
Baltë nëne
Tregim
“Nuk gërmohet ashtu!” – u ndje zëri që erdhi në veshët e saj, disi i qetë, i butë, por tejet këshillues.
“Ju?” – pyeti ajo, - “Ju këtu?”
“Po habiteni?”
“Natyrisht që habia është një anë, por tjetra është më shumë një kërshëri për prezencën tuaj këtu, pikërisht këtu në këtë livadh, ku e gjitha është e sheshtë, me vetëm këtë kuriznajë të vogël në anë të saj.”
“E ndjej, se duhet të të shuaj habinë. Por kërshërinë kemi kohë ta shuajmë bashkë. Habia…, ah habia. Ajo shkon si ndonjë varg, e mbetet ende mjaft larg. Mendja e etërve tanë vazhdon të më mahnisë. Ata ishin luftëtarë të lirisë. Ata e bënë Tokën të prodhojë, të mbajë jetë, ama edhe të marë jetë. Ata na dhanë këtë vend magjik. Ata gjithashtu ishin “Ata”, që është konfuz me udhën e tyre. Si mund të kishte kjo tokë burra të tillë të shkëlqyeshëm, që luftuan vetëm të siguronin lirinë e tyre, por jo gratë e tyre …? Ne i shohim jo pak herë nënat në ëndrra. Jo pak…, ato janë në lotë, pikërisht nga kjo udhë e largët, e dhimbshme, e zbrazët. Ndaj jam këtu.”
“Bashkë, bashkë thatë?!” – foli vajza, dhe vetëm atëherë ktheu sytë të shikonte pikërisht atë që e prodhonte atë zë.
“Bashkë, pra kështu e thashë. Bashkë!”
“Pra unë do të duhet të bindem në të ftohtën e kësaj jete, të flasë e të mërmërisë në akull, me mishra të vesët mëngjesesh të lagura, e të murgët netësh të gjata, e të arvallisem në enigma baltrash të pjekura, të mbuluara me llustër nga sipër…, pra …?”.
“E saktë. Nuk mund të gaboje. Jo më kot je e përzgjedhura e parë.”
“E kuptoj këtë shaka, por nuk mund ta zbërthej, a mund të më ndihmoni?”
“Nuk ka enigmë. Është vetëm një ligjësi. Do ta shkruajmë me veshë e do ta korrigjojmë me sy.”
“Tani e kuptova. Pra nuk do të shkruhet kurrë. Do të jetë vetëm një…”
“Sidoqoftë, do të jetë! Ju sapo e keni nisur provën e parë. Ndaj duhet patjetër nga ai dhé, nga ai dhé duhet bërë Ajo…, nga ajo baltë.”
“E vërtet, e radhë. Do të duhej ta kuptoja këtë gjë ndoshta më parë. Ndoshta qëkur isha atje në Tiranë. Po atëherë, leksionet tona u bënë copa-copa. Ishte e atillë koha. Ju e dini apo jo?”
“E di. Po koha është kohë. Dhe, njeriu është njeri. Ashtu sikurse dhe balta është baltë, por jo gjithnjë të gjitha shkojnë dhe kuptohen bashkë. Ndonjëherë të gjitha veç e veç kanë më shumë vlerë. Ja në këtë rast, ti nuk po merr vetëm dhé të bësh baltë…, por dhe të krijosh modelin e parë …, nejse do ta kuptosh vetë, edhe pse nuk do të jetë aq e lehtë.”
“Modelin e parë? E di që mbeta duke nëshkruar femrën më të habitur e me shumë pikëpyetje në një bisedë kaq të shkurtër, e di. Ndoshta ngaqë për mua nuk është thjesht një habi. Më parë më folët për baballarët. Tani kemi në sytë tanë korrigjimin e asaj që shkruan veshët, pra e paskemi …, vërtet e paskemi nisur projektin tonë. E, e de, e nuk është e lehtë pra, që ta realizojmë. Kudo ku shkojmë, përtej Kohës ose Ëndrrës, ne takohemi, jo më ngjashmërisht, po aq më shumë si të çuditshëm mes habisë. Gjërat që na befasojnë, kur udhëtojmë, në fakt nuk befasojnë askënd tjetër. E ndaj modeli ynë i parë a do jetë ndonjë befasi?”
“Ne nuk do të bëjmë befasi. E thashë: “Do të shkruajmë me veshë e do të korrigjojmë me sy!” Kjo është ajo që do të na bëjë të realizojmë mrekullisht këtë model.”
“Model? E fundja a nuk ishin ata që të bënë ty nga një model, pikërisht një model, sikurse je vetë këtë herë?”

