top of page

BARASPESHIMI NË LAVJERRËSIN KOHOR


Xheladin Mjeku

Xheladin MJEKU

Ramë Oraca: “KANDAR I NDRYSHKUR”, tregime, botoi LSHK – Prishtinë, 2020


Me dyzetëepesë tregime dhe një monodramë matet në “Kandarin e ndryshkur”, krijuesi, tashmë i dëshmuar edhe në prozë, Ramë Oraca. Këto tregime të shkurtëra pothuajse në tërësi përbëhen nga një kohë e dyzuar, duke sjellur një lidhshmëri, sa kohore, poaq edhe përngjasimi, meqë mbruajnë shumë elemente që i përafron këto ngjashmëri tematike, pavarësisht relacioneve kohore prej nga shtrihet narracioni tematik.

Përveç si poet, ai ka bërë hapat e tij edhe në fushën e dramaturgjisë, me theks të veçantë me monodramën, duke e vënë në skenë me guximin prej aktori të sprovuar dhe, tashmë edhe si krijues, prej nga sjell krijime të realizuara me mjeshtri dhe përkushtim.



Rrëfime të sinkronizuara mes dy kohërash


Pa dashur të vështroj vijën horizontale të shtrirjes së kësaj lënde tregimtare, do të prekja disa nga elementet më të veçuara, që në përgjithësi qëndrojnë në pozicionet strumbullare të drejtpeshimit tematiko-historik, në kuptimin e gjetjeve “arkivore” nga kohërat që i jetuam me shumë mundime, për të thyer kështu ato barriera me këmbngultësinë e durimit përtej sakrificave historikisht të ditura, deri në ndryshimet rrënjësore të jetës dhe organizimit shoqëror në përgjithësi. Çuditërisht, në rrëfimet e Ramë Oracës duhet të kenë gjetur trajtim të suksesshëm edhe ndërlidhjet kohë – temë, si dy bashkëveprime të qëndrueshme që i japin ngjyrimet e kohës këtyre relacioneve tematike të trajtuara në tregimet e tij. Tregimi i shkurtër, si mënyrë e rrëfimit të ngjarjes, ka disa nga përparësitë e veta, meqë lexuesi nuk detyrohet të shpalos pamje të stërholluara, si ravijëzim i ambientit, prej nga rrjedh edhe qenësorja, tema, mbi të cilën pretendohet të kapet misioni i shtjellimit, si ngjarje.

