Atdhè
Nga Fatmir Terziu
Atdhè! Të qava sot
të lotova dje…
Edhe ti flije keq!
Diell i ndritshëm të largonte jastëkun me brinjë
Toka pështillej mes çarçafëve gri të natës pus
me ëndrrën që nuk mbahet mend qyshkur,
nën forcën e një grahme të shkulur
avullonte mëngjesit vesa e përlotur
sytë gjysëm të mbyllur shihnin matanë Detit
ngase disa dashuri vinin nga udhë e largët
e kaltra e Ditës
ngiste disa Shpirtra të Shenjtë
atje lart ishin tretur...
Atdhè! Të pyes sot
të pyeta dje…
Përgjithmonë të pyes mes vetes
edhe për një fije floku
që më mbeti borxh pa ta rikthyer
istikam rrezesh nga thinjat e reve
ngjyer me bojën e penës së thyer.
Atdhè! Të dëgjoj sot
të shkruajta dje…
Edhe ti flije keq
mendimet e tua i dëgjoja tek çanin Qiellin
si gjethe dafine në buzë të qeshura
këndonin e këndonin një këngë për Diellin.
Atdhè! Të pranoj sot
të pranova dje…
Jeta ime është e lidhur me gjumin tënd
frymëmarjet janë dhe frymëdhënie
edhe hijet po aq edhe yjet na ndjekin ngatë
më ndje hapësirë qiellore, teksa heq
më ndje imi Dhè
të largojë për pak çaste gjumin e keq
munguar nga trupi yt Atdhè!
Commentaires