“At… një ëndërr e gjatë”


Libri im dedikuar babait tim të shtrenjtë Dail Terziu “Mjeshtër i Madh i Punës” i dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dy herë, në vitin 1967 dhe në vitin 1978.


“At… një ëndërr e gjatë”


At… një ëndërr e gjatë. E zëshme, e pazëshme, e fjalët e pafjalët. E ndjeshme. E madhërishme… e paparë ndonjëherë më parë. Ëndërr e lartë me At. Ëndërr me fat. Ëndër që vjen e projektuar nga Lart. Dhe mbetet një ëndërr e gjatë. E gjatë, e pafundme, ëndërr në infinit. A ka vërtet një ëndërr të tillë? A ka ndodhur kjo ndonjë ditë? E përditësia është një arsye më shumë të pranojë të gjithë këtë ëndërr të madhërishme, këtë realitet jete, që vjen në jetë si një fjalë, ndërsa e sjell udha të bëhet kryefjalë dhe të mbetet vetë për hir të së vërtetës, rendi në kryefjalë të vetë jetës. Nuk është më një fjalë. Nuk është as edhe ndonjë fjalë e thjeshtë. Është një fjalë që lidh dhe trashëgon jetë. Është një fakt se nënshkruan kontratë për të qenë At! At që tingëllon bukur, që flet dhe nënkuptohet qartë, që është në jetë dhe në edukatë, që mbetet një udhërrëfim i gjatë, që flet me art të veçantë, që mbetet më pas gjithë kohës atje Lart. Atje, ku ëndërrat burojnë dhe frymëzojnë skajet e vetë jetës në fjalë. E ti mbetesh jo më thjesht një djalë. E ti e di mirë se nuk je thjesht më një bir... E ndoshta më tej në hutim e kupton se je tashmë vetë pjesë në këtë burim. Në këtë burim burojnë dhe gjerbin të gjitha. Të gjitha shkojnë më tej sipas destinacioneve të shkruara. Dhe e gjitha e të gjithave është një disiplinë e gatuar lart, ku nënshkruhen në sytë e tillë, që përcaktohen madhërishëm dhe me fat, me të qënit At. Ndaj kjo udhë është dhe një mandat. Në këtë mandat vërtet duket sikur nuk ka një kontratë, por e gjitha është e qartë, e saktë, e thënë pa mëdyshje në librin e jetës dhe veprës tënde i shtrenjti, At. Dhe rruga jote u shkrua e pastër, e artë, e mbarë në një kornizë të vogël që shkëlqen më shumë se një ngasi me ar. Se udha jote i shtrenjti At, ishte vërtet një dhuratë për ne të shtatë, për katër djem e tre vajza që shtuan genin tënd krenarë e tashmë lindën nipër e mbesa, stërnipër e stërmbesa të ecin kryelartë në atë udhë që Ti e bekove vite e vite më parë. Dhe tani vërtet Ti je atje lart, por kjo i shtrenjti At është dhe do të mbetet një ëndërr e gjatë.

Nuk do të kishte asnjë kuptim jeta pa këto ëndrra... Nga kjo pikë shoh jo vetëm udhën, por korrigjoj dhe ecjen e tutjetejshme...

12 views

Shkrimet e fundit