Për të qenë më bindës në punët dhe qëndrimet e veta, njeriu niset nga realiteti, si fenomen që krijon besimin, edhe në vijë të imagjinatës. Kështu, autori në përputhshmëri me këtë realitet e ndërton personazhin e tij, që vepron herë si narrator, herë si pjesë e ndodhisë në tregim, që bën të kuptohet se ai duhet ta ketë menduar mirë ndërtimin e një bote të vazhdueshme ngjarjesh, që evoluojnë në terrenin ku preken këto motivacione. Me “Fletëthirrjen” i drejtohet opinionit, duke ia shpërfaqur realitetin e të qëndruarit jashtë vetvetes, si veprim dhe si profesion, prej nga zbulon “se në qytetin tonë janë shfaqur disa poetucë”. Për të qenë edhe më e neveritshme kjo prani e këtyre pseudovlerave, kuptojmë kur ata dalin hapur në cilësinë e shpëtimatrëve, që të jenë gjithnjë më të besueshëm, fillojnë të “bisedojnë për ta rrëzuar pushtetin aktual, shajnë me zë të lartë, recitojnë poezi patriotike, i bien me grusht tavolinës sikur e vulosin fletëarrestimin për njërin nga fituesit e bishtpenës…”. Mbi këto veprime shprehin revoltën e tyre, që tek masa e njerëzve krijon imazhin tjetër ndaj realitetit, që pastaj të arrihet frustrimi, në ngujimin imagjinativ të ngushtësisë së interpretimit të fiksionit real, që e flet të kundërtën e kësaj, ku maskimi dhe pasiguria vetanake dalin mbi vlerat e mirëfillta që synohen në kohë. Kjo “kontrabandë fjalësh” mes tyre nuk është asgjë tjetër, veç një mjegullnajë e kohës, që ka shtrirë fushëveprimet e saja në çdo segment të jetës, duke aluduar në tjetërsimin e realiteteve dhe përforcimin e së keqes, urrejtjes, maskimit, brenda të të cilave mbijetojnë këto soje njerëzish plangprishës të shoqërisë. Këtu, autori do të portretizoj të keqen si frymë, por edhe si realitet, në të cilin mund të ndodhet shoqëria, për ta demaskuar fuqishëm me shpërfaqjen e saj publikisht. Ramë Oraca sikur i jep të drejtën vetes, pas këtij zbërthimi si ngjarje, ku figurativisht e sheh si pikënisje vetveten, si krijues dhe si komunitet, apo si do të kuptohej me gjuhën e popullit “nisja nga vetvetja”, si fenomen, që bën të kuptohet se autori i ka ndërlidhur mirë ngjarjet nga përditshmëria, duke gjurmuar nëpër të kaluarën, si model i ecejakeve sistematike drejt zhvillimeve të shoqërisë, si vetëdije dhe bazament autokton i mënyrës së jetesës, me rropatjet e pandalura nëpër shtigje e situata. Edhe “Kuleta”, “Mysafiri i Lidhjes së Letrarëve”, etj. kanë përafërsisht po këto synime, që si trajtime hapin shumë probleme, me konotacion të qëllimshëm, ndryshimet e fundit të shoqërisë sonë, në fazën e vazhdueshme të një tranzicioni të përgjithshëm, por edhe atij kulturor, duke u ballafaquar me veset dhe intrigat, që këtu kthejnë gëzofin në përputhshmëri me kohën. Derisa me “Mysafirin e ngushtuar” do të detyrohet ta ndryshoj mënyrën e bisedës, sepse “s’di ku pat me shkua muhabeti i kësaj miqësie të re”, ndërkaq me “Dajën Ramë” ndryshon mënyra e veprimit. Atë e takojmë përmes shumë peripetive të jetës, që secila prej tyre vjen si enigmë më vete. Ndryshimet e personalitetit të tij paraqesin njeriun e transformuar në kohë, por gjithnjë i mbërthyer me të panjohurat që e mbajnë në vëmendje të rrethit ku vepron, në çdo depërtim kohe e situate. Krejt kjo përshkohet me një sarkazmë të lehtë, që bën të mbahet në kujtesë si veçanti e rrëfimit.

Janë për tu veçuar edhe tregimet: “Oda e Lah Sherrit” dhe “Kokrrat e Demë Barutit”. Ky i fundit sjell një ngjarje tepër të veçantë, por shumë origjinale me dimensione kohore nga e kaluara, që po përsëritet me disa reflektime të sotisfikuara. Sprovimi i familjeve të njohura, ndërskamcat e njerëzve të tyre, sidomos atyre që njiheshin si më problematikë, forma tregimtare dhe interprtimi i ngjarjeve, qofshin reale, apo prodhimtari imagjinative, përmes ndonjë të afërmi, që mund ta ketë njohur deri në imtësira veprimin e tjetrit, e që rrethi e pranon si hokatar të dëshmuar, krijojnë ngjarje të re, që të shumtën e rasteve edhe do të kenë pësuar rëndë, si në rastin e Ramës me të vëllaun, ku shpaloset ana tjetër e medaljes familjare, për të ndriçuar realitetin që vlon përbrenda, nga pakënaqësitë, synimet dhe gëzimin e parakohshëm, si në dialogun:

“- O Demës iu ka kajtë nana! Unë jam zot shtëpie tash. Për Demën, qe tri net s’dimë kurrgja! Po thonë që e kanë ba lug mullini e po pinë gjaja ujë n’ta!” (po aty, fq. 20). Këtu, sikur edhe në shumicën e tregimeve, spikat fjala e shprehur me gjuhën e folur të trevës, duke ruajtur pastërtinë dhe kuptimin plotësisht shqip, pa ndonjë izëm të gjuhëve tjera, që do të kishin ndikuar gjatë periudhave të kaluara kohore. Me “Rrëfenja…” të tilla do ta takojmë edhe më tutje, gjithnjë duke shpalosur mrekullitë e ngjarjeve në situata të ndryshme, për të krijuar një thesar të çmuar të tregimit, që nganjëherë krijon përshtypjen, se po lexon thesare popullore, të ruajtura me xhelozi në breza.

