BAMIRËSIA...ISHTE HIJA E TIJ...


Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa e XVI)




Më tregonte një mik...

Në një mbramje vonë, natën e Shën Tomës, Pader Mëshkalla, bashkë me një shok të vetin, mbërrijnë tek një derë e vogël ku banonte Tom Leci. Toma aso kohe ishte i paralizuem dhe jetonte me nanën e vet plakë, e cila me shpirt ndër dhambë mbërrijti me e pritë këte djalë derisa doli prej burgut.

Porsa hapi derën, Pader Meshkalla pau Tomën, që me njenën dorë që mund ta lëvizte, po fërkonte drrasat me tel, ndërsa nana i mbushte ujë dhe i shpërlante ato. Prej derës, Pader Meshkalla menjëherë, me zâ pak të naltë, i tha: “Mjaft, Tomë, mos vazhdo, ndërsa, ti nanë ulu aty!”. Nana u ul në një karrigë aty afër, ndërsa në tjetren urdhnoi me u ulë Toma. Ai vetë u ul tek një stol i vogël dhe hoqi këpucët, çveshi çorapët, shpërvjeli pantallonat, mori telin dhe ia dha shokut të vet që ishte ma i ri në moshë, ndërsa Ai vetë, e mori rragun dhe me té fshinte drrasat që lanin, mbasi thithte ujin delte në krye të sokakut dhe shtrydhte rragun... Aty nga mesnata shtëpia e Tomës ishte e gatëshme me pritë vizitat e ditës së emnit...