Pesë vjet pa legjendën e Aviacionit Luftarak Shqiptar Edip Ohri
EDIP OHRI – AVIATORI I DIPLOMUAR NË RUSI
E KINË QË U BURGOS NGA DIKTATURA
· Në vitet që Aviacioni Luftarak Shqiptar drejtohej nga Edip Ohri, u realizua ndërtimi i 5 aerodromeve ushtarake, u ngrit uzina për riparimin e mirëmbajtjen e avionëve etj. Në funksionin e komandantit, Edipi e ka përfaqësuar Aviacionin Luftarak Shqiptar si ekspert ushtarak në organizmat e ish - Traktatit të Varshavës dhe më pas me Republikën Popullore të Kinës
Ushatarakë të plejadës kur u formua kolonel Edip Ohri, ish deputet i Kuvendit Popullor dhe Komandant i Përgjithshëm i Aviacionit Luftarak të Shqipërisë në vitet 1951- 1975 kujtohen me nderim të veçantë, jo vetëm për vetë kontributin e tyre madhor në krijimin dhe konsolidimin e ushtrisë shqiptare, por edhe për përballimin me stoicizëm të vuajtjeve mizore në burgjet e diktaturës. Ai u nda nga jeta para pesë vitesh (21 shkurt 2017) për të mbetur emblemë e aviacionit shqiptar.
Edip Ohri lindi në Strugë në vitin 1926, në një familje fisnike, po i mbetur jetim, u rrit nën kujdesin e një fisniku të madh, siç ishte Qazim Bej Vlora, nga mori një edukatë shëmbullore, si dhe vëllai, Dashamiri dhe motrat Edibeja e Hyrmetja. Edipi trashëgoi dhe çoi më përpara traditat më të mira të të parëve të tij, si atdhedashurinë, shpirtin e sakrificës, guximin, trimërinë etj.
Në moshën 10 vjeçare, në vitin 1936, familja e tij u shpërngul në Shqipëri. Disa muaj pas vendosjes në Shqipëri i vdes i ati. Në 1942 përfundon studimet e shkollës së mesme në Elbasan. Në të njëjtin vit përfshihet në lëvizjen e rezistencës, drejtuar kundër pushtimit italian. Ai arrestohet nga autoritetet pushtuese, por në vitin 1943, arratiset nga burgu dhe del partizan. Gjatë luftës ishte zëvendës komandant kompanie pranë Brigadës II Sulmuese, në kuadër të Ushtrisë Nacional Clirimtare.
Në nëntor 1944 merr pjesë në çlirimin e zonës Korçë- Pogradec si oficer zbulues i Brigadës II Sulmuese. Në luftë u shqua jo vetëm për vendosmëri e trimëri, por edhe për aftësi drejtuese si zëvendës komandant kompanie dhe mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi Brigada.
Në vitin 1945 regjistrohet në shkollën e fluturimit Panczeëie pranë Beogradit dhe disa muaj më vonë shkon, transferohet në Bashkimin Sovjetik ku fillon studimet për pilot dhe në vitin 1948 diplomohet pilot për avionët bombardues. Në vitet 1949-1952 vazhdon studimet në Akademinë e Forcave Ajrore Sovjetike dhe në vitet 1954-1955 kreu studimet për drejtues të njësive ajrore në Grozni. Pas kthimit nga studimet, Edip Ohri gradohet “Kolonel” dhe emërohet Komandant i Aviacionit Ushtarak Shqiptar.
Në vitin 1969 kryen kursin për oficer të Shtabit të Përgjithshëm. Në vitet 1971-1972 studion në Kinë, në fushën e komandimit të njësive të aviacionit të transportit. Në vitin 1975, në mënyrë të papritur nxirret në lirim nga ushtria. Edipi si personalitet i shquar, në vitet 1974-1978 ishte i zgjedhur deputet në Kuvendin Popullor. Por, si gjithë figurat e shquara të Ushtrisë në vend që të nderoheshin, u godit nga diktatori Enver Hoxha, duke u dënuar me 14 vite burg dhe vuajti 9 vite në burgjet e ferrit të diktaturës.
