top of page

ATDHEDASHURIA E NJË NACIONALISTI


Shefqet Meko


-Duke lexuar librin e Prof. Dr. Eshref Ymeri “Shtigjeve të fjalës artistike”-


Në bisedat telefonike me Eshref Ymerin, kam “lexuar” dashurinë e thekshme për Shqipërinë, si një vend ku lindëm. Duke mos qënë aq nacionalist sa ai, duke menduar se njeriu duhet të dojë njeriun, pastaj të gjykojë kombësinë apo nga vjen, shpesh më është dukur disi i tejkaluar mëshimi i tij tek “forca e tërheqëse”: Nacionalizëm. Ndërkohë Faruk Myrtaj në Toronto, të flet per një tjetër lloj nacionalizmi në një pikvështrim filozofik-krijues. Të dy nga Vlora të sjellin një panoramë të bukur të atdhedashurisë që me sa duket është e thënë të ketë “pashaportizimin” në Vlorë. Duke përjetuar të tashmen dhe luftën e Putinit në Ukrainë, duke ndjekur patriotizmin ukrainas dhe pasionin udhëheqës të Presidentit Zelenski, për ta mbajur gjallë dashurinë për Lirinë dhe Kombin e vet dhe demokracinë, pikërisht përmes atdhedashurisë si pasion e fuqi e vërtetë e qëndresës që nuk thyhet, befas pajtohem tërësisht me “Nacionalistin nga Vlora”, Eshref Ymeri. U dashka nacionalizmi. U dashka përkushtimi e dashuria në ekstrem ndaj atdheut tënd, u dashka “rreptësia” e Ymerit për ata që disa ta quajnë “Modë e shkuar” , pra atdhedashurinë.

Rikthehem tek Eshref Ymeri, ndërsa sapo kam lexuar librin “Shtigjeve të fjalës artistike” botuar nga Klubi i Poezisë, Tiranë 2021. Në kopertinë është simboli shqiptar, sikurse edhe çdo fotografi publike e Prof.Dr. Eshref Ymerit që ka përherë në sfond flamurin kombëtar.

Në dukje, ngjason si pa lidhje qëndresa ukrainase ndaj pushtimit të Putinit, dhe librit të Eshref Ymerit ku në 544 faqe, sillen mendime për historinë dhe figura të kombit, për intelektualë dhe patriotë, për libra, autorë, analiza, gjykime, tema dhe subjekte të ndryshme për librat dhuruara me dedikim të posaçëm Prof. Ymerit. Natyrisht nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me çmendurinë ruse në zemër të Europës, por libri i Eshref Ymerit i bën një shërbim të madh vlerësimit dhe himnizimit të çdo gjëje shqiptare. Ai i gëzohet çdo libri dhe çdo talenti shqiptar qoftë edhe modest, sepse ai e di më mirë se kushdo që librat janë “skeleti” dhe “nervi” i kombit. Siç thotë edhe vetë autori në shënimin e vet ai nuk është kritik, sepse nuk është shkrimtar, por ndihet i ndërgjegjshëm se nëse dikush të dhuron një libër duhet ta lexosh dhe “t’i thuash diçka autorit” qoftë edhe si mirënjohje. Në këtë pikvështrim, libri publicistik i Eshref Ymerit është si një kaskadë mirënjohje për gjithë ata autorë që shkruajnë, ofrojnë diçka, i shërbejnë “ndërtesës” së mendimit shqiptar me rrëfimet, poezitë, kërkimet apo jetëshkrimet e tyre.

Duket sikur libri në fjalë është një “stuhi” e mendimit akademik të autorit,që duke mbllaçitur mesazhet shkruar në libra, duke u përpjekur t’i japë secilit lavdërimin e merituar apo edhe disi të tejkaluar, ai nxit larg tij mendjet e reja. Këtu është edhe e veçanta e Ymerit: duke mos qënë krijues, ai depërton në botën krijuese, duke mos qënë poet vargëzon në mesazhet poetike dhe po ashtu, duke shfrytëzuar “arkivën” e vet si erudit gjuhësor e kulturor, çdo autori i bën një reçensë të tipizuar.

