top of page

AVDULLA NELA DHE LEFTER ÇAPOJ


BAJAME HOXHA ÇELIKU


Po ktheheshim nga puna në një kohë tepër të nxirë. Tërë ditën nuk pushoi shiu dhe stuhia. Të lagur deri në palcë e të tharë disa herë nga era e fortë e fushave të Myzeqesë, të bërë gjithë baltë kokë e këmbë, me lopata në krah, ecnim anës kanalit, të rreshtuar si robër që ktheheshim nga një luftë e gjatë. Eh, s’kishe ç’të shikoje! Një tablo të tillë vetëm në piktura e në filma mund ta gjeje!

Secili prej nesh dukej si gogol dhe, sigurisht, të fusnim datën, saqë po të vinte një fëmijë i qytetit përballë, do të ulërinte nga frika. Sidomos vajzat e nuset kishin humbur bukuritë e tyre nën atë llucë ngjitëse, aq sa s’kishin fuqi as të flisnin. E, megjithatë, ato vazhdonin të ecnin, të ecnin të drobitura në heshtje, e tek ndonjëra, ndihej dhe ai rënkimi deri në lot. Duke menduar të nesërmen, që vinte edhe më e zezë se ajo ditë që po kalonte, i mbërthente tmerri dhe vetëm i luteshin të madhit Zot nën zë: “O të marrë fund krimi, ose jeta jonë”. S’kishte mbetur zemër, që s’qe vrarë e lënduar deri në gjak. Gjatë atij kthimi të një pune tejet të rëndë, dukeshin skllevërit, sesi i tërhiqnin zvarrë këmbët e lodhura, të regjura nëpër çizmet e çara. Ku çdo ditë provonin atë trysninë e përditshme, qëndrimin mbi krye të brigadierit të porositur, që punën e bërë nga punëtorët mos ta merrte në dorëzim; do të thotë që s’ka pagesë, s’ka bukë. Të gjithë gërmonin të gjenin diçka të mirë brenda shpirtit të plagosur, por gjenin vetëm pasigurinë dhe një të ardhme pa dritë e diell.

Fatkeqësia për disa prej tyre kishte nisur që në lindje, ngase prindërit u qenë pushkatuar e burgosur dhe ende vazhdonin arrestimet me të tjerë prindër. Çdo ditë e më shumë dukej qartë, se kosa përfshinte kampet e përqendrimit, se jetët e atyre banorëve i quanin badihava. Disa kishin lindur në kampin e Tepelenës, nga ku, një fat i madh i shpëtoi nga vdekja e sigurt, mbasi vdiqën 300 fëmijë. Mbijetuan për të hequr akoma më keq, dhe për t’u tërhequr jeta e tyre zvarrë nga njerëz të kthyer në përbindësha, nëpër kampe të tjera.

Sa t’i ktheje shpinën banesës me thupra e kallama, çdo mëngjes duhej të ishe i përgatitur shpirtërisht, se brenda asaj dite do të të ndodhnin gjëra nga më monstruozet. Madje as të buzëqeshje nuk mundej, se ta merrnin për ironi kundër partisë e pushtetit. Prandaj, duhet të ulje kryet e të bëheshe elastik, të lozje rolin e budallait, të njeriut të trashë. Nga frynte era të ktheje shpinën, dhe pastaj të qëndroje para xhahilëve gatitu. Atëherë, vetëm atëherë i bindur para tyre, pasi të kryeje çdo pisllëk që ata kishin në plan, ti do të ishe pak i privilegjuar në pagesën ditore, por i fëlliqur deri në grykë përballë shoqërisë së pastër e me kulturë. Por a ishte e mundur kjo? Të ndershmit kishin lindur të tillë dhe nuk mund të ndryshonin.

