ATA TË TRE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 1, 2020
- 2 min read

Nga Edmon Llaçi
Midis atyre të dyve ai ndjehej tepër komod. Nuk ishte rastësi. Që në hershmëri brenda atij grupi kishte se çfarë të “përtypej” dhe të “konsumohej’’ nga të tre. Në ato biseda të gjata dhe gati të përditëshe ata gjenin vetveten. Pikërisht për këtë gjë, ata të dy do të përpiqeshin t’i qëndronin sa më pranë. Bile tek e shihje herë me njërin e herë me tjetrin se në rastet kur ishin bashkë të tre kërciste edhe ndonjë “zënkë” për arsyen e formimit personal të secilit, ndjeje harmoninë e bisedës e të mendimit. Me dashjen e padashjen e tyre ata të dy e kishin të nevojshme praninë e tij. Me cilësitë e njeriut të formuar dhe tepër inteligjent të cilat ai i transmentonte këndshëm, u jepte mundësi të futeshin në labirinthet e asaj bote virtuale të konceptuar prej tij.
Më i vogli nga ata të dy, ku që të tre nuk ishin dhe aq të vegjël, pavarësisht se qe i fundit që hyri në atë shoqëri, herë pas here shfaqte nota të një personi disi më të rëndësishëm për arsye të detyrës që kryente, por ajo çka e bashkonte në atë grup e bënte të zbriste në nivelin e tij natyral, në atë që i kërkonte shoqëria. Prandaj ndarja në dyshe, herë pas here shërbente si amortizator për të kaluar këndshëm midis njeri tjetrit. Me kapriçon karakteristike të orgjinës malore të fisit të tij, ishte tepër kërkues dhe do ta çonte në fund mendimin.
Tjetri. Mosha e madhe i shfaqej në formën e urtësisë e cila mund të kuptohej si karakteristikë kryesore. Ishte i vëmëndshëm dhe matej mirë përpara se të fliste. Sa herë do të merte fjalën e shoqëronte me lëvizjen e dorës së djathtë. Me gishtin tregues përpara e me të tjerët të mbledhura grusht pas pëllëmbës të dorës. Do të heshte pak dhe sikur do të prekte diçka me të do të vazhdonte ligjëratën. Gjithmonë në temat politiko-sociale. Njohuritë që zotëronte për artet në përgjithësi ishin interesante. Në çastet që do të ndahej nga grupi për të shkuar në shtëpi, do ti fuste në xhep të dyja duart e do të nisej. Dhe do të largohej qetë-qetë pa u ndjerë.
Me cilësitë e tij dhe komoditetit të fituar nga ata të dy, rrugës tek ecte, shpesh mërmëriste: Akoma kanë nevojë të çlirohen nga vetvetja por gjithsesi janë të këndshëm.
Comments