Në këtë botim që mua më duket si një testament atdhedashurie, janë përfshirë gati 100 shkrime të ndryshme të autorit, paraprirë nga një shënim zbërthyes i Fatmir Terziut në Londër.

Jo më kot Eshref Ymeri e fillon me librin “Vikama e tingullit” kushtuar jetës së Artistit të Popullit Feim Ibrahimi, nga bashkëshortja Vera Ibrahimi që Ymeri e quan shkrimtare dhe librin e saj si një kontribut të rrallë që “pasuron fondin e memorialistikës shqiptare…i pari libër homazh për jetën dhe veprën e një artisti të madh që është shkruar ndonjëherë në vendin tonë”. Vetëm në pak faqe, autori të përfshin në jetën e muzikantit të madh, të ben pjesë të fatit të tij dhe duke lexuar dridhesh nga forca e fjalës dëshpëruese si “tel violine i këputur” kur lexon artistin e pushuar nga puna nga idjotët që nuk kanë ndjekur një koncert , por sikur kanë dalë nga “shkolla e plepave” ndaj e meritojnë atë që shkruan artisti:“Nuk kam nevojë për shkollën, por shkolla ka nevojë për mua.Lamtumirë”. Duke lexuar deri në fund këtë shënim të Eshref Ymerit për jetën e Feim Ibrahimit, sikur të dridhet shpirti, të duket vetja si në një ëndërr të keqe që do të zgjohesh, veçmas kur lexon të thënat e artistit të madh… “Kam humbur shumë nga besimi që kam pasur tek puna,ajo nuk më dha gjë veç mundimeve, presioneve të të tjerëve dhe varfërisë, shpërblime këto që nuk i meritonim”. Pohim i dhimbshëm i një personlaiteti të muzikës shqiptare, që priti gati pa frymë ndryshimin nga “Një parti” tek “Shumë parti” dhe ai vetë nuk e gjeti vendin askund, veç “iluzioneve të humbura”... Por autori di të ngrihet mbi këtë dëshpërim të artistit, duke vlerësuar kontributin e tij në kulturën shqiptare. “Jeta e Feim Ibrahimit të kujton detin që nuk gjen kurrë qetësi” shkruan Ymeri, të cilit rrëfimet e Vera Ibahimit i sjellin në mendje “Anën e dostojevksit” siç shënohet edhe në titull.

Libri i Eshref Ymerit jo rastësisht fillon me “Simfoninë Ibrahimi” për të vijuar me Kadarenë, për të cilin nuk kursen ta çmojë si një shkrimtar unikal me një talent brilant në letrat shqipe, por me kurajo rrëfen “kompromiset e heshtrua”e gjeniut te letrave shqipe, gjatë viteve të “Partisë-Shtet” duke ngritur zërin gati në bërtitje duke thënë “Nuk mbrohet Kadareja me të pavërteta”. Për një lexues tangental të duket sikur autori është “armik i betuar” i Kadaresë, por realisht Eshref Ymeri mbetet njeriu i vërtetë ose “pasqyra” intelektuale e veprës Kadare duke mos i fshehur dirtë-hijet e saj në të shkuarën. Askush nga ne nuk do deshte një “Kadare në burg” apo më keq, sepse kjo do ishte një humbje që regjimi mund ta bënte, por falë “mençurisë Kadare” ai mbijetoi. Eshref Ymeri i thotë të gjitha këto pa asnjë komples. Këtë unë e lexoj si dashamirësi dhe vërtetësi, jo denigrim, jo shpifje, jo urretje por qartësi dhe fakte. Kombet e mëdhenj nuk kanë frikë t’i tregojnë të gjitha të vërtetat për heronjtë e tyre dhe njerëzit e mëdhenj, sepse vetëm kjo i shërben në mënyrë të plotë vetë kulturës dhe trashëgimisë së saj. Për fatin tonë të keq në këtë këndvështrim ne kemi mbetur ende me “rudimente komuniste” duke pranuar të fshehim të vërtetat dhe “asnjë fjalë ndryshe për të madhin…” si dikur “për xhaxhin”.Kjo kohë e shkuar ka mbaruar. Falë lirisë së fjalës Eshref Ymeri i thotë të gjitha.

