top of page

Bardhul Toda: Misioni "Kujtesë për Vazhdimësi", me "Margaritarët e Fjalës" në Edicionin e 8.

  • May 6
  • 2 min read

 

 

   Biblioteka Publike "Qemal Baholli" në Elbasan, si rrallë herë ka përjetuar ndjesi emocionalisht të thella. E diela e parë e majit, ishte dhe do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithë atyre që patën mundësinë të ishin pjesëmarrës në sallën e promovimeve. Në atë mjedis të përshtatur me kujdes, u zhvillua veprimtaria e radhës, sipas kalendarit të ngjeshur dhe cilësor, hartuar dhe detajuar nga Misioni "Kujtesë për Vazhdimësi", i pari dhe i vetmi në Shqipëri, me qendër në Elbasan.

   Në radhën e veprimtarive maratonë të edicionit "Margaritarët e Fjalës", jo një apo dy promovimeve, por u shpalosën plot pesë vëllime të ndryshëm në përmbajtje, por të njëjtë për nga burimi shpirtëror i njerëzve që vetëm dinë të dhurojnë mirësi praruar me dashuri.

Në altarin e Bibliotekës, më 3 maj 2026, fisnikërisht pranë njëri-tjetrit, vëllimet: “Përflakje” me autore Shqipe Bytyqi; “Ditë të nxehta”, nga Mimoza Leskaj; “Kjo botë shpirtnore vajzash e grash...”, nga Shtëpia Botuese “Jozef”; “Margarita Xhepa, mikja dhe zëri i poetëve” përgatitur për botim nga Iliriana Sulkuqi, botuar nga Shtëpia Botuese M&B dhe,  “Iliriana Sulkuqi dhe lirika e saj”, me autore Emrije Krosi, hijeshonin mes intelektualësh dhe krijuesish nga të gjitha trevat, të bërë bashkë në një mision për një tjetër mision.


Estetika, përmbajtja dhe cilësia e ndjeshmërisë artistike për çdo vëllim që tashmë i kapërcen kufijtë e krijuesve elbasanas, duke marrë përmasa kombëtare, mbetet përjetim më vete, por, brenda dashamirësisë së zemrave që bartin vetëm dashuri, në këto vëllime të botuara, pati një ndjenjë dhe frymë përtej njerëzores.

   Ishin aty dy përballje mrekullisht mbresëlënëse! Në Bruklin të SHBA, elbasanasja trupvogël-zemërmadhe Iliriana Sulkuqi, përgatiti për botim librin: “Margarita Xhepa, mikja dhe zëri i poetëve", me përjetime mbresash nga ata që patën fatin ta kenë mike Gjiganden Margaritë, pa e ditur se, për Ilirianën, në një skaj të Shqiptarisë, kishte nisur një tjetër projekt për lirikën e poezive të saj, nga studiuesja e thelluar Emrije Krosi, në bashkëpunim me anëtarë të Misionit "Kujtesë për Vazhdimësi".


   Në Bibliotekën Publike të Elbasanit bashkë me të tjerët, këto dy libra të ndryshëm në përmbajtje, por të njëjtë në qëllim, morën ndriçimin e promovimit në Tempullin e të dashuruarve me librin.

   Kjo veprimtari edhe pse e ngjeshur, ndërthuri me finesë radhën e prezantimit me kulturën e thellë të të pranishmëve që e njohin në thelb krijimtarinë artistike e studimore, ndaj dhe janë dhe mbeten dëgjues cilësor.

   Misioni "Kujtesë për Vazhdimësi", falenderon me shumë mirënjohje të gjithë pjesëmarrësit në këto promovime që në thelb, nuk janë thjeshtë libra të vlefshëm për çdo bibliotekë familjare, por në çdo varg dhe fletë të tyre, ka vargje dhe rreshta që kanë dalë nga zemra njerëzish që dinë dhe duan të dashurojnë vetëm të bukurën.

Falendrimet tona shkojnë për Drejtuesit e Pushtetit Vendor Elbasan me të gjitha strukturat vartëse, që krijuan kushtet e mbarëvajtjes së suksesshme të Edicionit të VIII "Margaritarët e Fjalës", edicion që Elbasanin tonë të veçantë në arsim, kulturë dhe dije, e shndërron sërish në Kryeqytet, pas asaj të Festës së Ditës së Verës.

   Misioni Kujtesë për Vazhdimësi, është një vlerë e shtuar e Elbasanit, dhe promotor i vlerave që prodhojnë vetëm vlera kudo në skajet ku jetojnë bashkëkombësit tanë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page