Ishte ditë e diel ajo ditë, në të cilën sfiliteshim njëlloj me ditët e tjera, se për këtë kategori njerëzish nuk kishte asnjëherë pushim. Atë pasdite, pasi dhe unë isha pjesë e asaj turme, i atij marshimi të gjatë dhe e bërë qull nga shiu dhe e tharë nga era, vonë mora punëdoren dhe shkova për vizitë te familja e Lefter Çapojt, për të kaluar një afër mbrëmje të këndshme nën shoqërinë e tyre. Kjo familje për mua ishte gjithnjë e shtrenjtë, që nga Tefta, shoqja ime më e mirë ndër të gjitha vitet, tashmë e martuar larg, por familja e saj qëndronte po aty në të vetmen dhomë me lagështirë. Që prej kohës kur Tefta u martua, unë nuk e kisha braktisur kurrë familjen e saj, nënën e nderuar, zonjën Velide, heroinën e kampeve, dhe vëllezërit e saj të nderuar. Por, kur hyra brenda, vura re se nuk po gjeja dot atë rehati që gjeja herë tjetër. Dhoma e vetme m'u duk më e vogël, më e ngushtë se kurrë ndonjëherë, më e errët. Dhe ata të gjithë m’u dukën të zymtë e të tjetërsuar. Një çehre u ikte, një u kthehej. Duke u munduar që unë të mos zymtohesha si ata, u ula si në gjemba dhe prita të mësoja çfarë e prishte atë atmosferë, që gjithnjë më vinte e afërt, tërheqëse, e dashur, gazmore dhe mikpritëse. Ndodhte kjo atmosferë tërheqëse, sepse e shoqja e Lefterit, Shazia, vinte nga një familje shumë e mirë nga Vlora. Dhe pse dukej shumë e re dhe e bukur, çuditërisht, ngjante aq shumë me ne, me mua dhe Teftën, saqë pothuajse po e zëvendësoi atë në zemrën time. Prandaj ajo portë gjithmonë do të rrinte e hapur e unë do të hyja si bijë.

Pas pak, bisedat morën drejtime të ndryshme. S’po më thoshin asgjë, kur kishin diçka për të më thënë. Vendosa të mos bëj asnjë pyetje. Bëra të heshturën, sikur nuk kuptoja asgjë dhe thjesht vizita ime qe jo e gjatë. Pasi piva kafen, që mezi gjendej nëpër familje, i falënderova. Pastaj folëm për punën, për shëndetin, për Teftën që nuk po vite shpesh e na merrte malli, për të uruarën. Por, gjatë bisedimeve të përgjithshme, vihej re se Lefterit, herë-herë i ngecte fjala. Nuk më ngjante me Lefterin e parë, kishte ndryshuar dhe arsyeja, sigurisht, duhej të ishte e rëndë dhe e menjëhershme. Në shoqërinë tonë të përgjithshme midis njëri-tjetrit ku kishim besim edhe flisnim fjalë pakënaqësie, për punën e rëndë, për sistemin diktatorial, për rininë, që po na rrëshqiste e pa vlerë në moshën më të bukur, e, më e tmerrshmja, qemë kthyer në skllevër.

- Jam shqetësuar sot, Bajame,- thotë Lefteri.

- Shqetësuar? Po ne kemi ditë që kthehemi nga puna të qeshur? Ne gjithmonë kthehemi të sakatuar, - i thashë unë dhe m’u kujtuan ca vargje të shkruara pranë një shoqeje tjetër, Fjorentina Herit. Edhe kjo familje e internuar, por për fat, kjo vajzë mbartte shumë humor dhe këndonte bukur. Poezia shpërtheu nga një lodhje e tejskajshme: Gjithë ditën prashisim e heqim bar/ në mbrëmje ngarkohemi si gomarë...

- Jo, nuk është ai shqetësimi.- tha ai.

Ndërsa unë e vështroja dhe i jepja fytyrës sime buzëqeshjen e huazuar për momentin.

- Faleminderit, që të solli Zoti, pikërisht në çastin që ne kishim vërtet nevojë për një njeri të afërt, të cilit t’i jepnim besimin, - tha, e shoqja e Lefterit, Shazia, fytyra e bukur e së cilës kishte marrë ngjyrën e limonit.

- Besimin? Sigurisht,- fola unë, duke hapur krahët sikur po u thosha: urdhëroni në zemrën time! Ra heshtje. Një heshtje që të bënte të mendoje e të supozoje shumë gjëra e të mos ia gjeje kurrë fillin.

