ATDHEUN TIM, NUK E NDËRROJ KURRË!
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 1, 2023
- 1 min read

Këtu kam qiellin tim, trojet shqiptare,
kam malet e mi, brigjet atdhetare.
kam lumenj të kthjellët, ujin që buron,
kam diellin qëkur lind, derisa perëndon.
Kudo ku zbres, apo ngjitem diku lartë,
gjuha ime shqipe, më shijon porsi mjaltë.
Këtu të gjithë njerëzve, u flas me emra,
përqafoj të afërmit dhe kë më do zemra.
Këtu gjithë toka bleron e deti kaltëron,
kjo mrekulli natyrore, të huajt befason.
Këtu burrat janë kaproj, gratë sorkadhe,
vajzat janë ikona, të bukurisë shqiptare.
Dasmat kemi festa, ku brezat trashëgohen,
me këngët e vallet tona, shpirtrat drithërohen.
Fëmijët mbijnë si lulet, në pragjet shtëpiake,
të gazmojnë shpirtrat e moshave, që plaken.
Këtu hapësirat, kanë kthjelltësinë qelibar,
marr fuqinë e jetës, nga oksigjeni shqiptar.
Këtu më shijon buka edhe me pak djathë,
ky Atdhe i vogël, për mua është i madh.
Mund të rritet këtu, vlera e djersës sime,
pa shkuar nëpër Evropë e Amerikën Latine,
kjo duhet shkruar qartë, në fletën e votës,
për të mos kërkuar atdhe, largësive të botës.
Këtu dua të përjetësoj, djalin tim e vajzën,
këtë Atdhe, nuk e ndërroj as me parajsën.
Si mund të iki, të braktis atdheun e tokën,
kur kjo Shqipëri e bukur, më ka bërë kokën?...
Atdheun tim të lashtë, nuk e ndërroj kurrë,
nuk pranoj të bëhem, me dyzet flamurë,
kam në ballë flamurin e lashtë, të Arbërisë,
përkrenaren e Kastriotit, me brirët e dhisë.
Dhe kur të shuhem, veç këtu dua të vdes,
mes njerëzve të mi, të prehem në varrezë,
siç jetuam këtu, me dashuri të përbashkët,
të na kujtojnë me lule, brezat e ardhshëm.
Ne shqiptaret na krijuan këtu, fuqitë hyjnore,
të qëndrojmë kolona, të këtyre lartësive malore,
ky mision i përjetshëm, troket fort për çdo harresë,
se në shekuj, kemi pasur, detyrimin për qëndresë...
Comments