top of page

„Bahçeja me fiq“ e Fatmir Terziut



(ese)


Nga Përparim Hysi


Parabol


Mësuesja, ngaqë kam punuar mbi dyzet vjet në arsim, më ka lënë me një "cen". Gjithmonë, kur flas, me dikë në tavolinë do t'i përqasë një shembull analog. E kanë vënë re këtë "cen" timin, por mua nuk më lë "thirrja e lashtë e gjakut": ma bëni hallall, - u them shokëve, - por pa shembull nuk më kuptojnë nxënësit. Siç e shihni, flas për një "bahçe me fiq" dhe këtë "bahçe" po e bëj si pronë të Fatmir Terziut.

* * *

Këtë "bahçe me fiq" e kam njohur rastësisht, këtu e pesëdhjetë vjet më parë. Kisha dalë për makinë të rastit tek Kombinati "Stalin" në Tiranë, aty pragviteve '70-të të shekullit tjetër (atëherë udhëtoja nga Ndroqi), për t'u kthyer në Fier, ku dhe jetoja. Qe fundgushti dhe tek po prisja me shpresë, i vura dorën një veture (më pas e pashë që ishte nga ato "TD", që fare kollaj mund të gjeje belanë) që, për çudi, qëndroi mu tek këmbët e mia. Qe vetëm shoferi dhe vërtet që u kapërdisa si maçoku në thekër, por dhe hija e frikës, sikur po zgjatej mbi kokën time. Këtë siklet ma hoqi shoferi, që ishte jo vetëm një tip gazmor, por dhe këngëtar i madh. M'u bë rruga sikur shkelja mbi mëndafsh dhe shoferi u çudit që unë nuk dija asnjë prej atyre këngëve. Të gjitha këngë të Shqipërisë së Mesme dhe disa syresh nuk i kisha dëgjuar as në radio.

"Ç'ke,moj Fiti, që po qan? /Vrava kambën në dyqan... ose" Hiqu, Faje, se nuk kam punë me ty/Pa ma nxirrJakupin/sa ta shoh me sy... " Të kisha pas njëdjalë si MEMA/paç me i hy vezirit brena/. Nuk pushonte, më tha se nuk merrte pasagjerë, por kot më mori mua. Shkurt vaj po shkonte rruga dhe, sa lamë Kavajën, buzë xhades shohim një vajzë aty nja 15-vjeç që zgjati dorën.

Ou,- bëri shoferi.- ça do ketë bërë vaki, që një vajzë e rritme të dalë e vetme e të kërkoj makinë.

Shoferi frenoi dhe i tha:- Ku do të vesh?

Askund,- tha vajza, gati kokëulur.

Po pse më vure dorën?- ripyeti shoferi.

- Këtu,- tha vajza,- më ka qit baba dhe më ka porosit:- Kthehu, ha fiq se më rreh baba!!! Shoferi gajasi dhe, pasi u kthye nga unë,- tha:- A e ndjen? A s'ka ra kismeti nga qielli? Zbrit,- më tha,- se do kënaqemi me fiq.

Mik,- i thashë,- ty fiqtë të të bëjnë mirë, por unë jam nga vendi i fiqve dhe rrushit "Hafëz Ali",se jetoj në Mbrostar-Ura të Fierit (atëherë fshati im qe sektor ferme). Zbriti shoferi dhe erdhi, pas pak, me një arkë plot me fiq. Tërë rrugës, veç këngës, uronte baban e çupës (hoxhë i atyre anëve) që e lëshonte bahçenë për sevap. Natyrisht, ngjarja m'u ngulit dhe shkrova tregimin "Ktheu ha fiq, se më rreh baba!!!".

* * *

Gjithmonë e kujtoj atë akt aq human të atij kleriku në rrethinat e Kavajës dhe ja përqasja. Vjen vetvetiu: kthehem tek "Fjala e Lirë" që boton dhe publikon Fatmir Terziu në Londër. A nuk është një "bahçe e madhe plot me fiq" ku shtrohen dhe "hanë" vendçe krijues të të gjithë fushave të letërsisë nga të katër anët e Globit? Sa për vete, kësaj"bahçeje" i kam nxjerrë ujtë e zi dhe i zoti, Fatmir Terziu, kurrë nuk mërzit me difektet teknike, tek i përcjell shkrimet e mia.

Anologjitë kurrë nuk janë të qëlluara, por mendoj se nuk kam gabuar në shenjë. Duke qenë se jam një nga ata, që kam ngrënë më shumë "fiq" tek kjo bahçe, nuk më mbetet që t'i uroj:- Vetëm suksese në krijimtarinë shumëplanëshe të tij dhe "bahçeja jo vetëm që rritet nga viti në vit, por është "plot fiq", që mund të hahen në çdo kohë.

Tiranë, 2 shkurt 2021

69 views3 comments

3 Comments


Merita Arapi

Rrefenje shume e bukur.

Like

Minush Hoxha

Jo që analogjia nuk është e qëlluar, por e stërqelluar dhe e bukur. Pikërisht y. Terziu është babai e Fjala e lirë goca që e drejton babai dhe kënaqen me fiqin që ofron jo nga mëshira por nga qëllimi i shenjt. Aferim për këte rrëfim shumë të qëlluar, këte analogji të mrrekullueshme. Respekt. z. Hysi.

Like

Thani Naqo

Po ku je o Papi, o rrëfenjëtar klasik!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page