
Tregim nga Pajtim Xhelo
(Ngjarje e vërtetë)
Prej një muaji e mbanin nën mbikqyrje në Mallakastër, ku ndodhej "
Çeta Plakë". Ai kish qenë Sekretar i Rinisë Antifashiste për Qarkun e
Vlorës, po e kishin shkarkuar për mendime të kundërta me Partinë,
sidomos për ndërhyrjen e Jugosllavëve. Nuk bënte pjesë në grupin
antiparti të Sadik Premtes, as të Anastas Lulos, po Halim Xhelo (
Dukati) së bashku me Liri Gegën, të cilët kishin zëvendësuar Hysni
Kapon në Qarkun e Vlorës, të dy njerëz mediokër, ambiciozë, sektarë,
egoistë e kishin raportuar në Shtabin e Përgjithshëm si element "
trubullues" në radhët e rinisë...Element " trubullues ai që kish
ngritur rininë e bregut e të labërisë në Luftën Nacional Çlirimtare!
Kësisoj e kishin izoluar në " Çetën Plakë" për një periudhë të
pacaktuar.
Edhe pse ishte mbrëmje vere, bënte pak freskët prej dy ditësh dhe një
grup partizanësh po mësonin këngën " Dalngadalë po vjen behari" që e
kish shkruar dhe kompozuar Haki Xhelo për dy shokët e tij, Mitat e Lef
Sallata, që kishin mbetur të vrarë në rrethimin e pushtuesve
italianë.Kur këndonte Hakiu të gjithë e dëgjonin të rrënqethur. Ai
kish zë të bukur. Shkruante poezi, kompozonte këngë. Kish një shpirt
të thellë artisti, të mbushur me dashuri të pakufishme për shokët e
për njerëzit në përgjithësi. E donte jetën, e donte drejtësinë
shoqërore, e donte Lirinë. I ishte përgjigjur që në krye të herës
thirrjes antifashiste, kësisoj e kishin pëjashtuar nga Shkolla e Mesme
Tregtare e Vlorës e më pas e kishin dënuar në burgun e Tiranës së
bashku me miqtë e tij Vllas Arapin, Qemal Stafën e disa të tjerë, prej
nga i nxori i ati i Haki Xhelos, Hazbi Xhelo duke paguar një sasi
floriri. Punonte në ilegalitet, ishte këmbëngulës, trim dhe orator, i
zinte vend fjala te të rinjtë e Labërisë, Myzeqesë, Topalltisë dhe
Bregut. Zotëronte gjuhën italiane dhe atë franceze. Ishte largpamës, i
mënçur, po kokëfortë dhe i pandikuar në mendimin e vet. Kur e thirrën
për të bërë autokritikë, jo vetëm që nuk pranoi, po u tha :
- Kush jeni ju që po më kërkoni të pajtohem me mendimet tuaja? Unë
respektoj lirinë e mendimit, për të cilën u përjashtova nga shkolla,
bëra edhe burg dhe ju tani doni që të ma rrëmbeni këtë liri? Gaboheni,
unë kam lindur i lirë dhe kështu do vdes! Ju doni të më prangosni
mendimet? Si do t'i kapni ato? Mua ja ku më keni, mund edhe të më vini
në pranga, po lirinë nuk do ma rrëmbeni dot.
Tre shokët e tij bënë autokritikë dhe i falën. Atë nuk e vunë në
pranga dhe as i bënë gjyq, po e mbajtën nën mbikqyrje. Kur e pyeti
Liri Gega komandantin e Çetës Plakë, përse nuk e kishin prangosur, ai
ia kish kthyer me ironi :
- Shpendi di vetëm të fluturojë.- Pastaj kish shtuar - Nuk kam urdhër
nga Shtabi Qëndror, nga Komandanti. Do të them vetëm që trimi nuk
bëhet kurrë tradhëtar, as i shokëve, as i Çështjes së shenjtë, për të
cilën po luftojmë.
Liri Gega ia kish thënë Mehmet Shehut këtë dhe pritej që ai të vinte
për të biseduar me Haki Xhelon, për të cilin Hysni Kapo i pat dhënë
vetëm mendime të mira.