“Po. Këtu ke të drejtë. Edhe ne bustet kështu vijmë në jetë. Pikërisht kur dikush e ndjen, e pasi tërë mendimin e tij e mjel, fap, merr baltë dhe na bën edhe ne ndonjë model, nga ai model. Por në këtë rast, nuk flasim vetëm për një model të tillë në fjalë, kemi një projekt, një projekt të paparë. Ne jemi një shoqëri e vjetër, që të gjitha i kemi të qartë, jo thjesht si ata, që na skicuan në letër, pastaj na shfrynë e na shtypën në kafazë, kuti, makete, e na ledhatuan si kotele, që të ngjanim si modele nga modelet. Dhe ne mbetëm gojëkyçur. Nuk folëm.”
“Pse flasin bustet? Flasin statujat? Flasin …”
“Këtu me siguri vlerësimi i pedagogëve të Tiranës do të ishte mjaft dobët. E di, që e ke si pjesë të habisë, se ndryshe si mund të habitesh e të pyesësh se “a flasim ne?”
“Jo, por e kisha…”
“E kuptoj, se e korrigjova me sy.”
“Dhe e shkruajte me veshë, se e di që shkolla pra… “
“Le të vazhdojmë atëherë. Na duhet korrigjuar kjo metodë, duhet dhé më i fortë, pikërisht nga ky vend, nga kjo tokë.”
Kur u vizatuan në sytë e Rinës, lëvizjet e perdeve të dhomës së saj të gjumit, nga dritarja e mbushur me avull, livadhi kishte vizitorët e parë të ditës. Cicërrimat e tyre ishin një shfaqje e zakonshme larg duartrokitjeve njerëzore, edhe pse konkursi i tyre ishte vërtet një magji, që duhej jo thjesht të ndjente peshën e forcën e duarve të njeriut, por edhe tërë botën e tyre që duhej si një model …
“Model? Nuk e di pse duhej të citoja pikërisht këtë fjalë? Ndoshta nga…, ah projekti” – foli Rina me vete dhe u ngrit menjëherë, duke u afruar më shumë nga dritarja, aty ku donte të ndjente e ndjente gjithë atë garë të paparë.
“Po. Model.” – iu vërvit në veshë zëri që nuk i ishte ndarë thuajse gjithë natën. Dhe pastaj fshiu sytë. Nuk e besonte që busti ishte aty, ishte i prekshëm, i ndjeshëm, ishte madje lëvizëz. Iu drejtua dhe buzëqeshi.
“Më në fund u dakordësuam?”
“Si të të quaj?”
“Nëse më jepni një makinë shkrimi dhe unë jam duke kaluar një ditë të mirë, unë mund të shkruaj një skenë që do të habisë akoma më shumë ndjesinë tënde. Kjo ndoshta do t’i bëjë sytë e tu të qeshin, ndoshta do t’i bëjë të qajnë, kjo do të ketë një ndikim emocional ndaj asaj që do të ndjehet. Nuk kushton shumë për ta bërë atë. Ndaj dhe për emrin, është njësoj, ja ta zëmë e themi bashkë: “Femër mishftohtë nga balta!”
“Atëherë le ta quajmë… le të themi “Baltë Femër. Unë do ta quaj “Baltë Nëne”. Nuk e di pse, por ti kështu je sjellë me mua këto ditë, sikur… Nënat janë si zamkë. Edhe kur nuk mund t’i shohësh, ata ende bëjnë të pamundurën që edukojnë fëmijët e tyre, sidomos vajzat.”
“Më vjen mirë. E… pra …”.
“E di, ka shumë punë për të bërë. Dhe kështu, madje edhe gratë kudo do të na udhëheqin. Kështu që unë them, na befasoni me gjeniun që ndodhet brenda të ftohtës suaj, që më ngjan si një prush i ndezur. Na frymëzoni me mendimin tuaj. Pra, sikur na mësoni e na thoni vetëm me sy, punoni kaq bukur, kaq mirë, sikurse kemi kohë që kemi punuar kaq afër me njëra-tjetrën. E pastaj, të durojmë mundimet, polemikat.”
“Mos më bëj të … E dija se do të kishte polemika në lidhje me këtë projekt midis njerëzve të mbarë dhe njerëzve me mendje të ngecur diku larg, por kjo mbetet e pashmangshme. Do ta dish? Ajo që më habiti dhe vazhdon të më mahnisë është polemika e fortë, që shpërtheu shumë herët midis vetë angazhuesve të tillë, në të gjitha pikat ku jemi vendosur ne bustet, statujat, monumentet, fasadat. Kjo u mbyll kur u tha, se shkurton në çdo linjë emërtuese dhe ….”

