Jam munduar që hera -herës të shkruaj kujtime,meditime,ngjarje apo bëma të adoleshcës sime e cila për vetë natyrën që kam pasur si “çamarok i rebeluar” krijonte probleme në çdo mjedis ku jetoja e qëndroja,në shkollë në fshat në ushtri në sport.
Kam qënë fëmijë rebel,zhurmues,ngacmues,ironizues i padisiplinuar dhe më e keqja vazhdimisht ngelës në vjeshtë.
Gjithmone i veshur mirë dhe i paster,i krehur bukur, i lustruar “gjëmb”, siç isha dhe i dashur e i edukuar, dmth dhe vese plot, por dhe virtyte me plot..
Isha nje sportist i mirë, një talent ne recitim, bëja pak pikturë apo luaja ne teatër. Hartimet i bëja të bukura.
Gjithmonë si autor “personazh”, më pëlqen të shkruaj në vetën e parë se pohoj që çdo histori do të ketë vërtetësinë e saj,se mosha që jam duke i shkruar këto kujtime thotë vetëm të vërtetën e jo ndryshe.
Në romanin tim “Joana”, kam radhitur kronologjikisht vitet e mija nga adoleshenca e deri sa u ktheva nga ushtria. Këtë radhë jo “aguridhe”, por i pjekur totalisht e model në sjellje e shoqëri. Ushtria ishte shkolla më e madhe e jetës sime.
Ndër bëmat që kujtova këtë verë ishte, kur rastësisht takova një shoqe klase, pse jo dhe bange. Kisha gati 65 vite që s’e kisha parë kurrë.
Kisha dëgjuar se kishte mbaruar shkollën e lartë për mësuesi dhe ishte një mësimdhënëse shumë e zonja.Metodiste e talentuar.
Natyrisht kishte krijuar familje dhe ishte një zonjë e nderuar.
Ecja qetë -qetë, në shëtitoren e bukur ndërtuar kohët e fundit buzë detit me time shoqe për krahu. Ishte një mbrëmje e bukur. Flladi i detit mbas asaj vape korriku të sillte ndjesira rinore. Perëndimi në bregdet ishte relaksues. Disku i kuq i diellit qe dukej sikur po fundosej në det, e kishte bëre hapesirën qiellore të përflakur.
Në turmat e kalimtareve,as e mendoja kurrë se përpara nesh me disa familjarë,do më delte para një zonjë që as e mbaja mënd, as e njihja. Na zuri rrugën bashkë me njerëzit e saj e më thërret në emër.
-Më falni, ju jeni …?
-Po,- i them ,- unë jam .
Ime shoqe mbajti këmbët e befasuar, nga habija ime. Unë ia ngula sytë i hutuar dhe po mundohesha te kujtoja diçka nga e kaluara. Ky portret për momentin nuk po më thoshte gjë.
Aty për aty nga zëri si në ëndërr diçka m’u kujtua, por s’isha i sigurt.U dhashë dorën dhe atyre që e shoqëronin dhe me humor i thashë :
-Po ju njoh, si jo , mbas 65 vjetësh ….Ju jeni zonja …(ngeca per disa sekonda pa ia permëndur qëllimisht emrin)
Zonja buzëqeshi dhe duke parë lëkundjen time,më thotë me pak si “kunjë” (se dhe ajo ne femini ishte ngacmuese):
- Jo nuk më njeh hiç,më vjen keq,mosha paska bërë të vetën…
E mblodha veten dhe menjëhere i thashë:
-Jo vetem që ju njoh mire, por ju më keni edhe një borxh të vogël e simbolik.
Për një moment si ime shoqe si njerezit e saj, mbesa me të shoqin hapën sytë.
-Po Po ..me keni një borxh të vogël. Më ktheni “ spillën time me kokë të madhe”,- i thashë.
Qeshëm me të madhe. U prezantuam. Upërqafuam dhe të gjithë turmë u ulëm në një tavernë të kosumonin ndonjë kafe të ftohtë me çokollatë a ndonjë gjë tjetër sipas dëshirës.
*******
SPILLA
Klasa jonë përbëhej nga 36 nxënës; 27 vajza dhe 9 djem. Nga këto vajza , 20 ishin konviktore e 7 qytetare, djemtë 7 konviktorë e dy ishin të jashtëm dmth qytetarë.
Në fillimet e njohjes të gjithë vinim si të drojtur me njëri- tjetrin. Ne konviktorët që vinim nga fshatrat, u miqësuam me njëri -tjetrin shumë shpejt,se hanim në një mencë dhe në fjetore dhomat i kishim afër.
Në studim, çdo mbas dite, e ne daljet ne qytet dilnim te organizuar apo në ndonjë aktivitet sërish bashkë.