- Kam ndenjur dy vjetë në shtëpitë e tij në lagjen Karabash. Është një
familje intelektualësh atmëmëdhetarë. I gjyshi ka qenë me rilindësit e
Egjiptit.
Aty afër muzgut kish mbërritur një korrier dhe i kish thënë
komandantit të çetës që do të vinte Mehmet Shehu.
Hakiu u kish mësuar partizanëve gati gjysmën e këngës.
Ndërkohë mbrëmja po zbriste qetëqetë mbi kodrinat përreth dhe merrte
mbi krahët gri melodinë e zvargur të asaj kënge, që më pas do të bëhej
thuajse himn. Komandanti ishte pështetur në brryla, gjysëm i shtrirë
përballë Hakiut dhe po përsëriste nën zë këngën.Ai e njihte prej
kohësh djalin dhe e admironte për vyrtytet e tij, madje edhe për
kokëfortësinë dhe këmbënguljen. Atë paradite që Hakiu nuk kish pranuar
të bënte autokritikë, ai e kish takuar përzemërsisht dhe i kish
shtrënguar dorën pa i thënë asnjë fjalë. Atyre të tjerëve, që për
mendimin e tij ishin treguar të dobët, nuk u kish folur fare.
Zëri burrëror i atij që këndonte trazonte natën e heshtur gjer tejane,
ku duhet të ishin shtëpitë e para të atij fshati me një shtrirje të
çuditëshme. Ditën , sa të hante syri ndiheshin këmborët e bagëtive,
kurse tani kodrat që ngjanin si vargan i pandarë, rëndonin mbi jetën e
truar të hijes së pushtimit.
Dikush u afrua te komandanti dhe diçka i tha në vesh. Ai u ngrit dhe
priti ashtu derisa Hakiu mbaroi strofën
: - Qain nëna, baballarë,
Qani motra , mbani zi,
Për këta trima luftëtarë,
Që dhanë jetën për liri.
E përqafoi, e puthi në ballë dhe kërkoi që të mbahej qetësi. Kur
mbrëmja humbi këngën, u dëgjua zëri i tij :
- Sot djali ynë , Hakiu mbushi njëzetë vjeç. Le t'i urojmë edhe
njëqind vite të tjera në Liri!
E uruan edhe të tjerët që ishin rrotull. Dikush ia mori këngës tjetër
të Hakiut që e kishin mësuar disa ditë më parë :
- Vajza dhe djem mbledhur tokë,
Këndojmë me gaz e hare,
Vëllezër të dashur dhe shokë,
O shoqe eja edhe ti me ne.
Në sytë e djalit që sapo kish mbushur njëzetë vjeç, shndritën pak pika
loti. Ishin lotët e ëndrrës për Lirinë, margaritarë të fshehur prej
vitesh nën aromën mbytëse e të përgjakur të luftës së pakuptimtë.
Iu kujtua e dashura , të cilës i kish premtuar që do ta festonin
bashkë njëzetë vjetorin.
" Eh, lufta - psherëtiu - Po zgjat dhe po mësohemi me të. Do harrojmë
edhe të dashurojmë, edhe të martohemi.- Vuri buzën në gaz. Iu kujtua e
ëma, Bukuria që i pat thënë " Jo, bir, dasma ka edhe në luftë. Ne do
t'i bëjmë ato për inat të pushtuesit! ".
- Tani kemi një dasëm të madhe , Lirinë. Kur të vi ajo, edhe martesa
do të ketë gjithmonë! - mendoi dhe i dolën para syve dy gërshetat e
dendura të vajzës së tij të zemrës, të cilat ia kish lidhur me një
fjongo të kuqe dy ditë para se të vinte në Mallakastër.
Po mendimin ia preu një pëshpëritje që kaloi nëpër rreshtat e
partizanëve të Çetës Plakë dhe grrici paksa mbulesën e murrme, që
mbrëmja sapo kish hedhur mbi Mallakastër.
- Erdhi, erdhi.
Dihej kush kish ardhur. Mehmet Shehu. Ai u dha dorën disave afër
komandantit, pastaj tregoi me dorë nga Hakiu:
- KY duket të jetë Haki Xhelo - tha dhe i zgjati dorën- Është kënaqësi
që po të njoh. Hysniu më ka folur shumë për ty.
