top of page

AVNI ALCANI: MASKAT ANTIKE TË KISHËS SË LIBOFSHËS


AVNI ALCANI: MASKAT ANTIKE TË KISHËS SË LIBOFSHËS

 

Restaurator

 

      Gjatë viteve 2004-2012 bëja pjesë në Projektin arkeologjik shqiptaro-gjerman: “Teatri i Apollonisë”, për restaurimin e objekteve arkeologjike, të gjetjeve më të reja të zbuluara në teatrin antik të Apollonisë.

      Në tetor të vitit 2010 një pjesë e ekipit, ku bëja pjesë edhe unë, shkuam në kishën e fshatit Libofshë të Fierit, për restaurimin e dy maskave antike prej guri. Informacioni për vendodhjen e dy maskave antike në kishën e Libofshës ishte marrë nga libri “Kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi” (Tiranë, 2003), i dy autorëve austriakë, Kamilo Prashniker dhe Arnold Shober. Gjatë Luftës së Parë Botërore dy arkeologët austriakë kishin vizituar kishën e Libofshës në Fier, në të cilën ndodheshin dy maska aktorësh të murosura në murin e jashtëm të saj. Kisha ndodhej rreth 13 km larg nga Apollonia dhe, sipas tyre, dy maskat ishin marrë nga Teatri i Apollonisë.

      Në libër dy autorët përshkruanin lëvizjet e tyre nga Ardenica drejt perëndimit për në kishën e Libofshës, e cila ishte e vendosur në shpatin e Gurrëzezës, në mes të një korije qiparisash. “Në murin e absidës, - shkruanin ata, - krahas një këmbe stoli të punuar bukur me mermer të Parosit, 0,30 m e lartë, 0,29 e gjërë, ku paraqitet një grifon, ndodhen dhe dy fragmente frizi dorik me figura maskash në metope” (K. Prashniker dhe A. Shober: Kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi”, Tiranë, 2003, f. 75). Materiali i njërës figurë, shkruajnë ata, ishte gur gëlqeror i fortë, ngjyrë gri, me lartësi 0.52 m dhe gjërësi 0.78 m, kurse maska tjetër ishte e “një burri të vjetër me mjekër me onkos të lartë me kaçurrela, pjesa e sipërme e së cilës është dëmtuar” (po aty). Dy autorët, duke bërë përshkrimin e objekteve, i konsideronin ato si pjesë e një godine teatrore, duke lënë të kuptohet se dy skulpturat ishin marrë nga godina e teatrit të qytetit antik të Apollonisë. “Nuk ka dyshim, - shkruajnë ata, - se skulpturat i përkasin një ndërtese… Përcaktimi i natyrshëm si arkitra i proskenës së një teatri përjashtohet, mbasi frizi këtu është shumë i lartë. Në të kundërt përmasat i përgjigjen atij të një tempulli të vogël, ose një salle me madhësi mesatare. Zbukurimi të bën të vendosësh lidhje të mundëshme me një godinë teatrore(po aty, f. 80).



      Pasi u vendosëm në oborrin e kishës, fillimisht kqyrëm ambientet e brendëshme dhe të jashtme të saj. Në brendësi kisha kishte disa piktura murale (afreske) shumë të bukura të stilit bizantin, të cilat ishin të mbuluara tërësisht me piktuara të një bukurie të jashtëzakonshme. Afresket ishin skena biblike të ndërthurura me figura njerëzore dhe me figura shenjtorësh. Fatkeqsisht pikturat nuk ishin të mirëmbajtura, ndonëse kisha ishte e shpallur Monument Kulture e Kategorisë së Parë dhe mbrohej me ligj nga shteti. Gjatë periudhës së mbylljes së institucioneve fetare dhe ndalimit të fesë në Shqipëri, kisha ishte braktisur dhe pikturuarat ishin lënë në mëshirë të fatit. Catia e saj për një kohë të gjatë kishte qenë e zbuluar dhe shiu që binte jashtë ishte futur tërësisht brënda. Muret kishin qenë të lagura dhe një pjesë e pikturave ishin dëmtuar gati plotësisht, kurse pjesa më madhe e piktuarave, prej reshjeve të shiut, ishin zbehur dhe kishin humbur potencën e ngjyrave të tyre në mënyrë të dukshme.

Fillimisht bëra verifikimin e dëmtimeve e të dy maskave në fjalë, si dhe përcaktimin e fillimit të punës restauruese. Dy kokat ndodheshin të murosura në pjesën veri-lindore të murit të jashtëm të kishës (absidës). Të dy portretet (maskat) ishin mbuluar gati tërësisht nga depozitimet e kohës, si dhe nga qëndrimi për një kohë të gjatë i tyre jashtë, në natyrë. Ato u pastruan nga pluhurat dhe papastërtitë, si mbeturina llaçi dhe depozitime të krijuara nga agjentët atmosferikë dhe u arrit që të dyja skulpturat të restauroheshin plotësisht. Pas përfundimit të punës restauruese ato iu dorëzuan specialistëve (arkeologëve) për plotësimin e dokumentacionit teknik për realizimin e studimit shkencor.

      Pas restaurimit, dy kokat u kopjuan me materiale gipsi nga dy specialistë gjermanë, me qëllim që kopjet e tyre rë vendoseshin në Muzeun Arkeologjik të Apollonisë dhe, në perspektivë, në ambientet e restauruara të Teatrit antik të Apollonisë, që do të rindërtohej në të ardhmen.

24 views0 comments

Opmerkingen


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page