AUTOKTONIA E UNIVERSIT POETIK TË FATMIR TERZIUT


Xheladin MJEKU

Fatmir Terziu: “DASHURIA BEKOHET NË ELBASAN”, poezi, botoi “ACPE” – Tiranë, 2019

Përsiatje një poezie që evoluon

Fatmir Terziu dhe poezia e tij janë dy skaje të një globi që sillet në rrethin e fuqisë krijuese, me gravitacion tërheqës në një pikë të përbashkët, pavarësisht lërimit të temave dhe motiveve që prek, pikëpjekja e tyre konsiston me jetëgjatësinë e fuqisë prej gjakut dhe autoktonisë. Mbi bazamentin e kësaj autoktonie, prej nga buron frymëzimi që evoluon, poeti ka arritur, përveç shumë librave në prozë, studimeve të shumta letrare dhe monografive të njohura, të krijoj edhe botën e tij krijuese prej poeti shumë produktiv, duke sjellur për lexuesin nëntë tituj përmbledhjesh poetike: Mos hesht”, (2000), “Kohëbota”, (2009), “Lumenjtë e ëndërrave”, (2012), “Borxh ajrit”, (2013), “Xhungël mendimesh”, (2014), “Era nuk jepet me qira”, (2015), “Miriapodë”, (2016), “Pas shiut”, (2016) dhe “Dashuria bekohet në Elbasan”, (2019), që me një përllogaritje të përafërt përbëjnë mbi njëmijëenëntëqind faqe libri me poezi. Një lëndë poetike kaq e vëllimshme padyshim që bën të besojmë se Fatmir Terziu është njëri prej krijuesve më të frytshëm në dekadat e fundit, që në vazhdimësi i sjell botës letrare tituj të rinjë e vlera të dëshmuara katërcipërisht, për të dhënë kështu shembullin e një eruditi që për asnjë çast nuk ndalon në punën e tij prej krijuesi e studiuesi të devotshëm.

Prandaj, bindshëm mund të konkludoj se Fatmir Terziu prej kohësh ka vënë themelet e krijimtarisë së tij në shumë gjini letrare, publicistike, kinematografike dhe shkencore, në veçanti. Kështu, për të dhënë një pasqyrë më të përafërt të krijimtarisë, veçantë për atë poetike, veçuam librin e fundit “Dashuria bekohet në Elbasan”, me arsyetimin se në masë të madhe mund ta zbërthejmë gjithë spektrin e tij poetik në miniaturë, bazuar në temat dhe motivet që trajton poeti. Me një përsiatje të vëmendshme të kësaj lënde poetike mëtojmë zbërthimin sa më të zgjëruar, me qëllimin që lexuesi ta njeh nga afër edhe poezinë, edhe poetin, si një pasqyrim të jetës dhe veprimtarisë shumëvjeçare, ku portreti i tij del figurë e një saktësie të plotë, me qëndrimet, krajatat dhe vigjilencën e jetës, që nga fillet e krijimtarisë e deri në kohën e tashme. Po aty kemi edhe imazhin e vendlindjes së tij, Elbasanin e bukur, portretizimin e njerëzve që ndërtuan jetën dhe u përballën me sfidat e shumta gjatë historisë. Vendlindja e tij ishte qerdhe e kulturës, artit, arsimimit dhe e patriotizmit ndër shekuj. Si askund tjetër, këto veçanti të njeriut historik i gjejmë në vargjet e kësaj përmbledhje poetike, që në një mënyrë pasqyron një histori të tërë të vendit të tij, jo vetëm brenda kufinjëve londinez, por me një shtrirje të gjërë gjithandej kah preken gjurmët e Ilirisë. Nuk mund të anashkalohen asnjëherë edhe vese të ndryshme shoqërore, tradita e zakone kombëtare e deri në ravijëzimin e kujdesshëm të ambienteve të bukura të natyrës, të përshkuara me një kolorit magjepsës dhe plot diell, që simbolizon lirinë, si një synim dhe vlerë e pakontestuar.

Për ta kuptuar më saktë këtë shtrirje poetike nëpër tema e ngjarje, pavarësisht se këtu vijnë të pasistemuara në cikle, u përcaktova t’i “krahoj” sipas përkatësive tematike, duke i zhvendosur në afrinë e tyre motivore, që pastaj t’i shtjelloj si tema të veçanta, me synimin e njohjes së përgjithshme të botës poetike, si një pasqyrim shumëdimensional të jetës dhe veprimtarisë së poetit.

Portreti letraro - vetanak si pasqyrim monografik

Libri “Dashuria bekohet në Elbasan”, veçohet nga përmbledhjet tjera poetike, si për simbolikën e titullit, edhe për lëndën e një spektri të gjërë trajtimesh tematike, ku pasqyrohet portretizimi vetanak, zhvillimet e jetës në vendlindjen e poetit, Elbasanin e bukur, e deri në temat e aktualitetit shoqëror, politik, social dhe shpirtëror, që ngërthejnë interesimet e lexuesit në përgjithësi. Në korrelacion me këto përkufizime temash e vesesh shoqërore që takojmë këtu, krijohet përshtypja se po lexojmë një monografi poetike të realizuar nga autori, me elementet qenësore të jetëveprimtarisë së tij, gjithandej kah vepron e jeton prej dekadash, duke e mbajtur të lidhur fuqishëm e me shumë dashuri lashtësinë historike për atdheun, prej të cilit parreshtur gjen frymëzimin.

