Kadri Tarelli shkruan:
ATDHETARIZMI NË PENËN E VILHELME VRANA-HAXHIRAJ
Libri: “Genti mbreti Ilir i Ardianëve”.
Para pak ditësh ka dalë nga botimi, libri “Genti Mbreti Ilir i Ardianëve”, të autores së njohur vlonjate, Vilhelme Vrana-Haxhiraj. Është libri më i ri, dedikuar nipit të saj Rainit, i cili para pak kohësh festoi 10-vjetorin, por i përgatitur enkas për fëmijët 10-11-vjeçar, nxënës të klasave 4-5, të ciklit të ulët shkollor. Më vjen mirë, se përveçërisht është i dobishëm edhe për të rriturit, pasi shumë pak janë të lidhur me historinë, kështu që përfitojnë duke lëçitur së bashku. Është një vlerë e shtuar në krijimtari.
Kërkoj ndjesë nëse ka në letrat shqipe të tjerë libra të tillë historik të botuar për fëmijë, pavarësisht periudhës historike që paraqesin. Jam i bindur, se vetë titulli, ngacmon çdo mësues, sidomos i profilit të historisë, për ta çmuar lart librin, si një material në ndihmë të nxënësve të vegjël, për të njohur historinë tonë. Posaçërisht i kushtohet lashtësisë, siç është periudha e lulëzimit të mbretërive Ilire, në trojet e njohura Ilirike, që banoheshin nga Ilirët, si paraardhës të racës sonë shqiptare.
Në rrafshin historik është një gjetje shumë e bukur e autores, shekujt kur shqiptarët janë qeverisur nga mbretër shqiptarë, si e vetmja kohë e ndritur që duhet shkruar e lartësuar, duke u mësuar sa më mirë. Pavarësisht trimërisë dhe lavdisë, përfundimi është i hidhur, sepse historia na ka ndëshkuar rëndë. Pushtimi romak e ndërpreu evolucionin shoqëror dhe politik shqiptar, aq thellë sa nuk ngritëm kokë dhe mbetem për mijëra vjet të sunduar nga të tjerët, duke na lënë në derë farën e përçarjes mes nesh, si një lloj helmi që po na mban helmuar edhe në ditët e sotme. Autorja meriton mirënjohje.
Unë, si mësues dhe njohës i historisë, e vlerësoj librin në tre plane këndvështrimi, që meritojnë vëmendje dhe studim, mbase edhe përgjithësim, si model krijimtarie:
Së pari: në fushën arsimore, metodike e pedagogjike.
Vetë struktura e librit i shkon përshtat përdorimit nga mësuesit e historisë, për të nxitur nxënësit ta lexojnë me dëshirë. Mjafton rubrika në formë ftese: “Mësojmë së bashku”, ose “Lexues të vegjël dhe të dashur! A bisedojmë përsëri bashkë?”. Është një kërkesë e butë, si mësuese, nënë dhe gjyshe e dhembshur, që josh dhe përkëdhel kërshërinë e vogëlushëve, kur thotë: “Njohim më shumë historinë, zgjerojmë njohuritë për vendin tonë të lashtë, Ilirinë”. Shprehje që nënkupton dëshirën: - Kështu do ta duam më shumë Shqipërinë! - Ky është edhe mesazhi më i dobishëm dhe i shenjtë për fëmijët sot, të rinjtë nesër, si shkollarë, studentë, qytetarë, dijetarë, shtetarë dhe burra shteti. Për t’u bindur, komentin po e zëvendësoj me disa pyetje që ka vetë libri në rubrikën, bashkëbisedim: …………..
. Cilët janë paraardhësit e shqiptarëve, apo stërgjyshërit tuaj?
. Cili popull quhet autokton?
. Kur banorët e Pellazgjisë u quajtën Ilirë?……., etj. etj.
. Çfarë ju ka pëlqyer me shumë në këtë libër?
. Secili të zgjedhë një paragraf që u ka pëlqyer më shumë! – Një porosi, apo detyrë shtëpie, për të zgjedhur copëza nga libri. Është një lloj shtyse e qëllimshme, për ta lexuar me vëmendje, mbase edhe për t’u kontrolluar dhe vlerësuar nga mësuesi.
Në këtë qasje, më duhet të mbështes edhe një veprim të pëlqyeshëm, që i vlen nxënësve: Nëpër faqet e librit shihen shumë fjalë të dallueshme nga ngjyra e theksuar, për t’i dhënë shpjegim në një lloj fjalori në fund të faqes, që vetë autorja e quan “Fjalorth i fjalëve të vështira”. Kështu fëmijët nuk hallakaten të gjejnë kuptimin, njëkohësisht pasurojnë fjalorin me fjalë të përdorimit në juhën shqipe.