Të gjithë po thuaj i kishin vënë detyrë vetes të mësonin e të studionin për t’ia arritur qëllimit. Të nderonin veten, familjet dhe të beheshin edukatorë te devotshëm të brezit të ri, duke marë profesionin e nderuar e të shënjtë të mesuesit.
Ndoshta dhe unë për atë qëllim kisha vajtur,por me thënë të drejtën nuk ia arrita dot dhe sot e perjetoj keq ngërçin e mos suksesit tim në atë shkollë aq të dashur me ata mesues e personel fantastik, apo me atë shoqëri e miqësi brilante .
Siç duket më kishte mallkuar zoti,duke më dhënë disa veti apo vese që më rënduan më pas.
Isha “thyes” i përhershëm i disiplinës e i rregullit të konviktit.
(Dilja e hyja pa leje,ikja nga studimi e mësimi,nëpër kinematë e qytetit apo këndet sportive)
U bënë dhjetra mbledhje e dhjetra këshillime që unë të hiqja dorë nga prapësitë e t’i nënshtrohesha rregullit dhe disiplinës si gjithë të tjerët. Kishte disa muaj që në shkollë u bë problem fakti se po qarkullonte një “spillë” që bënte çudira.
Sa herë fikeshin qëllimisht dritat në mencë,dikush kryesisht nga vajzat ulërinte se nga pas i ishte ngulur një majë spille,qofshin këta edhe djem.
Po njësoj dhe në kinemanë e qytetit, kur shtyheshim për bileta, por edhe në ato mbledhje apo aktivitete të konviktit,apo në ngjitjen turmë të klasave tek shkallët e shumta të kateve ku ndriçimi ishte i dobet. Hera -herës dikush do ulërinte, pa pritmas.
Shpesh here dilte nga ulurimat “spilla magjike” dhe për shume kohë nuk gjëndej përdoruesi i saj. U bënë dhjetra mbledhje e dhjetra dyshime, te kapej autori,të ndëshkohej e të përjashtohej nga shkolla e konvikti .
Nuk kalonte kohë dhe dëgjohesh sërish britma e ulurima. Kudo në rresht, në guzhinë,aty ku qenë turma , ndodhte e njëjta gjë.Britma dhe ulërima.
Kaluan disa muaj dhe drejtoria,organizata e partisë e rinisë organizonte ballfaqime të shpeshta me nxënës të dyshimtë e problematikë të kapnin autorin. Sigurisht ndër ta isha përherë edhe unë.
O zot,sa luftoja me veten të mbrohesha e të betohesha se nuk do bëja skena të pa pëlqyera kurrë më.
Hera -herës si të dyshimtin e parë, më kontrollonin më rreptë mua që nga,xhepat,çantën,rrobat,këpucët,valixhen,librat fletë më fletë në fjetore nën dyshek a në batanie…çdo herë dilnin bosh.
Drejtoria ne disa raste thirri edhe policinë të kërcënonte “Spillëpërdoruesin”, por pa vënë dot gisht, provat natyrisht mungonin.
Po si thotë populli që shtamba shkon disa herë në krua e në fund thyhet…
Në bangën para nesh ishte një vajzë qytetare nga më të bukurat në shkollë. Ajo nuk ishte konviktore.
Ishte bjondinë,sykaltër, shtatlartë si spartane. Vishej bukur, flokët të verdha të verdha deri në vithje. Sinqerisht ishte e shkëlqyer në mësime, por ishte e “keqe” se nuk ndihmonte njeri, kur ngrihej në dërrase apo të të jepte një kopje, kur ndodheshe keq,gjithmonë bënte indiferenten dhe na përçmonte ne konviktoreve që vinim nga fshati.
Unë shpesh bëja zhurmë në orë të mësimit e shpesh më nxirrnin jashtë nga ora e mësimit. Shpesh më çonin tek drejtori e disa herë më thërrisnin prindët (Ai ishte ndëshkimi më i madh për mua derisa me thyen noten e sjelljes )
Bjondina e mrekullueshme e shkollës sonë PM (që sot nuk jeton më )një ditë u çua në mësim dhe shkelqeu si zakonisht.
Gjatë kohës që ajo shpjegonte mësimin pranë dërrasës zezë,unë u mundova t’i them diçka shoqes sime të bangës duke iu afruar afër, e duke kaluar kufirin e zakonshem“neutral. Ajo si zakonisht përpiqet te largohej sa me larg mua sikur unë të kisha“zgjebe”dhe hera -herës e qortonin edhe mesuesit që të zinte vënd mirë e të mos rrinte shtrëmbër.
Siç duket mesuesi i ndjerë GJS, i vuri re lëvizjet e mia që i afrohesha shoqes së bangës. Thëret me zë të lartë, të rreptë e me ton, i nervozuar.
- Ulu MP,pese. Çohu , ti, Pali!
O zot,plasa nga inati jo pse isha tapë e do merrja dysh e sigurtë (se isha mesuar me dysha),po pse shoqja e banges nuk pranoi t’i flisja diçka , por qëndroi si çdo herë larg meje se mos cikesha sadopak me të.