Që në fillim takojmë poezinë programatike “Dualitet”, përmes së cilës poeti shpreh unin e tij krijues “që të kuptoj thellësinë e zhurmës”, për të shkuar tutje me shpjegimin e fenomeneve të tjera, mbi të cilat do ta ndërtoj gjithë poezinë e tij, do ta shpreh fuqishëm ndjenjën shpirtërore për gjithçka e ndien dhe e preokupon në jetë, “sepse vetëm përmes/ heshtjes/ mund të gjej kuptim tek diskursi i lëvizjes” dhe, si e thotë edhe vetë ai, “Përjetësisht marr frymë në majë të penës” dhe parreshtur “thërras heshtjen/ për të parë realitetin”, si fiksion i përhershëm i preokupimeve të ngjallura nga muza krijuese “mendoj vetëm për fantazinë/ jetën që jetohet në dualitet.” (po aty, fq. 5). Ai me dualitetin në krijimtarinë e tij të pandalur personifikon jetën në fuqinë e dytë, një ndërlidhje me vendlindjen, pa të cilën nuk do të arrinte një vlerë kaq meritore. Kur heshtja kryen funksionin në plotni, pa bujë e shantazhime, lexuesit ia zgjon kërshërinë e kapjes së ngjarjeve më lehtë, duke prekur çdo imtësirë të shprehur poetikisht, që pastaj ta zbërthen në tërësi mesazhin e saj. Fatmir Terziu asnjëherë nuk krijon skena befasuese të një çasti, po nxjerr në dritë karaktere e vlera personazhesh e ngjarjesh, të skalitura me përkushtim. Ai, madje nuk ngurron ta paraqes edhe “Autoportretin” e tij me durim prej kurreshtari të gjithanshëm, duke dhënë deri në detaje jetëshkrimin e portretizuar.

“Një gisht mbi ekranin e vogël të iPhon-it

ndalesa e përditshme në WhatsApp,

e pastaj flas e flas. Nuk lodhem të flas

për ditët që jetojmë, e ditët që lamë pas,

për fëmijërinë e largët në atë çast,

për prindërit, fëmijët, familjen, të afërmit, motër e vëlla…”

(Po aty, fq. 102)

Kjo ndërlidhje e jetës me zhvillimet e teknologjisë në poezinë e tij kanë funksionin e ruajtes së raporteve me njeriun në vendlindje dhe anasjelltas. Por, për asnjë çast poeti nuk ndalon me kaq. Ai ka për synim paraqitjen sa më origjinale të një portreti për njeriun, në rastin konkret për vetveten, ashtu si e jeton përditshmërinë, me zhvillimet e ditës, me krijimtarinë, me leximin, si ushqim shpirtëror, të cilat i sjell si pjesë e pandarë e jetës së tij: “Lexoj poetë të mëdhenj, shkrimtarë/ të gjallë dhe të vdekur, të cilët më mësojnë pa fjalë” përmes të cilëve parreshtur “Përpiqem të kuptoj/ filozofët e mëdhenj, dhe jo pak hera-herës/ kthehem tek koha që ka vetëm njerëz.”, (po aty, fq. 103). Për ta argumentuar edhe më bindshëm këtë paraqitje, poeti ndërlidh edhe elemente tjerë të një kombinimi në ndërtimin e portretit të tij, një paraqitje vetanake, ku “bashkërisht me vitet e mia, dashuria/ ka ngritur një stacion të madh e të paparë,/ atë e ka ushqyer dhe e ushqen Poezia.” Ky bashkëdyzim i dashurisë dhe poezisë vazhdon të shtrij fuqinë e shprehjes së shumë ngjarjeve e veprimeve të tij në përditshmërinë, që quhet jetë e një krijuesi, studiuesi dhe njeriu të përmasave intelektuale të palodhshëm në rrugëtimin e tij prej eruditi.

Për Fatmir Terziun jeta e ka kuptimin e dashurisë për familjen, për bashkëshorten, fëmijët, por nuk mund të anashkaloj edhe paraardhësit e tij, gjyshin, gjyshen, njerëzit e brezave para tij, etj. Në këtë relacion ai nuk ngurron të krijoj një familje brezash, dashuria e të cilëve vazhdon ta mbaj të pashkëputur zinxhirin e brezave të familjes, të cilët, çdonjëri në formën e vet i dhuron kohës vlerat dhe kujtimet e pashlyera. Kjo dashuri vazhdon të paraqitet edhe në festa e gëzime, në ditë e ngjarje të veçanta, që mbesin kujtime të përhershme, siç e kuptojmë edhe nga vargjet: “Ky nuk është varg i thjeshtë për Ty. Ti biri ynë je vetë poemë./ Je jeta e jetëve që na zgjon:/ Kuptimin e vargut të jetës sonë,/ gërshetimin e indit lidhës/ që na bën të ngazëllyer përgjithmonë,/ me urimin nga Evisa, Evi, mami dhe babi,/ Gëzuar Ditëlindjen Andi! (“Poemë jete”, fq. 101). Kështu, varg pas varu krijohet “Poema e jetës”, si e shpërfaq edhe në vargun e tij: “Këtë kurrë nuk do ta shkruaja vetëm për vete,/ se kjo nuk është thjesht një poezi. Kjo ka të bëjë me poemë jete.” (po aty, fq. 101). Në ndjekjen e vazhdueshme të krijimtarisë poetike të Fatmir Terziut takojmë edhe shumë poezi që për temë trajtimi kanë familjen, kohën nëpër të cilën u ngrit kjo familje, me vlerat dhe peripetitë e saja në përballje me kohën, varfërinë, vuajtjet. Poezia “Këpuca ime e parë”, na rikujton kohën migjeniane, e riformuluar me elemente të një kohe me pak ndryshime, që nënkuptohet se poeti do ta ketë përjetuar një kohë të përafërt, “Këpuca ime e parë e fëmijërisë,/ kishte mbetur gojëhapur një pëllëmbë/ ende pa e veshur mirë...” (po aty, fq.109), që pastaj ta shpreh me sarkazmë “ Shteti që përkujdesej mirë për të gjitha punët,/ nuk kishte këpucar për ne të na ndreqte këpucët./ Fundja vetë e kishim fajin, se i kishim futur në llucë,/ shteti kishte të drejtë të na i fuste këmbët në një këpucë.” Për ta rikujtuar gjithmonë se “Kurrë, këtë fotografi nuk e kam harruar,/ me të po shkruaj kohën e këpucës së huazuar.”, (po aty, fq.. 110). Si përmbyllje me një ironi që nënkuptohet.

