korrin e zogjve të Çepurit/ të dëgjoj”

Është e magjishme kënga e këtij bardi që i bën edhe lisat të përqafohen si djelmosha të posa takuar pas një kohe të gjatë. Por kjo magji e kësaj kënge e kalon edhe kufijtë më ekstrem të imagjinatës njerëzore sepse i bën dhe malet të dashurojnë e të rendin pas dashurisë si djelmosha që lypin puthjen e parë… “Mali zemërndezur me shpirtin zjarr/nuk la shteg pa ecur/as Lis pa pyetur/kah shkoi ku mbet”[4].

Le të sodisim malet nëpër vargjet dhe rreshtat e letërsisë shqipe në të shkuarën…Malet kudo e kurdoherë kanë qënë prezente në jetën e njeriut shqiptar sepse në shpatet e tij, me gurët e tij ai ndërtonte shtëpinë, në shtigjet e tij nisej e kërkonte lirinë, nga pas malit vinte drita e diellit në mëngjes apo era e ngrohtë e pranverës dhe si mali qëndronte para rebesheve armike. Por mali nuk ishte vetëm një simbol rezistence, ai ishte më shumë se aq, ishte pjesmarës në jetën e shqiptarit me hijen apo praninë e tij aktive... O ju male me dëborë/Pse s’qani hallet e mia…rrënkon njeriu shqiptar nga pesha e rrëndë e jetës dhe vajzës së dashur i thotë me butësi e ngrohtësi…Duro vajzë të durojmë/Si duron mali dëborën. Ftohtësia e kësaj dëborë çuditërisht nuk e ftoh ngrohtësinë e fjalëve të djalit, sepse janë fjalë që mbartin shpresën e besimin. Me siguri që pas këtyre vargjeve ka lindur edhe ajo kënga e bukur…Ç’u mbush mali plot me dushk/Thotë vajza janë krushq…varg që u jep jetë dhe i vë në lëvizje ëndrat vajzërore drejt ditës më të bukur të jetës…për të mbritur më pas te kënga e bukur…Kur shkoje rrëzës së malit/Duke mbajtur frerët kalit/Duke dhënë sisë djalit/Hajde hajde moj Mine/Sa e bukura që je…Filluam të këndojmë ë? E po ç’ti bësh, kur flet për male domosdo do ja nisësh edhe këngës.

Malet kanë qënë aktive në jetën e shqiptarit sidomos në kohë lufte, kohë që i shtrëngonte dhe ato në gjoks sa që rënkonin nga shtrëngesa e dhimbjes…Zunë malet e rënkojnë/Kurveleshi po luftojnë .. nis një këngë, apo mbanin zi për trimat e rënë…Mali i Çikës kullon serë[5]/Mba zi për Ymer Xhaferë…pasi kishte vajtuar më parë me gjëmë e ligjërime..Qaj moj Çikë me Gjinikë/Se drëri juaj ka ikë/që i shtij hasmitë frikë/Dhe nuk ju qasej e ligë…E imagjinoni dot të vajtojnë malet me gjëmë suferinash e orteqe dëbore? Më mirë mos ta dini se do ju ikij mëndja fare. Unë do t’ju thoshja të mos e dëgjoni as vajtimin e asaj vajzës së re që lotonte…Do të dal moj nënë/Do të dal nga malet/Ti thëras bandillit/Vallë mos më ngjallet…

Nëpër shpat mali kanë lindur edhe legjendat si ajo e Kostandinit, balta e varit të të cilit ju bë kal për të rendur te e motra Doruntina. Ka dhe male me histori dashurie si te përralla për një djalë që quhej Akro i dashuruar me vajzën Qerana të cilët në një moment përqafimi, një shtrigë e keqe u bëri magji dhe i ngriu në vend, sepse kishte zili pse djali nuk dashuronte vajzën e saj Kënetën. Kështu u krijuan vargmalet Akroqerane ku bëjnë pjesë mali i Çikës.

