Baladat nuk kanë kohë për të vdekur


Baladat nuk kanë kohë për të vdekur

…ose.“Kënga e Dhoqinës” variant i Labërisë.


Nga Timo Mërkuri


II- “Kënga e Dhoqinës” egziston dhe në variantin e Labërisë[1], madje në këtë variant është në një këngë me 117 vargje, e cila ka si “trung” tekstin e variantit prej 50 vargjesh, mbi të cilin janë “shartuar” dhe kanë “mbirë” filiza, që e rritin dhe zgjerojnë “kurorën” e saj. Mund të mos ndaleshim te ky variant, porn a detyron fakti që ka disa ndryshime specifike me variantin e Hoshtevës, ndryshime që ja vlen ti citojmë.

-Të dy variantet e “Kënga e Dhoqinës” e kanë mallëkimin e nënës mbi varrin e Kostandinit, por ndërsa varianti i Hoshtevës nuk e citon dhënien dhe shkeljen e “besës” si shkak lëvizës të baladës, varianti i Labërisë e thekson “me zë të lartë” “besën”si shkak të mallkimit të nënës dhe këtë mallëkim si shkak për ringjalljen e Kostandinit. Kjo ndodh te vargjet … ”Kostandin çtë të thotë nëna?/Po tani që mu bë gjëma,/Ku është besa që më dhe?/ Dhoqinën ti, ku ma ke?”. Po kështu, me “zë të lartë” citohet edhe ringjallja e Kostandinit te vargjet.. “U ngris dita erdh akshami/ Kostandini u ngrit nga varri/Gur i varrit ju bë kale/Dheu i varrit ju bë shale” duke aritur në një afëri vargjesh, arti dhe ideje të dy varianteve te vargjet e fundit, ku te varianti i Labërisë këndohet: ”Nëna hapi derën/Sheh Dhoqinën vetëm../ Tek u puthnë e u ngalasnë../-Që të dia në vënt plasnë...”, përkundër vargjeve “Një në prag e një në derë/Plasnë si qelqe me verë” që ka variant i parë..

Te variant arbëresh “Doruntina” kemi vargun e dhënies së “besës” .“Dza ti besën, zonja mëmë; /Kur t’e duash Doruntinën,/nëse ti për gaz e dafshe”, dhe momenti i mallëkimit që shprehet …” tha tri herë: - o biri i jim!/Tha tri herë: - O Kostantin!…/Kostantin, o birthi i jim / ku isht besa çë më dhe?/Vdikje, e vate edhe nën dhe”, po kështu te “Kënga e Halil Garrisë” kemi vargjet klithmë “T’ka xan vori me besë të dhanë/T’pret nji motër, t’pret nji nanë”, duke qënë në këtë mënyrë varianti i Labërisë në unison me variantet themelore shqiptare dhe në tejkalim të variantit të parë ( të Hoshtevës)..

III -Te variant i Labërisë na bie në sy prania e dialogut motër-vëlla mbi këngën e zogjve, si element i fortë i baladës, e cila te varianti i parë (Hoshtëvë) paraqitet shkurt me vargjet: “Zoqtë udhës, seç po thoshin:/“Cili – viu, viu-viu,/Kush ia bën, ia bën vetiu,/Keni parë a s’keni parë!/ Shkon një zogëz bishtbardhë,/I vdekuri me të gjallë”, ndërkohë që te varianti i Labërisë paraqitet me një gjatësi më të madhe vargjesh dhe me një ritmikë që tingëllon si rumune e bullgare.. Udhësë tek shkonin/Te pemët dëgjonin/Zogjtë që cicëronin/ Ciliviu, ciliviu ... / Kini parë a skini pare/ Di veta hipur mbi kale/-Shkon i vdekuri me të gjallë../Çkanë zogjtë që këndojnë/ Çjanë ato fjalë që thonë/O Kostë vëllai./Zogj janë, le të këndojnë./Si të duan le të thonë/Moj Dhoqinë motra”.