Mbi bazën e kësaj që thamë më lartë, familja dhe jeta e saj, si një portretizim i gjërë vjen edhe në shumë nga poezitë e kësaj përmbledhje voluminoze, ku nuk mund të konsiderohet e zbërthyer mjaftueshëm pa mos e sjellur edhe ndonjërin prej shembujve tjerë. Tutje, edhe poezia “Gjyshi për nipin”, meriton një vëmendje të veçantë, meqë, si e shpreh poeti, që në kohën:“Kur lindi djali im, mësova traditën e vjetër të trungut familjar”, (po aty, fq. 111). Një përsiatje e kohës, me saktësitë dhe dëshmitë e sjellura mes vargjeve në realitet paraqet trungun familjar, që sa vie e zgjërohet me nipër e mbesa, me vlera e suksese, që katërcipërisht arsyetojnë kohën e sakrificave të shumta nga brezat e hershëm të familjes, duke gërshetuar aty dy kohërat e një realiteti të jetuar e mbijetuar, në parim. Këtu gjyshi ishte ai i cili bëri të besonte në realitetet e kohës duke i shtuar shpresat që ta vazhdoj jetën ashtu si do ta diktojnë rrethanat e reja me ndryshimet e zhvillimeve të reja politike, shoqërore dhe sociale, njëkohësisht. Me gjyshin takohemi edhe në poezitë: “Gjyshit” dhe “Cigarishtja e gjyshit” për ta përmbyllur si përkufizim me vargjet: “Këto janë arna jete në xhaketë,/ i lexoj gjatë gjithë kohës,/ edhe kur ndodh që dheu i tret,/ me heshtje varri i flasin Botës!” (“Arnat e xhaketës së Gjyshit”, fq. 128). Simbolika e këtyre arnave që i bart gjyshi, vijnë fuqishëm me përshkrimin deri në detaje të një kohe vuajtjesh e varfërie, në përballje të pandalur me sfidat dhe përpëlitjet e daljes nga ajo periudhë varfërie, ku çdo ditë ngapak po e vriste njerun e asaj kohe. Në poezitë e tilla dhe ndonjë tjetër, gjyshin gjithmonë e takojmë triumfues, në përkrahje të brezave, si metaforë e dashurisë për jetën, ardhmërinë dhe dëshirat e pafund për ndërtimin e një familje të shëndoshë dhe me ardhmëri të lumtur.

Fatmir Terziu, siç e takojmë në vazhdimësi në poezinë e tij, për asnjë çast nuk ndalon rrugëtimin gjithandej kah e shpien imagjinata krijuese dhe frymëzimi që i shpërthen në krahëror, duke sjellur emra e personazhe imagjinar, por edhe fiktiv, me përkushtimet e tij plot delikatesë. Familja, si temë trajtimi vjen edhe në frymën e dashurisë, si një urë lidhëse e kësaj dashurie të pambarim. Këtë “Udhë dashurie” e mbanë të gjallë edhe kur kujton të djeshmen, për ta argumentuar me besimin se ajo ende vazhdon në kërkimin e mrekullive të jetës. Ndonëse larg vendlindjes, edhe atje “Tek sinoret e Kullës së Londrës qëndrojmë në këmbë.”, në përkushtim të bashkëshortes, si një bashkëdhëtare e pandarë, poeti do t’i drejtohet: “E dashur, kemi akoma udhë dashurish për të bërë,/ Gëzuar përjetë!” (“Udhë dashurie”, fq.161). Përkushtime të tilla vijnë edhe përmes poezive: “Ode për prindërit”,“Letra për djemtë e mi”, “Binjakët”, “Urim nënës”, etj.

Çasja e temave nga jeta e kaluar, veçantë ajo në vendlindje, sikur nuk ka mbarim. “Unë u rrita duke puthur libra dhe bukë.” nis vargjet plot nostalgji të një kohe të ikur, në poezinë “Bukë dhe libra”, në kujtim të viteve kur “malli i vendosur mbi parmakun e dritares,/ ishte bërë zakon të mos prekej,/ puthja e tij ishte e detyruar,/ ishte lutja e vetme për ta puthur,/ Zotin në heshtje, për ta falenderuar!”. Kaq madhështore ishte jeta atbotë në familjen e poetit, ku “në shtëpinë tonë të gjithë/ puthnim me zell çdo gjë të mirë./ Kjo bëhej pa rit, pa urdhër në fakt,/ të gjithëve na ishte bërë disiplinë,”. Kjo disiplinë, pavarësisht se poeti atbotë ishte një “fëmijë i lazdruar,” si e përshkruan veten e tij “deri sa kalova adoleshencën, kapa rininë,/ puthjen e gjërave, e librave më shumë/ e kisha bërë disiplinë.” (po aty, fq. 267). Në frymën e kësaj edukate vazhdon të ecën tutje shtigjeve të jetës, pa mos e harruar asnjëherë të kaluarën e tij dhe familjes, për të cilën thur vargje epope e ngrit kulla suksesesh në çdo çast.