Siç u çova në dërrasë të zezë,u përpoqa të thoshja diçka,ndërkohë që mesuesi kërkonte nga unë vetëm titullin e mesimit. E pashë veten pisk e të irrituar. Përplasa shkumësin,fshiresen,ashtu plot inat dhe u ula me një dysh të madh në regjistër.
Gjithe inatin e kisha me bjondinën që e shikoja ne sy gjatë qëndrimit në dërrasë se mos mërmëriste diçka te më tregonte a rikujtonte mësimin, që na banga me mimike e me shënja, por sa here unë e shifja në sy , ajo i ulte ata sy theres të kristaltë mbi bangë. U çmënda nga inati. Shume vajza ruheshin nga unë se i bullizoja, i ngacmoja, jo se ishin të gjitha të shkelqyera në mësime e unë i kisha zili,por ishte natyra ime. Herë me donin e simpatizonin e herë më urrenin.
Kur iu drejtova bangës,detyrimisht shoqja më hapi rrugën pak si e frikësuar por duke i ardhur dhe gjynah qe unë mora dysh,të futesha në vëndin tim. Unë isha nga ana e murit, ajo nga ana e koridorit mes bangave.
Seç më hypi një mërzi. Ndërkohë ,profesori pranë dërrasës, komentonte dyshin tim,dhe të qënurit djalë mesuesi…vërr e vërr…se dëgjoja dot.
Sa u ula në bangë u mbështeta afër murit,i mërzitur e kokëulur.
O zot m’u desh të largoja pak floket e bjondinës që kishin rënë para mbi bangën time, ajo që nuk më ndihmoi,ajo që mori pesë….pastaj si i pakujdeshëm më hypi në tru paudhësia ime dhe instiktivisht nxora spillën nga siper veshit tim të djathtë nëpër flokë(aty e mbaja prandaj s’ma gjetën kurrë,kisha flokë te zeza e të bukura atëhere),hapa me kujdes kapakun e bangës,futa pjeserish në pjesën e menteshave flokët e bukura e të gjata të saj,mbylla kapakun dhe poshte në vithjet e saj i ngjesha spillën. Qetë- qetë si i bukuri shejtan, mora qëndrim serioz e mospërfillës.
-Uaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaa,- bërtiti e mjera sa e dëgjoi e gjithë shkolla.
-Petraqi,më shpoi…më shpoiiiii dhe filloi të qante me zë e me ulërimë. O zot u ngrit klasa në këmbë.
-Petraaqqqqqqq,- bërtiti prefesori,- rrugaç, dil përjashta shpejt në drejtori!
Zhurma ishte aq e forte sa nga koridoret erdhën hynë brënda mesues e nxanës pa numur
Unë protestova,nuk bera gjë prefesor, asaj prefesor i ngelen floket pa dashur në kapakun e bangës time dhe kur u zgjat i kërciti zverku,nuk bëra gjë.
- Jo, më shpoveee , me shpovee !Ti më shpove.
- Joooooo ,-gërthita unë më fortë se ajo.
Epilog:
Ngjarja ështe e jetuar dhe më se e vertete. Spilla që unë në çast nxora nga sipër veshit e kur PM-ja(e mrekullueshmja dhe e pafajshmja ) ulëriti,unë e hodha spillën në çantën e shoqes së bangës e cila ishte hapur ne kufirin ndarës ne zonën neutrale. Shoqja ime as e pa fare.
Më kontrolluan në drejtori,në çdo cep; në xhepa të xhupit tim lëkure,në çantë e kudo.
Spilla “magjike” nuk u gjënd.
Më perjashtuan 15 ditë nga shkolla dhe konvikti e më thanë te sjell prindërit.(Pa prova)
Shoqja ime e bangës më pas e gjeti spillën me kokë te madhe në çantën e saj. Ajo kurrë nuk e përmëndi,por më pas kur unë mbarova dënimin 15 ditor i përjashtuar, ajo “e përdorte” hera -herës si armë të ftohtë kundër meje, kur kaloja “zonën neutrale” të bangës e kur si adoleshent që isha përpiqesha sadopak të cikesha afër saj. Vitin tjetër unë u rrëzova dhe në vjeshte…e nuk u takuam për dekada vjet.
Në prag dimri ika ushtar.
_____
-Kthema “spillën” të lutem,-i thashë plot humor. Respekt e mirënjohje qe nuk më denoncoi ne atë kohë plot turbulenca feminore. Ndërkohë që po rufisnim kafen e ftohtë me çokollatë buzë detit së bashku,duke qeshur e bërë shaka,shpalosëm dhe udhet e jetës së gjithsecilit.
Një mbremje famoze,me nje zonje mbas 65 vitesh.
USA, 8 .01.2024
pJp
Comments