Pesë vjet më parë në fjalën e lamtumirës, ish-shoku, miku e bashkëluftëtari i tij, gjeneral Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe “Nderi i Kombit”, do ta vlerësonte Edip Ohrin si një pilot të madh. Kjo sipas tij për faktin se nuk kishte mjet ajror në Shqipëri me të cilin nuk kishte fluturuar Edip Ohri; me avionët luftarakë me helikë të tipit JAK dhe PO, me avionin bombardues, me avionët gjuajtës me helikë, me avionët reaktivë MIG-15, MIG-17, me supersonikun MIG-19; me helikopterët MI-1 e MI-4, si dhe me avionët e transportit. Ai realizoi rreth 4000 orë fluturime, pa e ndërprerë asnjëherë punën drejtuese si komandant.
Në vitet që Aviacioni Luftarak Shqiptar drejtohej nga Edip Ohri, u realizua ndërtimi i 5 aerodromeve ushtarake, u ngrit uzina për riparimin e mirëmbajtjen e avionëve etj. Në funksionin e komandantit, Edipi e ka përfaqësuar Aviacionin Luftarak Shqiptar si ekspert ushtarak në organizmat e ish - Traktatit të Varshavës dhe më pas me Republikën Popullore të Kinës.
Por megjithë kontributin madhor në ndërtimin dhe konsolidimin e Aviacioni Luftarak Shqiptar Edip Ohri arrestohet padrejtësisht më 16 tetor 1980 dhe akuzohet për përgatitjen e një grushti shteti ushtarak dhe propagandë anti-shtetërore. Pas disa muaj hetimi Edip Ohri, së bashku me gjashtë ofi cerë të tjerë del në gjyq. Në janar të vitit 1981, dënohet me 14 vjet burg, dënim i kryer fi llimisht në Ballsh në Zejmen. Në vitin 1985, dërgohet në burgun famëkeq të Burrelit ku qëndron deri sa lirohet si rezultat i amnistisë së 29 nëntorit 1989. Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit të padrejtë, në burgun e Burrelit është i njohur dhe për pa thyeshmërinë e treguar. Ai kishte cilësi të larta njerëzore, ndershmëri, sinqeritet, mirënjohje ndaj të tjerëve, përkushtim të patundur ndaj Atdheut.
Si Sekretar i Përgjithshëm i OBVL për 15 vjet, Edip Ohri ka dhënë një kontribut të shquar për organizimin dhe konsolidimin e strukturave të kësaj organizate. Ai ishte edhe një prind shëmbullor, Gjatë gjithë jetës tij, me gjithë kalvarin e vuajtjeve, i dhuroi bashkëshortes dy vajzat, që ishin krenaria e gëzimi i tij, duke dëshmuar kujdesin e dashurinë e babait të tyre, ndaj fëmijve. Ai ishte prind, mësues dhe edukator, që i rriti dhe edukoi ato me ndershmërinë dhe besnikërinë e patundur ndaj popullit dhe atdheut tonë të dashur, Ai u dha atyre forcë, pathyeshmëri e krenari. Pesë vjet më parë, duke ndarë dhimbjen me dy vajzat e tij për humbjen e njeriut të tyre më të dashur, gjeneral Parllaku do të shprehej: “Kam patur fatin që të njihem dhe të punoj me të dy vëllezrit Ohri, me Dashamirin që në vitet e luftës dhe më vonë për 7 vite kur drejtoja Flotën Luftarake Detare si dhe gjatë viteve në detyra në Ministrinë e Mbrojtjes dhe me Edipin kur isha Komisar i Mbrojtjes Kundërajrore dhe sidomos në vitet që kaluam bashkë në burgun e Burrelit. Kjo njohje me të dy u bë thuajse vëllazërore, sidomos pas krijimit të Organizatës Bashkuar të Veteranëve të Luftës, me Edipin si Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës. Edipi si Sekretar i Përgjithshëm i organizatës sonë u bë shtylla e saj dhe pasardhësit e tij do të punojnë me dokumentat e shkruara me kujdes e mënçuri që na la Ai, para se sëmundja ta shkëpuste nga detyra. Ai ka mbetur shëmbulli i karakterit për sjelljen në shoqëri, virtyt i trashëguar nga jeta dhe prejardhja fi snike e tij …”.
Legjenda e avaacionit shqiptar Edip Ohri, do të jetojë e mbahet mend si Teoricieni e praktikceni i talentuar, organizatori, drejtuesi e frymëzuesi model, largëpamësi e krijuesi akademik,si njeri gati shekullor, rrap shekullor me rrënjet e ngulur thellë në histori, me degët lart në qiell, pasi nuk i përkiste vetëm brezit të parë të pilotëve që kontribuan për krijimin e aviacionit, por ai u bë në vite lavdia e aviacionit luftarak Shqiptar.
Comments