I gjatë është vargu i poezive që ia kushton familjes, jetës dhe vlerave të arritura gjatë viteve, por asnjëherë nuk hesht para rreziqeve, duke u sfiduar me këmbngultësinë e tij prej njeriu të vendosur, që ndien në shpirt amanetin e të parëve, mesazhi i të cilëve e mban të fortë ballë stuhive të shumta që do ta kanosin gjithandej në rrugën e tij jetësore. Kërcënimeve të tilla u përgjigjet poaq fuqishëm në poezinë “Më deshët pa gojë?”, duke mos ndaluar ta thotë për asnjë çast të vërtetën, qoftë edhe e hidhur të jetë ajo. Në realitet, detyrë mbi detyrat e poetit është luftimi i çdo vesi që ia zinte rrugën e synimeve të tij me të gjitha mjetet e disponueshme dhe të mundshme.

“Më deshët pa gojë?

Por s’ma mbyllët dot gojën time,

mbeta duke folur edhe në gjuhën e heshtjes,

duke pëshpëritur për çështje “estetike”,

të tjerat i bluajta në skutat e mendjes,

si prodhime të freskëta etike.”

(Po aty, fq. 124

Numër i madh poezish trajtojnë këtë tematikë, por këtu veçuam disa prej tyre që në parim paraqesin të kompletuar historikun e kësaj familje, pa mos anashkaluar edhe shumë tjera, që kanë po këtë mision dhe fuqi prezantuese vlerash, si: “Shtëpia një akt në poezi”, “Trinitia ime”, ”Filozofia e jetës”, “Ninulla e erës”, “Jeta”, “Shpirt i lirë shqiptar”, “Shenjëza të largëta lirie”, “Zë i ngritur kudo ku je, nuk je me ne!”, “Shqip”, “Familja”, “Bisedë e pabërë në sheshin Skënderbej”, e ndonjë tjetër që mund të ketë po këtë shtrirje tematike, në bashkëveprim me qështje tjera të përditshmërisë së jetuar e përjetuar në vazhdimësi.

Kjo poezi sjell biografinë e poetit në vargje, duke i lënë mundësitë e kuptimit të plotë të një rrugëtimi historik të familjes, me të gjitha karakteristikat e saj prej vlerave dhe synimeve të saj drejt ardhmërisë, por jo vetëm, meqë detyrohet të kërkoj fatin edhe jashtë kufijve të vendit, për të ndërtuar kështu prosperitetin e saj. Vendosmëria gjithmonë ka edhe një pikëpjekje me realitetet e imponuara, ku përkushtimi i parreshtur sjell vlerat e jetës dhe gëzimet e familjes së lumtur.