“Pse? Nuk …, është një linjë e tillë?”
“Si, pse? Burrat, pra ata “trimat” e atillë ikin, shuhen dhe varrosen me ndere, edhe kur mijëra herë i janë larguar çdo vlere, kur e ndotin shtratin e një femre, kur trazojnë zemra e sy, kur tradhëtojnë e bëjnë marrëzi, kur…, kjo është një paturpësi në pafundësi. Por, kur një femër, një vajzë, një grua, një nënë, ka ikur thjesht nga një fjalë, nga një pëllëmbë…, atë e ka quajtur çdo burrë me një gjuhë të ulët, se ajo është “kurvë”. Pra, a nuk u ka shkurtuar atyre çdo linjë emërtuese? Kjo u jep atyre autoritet në sallat ku janë vetëm duartrokitjet e hallexhinjve? Këta janë hijet…”
“Drita që rrezaton nga koha e momenteve të mëdha nuk mund të zbehet kurrë, sepse ekzistenca njerëzore harrohet përgjithmonë nga njeriu dhe kështu, zbulimet e tilla, edhe pse janë me mish të ftohtë, sado të vjetra të jenë, nuk do të pushojnë kurrë së mahnituri.”
“Le ta vazhdojmë. Le ta bëjmë. Natyra e hapur dhe bujare e grave ka aftësinë të habisë dhe shtyjë kufijtë. Ne mbledhim turma, nënshkruajmë peticione, hedhim kova akulli mbi vetveten, dhe përqafojmë mënyra të reja në lidhje me mjedisin tonë. Koha ka ardhur të flasim, të mos e mbajmë gojën vetëm për … të mos mbesim vetëm mish i akullt.”
Duart e Rinës vazhdonin të trazonin dheun e mbledhur me kujdes në atë livadh. Një dhé i paparë. E ndërsa dhéu i dukej sikur shtypej e gatuhej vetvetiu pa arsyen më të vogël të lodheshin duart e saj të butë, ajo nuk e ndante shikimin nga dritarja. Tashmë dhoma e saj kryente dy apo tre funksione. Midis tyre ishte dhe një dhomë gjumi, dhe një dhomë konferencash, dhe një dhomë studio pune. E donte shumë skulpturën. E donte dhe … gjithnjë do të kishte ëndërruar që bustin e parë t’ia bënte nënën së saj. Nënës së saj? Po ajo ndoshta …, ndoshta vërtet kishte ikur larg. Ndoshta ai vit, ajo kohë e kishte djegur si ndonjë zjarr, tërë atë dashuri të saj. E ku ta dinte. Kështu ishte munduar të fshinte nga dhimbja e saj edhe kujtimet për nënën. Vetëm aq dinte sa i kishin treguar: “Nëna juaj është larguar…”. E atë kohë kush guxonte të hapte gojën e të pyeste.
Por ndërsa duart vazhdonin të gatuan e të hidhnin në atë kallëp baltën e rrahur me duar, sytë e saj u ndjenë të lodhur. Kllapia e kishte lënë disa minuta në dremitje. E më pas ç’të shihte! Balta kishte dalë nga moketi dhe ashtu sikurse e kishte gdhendur ideja, dora dhe mendja e saj ishte ulur me atë “Baltë nëne” pranë e pranë. I ndjente të buzëqeshnin bashkë. I ndjente teksa bëheshin bashkë sup më sup, e shkriheshin pa ndjerë në një trup. Dhe … vetëm atëherë “Baltë nëne” foli ngadalë e ngadalë: “E sheh, e sheh se e drejta nuk harrohet kurrë, kjo nëna jote nuk ishte kurvë! Ajo e deshi një burrë, dhe ajo u vra atë vit, atë natë, e u varros atje në atë livadh, nga po ai … burrë me nam, ndaj asnjëherë nuk arrin të më habisë se sa lirë mund të fshihet nga kjo jetë një femër nga një sharlatan..., nga një bust.”
Tregim simbol. I shkruar bukur artistikisht dhe plot emocione.
Urime
Myslim Maska
Thani Naqo: Të përshëndes, Fatmir. Tregimin e lexova, Baltë nëne. Tregim simbolist, mendoj i tillë është, por dhe i gërshetuar me filozofinë, mitin dhe realitetin.
Eshte kohe kur Mendja shkon tek ndjesia se bustet dhe...asgje tjeter nuk duhej bere prej balte, qe Nuk kishte model balten ne duar nenash...