- Ju keni vuajtur të zitë e ullirit, 12 vjet larg, pa parë me sy nënën. U rritët jetim, duke mbetur në fshat në mëshirë të fshatarëve, kurse nëna juaj me Teftën gjashtë muajsh, vuante dënimin kamp më kamp. Jeni bashkuar më në fund, duhet të jeni të kënaqur, nuk ka më mirë se pranë nënës. Tani mamaja juaj i bën hallall të gjitha vuajtjet, mjafton që t’u ketë para syve. Ju tregoni shqetësime e ajo bëhet një grusht, se i trembet të ardhmes suaj,- thashë unë.

- Pikërisht aty qëndron dhe halli ynë sot, - tha Lefteri.

- Ndoshta ju ndihmoj sado pak, më thuaj!

- Sa u ulëm nga ora nëntë të hanim mëngjesin, - vazhdoi ai,- ne punëtorët, që ishim baltë e ujë që nga mezi e poshtë, po na shkonin këmbët shtrembër nga pesha e rëndë e tezgave, por dhe nga uria. Por, sikur të mos i mbushnim ato të shkreta tezga aq shumë, sa na merreshin këmbët e mendja, ti e di, menjëherë do ta bënin problem, duke na quajtur sabotatorë, madje të kanosin burgun lehtë fare.

Unë po e dëgjoja me vëmendje dhe përfytyroja ngjarjen, sepse e jetoja shpesh dhe vetë dhe i dija rreziqet që ishin të pashmangshme. Ndërsa dëgjohej herë pas here një psherëtimë e fortë e nënës së tyre, së cilës nuk i ishin ndarë kurrë hallet. Ajo nënë fisnike e trimëreshë i kishte shëtitur e vuajtur të gjitha kampet e Shqipërisë, që nga Berati, Tepelena, Plug, fabrikë e tullave Tiranë, Turranë, e, së fundi, në Savër. Jo vetëm kaq, por dy djem Idaiun dhe Eqeremin, e kishte pasur të dënuar në burg nga 10 vjet, e sapo kishte dalë vetëm Eqerimi, nga ajo derë e nëmur. Por zotësia e tij ishte e pa imagjinuar! Edhe pse doli nga burgu invalid, nga një aksident i rëndë në punë e sipër brenda burgut, saqë të vinte të ulërije nga dhimbja, kur e shikoje atë djalë dy metër të gjatë, të bukur dhe guximtar, sa të merrte sytë. ( ndryshe nuk do ta kishin liruar). Ai optimist, u mundua menjëherë të rindërtonte jetën, të krijonte familje dhe me zotësinë e tij, krijoi familjen e re me një vajzë të shkëlqyer nga fshati Karbunarë, fqinj me Kampin. Ajo ndoqi dashurinë e saj përmes sakrificave deri në fund, duke marrë parasysh të gjitha, dhe të gjithë Luçiferët. Dhe Zoti, si shpërblim të sakrificave, u fali tre fëmijë të mrekullueshëm.

Tani, u qe mbushur mendja top se i kishte ardhur radha edhe më të riut prej tyre, që ishte ai vetë.

Ambientin e përfshiu një heshtje e rëndë. Asnjëri nga ne s’po fliste. Unë prisja që ai të vazhdonte, por dhe ai heshtte, si duket donte apo s’donte të rrëfente më tutje. Mendova se karakteri i tij i fortë ishte mësuar t’i përtypte e t’i fshehte brenda vetes shqetësimet dhe telepatitë, apo provokimet e njerëzve të shitur te qeveria, me një fjalë: spiunët e regjur, që haste shpesh herë dhe që dinte t’u shmangej dhe gjatë punës. Njeriu i njeh spiunët apo fuksat, siç i quanin, ata të afirmuarit që njiheshin me gisht, e kishin dalë dëshmitarë të hapur të rremë e të sakatuar, duke zhveshur çdo virtyt. Aty ishte turpi më i madh, poshtërimi në total i familjes, i rënies të burrërisë dhe mbetej të jetoje si kufomë mes të gjallëve.

Të gjithë i shikonim dhe i urrenim njëlloj me sistemin, që i kishte kthyer në vegla të tyre këta njerëz të dobët.

