top of page

Bajlozi i frikshëm 1)


Viron Kona

Mbyllur në shtëpitë-karantinë rrimë, mendojmë,

për ditët që ikin e për t`pasigurtat ku shkojmë,

në shoqërinë e pareshtur t`cicërimave t`zogjve,

sirenave t`policisë e ambulancave që gulçojnë.

Medijet na bombardojnë non - stop pareshtur,

virusi i zi përhapet dhunshëm si muzikë horor,

jeta njerëzore e rruzulli tokësor po tronditen,

na mban fort n`kthetra bajlozi i zi me kurorë.2).

Zemërohemi pareshtur që s`po e mundim dot,

këtë të paudhë, të paburrë dhe armik tinëzar,

ç`na duhen armët atomike,raketat hapësinore,

kur s`bëjmë dot zap këtë korona virus zuzar!?

Mblidhemi,strukemi familjarë, të rritur, fëmijë,

pranë njëri-tjetrit në shtëpitë tona - karantinë,

t`kapur fort nga mankthet çdo natë e çdo ditë,

shpresojmë jetën, por përfytyrojmë tragjedinë.

Çdo zbulim shkencor është si një yll në errësirë,

na ngjall shpresë se ilaçin e duhur po zbulojmë,

por lajmet kaotike kundërshtojnë njëri - tjetrin,

me telekomanda n`duar stacione jete kërkojmë.

Humbja e besimit s`po na ndihmon për asgjë,

veçse na mjegullon keq të ardhmen që na pret,

ndaj, mblidhuni o të ditur t`gjithë botës mbarë,

ta shporrim nga globi këtë xhelat që po na vret!

T`u kthejmë buzqeshjen fytyrave njerëzore,

të thithim me tërë forcën e mushkrive lirinë,

të ngrihemi së bashku kundër bajlozit të zi,

ta prangosim shpejt në muzeun -karantinë.

-----------------

1).Bajloz (Baloz). Figurë mitologjike e rapsodive popullore që përfaqëson një rrezik, një vigan të keq, herë-herë edhe përbindësh.

2). Koronavirus ose “virusi me kurorë” është një nga dhjetëra viruse, që shkaktojnë gripin dhe infeksione të rrugëve të frymëmarrjes. Simptomat kryesore janë: lodhje dhe dobësi e përgjithshme, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, dhimbje koke, kollë, temperaturë e lartë dhe ethe. Prekja nga këto lloj virusesh mund të shkaktojë probleme serioze kryesisht te moshat e vjetra dhe te pacientë me imunitet të dobët.

55 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page