Porf. Ymeri, duke pasur “busull” vetëm të vërtetën, nuk kursen as Dritëro Agollin, të cilin e kritikon ashpër për faktin që shkroi elegjinë për Enver Hoxhën në prill të vitit 1985.Me fuqinë e lirisë së sotme ai kërkon që në ato kohë shkrimtarët e kalibrit të Agollit, të mos shkruanin dhe të braktisnin funeralin qeveritar…, por duke zbritur në kohë dhe hapësirë e atyre viteve, të bëje këtë, jo vetëm ishte vetvrasje, dhe “hapu burg të futem” sepse pushteti ishte jo vetëm i frikshëm, por edhe i pa përballueshëm.Thënë thjesht, Eshref Ymeri ka të drejtë sot, por kjo ishte e pamundur dje…

Të tillë këndvështrim gjen edhe në shkrimin “Në gjurmët e një emisioni për Konicën”, ku siç përmendëm më sipër autori u mëshon fakteve dhe të vërtetave. Me një logjikë të ftohtë dhe gjykim të mprehtë ai sikur kërkon të plotësojë një emision televiziv me të vërteta të cunguara apo të pa thëna për Konicën dhe Nolin që, për hir të së vërtetës, së bashku dhe veç e veç janë as më shumë dhe as më pak, por një e vërtetë shqiptarësh larg Shqipërisë.

Eshref Ymeri me këtë libër shpalos mendimin e tij për historinë dhe të shkuarën me përsonalitetet e veta,dhe denoncon me gjuhën e vet të drejtpërdrejtë çdo sajësë historike të politikës dhe “Pushtetit të Njeshit” ndaj intelektualëve që realisht e kanë dashur më shumë atdheun se sa “sharlatanët” në pushtet që ja fshehën kombit heronjtë e vërtetë të mendimit dhe patriozmit shqiptar. I tillë është shkrimi rreth vlerave gjithëshqiptare të Fishtës, që dekadat e heshtjes dhe sulmeve, nuk mund ta zbehnin shkëlqimin e mendimit fishtian në mbrojtje të Shqipërsië dhe vlerave reale të kombit tonë. Në 75 vjetorin e ikjes se Fishtës, Ymeri risjell fjalën në Konferencën e Paqes në Paris më 1975 ku Gjergj Fishta në mënyrë të fildishtë ngre zërin “…që Shqipnia të qitet shtet më vete përbrenda kufijve të vetë etnikë dhe gjeografikë”. Autori sikur jeton me ofshamën atdhetare të Fishtës, që siç dihet me “Lahutën e Malcisë” u bë një “oshëtimë” që ndihet dhe do ndihet përjetësisht, edhe pse regjimi i Enver Hoxhës e anatemoi si askush tjejtër. Me dëshpërim por edhe shpresë Eshref Ymeri thotë se “...për demaskimin që i ka bërë shovinizmit evropian dhe sidomos shovinizmit sërbomadh, Gjergj Fishta duhet nderuar me shtatore gjigande jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë dhe në Shkup”. Autorit me lirinë që ka gjetur në Amerikë, nuk ngurron të fshikullojë “shovinizmin europian” duke e barazuar atë me atë sërbomadh duke rezonuar bukur me vargjet e Fishtës “Uh, Evropë, ti kurva e motit!/Që i re mohit, besës së Zotit!”. Në fakt kjo duket edhe sot me plogështinë e kësaj “plake” edhe në krizën e tashme të luftë së Putinit, që pret “e lodhur” se çfarë do thotë Amerika… Le të kujtojmë dekadat e para të shekullit që shkoi dhe vetë luftën në Kosovë, për ta kuptuar se “Pa dashamirësinë Amerikane, Shqipëria do ishte thërmuar’...