Portretizimi i personazheve, cilëtdoqofshin ata, edhe imagjinativ, me pak fjalë, e bëjnë të qëndrueshëm rrëfimin edhe si realizim, pa mos e ngarkuar me peizsazhe, ngjyrime tjera foljore, që tejkalojnë pikën e përcaktimit tematik. Këto karakteristika të tregimit të shkurtër të Ramë Oracës i takojmë në vazhdimësi edhe në tregimet: “Halimi”, Zefi”, “Nurija”, “Daja Ukë”, “Tezaku”, etj. Nga vetë titujt, por edhe nga mënyra e shtjellimit, nënkuptohet se këtu ka ndodhur një vijimësi e pandërprerë e kapjes së ngjarjeve mbi frymën autoktone, siç do të shprehej Lutfi Lepaja “bazuar në trungun e traditës sonë”, për të pasqyruar njeriun e kohës, me gjithë tranformimet e vazhdueshme që mund të kenë ndodhur.

Kandari i ndryshkur” personifikon vetë kohën, që vjen e balansuar me njeriun e sakrificës dhe guximit, me qëndrimin vigjilent në kundrimin e ngjarjeve e situatave, duke i hedhur në peshojë, për të pasqyruar rëndësinë dhe vlerat e realiteteve dhe sprovave. Në mbyllje të tregimit do të shfaqet befas njeriu me paterica, që përfaqësonte invalidët e luftës, për të treguar edhe ai prezencën e tij dhe të drejtën e përfitimit mbi të tjerët, i thirrur në të kaluarën e bujshme: “ – Nuk ka birë nane këtu, që ka dhanë ma shumë se unë për këtë vend…Unë do ta marr edhe të prishur këtë mbeturinë të armikut!...”(po aty, fq. 65). Përmes këtij veprimi do të shpërfaqet edhe qëndrimi i tij i prerë, duke kujtuar se koprracia këtu është në një baraspeshë pothuajse te të gjithë njerëzit, pavarësisht mundësive të përfitimit. Por, pas një veprimi kur “Ai i ra me patericë boçës së kandarit dhe ia shkundi disa copa të ndryshkut” prej nga fillojnë të qetësohen gjakrat, që për autorin duket të ketë qenë pika kulmore e qëllimit, siç do ta shpreh pastaj mendimin e tij: “Krisma e tij e trembi dhe dyshimin që rrinte pezull në kokën time” për të ndërtuar gjithë botëkuptimet e asaj kohe, ku mbizotërojnë dëshirat dhe synimet drejt vlerave të reja, që do t’i takojmë gjithandej labirintheve nëpër tregimet e shumta të kësaj përmbledhjeje. Këtu, si rrallë nga ndonjë krijues tjetër, Oraca vë në spikamë larushi temash, ku takohen botërat e ndërlidhura, me ndonjë “ndryshkje harrestare”, por si tradita gjithmonë e kanë vlerën dhe mesazhin e fuqishëm dhe kuptimplotë.

