Atleti Dorian Kudret Çollaku


Kopi Kyçyku




I lindur më 2 qershor 1977, nga dera e madhe pogradecare e Çollakëve, që i ka dhënë atdheut heronj dhe intelektualë të shquar, Doriani filloi të ushtrohej në hedhjen e çekiçit qysh në moshën 9 vjeç, nën drejtimin e trajnerit Vaso Selenica. Më 1987 u bë sportist i Klubit Dinamo dhe ia doli mbanë të meritonte në vitet 1994 e 1995 titujt kampion i të rinjve, ndërsa më 1996 kampion i të rriturve. Një vit më pas mori rrugën për në Finlandë fill pasi profesori Vaso Selenica i tha se, në kushtet e një mungese të theksuar të bazës materiale, në radhë të parë të palestrës, - i detyruar të stërvitej jo në pedanë e në fushë, por në asfalt, - nuk do të mundte ta hidhte çekiçin jo më larg se 65 metra. Më 1996, në Kampionatin Ballkanik në Bukuresht distanca e përshkuar nga çekiçi i Dorianit kapi shifrën 62,92 metra.


Përse Doriani shkoi në Finlandë?


Në botë paska gjithsej 10 shkolla që shquhen për nivelin e lartë të përgatitjes së sportistëve të të gjitha disiplinave e në radhë të parë të atletëve. Njëra prej tyre ndodhet pikërisht në Finlandë. Atje takoi, pati shokë klase dhe u miqësua me mjaft kampionë e nënkampionë të botës në hedhjen e çekiçit, shtizës, gjyles, në shtytjen e kësaj të fundit, në vrapimin 110 metra me pengesa, në gara vrapimesh të gjata. Paralelisht ndoqi dhe përfundoi me sukses fakultetin në degën Administrim Biznesi.

Vite më parë, në periudhëm 1989-1996, pat qënë efektiv i Klubit Dinamo duke gëzuar një trajtim financiar të lartë dhe gjithë të drejtat e tjera. Në vitet 2003-2008 u bë sportist profesionist dhe pati mbështetjen e plotë të Federatës Shqiptare të Atletikës. Nga ana tjetër, Federata Botërore e Atletikës (IAAF), duke nisur nga viti 1997, i akordoi dy bursa. Gjatë vitit të parë të qëndrimit në kryeqytetin e Finlandës, Helsinki, shpenzimet e shkollimit e të jetesës ia përballoi familja, ndërsa vitin pasardhës ia morën përsipër Federata Shqiptare e Atletikës dhe Klubi Dinamo.

Në periudhën 1991-2008 Doriani mori pjesë në të gjitha garat ndërkombëtare të hedhjes së çekiçit: në Kampionatin Ballkanik, në Kupat e Evropës, në kampionate evropiane e botërore për të rinj e të rrituir, në mitingje sportive ndërkombëtare. Në olimpiadat e viteve 2004 (në Athinë) e 2008 (në Pekin) përfaqësoi Shqipërinë dhe arriti të kualifikohej. Në vitin 2008, në një veprimtari sportive në Espo (pranë Helsinkit), theu rekordin kombëtar në hedhjen e çekiçit prej 75, 92, që e pat vendosur Ajet Toska. Doriani e çoi në 76,96 metra. Kësisoj djaloshi përmbushi pikësynimin që ia pat caktuar vetes qysh më 1987.

Pas një periudhe stërvitore shtatëvjeçare në Finlandë (1997-2004), pasi vuri re se atje nuk mund të ngjitej më lart se aq në “kuotën” e suksesit, shkoi në qytetin hungarez Szonbathely, 100 kilometra larg Vjenës, për t’u trajnuar gjatë dy muajsh e gjysëm nga profesori me famë Pal Nemath, që e bënte këtë punë në krye të ekipit kombëtar të Hungarisë, në një poligon që pranohej si më i miri në Evropë. Në këtë vend, siç pasqyrohej në internet, teknika e atletikës kishte shënuar kulme të reja. Një i tillë lidhej me përdorimin siç duhej të këmbës së djathtë, e cila cilësohej si “motori” i çekiçhedhjes pasi forconte muskulaturën dhe reflekset e kushtëzuara. Iu tha se përdorimi i kësaj teknike nuk do të jepte fryte të menjëhershme, por vetëm pas një ose dy vjetësh. Atëhere lëvizjet e atletit mund të krahasoheshin me ato të një balerini. Dhe vërtet: Doriani kapi normën olimpike, madje e tejkaloi. Në vitin 2004, duke marrë pjesë në tregarëshin e hedhjes së çekiçit në Augsburg, në kuadrin e Bundesligës gjermane, u stërvit nga trajneri rus Vasilij Sidorenko (që pat bërë të njëjtën gjë me kampionin e Zvicrës Patrik Suter) dhe më 2006 Doriani arriti të bëhej nënkampion i Evropës.

Kur vjen fjala për dopingun, Doriani e përbuz, jo vetëm si një akt të paligjshëm dhe të pandershëm, por edhe si një mjet vdekjeprurës duke e konkretizuar me fundin e parakohshëm të shumë sportistëve në vende të ndryshme të botës.

Këtu po e mbyllim paraqitjen e bëmave të atletit Dorian Kudret Çollaku, këtij të riu modest e fjalëpak, atmëmëdhetar i përkushtuar, që bën krenar Shqipërinë e çdo shqiptar. I urojmë arritje të reja, gjithnjë e më të mëdha!