Elbasani si pasqyrim real dhe imagjinar

Fatmir Terziu vjen edhe si nostalgjik i pandalur, duke rikujtuar vazhdimisht të djeshmen, rininë, kohën që kishte kaluar në qytetin e tij të lindjes, të pasqyruar ashtu, të dashur, plot jetë e pamje të mrekullueshme, me bulevarde të pastra, me njerëz që ndryjnë në shpirt dashurinë për qytetin. “Qyteti ynë është ndezur nga të dashuruar dhe ëndërrimtarë/ plot ëndrra, meditime, puthje në mes dite/ ndryshe nga ne dikur,/ kur gjithnjë dikush do na ndiqte/ (edhe kur hanim bugaçe me simite), do ta ilustronte me vargjet e tij në poezinë “Qyteti ynë”. Një paraqitje të tillë e vazhdon edhe më, duke ndërtuar paralelisht dy botëra të jetës. Në realitet, derisa për Elbasanin e bukur kujton jetën e fëmijërisë, të dashurit e tij, që nga periudha e viteve 1800, kur stërgjyshi do të merr udhën e mërgimit për të fituar bukën e gojës për vete dhe familjen, e deri në vitet e para të shekullit XXI, ku poeti kthen shpesh për të takuar njerëzit e tij, për të shijuar ngrohtësinë e vendlindjes, ai në botën tjetër të jetës ka edhe Londrën, ku jeton e vepron prej vitesh. Një gërshetim i këtyre dy botërave për Terziun është Letërnjoftimi më i saktë për lexuesin e tij të pasionuar, ku gjen të trajtuara tema e ngjarje nga më të ndryshmet, qoftë për ambientet ku gjenden, qoftë për civilizimet e ndryshme të krijuara në shekuj. Këto ndryshime i takojmë gjithandej poezive të tij, që mund të lexohen në librin “Dashuria bekohet në Elbasan”. Edhe në poezinë me të njëjtin titull të librit, poeti ka ngritur lartë vlerat e këtij qyteti, ku u lind dhe vazhdoj ta shijoj jetën e fëmijërisë, për ta kuptuar në vazhdimësi vlerën e saj deri në imtësira. Përkundër shumë situatave shqetësuese, poeti, sikur e kupton se asgjë nuk mund ta zmbraps nga dëshira për jetë. Ai do të shprehet: “eh, e lodh veten përtej ëndrrës çdo natë/ me bekimin e Dashurisë në Elbasan./ Vendosa atëherë ta lë natën pagjumë,/ të ëndërrojë me ëndrrat e mia si unë,/ dhe m’u duk si një natë me furtunë,” (po aty, fq. 45). Këto ëndrra do t’i gjasojnë me rrëfimet e legjendave, në netët me fortunë, daljen nga shtrati të Zaranikës, deri edhe nga shpërthimi i barrikadave nga Shkumbini, që të gjitha vijnë vërdallë, për të triumfuar guximi i poetit, si një fuqi e pathyeshme në çastet “Kur morëm në dorë majat,/ ëndrra kishte flakur tutje natën e qetë,/ mbi trupin tonë lodronin bulzat si mbi xhamat,/ në vallëzim apriori kishin hyrë dhe retë,/ qielli kishte filluar të zbrazej me shtama,/ e ne zbërthenim ëndrrën vetë.” (po aty, fq. 46). Figuracioni i bollshëm i kësaj poezie, sidomos kur vjen e trajtuar jeta dhe ambientet e Elbasanit nuk mund të mos kujtohen si shembuj edhe në poezitë “Skicim paraprak: Elbasani” dhe “Elbasani”, si vazhdimi i pasqyrimit të jetës dhe pamjeve të njeriut të përvuajtur, i cili bukën e gojës e fiton me mundin e ditës duke mposhtur durimin në pritjen e çasteve të kapjes së një peshku nga Shkumbini, për të ushqyer fëmijët e tij, “po Elbasani kishte mirësinë. Ai më vete dukej si kult.”, ku shquhej për njerëz të urtë, siç e shpreh edhe në kujtesën e tij: ”Por ende habitem me Albert Tafanin,/ berberin këngëtar që këndonte Myzyrin e Madh,/ me këngën e tij të ndjeshme e plot siklet,/ kur këndonte me zërin e lartë e bulë-valë:/ “Ma mirë n’pyll, se sa n’qytet!” (po aty, fq.228). I tillë ishte Elbasani i Fatmir Terziut edhe atëherë kur po ngritej nga një periudhë vuajtjesh, edhe atëherë kur “është shuar një frymë për abetaren e lodhur në djepin e Kristoforidhit,” meqë në vazhdimësi “Është frymë me fat për penën e Tjetrit,/ një melhem për buzët që i falën dashurinë Qytetit.” (“Melhem”, fq. 216). Kjo dhe pamje tjera që ndërlidhen me këtë temë janë skalitur me përkushtim nga Fatmir Terziu, për të sjellur sa më të saktë një periudhë kohore të cilën e jetoi edhe brezi i tij. Pavarësisht këtyre vuajtjeve, poeti nuk mund t’i anashkaloj edhe të bukurat e këtij qyteti, ku jeta ka edhe anën tjetër të saj, që konsiderohet strumbullar i rritës, ndërtimit dhe traditave të Elbasanit, i cili njihet për traditat shekullore, për kulturën dhe patriotizmin e brezave. Të shumta janë poezitë me këtë frymë. Do të veçoja një nga më të veçantën, ku shpaloset Festa e verës, që ruan vlerat tradicionale prej kohës së lashtë pagane. Karakteristikë e kësaj feste mbetet në vazhdimësi gatitja e ballakumeve tradicionale, nami i të cilave ka kaluar kufinjtë e Ilirisë, për tu bërë e njohur për specialitetin që e karakterizojnë: “Duart e nënës sime përvishen dhe sitin miellin e imët,/ unë vështroj, imagjinata shkon afër brumit. Ajo zbraz mbi tepsi/ toptha të lagur e të mbufatur, duke vazhduar të mbajë/ në duar brumin e ngjitur në kujtimet e fëmijërisë sime!” (po aty, fq. 221). Kështu e paraqet Fatmir Terziu mënyrën origjinale të këtij gatimi tradicional, si kujtim nga fëmijëria, që asnjëherë nuk do t’i hiqet nga kujtesa dhe dëshira ta shijon në festën tradicionale për Ditën e verës. Kjo festë gjithmonë festohet në të njëjtën frymë “që tregohet si përrallë,/ për një ditë të bukur Vere, ku buzët që ishin fatlume,/ do të shijonin e do të mburreshin sysh me ballakume.”(po aty, fq. 221). Por, malli i poetit mbetet peng, si do ta kujtoj edhe vet: “Sot nëna ime është larg. E lodhur nga vitet/ Tjerrë lotë për brumin e pakët, gjalpin e racionuar,/ sytë i mban nga dritarja ku ulet e ngrihet,/ gjithnjë një zog i metaltë i ëndërrave/ për të dërguar dëshirat e shtrydhura tepsive./ nuseve, djemve, mbesave e nipërve” që i ndodhen larg vendlindjes, me dëshirat që ta shijojnë pak dashuri vendlindje e ta kujtojnë çdoherë. Krejt kjo mrekulli i sillet vërdallë në kujtesë poetit, duke qenë mërgimtar, edhepse është i sigurtë se kjo është e vërteta e jetuar e tij. Për ta vërtetuar se nuk është ëndërr, po një realitet i jetuar e përjetuar nëpër vite të moshës së tij “… dhe unë zgjohem, u hedh ujë syve!”, i rikthehet kujtesa për këtë mrekulli të quajtur dashuri atdheu!

Elbasanin si vend, si frymëzim dhe si bukuri e sjellur në vargje nga Fatmir Terziu e gjejmë edhe në poezitë: “Bulkthi i Parkut “Rinia”, “Frymor i qytetit tim”, “Kalaja ime”, “Mëmë-dhé”, “Hije bën plisi i bardhë”, “Me Fjalën…”, “Mos ma quani thjeshtRilindje!”, “Galiç në rrugë”, “Shkumbini”, “Trokthi i Lotit”, etj.

Ndërlidhjet mes dy qyteteve, Elbasanit dhe Londrës, ku tjerr jetën për dekada poeti, kanë një shtrirje të largët hapsinore, po një afri ndiesish e dashurie nga poeti, që nuk ka dyshim se ia krijojnë mundësinë e një jete plot vrull e suksese, duke bashkëvepruar tematikisht edhe në art. Shembull i ndërlidhjeve të këtyre botërave të poetit është edhe poezia “Rahmaninov në Londër”, që sjell pamje të përgjithshme të arkitetkturës, të kulturës dhe jetës së përditshme që zhvillohet atje: “Duket si ngjyrat ia ka huazuar shiu me sy të gjelbër/ ombrellave, duke privuar botëzën ku ujësia shpërfill/ melodinë e panjohur të kryetakave, se si stërkalat e çadrave/ imitojnë pianon e lehtë të Tamizit.” (po aty, fq. 240). Ndoshta nga një kënd i kundrimit e sheh si pjesë ngjashmërie me vendlindjen, atje ku bën jetën dhe krijimtarinë letrare-shkencore, duke transferuar poetikisht një pjesë të Londrës në vendlindjen, për t’i bashkuar si frymëzim, si motiv dhe dashuri të pandara, ku: “Syri i Londrës” vallëzon me retë,/ qielli si krom, nxjerr nga miniera e tij e pasur/ mijëra aspirata të lagura. Në rrugë zbresin të kolliturat e fundit,/ dikush imiton Çajkovskin pa partiturë,/ rreze të arta pa diell,”, për ta ndier shpirtin qetë e jetën në hap me kohën dhe realitetet.