Befasues mbetet shënimi i detajuar për librin e Nuri Dargoit “Një jetë para gjyqit” që në mënyrë lakonike Prof. Ymeri e titullon “Universi Trebeshinian”.Me mprehtësi intelektuale, me vëmendje dhe kujdes të posaçëm, Ymeri depërton në detaje dhe bën “anatominë” e mendimit të Nuri Dragoit për shkrimtarin që rrëmbeu pushkën në adoleshencë dhe kontribuoi në luftën për liri duke shpresuar tek “Një Shqipëri e lirë dhe demokratike”. Fati i Trebeshinës është fati më i dhimbshëm i një krijuesi të shekullit që shkoi, që me pasionin e moshës besoi tek “idetë e mëdha të luftës”, besoi se kishte fituar të drejtën e fjalës dhe nuk heshti, por foli duke qënë ndër të vetmit krijues të sfidonte Enver Hoxhën me një letër qysh në mesin e shekullit që shkoi. Nuri Dragoi sjell të plotë një sagë të pafundme të shkrimtarit dhe patriotit Trebeshina që dha shpirt larg Shqipërisë. Eshref Ymeri ndër të tjera shkruan: “Kushdo që mbaron së lexuari librin…, nuk mund të mos provojë një tronditje të fortë shiprtërore, honet e tij të shpirtit nuk mund të mos i pushtojnë ca ndejnja trishtimi të thellë për fatin e këtij përsonaliteti të papërsërtshëm në historinë e kulturës sonë kombëtare”. Eshef Ymeri nuk e fsheh konsideratën e tij për akademikun Nuri Dragoi, siç do ta quaja unë që e njoh personalisht dhe njoh rrugën e tij të mundimshme drejt shtypit, letërsisë dhe studimeve historike që lanë gjurmë. Duke medituar për këtë shënim pasionant, kujtoj se Nuri Dragoi mbaroi studimet për mjek veteriner, (si autori i këtyre radhëve), punoi veteriner, realizoi plane dhe detyra në Përmet, por kurrë nuk la penën e vet në “gjumë”...Ai shpërtheu me ardhjen e demokracisë dhe vërtetoi se “diktati” për ta bërë veteriner ishte i dhunshëm, sepse ëndrra e tij ishte gjetkë. Nuri Dragoi është një nga ato zëra dhe potenciale intelektuale që e shkuara deshte t’i varroste, t’i humbte nëpër kooperativa dhe “stalla lopësh”, por nuk mundi, sepse pasioni, talenti dhe këmbëngulja për të mos u thyer kurrë, ishin më të mëdha dhe Nuri Dragoi falë guximit të tij mbijetoi dhe dëshmoi talentin e vet. Ai është “zëri alarm” që ka shkruar me vendosmëri për fallsfikimet dhe mashtrimet greke me eshtrat e të vdekurve në juglindje të Shqipërisë, zë që vjen edhe sot dhimbshëm nga nëntoka ku prehet Nuri Dragoi, i cili duket se friket nga “dinakëria greke” që mbase edhe eshtrat e tij mund t’i përdorë një ditë si “plaçkë politike” siç ka bërë me sa e sa të vdekur në Përmet e gjetkë që denoncohen në librin testament “Eshtrat që akuzojnë…”

Libri voluminoz i Eshref Ymerit është një “hartë”e botës intelektuale shqiptare, një “arë” e mendimit të autorit punuar me kujdes dhe palodhje për ta thënë fjalën e vet, për këdo dhe për të gjithë: Në faqet e këtij botimi të mbështjellë me dashuri të madhe shqiptare, gjen gati këdo: Gjergj Fishtën, Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin,Xhevair Spahiun, Gjergj Bubanin,Bardhodh Gaçen, Mira Meksin,Uran Bukën, Eldia Buçpapën, Fatmir Terziun,Skifter Këlliçin, Vilhelme Haxhiraj,Qazim Shehun,Kozma Gjergjin, Përparim Hysin, Daniel Gazulli,Skënder Kapiti… e plot të tjerë (ndjesë që nuk mundem t’i përment të gjithë) që kanë fituar vëmendjen dhe interesin intelektual të akademikut shqiptar Eshref Ymeri, që jeton prej vitesh në Kaliforni. “Shtigjeve të fjalës artistike” është një libër që të “shëtit” në një rrejdhë mendimi ku “varkëtar” është dhe mbetet autori, si një pishtar që “ngjyen” penën e vet në flakët e patriotizmit dhe historisë së popullit shqiptar. Për ta dashur më shumë autorin, mjafton të lexosh shkrimin e tij në reagimin ndaj një përsonazheje shqiptare, të luajur nga aktorja Tina Fey dhe të denoncuar nga Mimoza Dajçi në gazetën “Tribuna shqiptare”.Në këtë shënim autori gati shpërthen duke mbrojtur dinjitetin shqiptar dhe beson se loja e Tina Fey eshtë një antishqiptarëizëm frymëzuar nga lobimet greke. E lexon me ëndje reagimin e Eshref Ymerit dhe ai të bën krenar me mbrojtjen që i bënë dinjitetit të femrës shqiptare, por duke jetuar lirinë amerikane, kupton se këtu bëhet humor me të gjithë kombet dhe të gjitha etnitë, sepse amerikanët kanë nevojë të qeshin. Këtë e sheh më mirë edhe në shfaqet humoristike të mbrëmjeve në kanalet televizive. Amerika qesh me veten dhe qesh edhe me të tjerët.

