ATË HOP, DIKUSH DO TA VËZHGOJË
Ishte një ditë e zakonshme. Sapo hapa derën pashë trajtën tjetër të vetes tek dilte në rrugë. " Kokën thefsh!" - pëshpërita dhe u shtriva në dysheme. Kur u përmenda pas një ore dola nga kapitja dhe u zgjata për të parë në dritare, aty pashë të dilte nga kanati kopja e dytë e vetes. Dëshirën për ta ditur si vraponte e lirë në rrugë, e gdhenda te parvazi. Mbylla sytë dhe shpresova sërish të flija. U sikletosa nga trajtat e shumta te vetes sime që kërkonin të iknin, hijerëndë mora qendrim dhe u kollita, mezi po mbushesha me frymë. Është një ndjesi vërtetë e çuditshme mendova, qenkam tepër i brishtë për të parë se ç'ka mbetur nga unë. Të gjitha këto gjedhe të vetes sime u rebeluan, ikën pa drejtim, u shpërndanë nëpër qytet dhe treguan pa pikën e turpit se ishin shpikjet e mia. Mbeta vetëm në dhomë. U ngrita në majë të gishtave, preka muret me mollëza dhe po dilja nga pështjellimi. Në mes të shpinës u ndie një kërcitje e dobët, tingulli u hap nëpër trup dhe një rrjedhje e ngrohtë më mbushi venat. Nuk më dhimbset shtëpia, ajo u boshatis nga tepria. As vetja ime, ajo u ngazëllye nga gjedhja e saj pa kopje, nuk e mohoj, u ndjeva i lumtur. Kush më dhimbset pra?! Dhe qyteti jo. Ai gulçon, rrugët janë të mbushura me trajtat e mia, jeta kridhet ashtu si i kërkohet, jashtë gjendjes së natyrshme, qyteti nuk sajon përpjekje për të ikur. Mbase është dikush që më sheh. Dikush si unë. Për vete mbyll pak sytë dhe qesh, siç qeshet, kur s'të sheh kush.
Comments