Të tilla janë edhe poezitë tjera me motive nga Londra, si: “Lojë mbi rrota”, “Mall” e ndonjë tjetër me po këtë tematikë, që mund të është tejkaluar pa u cituar këtu, me dëshirën që ta takoni si befasi të këndshme të leximit.

Elbasani zbret në kujtesën e poetit, sa herë ndien mallin e vendlindjes, për ta mbuluar me tinguj e vargje nostalgjike, poaq sa është edhe dashuria e pashkëputur për te, për kujtimet e fëmijërisë dhe lidhjet e përhershme me qytetin dhe njeriun e tij.

Për Fatmir Terziun vërtetë “Dashuria bekohet në Elbasan”, me të gjitha vlerat që ia atribuon këtij qyteti, ku u kalit nëpër kohëra e sfida, për të vazhduar ta ruaj në shpirt e frymëzim si një relikt të veçantë dashurish në pambarim.

Kosova në poezinë e Fatmir Terziut

Kosova”, si emërtim dhe shtrirje gjeografike e një hapësire të veçantë strategjike në Gadishullin Ilirik, po edhe si paraqitje letrare–poetike e ndërtuar mbi një bazament të fortë qëndrese dhe dëshmive historike nga lashtësia e këtej, në opusin krijues të Fatmir Terziut e takojmë të konceptuar në rrafshin e qëndresës stoike të popullit nëpër shekuj, me çasje të veçantë në zhvillimet e fundit të luftës, që u kurorëzua me lirinë e shumëpritur. “Shpirti i një populli pasqyrohet në poezinë e tij më mirë se në çdo formë tjetër të artit” thotë Alen Boske. Ky mendim i qëndron plotësisht paraqitjes së ngjarjeve, sidomos këtyre për Kosovën dhe periudhat e saj të jetesës e mbijetesës historiko-heroike. “Shkul gjëmbin në këmbët e saj,/ ajo e fitores, pishtar i dritës së mbarë.” për ta sforcuar fuqinë e qëndresës “Pastroj spicat në sytë plot vaj,/ një shqiponjë që fluturon, tregon fuqinë e saj!” (po aty, fq. 22). Poeti nuk ndalon veç në paraqitjen e aktit heroik, por vazhdon të përcjell zhvillimet e mëtutjeshme, të cilën e kundron me një dozë pasigurie edhe pas çlirimit: “E më në fund e lirë, po prapë me derte/ prapë krahu i shqiponjës i mban mbi vete.”, për ta ndarë mendimin se ende ka për të bërë derisa të frymohet lirisht në truallin e Arbërit.

Poezia nuk duron tkurrjen e mendimit, poaq sa nuk mund të tkurren asnjëherë shtrirjet gjeografike të fushëveprimtarisë krijuese në prekjen e temave dhe ngjarjeve gjithandej kah e shpie poetin pegasi i frymëzimeve. Ky veprim në të mirë të njohjes sa më afër të një vendi, që për poetin konsiderohet edhe vendlindje e paraardhësve të tij, prej nga do të kalojnë pastaj në Elbasan, që në parim kjo shtrirje në kohë dhe hapësirë kaq të gjërë ka ndieshmëri të veçantë, edhe si dëshmi, edhe si frymëzim, që bashkëveprojnë si një trup i përbashkët për të ndërtuar kështu historikun e tij që nga periudha e hershme e shtrirjes gjeografike të familjes e këtej, duke i ndërlidhur edhe me Londrën, prej nga mban të lidhur fort lidhja e tij me atdheun. Iu ktheva edhe njëherë temës së atdheut dhe dashurisë ndaj tij, për faktin se në asnjë mënyrë nuk mund të qëndrojnë të ndara, duke konsideruar edhe lidhjet e shumta me njerëzit dhe ngjarjet që kanë përballuar gjithandej. “Bisha ende zvarrit ëndrrat e vrara/ kullot fëmijërinë njomëzake të tretur/ në patalokët e erërave.” Në vazhdimësi shpreh shqetësimet e tij poeti, duke ndier si ende “Ulërrin e dehet me gjakun e derdhur të trungut tim/shkel mbi djepa si sofrati netëve të ikjes”, por nuk i dorëzohet këtyre situatave, sepse në një çast heton shenjat e ndryshimeve të situatës prej nga do të fryjnë erërat e reja: “E shoh se blirat janë gati për sezonin e ri,/ brenda tyre rriten edhe lulet e kujtesës...” (Patalokët e erërave”, fq. 14). Fatmir Terziu arrinë ta prek pothuajse çdo ngjarje e ndryshim që ndodh në Kosovë. Ai, edhe atëherë kur qëndron atje, në vende të ndryshme, prej nga sjell mjaft faktografi, edhe nga largësia fizike, ka po të njëjtën ndieshmëri të shtjellimit të temave për Kosovën e tij, që nuk ngurron t’ia kushtoj një pjesë të mirë të kohës, duke trajtuar temat, edhe si “Vizitori i parë i Krushës së Madhe”, për të ndarë dhimbjen me shumë familje, nëna e motra që u mungojnë më të dashurit e tyre, poaq me përkushtim do të bisedonte me dëshmorët, të rënët për liri që i takon në bronz e nëpër varreza të shumta të pothuajse çdo vendbanimi. “Po rrjeshtohen 20 vjet. Jam me të parët në rrjeshtin e tyre/ duke ecur gjatë në Doëning Street.” shpjegon me pak fjalë gjithë përkushtimin e britanikëve për qështjen e Kosovës, meqë “Ata po rrëmonin në tokën e përlotur për gjakun,/ mënyrën se si njeriu/ edhe i vdekur rrëfen për krimet në një varrezë të madhe masive,/ duke bërë thirrje për një kohë të gjatë të tretur/ për të pëshpëritur nëse është e mundur të durojnë lotët e syve.” Ky përshkrim kaq i dhimbshëm vazhdon të qëndroj gjatë në kujtesën e poetit, i cili e shpreh përmes poezisë “Pyes të vdekurit e tu Kosovë”, duke i dhënë shpjegimin kësaj situate edhe pas kaq vite çlirimi, ku “Mbi shënimet e mëdha shenja dhe kode lufte,/ bota mbush libra, gazeta, ditare, emisione televizive/ me zbulime për krime lufte,/ gjumëra dhe ëndërra mbi skelete/ e civilizimi ka filluar të harrojë atë që duhej të dëshmojë/ edhe një herë për të vetmin tmerr të vdekjes.” (po aty, fq. 8). Mbi krejt këtë sajesë plot dhimbje e shqetësime, poeti në mbyllje të poezisë rikthen kohën e kujtimeve, si një ngushëllim: “Ndërsa Kosova hap plagët e kohëve të 20 viteve/ unë përfytyroj fluturimet e zhurmshme të NATO-s/ me shkumë të bardhë në qiellin e miteve”(po aty, fq. 8).