Libri në fjalë, jo si çdo libër tjetër, përfshin edhe mesazhet që ka shkëmbyer direkt me postë elektronike autori me “heronjtë” e shënimeve të veta. Në fillim kjo mu duk si diçka e tepërt, dhe ja shpreha rezervën time autorit, por tani që i kam dalë në fund librit, besoj se kam qënë i gabuar. Eshref Ymeri duket ruajtur një komunikim aktiv me autorë, intelektualë, miq, shokë, kolegë dhe duke i përfshirë këto mesazhe në botimin e vet, sikur i hedh “sherbet” fjalës dhe mendimit të shkruar që është një pasuri kombëtare. Këto komunikime direkte tregojnë lidhjet njerëzore të autorit me miqtë dhe dashamirësit e vet, që ai nuk ka dëshirë t’i mbulojë harresa, por i publikon në librin e vet.


Të bën përshtypje skedimi i burimeve nga ku nxitet autori i librit për shumë tema që rroken në faqe e këtij libri. Ai gjurmon në portale, në gazeta, emisione televizive, debate intelektuale, ne arshiva dhe vjen me mendimin e vet: Shqipëria është fati dhe destinacioni ynë. Për të duhet punuar sa të kemi mendje e shëndet, duket sikur le “amanetin” e vet Prof. Dr. Eshref Ymeri.

Në fillim përmenda luftën në Ukrainë, si piknisje e këtyre shënimeve. Ukrainasit po i rezistojnë “Luftës së Putinit” dhe motua e tyre mbetet Atdheu dhe Liria e kombit. Ata po shokojnë me atdhedashurinë e tyre shoqëritë e përparuara të botës, duke u bërë një komb frymëzues për civilizimin e shekullit të 21-të. Unë besoj se po kaq frymëzues edhe mëkues i atdhedashurisë ështe edhe libri i Eshref Ymerit, i cili ja kushton bashkëshortes së vet Hava Ymeri, që është edhe korektore letrare e kësaj vepre.

Libri “Shtigjeve të fjalës artistike” është si një arshivë e mendimit të lirë të intelektualëve që janë larg dhe afër Shqipërisë. Eshref Ymeri sikur ka folur për të gjithë “ikanakët shqiptarë” dhe ata që nuk ikin, por kountriboujnë në atdheun e vet.

Shefqet Meko

Minneapolis, USA

22 Mars 2022


96 views1 comment

1件のコメント


Prof Dr Fatmir Terziu
Prof Dr Fatmir Terziu
2022年3月23日

Një ndalesë mjaft e bukur dhe e shënjuar estetikisht. Dy pena të nderuara, Prof Dr Eshref Ymeri, që në këtë rast me librin e tij, përkitazi ka merituar mishërimin estetik dhe tejet diskursiv të penës së të mirrënjohurit Shefqet Meko. Në këtë linjë kuptojmë bukurit të shkruarit bukur në dy anë mjaft të ndjeshme, nga njëra anë është libri i mrekullueshëm i Ymerit dhe nga na tjetër ky shkrim analitik i shkëlqyer i Mekos. Natyrshëm mes kësaj ndjejmë qartë se të shkruarit mishëron artin më fin të të shprehurit, i cili nxit jo vetëm një individ të zgjerohet mbi mendimin intelektual, por dhe të ysht që të shkosh e të ulesh këmbëkryq në leximin e veprës së Prof Dr Eshre…

いいね!

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page