Pa u mjaftuar me kaq, në vazhdën e shpalimit të kësaj lënde tregimtare, krijohet përshtypja se në po atë vijë të realizimit janë edhe tregimet: “Stina pa diell”, “Udha e pasluftës”, “Shokët nga Fejsbuku”, “Shtëpia e të çmendurve”, “Rrëzë kufirit”, “Bukëtorja” dhe shumë të tjera, që pasqyrojnë vlera e kujtime nga profile të ndryshme veprimtarish e njerëzish, të cilat, ndonëse si tekste të shkurtëra, besoj se do ta kenë jetëgjatësinë në kujtesën tonë. Veçohen edhe shumë tregime, që secila, si tematikë e veçantë, meriton zbërthime kuptimore, por një veprim i tillë mund ta ngarkonte dëshirën e leximit të kësaj tufe tregimesh, prandaj këtu edhe mund të ndahen rrugët tona me receptorin, i cili nga kërshëria e takimit me këto realizime letrare do të vazhdoj i pavarur deri në pikën e mbylljes, pa mos e anashkaluar edhe “monologun” përbyllës, si krijime mbresëlënëse të shtjelluara me pedantëri dhe me plot dramaticitet.



Monologu me pavdekshmërinë

Monodrama “Baladë dheu”, si misionare e kësaj përmbledhje tregimesh të frymëzuara pothuajse tërësisht nga thesaret autoktone, ku takojmë botën e njeriut, si individ dhe kolektivitet, prej nga komunikohet me gjuhën e kohës, përmes personazhit të akcilës prej ngjarjeve, duke i sjellur ashtu të çiltëra, komunikative, me ngjyrime nëndialektore, a ndonjë krahinarizëm, siç do ta quanim me zhargonin ditor.

Që në fillim autori, me gjuhën e personazhit të tij, që do ta mbaj aktiv në gjithë dramaticitetin e ngjarjeve të shtjelluara, përmes të cilit prek kujtesën e mbërthyer për dhimbjen, që mund të hetohet në çdo kohë, meqë ajo jeton e evokon kujtimet, poaq sa edhe vetë heroi. “Edhe atë ditë binte shi sikur sot. Ky shi sikur po e vajton Lulen” (po aty, fq. 91), do të shprehet para bustit, skulptori, që pastaj bën krahasimin e ditës që e kujton, me ditën e sotme, poashtu me shi, por me dallimin se sot varroset Lulja, e cila “nuk arriti ta presë kthimin tënd birë?”, duke i rikujtuar fjalët e saj, kur po ia bënte bustin, ndonëse ajo asnjëherë nuk i bindej vdekjes së djalit. Këtë e paraqet me fjalët që ia drejton bashkëshortit: “Çfarë je duke bërë kështu?! E paske harruar fytyrën e djalit tonë!...ti nuk je në vete, nuk je kah bënë asgjë për të! E ke shpall të vdekur duke i bë bust! E ai është diku i gjallë. Ai një ditë do të kthehet, por mua nuk do të më gjej.” (po aty fq,. 91). Isa, personazhi që monologon gjithë ngjarjen dhe shpalos kujtimet nga koha e ikur, duke bashkëverpuar si një tërësi që lidh ngjarjen, vazhdon të kontaktoj edhe njerëzit tjerë të familjes, për t’i ballafaquar situatat. Ai vazhdon të flet me personazhet e tij të kthyera në buste, të cilëve u shpjegon çdo ndryshim që do të ketë ndodhur gjithandej në vendlindjet e tyre, duke u kujtuar edhe përjetësimin me emërtimin eventual të ndonjë sheshi, rruge a shkolle, në ndonjërin prej fshatrave të largëta të lokalitetit ku kishte jetuar heroi. “E njëjta mellë i njëjti vend, ti dhe Iliri; ty bile të dihet varri…ti je këtu, jeton midis të gjallëve. Jeton të kanë shpall dëshmor…atje në shesh të kanë bërë një vend; rreth teje do të lozin fëmijët…për festa do të sjellin lule plastike…e do të vallëzojnë” (po aty, fq. 93). Ky përkushtim rrjedh spontanisht mes jetës dhe përjetësisë, që monologojnë, si dy ngjarje që prekin qëllimin e narracionit, duke e krijuar pavdekësinë, në paralele me dyshimin, se heroi ende duhet të jetë i gjallë, dhe pritja e gjatë kurorëzohet me kthimin e tij në bust, i përjetësuar mbi lavdinë dhe heroizmin lapidar.