Pyetja që lind me këtë rast për vargun e Sabit Rustemit “Mali zemërndezur me shpirtin zjarr/nuk la shteg pa ecur” dhe për disa vargje të tjerë është se : a lëvizin malet? Në poezinë popullore malet janë në lëvizje të natyrëshme dhe këtë e hasim te vargjet Kam një lëmsh në zemër/S’di kujt t’i rrëkohem/T’u rrënkohem maleve/Malet më largohen[6]

Por male në moment dashurie vetëm Sabit Rustemi na ka dhënë dhe ky mal çapkën na qënka Çepuri i tij i cili… trazoi shkëmb e gurë/flatrave të shqiponjës sa kepin kaptoi/si furtunë u lëshua luginave/e u ngrit përmes reve shkreptiu/moteve nëpër stuhi… mandej… Mali kaplohet prej dhimbjeve/zjarrmive të pamatshme digjet flake/e shpirti nuk i del/pa e strukur në gjirin e tij atë Vashë…dhe se… Moteve që kohojnë në këto dhera/nga dashuria për Vashën/thonë të jetë djegur deri në hi/e të jetë ringjallur në Shpend…

Pyetjes në se përqaset mali me dashurinë i përgjigjemi se malet tona janë në moshë të re (gjeologjike) dhe pikërisht në moshën e “dashurisë”. Po ti shtosh kësaj faktin se shumë nga malet tona janë me origjinë vullkanike (Mali i Çikës) gjë që e justifikon zjarrin e brendshëm të tyre nëpër vargje, atëherë themi se Sabit Rustemi ka bërë një gjetje brilante.

Një poezi me ritmin e këngëve të bardëve, ndonëse jo me vargun njëmbëdhjetëroksh të epeve, që përzien botën e legjendave (ringjallja në formën e shpendit pas djegies apo lindjen e burimeve nga plagët) me jetën tonë, metaforizimit të forcës së dashurisë… por a e dini miqt e mi, më mirë lexojeni vetë ju këtë poezi të bukur të Sabit Rustemit për të cilën unë çfletova epokat.

Sarandë, më 04.05.2020


VASHA E ERËS III


Një puhi e lehtë e ëmbël fletëzave të një mëngjesi ia shprushi atë floknajë motesh që i vareshin mbi fytyrë ëndrrës së panxënshme të Malit.

Prej puhisë u tremb Vasha nga droja se po rrëmbehej prej Erës poreve të dashurisë u fsheh

Mali zemërndezur me shpirtin zjarr nuk la shteg pa ecur as Lis pa pyetur kah shkoi ku mbet

Vashën e përpiu papritur toka honeve të pafundme të shpirtit e nuk u pa më

Mali trazoi shkëmb e gurë flatrave të shqiponjës sa kepin kaptoi si furtunë u lëshua luginave e u ngrit përmes reve shkreptiu moteve nëpër stuhi

Mijëvejtshave të shkuara Bjeshka u shkrumbua prej vetëtimash zjarresh e vërshimesh derisa u zhvesh e tëra asht e lëkurë mbeti pa një kokërr dhé

Përfundi saj një fushë e re gjerë e gjatë iu krijua sa për t’ia zgjatur jetën e për t’ia ruajtur shpresën po Vasha nuk u shfaq kund e Mali s’pushoi të rend pas Saj

Ag e terr përditë Asaj Ane të Nemur ndrydh e shtrydh veten deri në palcë sa dhe zemra e gurit nis e pikon

Diku bunoi një krua një përroskë pastaj lindi e nuk mungoi as lumi

Thellësive të padukshme ku depërton sall uji thonë dhe liqene u krijuan ku në qetësinë e plotë të Natës lahet Vasha e shkreh flokët dhe ëndrra të reja përpush e zhduket prapë përmes krahëve të erës poreve të fshehta të Bjeshkës

Mali kaplohet prej dhimbjeve zjarrmive të pamatshme digjet flakë e shpirti nuk i del pa e strukur në gjirin e tij atë Vashë

Moteve që kohojnë në këto dhera nga dashuria për Vashën thonë të jetë djegur deri në hi e të jetë ringjallur në Shpend

Sa herë dalldia e erërave shkund Bjeshkën Ai Shpend përmes flatrash rrahë furtunat mes dredhash të papara zhytet atë Vashë për ta nxjerrë prej kthetrave që nuk e lë për të vdekur as edhe njëherë

(2 maj 2020)

[1] Strabone Geographia, IV, 2, 4. [2] Poseidonius (135-51 p.e.s) [3] Sabit Rustemi “Hyjnorja ime je ti” 2 “Faik Konica” Prishtinë 2019 fq 8 e në vijim poezitë e cituara janë nga ky vëllim poetik [4] Poezia shoqëruese “Vasha e erës” [5] Serë, këtu ka kuptimin kullon zi. [6] Mora si shëmbuj këngë e vaje të viseve të mia se për viset e Kosovës ka folur Sabit Rustemi.

40 views

Shkrimet e fundit