Jo vetëm dhimbjet, lufta, dhe tmerret e saj, por edhe dashuria për Kosovën, për bukuritë e saj, për traditat, trashëgiminë kulturore, etj. ngjallin muzën krijuese të poetit, larg nga vendlindja për ta sjellur të freskët për lexuesin. Poezia “Vrapuesja e Prizrenit në Londër” shpërfaq një temë nga lashtësia, ku poeti e nis me kërkim faljen për pamundësinë që të bëj më shumë se kaq për te: “Më fal të zgjova, ta them me bindje,. të erdha të të uroj për Krishtlindje.../ por edhe t’u tregoj fëmijëve,/ se edhe Ti ke një vendlindje.../ Qindra vite endesh, turresh, pas xhamave kristal/ qindra vite me fundin tënd palë-palë,/ mijëra e mijëra njerëz të vijnë vërdallë,” (po aty, fq. 272). Ai sikur bashkëbisedon me vrapuesen, e cila “Mijëra vite pa folur shqip,/ kokën pas, pas mban dhe sytë,/ Menadë e Prizrenit para teje jam i hutuar,/ vajzë-atlete mbete duke vrapuar.” Poeti flet parreshtur para statujës së saj, duke dashur ta ngjallë kujtimin e së kaluarës, për ta përjetësuar pastaj në kujtesën e lexuesit “Vrapuese e Prizrenit ti erdhe e para,/ ashtu siç dilje edhe atje në gara,/ ti kërkosh hapur Britanisë,/ fitoren e merituar të Pavarësisë.” E pandalshme është dëshira e poetit ta ndiej sa më afër praninë e saj, ta paraqes sa më fisnike dhe të pandarë nga vetvetja, me lutjen “më lejo të të puth shqiptarçe në ballë,/ dhe buzët e bronxta që digjen në heshtje.” Përfundimisht, poeti e shpreh me shumë mallëngjim këtë ndjenjë kaq të veçantë, për ta personifikuar me atdheun, me vlerat dhe dëshmitë e hershme të rrënjosura gjithandej botës:

“Të takoj ty dhe më duket dita e bardhë,

edhe pse je pas xhamave në atë sallë,

dhe më duket sikur Kosova brohoret, e shkulet vendit

Vrapuesja e Prizrenit, Vrapuesja e Prizrenit!”

(Po aty, fq. 273)

Nuk mund pa mos i sjellur edhe disa nga titujt poetik, si; “Tungjatjeta”, “11 vjet me ëndrrën”, “Vetëm një tjetër bashllag R.I.P”, me tematikë Kosovën, që e bëjnë më të kompletuar, më të fuqishme dhe me shtrirje të një plotnie gjeografike, që mëton ta pasqyroj si një vlerë të qëndrueshme dhe të vetme në gjithë opusin e tij krijues, me frymën e dashurisë për atdheun.

Kapitulli i dashurisë në vargje

Kapitull i veçantë në poezinë e Fatmir Terziut është dashuria, në kuptimin e përgjithshëm, dashuria për njeriun, për mikun, dhe mbi të gjitha dashuria si fenomen i paraqitjes të së bukurës, ndjeshmërisë shpirtërore. Këtë sensualitet e sjell të ndërtuar edhe në poezitë e shumta që i takojmë në këtë përmbledhje poetike mjaft voluminoze, që krijojnë përshtypjen sikur janë vendosur në atë mënyrë që ta thejnë herë-herë rrafshin e shtrirjes së temave tjera, ku ngërthejnë probleme të ndryshme plot dhimbje, vuajtje, pastaj shqetësimet sociale, ekonomike, politike, e të ngjashme. Megjithatë për t’i shpalosur sa më gjërësisht këto vlera, i bashkuam në një kaptinë më vete, të ndërlidhura, qoftë si ngjarje, qoftë si gjetje tematike, etj. në prizmin e shikimit të përbashkët si veprime. Semantika e vargut të kësaj poezie ka një shtrirje të gjërë të gamës së shtjellimit tematik dhe fuqizimit të vlerave letrare dhe stilistike. Bazuar në këto vlera, poezia e dashurisë, pavarësisht që këtu është e bollshme, asnjëherë nuk mund të zbërthej gjithë atë që do ta provokoj unin krijues të poetit. Por, sidoqoftë në masë të konsiderueshme dhe me shumë kreativitet e paraqesin një përfaqësim tematik.