“- Ti do ta mbash fjalën birë…unë atëherë nuk të kam besuar. Më fal birë…tani dua që të besoj!” (po aty, fq. 100), e përmbyll rrëfimin e tij Isa, para bustit të Ilirit, duke u pajtuar përfundimisht me realitetin që po përjeton.


Qëndrueshmëria narrative dhe fryma e autoktonisë në bashkëveprim


Nëse asgjë tjetër, nga leximi i këtij libri, s’paku lexuesi mund ta kuptoj se po vjen një emër i ri në botën e letrave, si një arkeolog që nuk ndalon së gërmuari shtatë palë dheu për të sjellur mes nesh të gjallë të kaluarën, thesarin, të ngritura mbi traditën e lashtë kulturore të popullit. Siç duket, autori duhet të ketë gjurmuar gjatë në thesarin e pafund, në doket, zakonet dhe traditat kulturore, për të kapur deri në imtësira çdo veprim, pjesë jete, rite të ndryshme, të ruajtura në brezni që nga lashtësia pagane, që ta sjell një imazh të lashtësisë duke e gërshetuar me kohën e tashme, që e bën më të dëshiruar për lexuesin, falë aftësisë së të rrëfyerit me gjuhën e njeriut të trevës së tij. Kjo bën të kuptojmë se autori është, përveç krijues i sprovuar, edhe njohës dhe kultivues i përkushtuar i tradicionales, pasqyrues i kujdesshëm i karakterit të burrit, të veprimtarit apo njeriut me ndikim të kohës, që s’bashku e përbëjnë njeriun e asaj treve, ku është përqëndruar gjithë elementi narrativ. Autoktonia e mveshur me frymën e artit të të shprehurit dhe komunikimit me gjuhën e personazhit, duke ruajtur me shumë kujdes interpretimin e dokeve, traditave, vlerave kulturore në prozën tregimtare të Ramë Oracës, e bëjnë edhe më të pranueshme nga receptori dhe, emocionalisht më të dëshiruar këtë prodhimtari letrare me petk nga trevat e malësisë.

Gjuha e çiltër dhe komunikimi spontan përmes personazhit, apo në relacionin autor– lexues, e bëjnë më të dëshiruar këtë tufë tregimesh, që herë vijnë të shprehura në frymën e anekdotave të letrarizuara, herë si rrëfime për ngjarje e ndodhi nga e kaluara, herën tjetër edhe si rikthim kujtese, prej nga burojnë e bukura dhe tradicionalja, si elemente të pashterrshme në kulturën tonë.

Alegoria, sarkazma, grotesku, shpotitë mes njerëzve, në ndeja burrash, e marifete të tilla odash, e përshkojnë jetën e së kaluarës plot brenga e pasiguri, që me vullnetin e pashuar për një të ardhme më të mirë, e mbanin gjallë ditën dhe e ngrysnin natën, me dashamirësinë për mikun, hallexhiun, udhëtarin e panjohur, që do të ndalonin për një natë në ndonjërën familje, që kishte bërë emër si më e veçuara në fshatrat malore, për t’iu shmangur rreziqeve nga rrugëtimi i pasigurtë viseve të thella malore. Tregimet e Ramë Oracës përshkohen me frymën e filozofisë së popullit, vijnë si rrëfime spontane, të paisura me figuracione, me toponime, pastaj me fjalë të urta, si: “Livadhin e çeltë e kullosin edhe kuajt e tredhtë”, “Cungut mbi krande i shkon flaka për anash”, ”Gomari kur ta ketë harxhuar tërshërën në hambar, ai do të kënaqet dikur edhe me kashtë”, etj. që e bëjnë më joshëse për lexuesin.

Kjo matje në rrafshin horizontal të rrëfimit, dhe me qëndrimin vertikal mbi bazamentin e autoktonisë, ruajnë në kontinuitet pikën e përcaktimit të saktësisë, nga lavjerrësi i ngulitur në begatinë shpirtërore të njeriut tonë të paepur në sprovat dhe epokat e tij.

84 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page