Së dyti: librin e vlerësoj për njohuritë historike, aq sa vlen jo vetëm për të vegjlit, por edhe për të rriturit, pasi këtu mund të gjejnë të dhëna historike që nuk i kanë ndeshur kurrë. Mbase e teproj pak, por kam përshtypjen se edhe mësuesit e historisë do të plotësojnë njohuritë e tyre, pasi tekstet e historisë në Universitet apo shkollat e larta, nuk kanë të tilla hollësi. Ato gjenden dhe lexohen në literaturë tjetër, qoftë arkeologjike apo edhe letrare. Po mjaftohem të ndaj vetëm pak shembuj:
1. Pellazgët, si aleatë të Trojanëve, përmenden për herë të parë te “Ijada”, poema e Homerit.
2. Herodoti. 2470 vjet më parë, në kapitullin “Muzat”, shkruan: “Përpara se të vinim ne në këto troje ku jemi sot, këtu ishin Pellazgët”.
3. Historiani romak Tit Livi, shkuan: “Në arkën e mbretit Gent, u gjetën 27 ponde ari, 13.000 denarë, 120.000 monedha argjendi”. Kjo ishte një pasuri shumë e madhe që i iku Ilirisë. Faqe 149.
4. Tabelë me rreth 100 fjalë pellazgjisht, që shqiptohen në gjuhën e sotme shqipe. Faqe 62.
5. Gentiana, bima mjekësore me të cilën mbreti Gent kuronte dhe mjekonte luftëtarët Ilirë. Sot me këtë bimë është bërë antibiotiku Gentamicina.
6. “Romakët e syrgjynosën në Gubbio (Peruggia). Aty është varri i mbreti mbretit Gent. Përherë të parë këtë varr e zbuloi majori amerikan Tompkins, në vitin 1941”. Faqe 150.
Së treti: E përgëzoj autoren Vrana-Haxhiraj, për artin e fjalës, për mënyrën e rrëfimit aq këndshëm, ëmbël, urtë e butë, për të hyrë në histori aq natyrshëm, jo vetëm si mësuese, por edhe si shkrimtare, tashmë me shumë përvojë (Mbi 60 libra). Shpesh fjalët e saj të vendosura në gojën e mbretit Gent, janë si porosi jete për fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit. Ato mund të shijohen dhe të përdoren si fjalë të urta, shprehje, mbase si citate të bukura ilustruese në biseda, fjalime, apo shkrime letrare dhe historike.
Lexoni dhe do më jepni të drejtë duke u bindur:
. Kush punon me përkushtim për vendlindjen është i nderuar dhe e ndjek mirësia përherë.
. Dashuria për njëri-tjetrin, vëllazërimi, thjeshtësia dhe bashkimi, do t’i bëjnë Ilirët më të fuqishëm ndaj armikut të përbashkët.
. Hakmarrja është armiku më i keq i njerëzve të një gjaku.
. Kurrë mos harroni Ilirinë e lashtë, vendin tuaj të vuajtur, të rraskapitur dhe të përgjakur ndër shekuj!
. Ndjesa, falja dhe mirënjohja, janë virtyte të trashëguara që nga Pellazgët. Nëse nuk kërkoni falje për gabimet e bëra, nuk keni si t’i ndreqni apo t’i rregulloni ato, por do gaboni përsëri.
Në fund autorja për të qenë e qetë me rrëfimin e saj, ngulmon në vërtetësinë e të dhënave historike, duke publikuar në faqet e fundit “Faktet historike janë marrë nga veprat e autorëve, ……..”.
Urime dhe suksese znj. Vivra, për këtë libër kaq të bukur dhe me vlera shkencore e atdhetarie, që edukon vetëdije dhe krenari kombëtare.
Fjalët e fundit përcjellin një porosi si amanet përjetësie:
- Unë bëra aq sa munda. Kurse ju trashëgimtarët e mi, do ta çoni më tej historinë e këtij vendi, që e kanë mohuar keqbërësit.
Mirënjohje!
Kadri Tarelli
Dhjetor 2022.
Përshëndetje z. Kadri!. E lexova me kujdes trajtimin që i bëni librit të z. Vilhelm, duke e uruar dhe shprehur ashtu si ju dhe konsideratat e mia.
Z. Kadri, apo z. Vilhelm, nëse është e mundshme do dëshiroja të dija:
a) Si është e mundur të ndodhë kjo mos njohje e varrit të Mbretit Gent për afro 2 mijë vjet?. Mendoj se kjo mos dije vendndodhjeje, ka domethënien e saj, që mendoj na ndihmon për më tej.
b) Mbreti Gent, apo mbretëresha Teuta, sigurisht duhet të kenë komunikuar me shkrim, me gjuhën e asaj kohe për drejtimin e mbretërisë. Si është e mundur që, në dijeninë time, nuk kemi gjetur ende ndonjë shkresë, urdhër apo diçka tjetër të lëshuar pë…
Pershendetje dhe mirenjohje per publikimin e ketij shkrimi me vlera atdhetarie e Shqiptarie. Kemi nevoje per libra me tema te tilla, aq me shume sot, kur rrethanat po na çojnë drejt ditëve te veshtira, si komb e atdhe.