Për ta kuptuar sa më thellësisht trajtimin e temave të dashurisë, shkëputa vargje nga poezia “Alfabet”, që konsideroj se ka efektin e fillimit të mbarë si veprim alfabetik, që Terziu mund ta ketë konsideruar nga të parat dashuri, atë që ushqen me dekada për bashkudhëtaren e jetës, për ta zgjeruar pastaj me të dashurit tjerë, qofshin nga rrafshi imagjinar, apo edhe fiktiv, të skalitura me penelin e ndiesisë shpirtërore, sa me dridhjet e zemrës, që nuk gjejnë qetësinë deri në çastet e përkufizimit të personazheve që e preokupojnë tematikën. “Thashë të të bëja metaforë. Dora/ rrëshqiste dhe mblidhte zanoret e tua të ëmbla/ bashkëtingëlloret e ndjeshme, të zëshme, të buta/ luanin me mua/ sa larg dhe sa afër janë ëndrrat,/ pa Ty e dashur grua.” (po aty, fq. 10). Në kujtesën e poetit vijnë edhe shumë ngjarje që do t’ia provokojnë muzën krijuese përsëri. Të këtillë e takojmë edhe poezinë “Një fjalë që u përhap nga e gjithë bota”, që, siç mund të kuptohet nga citimi i vargjeve: “Dashuria,/ një fjalë që u përhap nga e gjithë bota/ nganjëherë një milion njerëz përpiqen ta bëjnë atë të duket mirë/ nganjëherë ata vetëm varen në një keqkuptim të madh”. Dashuria, si prekje e ndiesisë shpirtërore, si “djersë që ia mban lagësht lëkurën babait tuaj”, si “përqafim dhe puthje nga gjyshërit tauj derisa po vjen”, që në përmbyllje do ta përkufizonte me mendimin: “më lejoni të uroj dhe të përfundoj listen/ se dashuria është lloj i thjeshtë/ ndoshta jo logjike dhe të paparashikueshme/ ju nuk duhet të shqetësoheni ose të bërtisni një rebel/ vetëm tregoni dashurinë tuaj”(po aty, fq. 99). Fiksimi në pamje e veti të veçanta është një tjetër karakteristikë që e gjejmë te poezia e Fatmir Terziut, i cili me kujdes i përshkruan ashtu në origjinalitetin e tyre: ” Në sytë e tu çikëverrat mbushin hapësirën e gjelbër si pllajat/ duken si yje të rëna nga qielli,/ spitullen qerpikët dhe qepallat,/ qëndisen faqëzat, zgunten majëzat,/ nga brenda këndon gjithësia e mbushur me dashuri/ për prekjen e zjarrtë në bardhësi.” (“Thellësi”, fq. 184). Kjo thellësi vrojtimi për poetin do ta ketë mprehtësinë e trajtimit deri në krenari, për shpirtin “që rritet si shkëmb” duke e inkurajuar që: ”mos na ul kryet, se duam të mbesim të tillë./ Dhe thellësia, sikur i dëgjon fjalët e shkëmbit kryengrehur,/ kur ndizen kaiket zjarr, nuk dalin pa u tretur…” (po aty, fq. 184).

Të ecësh ballëhapur në jetë është vlerë, dhe guxim. Por ecja “Njerëzisht në dashuri”, si e gjen shprehjen e tij poeti, është jetë e dyfishtë. Kjo ecje sa krenari, poaq është edhe mrekulli e veçantë, që mund të krahasohet me “Qielli është blu dhe i ndritshëm dhe i lirë”, duke mposhtur gjithçka që e rrethon, edhe atëherë kur “ka dhimbje dhe trishtim, zemërim dhe lëndim”, gjithnjë duke aluduar në mesazhin e fuqishëm përmes vargjeve: “pra hapni sytë dhe shikoni tani,/ njerëzisht Ju jeni plot dashuri./ Sepse dashuria nuk është e verbër për njerëzinë,/ të verbër janë ata,/ të cilët kurrë nuk e njohën dashurinë.” (po aty, fq. 65).

Në gjithë atë numër poezish për dashurinë, do të veçoja poezinë “Në tregun e këpucëve”, tek e cila takojmë edhe anën tjetër të jetës, ku dashuria mbisundon kundruall gjithçkaje. “Këpucët të vranë ty, e dashur/ fjalët,/ më vranë më shumë mua /më këputën damarët,më bënë të vuaj.” nis bisedën poeti, duke u ballafaquar me problemin e këpucëve, që duhet ta kenë vrarë dyfish në shpirt, meqë “Në tregun e këpucëve/ mallrat nuk shiteshin me mall/ unë dhe paraja ngjamë të huaj/ ishim në hall…/ … ishim në hall, e dashur/ për këpucët e tua që të vranë.”. Pavarësisht ngjarjes, në situata të vështira, atëherë kur objektivja ballafaqohet me subjektin, në përpëlitje të realizimit të një qëllimi momental, dashuria sa vjen e forcohet, ndonëse pengesat ishin të tejkalueshme në kohë. “Në ciatje era fryu/ fjala u paketua si kuti këpucësh/ plot dashuri më përqafove,/ në tregun e këpu