MIRËSIA DHE DASHURIA PËR NJERËZIT NË VARGJET E DAN UKËS
Nga BAJRAM CANAMETI
Dan Uka është një poet që e thur këngën për njerëzit duke lartësuar vlerat e tyre.Këto vlera ai i zbulon përmes një sinqeriteti të çlirët,me një varg të thjeshtë,spontan,pa zbukurime e manierizma të mundimshme stilistikore.
Në qendër të krijimtarisë së tij vihen ngjarje,çaste,prindërit,shokët,miqtë,njerëzit që i njeh dhe i do, sakaq, ai objektivizon poetikisht një botë që njeh dhe këtë botë kërkon ta transmetojë me vargje.I mbledh miqtë e njerëzit që do dhe i përshëndet me vargjet e tij dhe nuk ka më bukur,sot, kur fjalët e vrazhda të shprehjes me nivel të ulët janë bërë shumë dhe vërshojnë nga burimi i tyre i hapur me mllefe,strese,inate e smira të panevojshme.
Dan Uka,si çdo poet,ndonëse del me librin e parë,sikur kërkon ta qetësojë këtë atmosferë të rënduar dhe të bjerë ose të kthejë vëmendjen e njerëzve drejt diçkaje më të bukur,më të pastër dhe kështu ai e realizon një mision të tij prej poeti të sinqertë dhe me një botë të madhe e fisnike.
Para ca ditësh ,u mblodhëm ne anëtarët e klubit letrar”Pjetër Budi” në Burrel dhe promovuam librin e tij.Ishte një festë e sinqeritetit dhe e bukurisë së fjalës,sepse Dan Uka fjalën e ka të hapur,të drejtpërdrejtë dhe burrërore dhe nuk është rastësi që ai u këndon njerëzve,sepse kënga për njeriun është kryemotivi i poezisë.
Poeti shprehet:
Në shpirt të kisha,e përherë më del në mend
Për të shkruar për këtë vend,
Ky vend i bukur,verë e shend
Ëndrrave të pasosura rend e rend…
Është pikërisht Selixa e Matit,vendlindja e tij,është natyra,luginat,kodrat,stinët që përbëjnë mozaikun motivor të poezive të tij,por jo vetëm këto,është Kosova,UÇK,heronjtë e saj që e inspirojnë poetin dhe e shtyjnë natyrshëm drejt thurjes së vargut e shprehjes së tij me njomështinë e shpirtit.
Prandaj poezia e tij lexohet si një ligjërim i çiltër,si një bisedë e lirë,transparente e plot ndjesi të thjeshta me zemër në dorë .Kjo poezi pretendon të shprehurin e tillë, edhe pse herë –herë thjeshtësia e tepërt e dëmton,por unë kam besim që në vëllimin e dytë Dan Uka do ketë një rritje tjetër,një cilësi edhe më të lartë.
Njerëzit për të cilët këndon janë njerëzit e punës,punëtorët e thjeshtë dhe malësorët me tradita,qytetari i sotëm që nuk i ka humbur ato dhe ka fituar edhe vlera të reja modern, si rezultat i lidhjes me botën e me jetën,sepse për poetin”për miq e shokë pena nuk ndalet”,” këndohet e ndizen mendimet si gjerdan prej ari/vetëm kur shkëlqen e ndrit besa e shqiptarit”.
Përgjithësisht,poezia e Dan Ukës është rrëfimtare, ku figura bazë është krahasimi,por kjo nuk e ka humbur karakterin e saj lirik që është në substancë të mendimit dhe në përbërje të ndjenjës.Ngjarja dhe fabula tek ai bëhet nxitëse për të shprehur ndjesi,ku misioni i këtij poeti nuk është të pozojë,por të japë e të sendërtojë poetikisht vlerat e njerëzve.
Comments