Djali ia ktheu përshëndetjen. U ulën shesh ata të tre dhe dy
zëvendëskomandantë, kurse të tjerët u larguan.Për disa minuta nuk foli
asnjeri. Zjarri kish nisur të tkurrej dhe komandanti i bëri shenjë
dikujt që të sillte dru. Ajrin e mbytën kërcitjet e përralleve dhe
shkëndiat që u ngritën lart, në harkun e të panjohurës që shtyhej
drejt qiellit , tej në kohën që nuk ishte matur kurrë dhe nuk i dihej
fillimi...As fundi. Dy tri herë Mehmet Shehu e shikoi djaloshin
ngultaz. Mbase donte të zbulonte ndonjë gjë të re, për të cilën Hysnyu
nuk i kish folur. Hakiu rrinte i qetë, tashmë jo më nëpër mendimet e
tij për vajzën me kordhele të kuqe në gërshetat e saj të zeza, po
tretur në përzierjen që po gatuante ky njeri i tmerrshëm, për të cilin
fliteshin llojlloj përsihatjesh, të qena e të paqena, ndonjherë edhe
në kufirin e legjendës.
Dikur Mehmeti u kthye përballë tij dhe e pyeti prerë :
- Që ta kuptoj qartë, ti që bëre propagandë aq të vyer për të çuar
vajzat në mal për të luftuar kundër pushtuesit, tani je i mendimit që
ato të kthehen sërish në shtëpitë e tyre?
Hakiu e shikoi, jo pa habi.
- Kështu ju paskan thënë?
- Po, pikërisht kështu.
- Ju kanë keqinformuar dhe ju nuk duhet ta besonit - ia ktheu me
guxim. Ai që ndërton shtëpinë, nuk e prish, sepse i dhëmbet.
Tjetri e vlerësoi përgjigjen e mençur.
- Halim Xhelo dhe Liri Gega i gjetën gështenjat të pjekura nga unë dhe
nga shokët e tjerë shoku Mehmet. Ata nuk e kuptojnë që unë kam edhe
një të drejtë më tepër se ta për të dhënë mendime për veprat e mia. Ky
është ligj i pashkruar, por duhet respektuar nga ata që vijnë pas
teje..
Mehmet Shehu nuk dinte çt'i thosh. Dukej sheshit që Hakiu ishte tepër
i mençur për moshën.
- Sa vjeç je ti Haki ? - e pyeti fare papritur.
- Sot mbushi njëzetë, kish ditëlindjen - u përgjigj aty për aty
komandanti i Çetës Plakë.
Mehmeti u duk serioz .
-Edhe njëqind vite të tjera - e uroi - U bëfsh plak me mjekër!
Qetëqetë tjetri ia ktheu :
- Po na la lufta deri atëhere.
Mehmet Shehu bëri sikur nuk i dëgjoi fjalët e fundit dhe vijoi :
- Ke të bësh me Halim Xhelon?
- Jo - u përgjigj thjeshtë djali - Ai është nga Dukati, kurse unë jam
qytetar vlonjat që prej viteve 1640, kemi ardhur nga Janina.
-Shqiptar? e - e pyeti Mehmeti, që vijonte ta shihte me vëmendje.
Hakiu vuri buzën në gaz.
- Sigurisht - ia ktheu jo pa krenari të dukëshme - Epirot shqiptar
- Sipas teje ku është qëllimi i Liri Gegës dhe Halim Xhelos që të kanë
raportuar kësisoj?
- Nuk e di, unë di vetëm që ato akuza janë gënjeshtra fund e krye.
Mbase hakmerren, sepse unë nuk isha dakord që të vinin ata të dy,
sidomos Liria në vend të shokut Hysni. Mendimin tim e thash hapur,
përballë, jo pas krahëve. Kështu jam unë. Nuk trembem nga e vërteta.
Besoj nuk e kam gabim, apo jo?
Burri i tmerrshëm ia ktheu:
- Edhe unë i dua trimat, po ata të mençurit ama. Ndonjëherë nuk duhet
të nxitohesh pa qenë i sigurt për atë që mendon.
