
Amaneti i dajo Selmanit
Nga Albert Habazaj
Më ngeci fjala në fyt,
Kur Ponja më shkroi sot...
Dajo, Amaneti yt,
Po shkruhet dy herë me lot.
Dajo, deshe lamturimën
Si djalë i nipit ta mbaja,
S’e morëm me mënd mynxyrën,
Kjo është vërtet hataja!
Ah, moj “Coronë” e flamosur!
T’u shoftë fara e farës!
Sot dy herë më ke plagosur,
Për mosmundësinë e Fjalës.
Dajo Selman Karefili,
Selman Karefil Abazi,
Petal i bardhë trëndafili,
Gurrë shprese, burim gazi.
Njeri i mbushur me vlera,
Me mirësi i ngarkuar,
Me shumë virtyte të tjera,
Optimist i frymëzuar.
Dallgësh të përplasi jeta,
Që filiz, në gjelbërim,
Dhe i thjeshtë si e vërteta,
Dinjitoz në Udhëtim.
Nuk e njohe fjalën mburrje,
Të dukej e huaj shumë
Në karakter s’pate tkurrje,
Vije bukë nga Ai Brumë.
Brum’ i Ardhur i Tërbaçit,
Fisnikëria gjenetike,
Qe ilaç shkuar ilaçit,
Qe si rrymë elektrike.
Qysh kur ti e nise Udhën,
Qysh kur dole partizan;
Edhe kur ta plasën buzën,
Shkëlqeve si veteran...
Sot s’të bëj biografi,
Do ta shkruaj në gazetë,
Jeta jote - pasuri,
Spaletë morale vërtetë.
Ku e gjete energjinë?
Kur drit’ e syrit të iku?
Ç’hyjni ta dha ty fuqinë?
Halim Xhelua a Besniku.
Ti, oficeri madhor
Bir i Shëngjergjit epik,
More plumb në kraharor,
Nga djal’ i vetëm kjo thikë.
Eduard me ëndrra shumë,
Ike..., meteor i largët,
O dajo, sot qysh fle gjumë,
S’qenë gjë në luftë tri plagët.
Ti ike, po le kujtimet,
Feron trime, katër gocat,
Ato qajnë, të bëjnë nderimet
Shqipja, Lenca, Ilda, Vjollca.
Nuk mundem që të vij unë
Nesër, në përcjelljen tënde,
Qysh erdhi kjo bela punë?!
U shofsh, “Coronë...”, se më çmënde!
Më ngeci fjala në fyt
Kur Ponja më shkroi sot,
Dajo, Amaneti yt
Po shkruhet dy herë me lot.
Albert Rexhep Habazaj
Vlorë, 26.03.2020
Comments