- Pini nga një çaj, – foli e shoqja, Shazia, – është i ngrohtë e ndoshta do të jeni më të çiltër në mendimet tuaja,- tha ajo. - Kam dëgjuar se çaj të lë pa gjumë, prandaj dhe unë e përgatita enkas, që ju të thyeni heshtjen që ju ka pllakosur, - dhe me një buzëqeshje të lehtë, hodhi vështrimin nga i shoqi.

- Po, ke të drejtë- tha i shoqi, Lefteri.

- Epo, duhet të thyhet heshtja - tha ajo gjithnjë me një buzëqeshje të ëmbël që i shtonte bukurinë asaj shtojzovalleje.

- Sa hapa pecetën të haja, erdhi Avdulla Nela e u ul pranë meje. Ishte i lodhur dhe pse bënte ftohtë, djersët e kishin mbuluar dhe, duke u strukur në xhupin prej pambuku që sa e veshi, më pyeti:

- A s’jemi skllevër? – unë bëra sikur nuk e dëgjova, por ai vazhdoi.- Vallë shtyhet kështu? Jetë dreqi dhe kjo e jona, na paskan nëmur. Lipsur qofshin vrastarët e lirisë!- unë e dëgjoja, dhe ai e dinte mirë që unë e dëgjoja po s’ktheja përgjigje. Por ai vazhdoi në të tijën, sikur fjalën e kishte në një xhep me çelës, e çelësin e kishte ai vetë. Ky rast ishte për t’u çuditur! Unë i hodha një vështrim të shpejt dhe nisa të haja, por ai foli përsëri:- Horizontet e lirive janë mbytur në mjegull, s’ka diell, oksigjeni është kthyer në vrasës, e ne, strukur në djersë e në të ftohtë, nën shi e nën breshër, mezi sigurojmë një kothere bukë për fëmijët. Ngrihemi në katër të mëngjesit dhe kapim kosën apo tezgën, secila më e rëndë se tjetra. Hajde Shqipëri, hajde! Ku jemi ne e ku është Perëndimi! Sa të prapambetur që na la sistemi, akoma me kosë e me drapër, me tezga e me krahë, a ecet kështu? A mbahet një shtet i tërë me kazmë e lopatë? Sado që çdo punë e bëjmë pothuajse falas, e po na shfrytëzon deri në palcë, nuk bën prokopi. Duhet shteti të hapet, të bëjë lidhjet me fqinjët e me shtetet perëndimore, në do të ecë drejt një zhvillimi ndryshe. Nëse i mban sytë ende nga Lindja, nuk do të bëhet kurrë, - dhe sakaq nisi të këndojë:

- “O Shqipni, e mjera Shqipni, tash ke ra me krye në hi....”, - dhe pasi pushoi pak, tha me hidhërim: -Kam frikë se dhe fëmijët do të kenë të njëjtin fat si ne, po vazhdoi kështu! - Aty pashë se si një prindi iu mbushën sytë me lot dhimbjeje, dhe u preka jashtë mase. M'u kujtua jeta ime, e vëllezërve, e motrave dhe e mamasë, kur e ndanë prej nesh, jo pak, por dymbëdhjetë vjet rresht. Unë isha vetëm dy vjeç atëherë, kurse, Fadili katër, e Flora gjashtë vjeçe, të lënë në mëshirën e katër rrugëve të fshatit. Ne ulëritëm tërë atë ditë të gjatë, deri sa në mbrëmje, të mbytur nga lotët, ashtu siç ishim, na zuri gjumi zbuluar. Që prej asaj dite kemi qarë gjatë. E kërkuam mamanë ditë me radhë ngado e kudo, duke ngrënë mbeturina e barishte, por mjerisht, mamanë na i kishin rrëmbyer policët. Kur u takuam, kishin kaluar dymbëdhjetë vjet, as na njohu dhe as e njohëm! Tani është bërë një grusht e po dëgjon kalvarin e vuajtjeve, që po e pasojmë ne fëmijët. Eh, kishte të drejtë Avdullai, qante hallin e fëmijëve dhe jo të vetin.

Lefteri, si e tregoi të gjithë ngjarjen, tundi kryet dhe m'u drejtua mua, që edhe unë si të gjithë isha e përlotur:

- Si thua ti, Bajame? Me gjithë respektin që kam e që kanë të gjithë për Avdullain, unë s’kam marrëdhënie të ngushta, sa të besojë tek unë aq shumë ai. Pse pikërisht erdhi pranë meje, u zbraz, shprehu dufin kundër sistemit, që me të drejtë e urren? Por...

- Po çdo të thuash ti me këtë? – e pyeta unë.

- Të thashë, ç’të them tjetër!? – tha Lefteri- Pseja mbetet pse, edhe pse-në s’e gjeti dot as Sterio Spasse, përsëri ngre unë një pikëçuditëse.

- E cila është? – pyeta, unë.

- Jo, jo, më mundon gjithë ditën, pse më besoi mua, ky lloj besimi mbart rrezikun brenda...

- E kuptoj, -thashë unë.- E ke marr si provokim? Dyshon tek Avdullai?

- Nuk dua ta them atë, por... më lë të më flasë ndërgjegjja, si vjen e nesërmja, vjen e bardhë apo e zezë, për mua si për atë...

- Edhe? Si ke ndër mend?!

- Oh, jo, mos e mendo atë... Kurrën e kurrës!

- Por e shoh, sikur je në dilemë...- i thashë unë.

- Po, kam menduar gjë tjetër: jemi në kamp dhe presim gjithçka të keqe. Ne s’jemi mësuar të qeshim, pot vetëm të qajmë, dhe kështu, kam frikë se mamaja ime do ta provojë prapë ta shkelë derën e burgut. Fundja, burgu për burrat është, por mamaja ime, tashmë e sfilitur nga vuajtjet, nuk mundet që ta përballojë, kjo ishte e tëra.

- Hahaha, -qesha unë me zë të lartë, që dyshimit t’i ktheja momente hareje. Në këtë kohë qeshën të gjithë.

- Vërtet, nga njëra anë ta vëresh, është për të qeshur, nga ana tjetër për të vënë duart në kokë, dyshojmë dhe nga vetja. - tha Lefteri.

- Dyshon tek Avdulla Nela!? E pamundur! - thashë unë duke shprehur çudinë time.

- Mjegullnajë shoh gjithandej, Bajame, - tha Lefteri.

- E shikon, ti ke besim tek unë, madje besim të patundur ke, këtë e di. Kështu si tek unë, të kesh dhe te Avdullai, të siguroj.

- Si the ti, unë nuk kam shumë njohje me atë njeri, që është i nderuar, por... aq sa të më besojë gjëra e fjalë, që një pa dy të fusin në burg, është pak... Si më beson mua ai, a s’më thua?

- Është e vërtetë, që ju erdhët vonë në Savër, u bashkuat me mamanë, po Avdullai, me mamanë tënde e me Teftën, i ka kaluar të gjitha vitet në të njëjtët kampe internimi, e në burg me vëllain tënd. Besoj se u kuptuam.

- Sa barrë të rëndë po më heq, Bajame!

- Ai ka pasur nevojë të shprehet, të shpërthejë, të shajë e të mallkojë sistemin që i nxiu jetën, e, ndoshta, do t’ia nxijë edhe më. Ai është parashikues, ka telepati të çuditshme. Këto që po të them, i kam vënë re, e kam timin nga mamaja. Kur shkojmë unë dhe mamaja tek ata, gjithmonë e gjejmë të shtrirë. Është e qartë: pasi të ketë kositur hektarë të tërë me tërfil, si do t’i mbetet fuqi për shëtitje? Pas asaj lodhjeje të tmerrshme, ai nuk del fare, por me një radio të vogël te kryet, që ia ka dhuruar e motra, Hajria, dëgjon lajmet te stacionet e huaja dhe bën krahasimin. Dua të të them dhe nga ne nuk ruhet. Flet e shprehet në besim, ama, e di ku shprehet e lehtësohet. Ai nuk ka folur në këtë rast me Lefterin e ri, por me Zonjën e moçme, Velidenë, që është e fortë sa shkëmbi, dhe besnike deri te Zoti.

- Ardhja jote, Bajame, gjithmonë për ne ka qenë mbarësi,- tha Shazia.

- Rrofsh! - iu përgjigja unë, dhe duke vënë buzën në gaz u përqafuam të gjithë.

13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page