Djali u acarua.
- Unë jam i sigurt që ata të dy nuk janë njerëzit e duhur për atë
punë. Koha do ta tregojë.
Mehmeti e shikoi sërish ngultaz dhe këtë herë nuk u kuptua në ish
dakord me atë që tha djali, apo jo.
- Partia i ka parë me kujdes gjërat para se të vendoste - i tha.
Pastaj shtoi - Po për jugosllavët cilat janë kundërshtitë e tua?
Djali nuk u përgjigj menjëherë. Tjetri priti ca dhe e përsëriti pyetjen.
- Në këtë pikë kam mendimin tim. Më duket e tepëruar ndërhyrja e
jugosllavëve në luftën tonë. Them se i zoti e di ku i pikon çatia. Nuk
jam kundër ndihmës së tyre, janë më me përvojë se ne në shumë
drejtime, po kjo nuk do të thotë që t'i lemë të bëhen zotër në
shtëpinë tonë.
Mehmet Shehu u nxeh. Ai e ndërpreu :
- Si ta kuptoj këtë?
Edhe Hakiu ia ktheu me ton :
- Që të mos i lejojmë të futin hundët në punët tona. Luftën po e bëjmë
vet, nuk po vinë të na i bëjnë ata.
- Ti thua që të jemi mosmirënjohës?
- Nuk e thash unë atë. E thatë ju.
Ai u ngrit në këmbë dhe nisi të bënte ecejakje pak më tej. Tre të
tjerët nuk kishin ndërhyrë fare në debatin e tyre. Komandanti ishte
përpjekur disa herë, po nuk e kish thyer akullin. para atij njeriu të
gjithë druheshin. Ishte krijuar mendimi që Mehmet Shehu nuk falte as
të atin po t'i kundërvihej. Tashmë ishte ngritur në këmbë edhe Hakiu.
- Ky është mendimi im- i tha ai, si për ta mbyllur bisedën.
- Po është mendim i gabuar dhe përçan unitetin e Partisë!
-Unë nuk jam anëtar i Partisë - u përgjigj qetë - Deri para ca ditësh
isha Sekretar i Rinisë Antifashiste për Qarkun e Vlorës. Tani nuk jam
më.
Biseda kish marrë drejtim të ngatërruar, po djali nuk tërhiqej kollaj,
nuk lëshonte as pe për të zbutur acarimin.
- E kupton që po kundërshton strategjinë tonë të luftës?
Hakiu qeshi.
- Strategjinë tuaj? Kush jeni ju? Luftën e nisëm të gjithë bashkë dhe
duhet të na i merrni mendimin edhe ne të tjerëve. Të paktën kështu
kemi thënë.
Mehmeti nuk po e mbante dot inatin. Djali po e mbushte kupën. Kush
ishte ai që kërkonte të njehësohej me udhëheqjen e Partisë? Tani po e
kuptonte që Liri Gega dhe HalimXhelo kishin të drejtë. Ky djalë qe
arrogant dhe i pëlqente vetja. Dukej sheshit që shokët ia kishin
rritur ca si shumë vlerat.
- Po ti e kupton që po hyn në ca gjëra që s'të takojnë? Nuk jemi si
këmbët e dhisë. Disa komandojnë, të tjerët zbatojnë pa kundërshtuar.
Jemi në luftë dhe ligjet e luftës janë të ashpra. Ndonjëherë edhe
digjesh, sepse të tjerët nuk kanë kohë të gjykojnë me gjakftohtësi.
Këtë duhet ta mendosh.
Hakiut i hipi gjaku në kokë. Po ndihej i fyer dhe i shpërfillur dhe iu
mbush mendja plotësisht që të gjitha fjalët që thuheshin për këtë
njeri ishin të vërteta. Ai nuk të hapte rrugë, ishte prepotent dhe
arrogant.
- Kam frikë se këto ligje të luftës, do t'i kemi edhe në paqe dhe nuk
po ndihem mirë që tani - ia ktheu djali.
- Pra ti dyshon në sistemin demokratik të pasluftës në Shqipëri?
- Jo unë, janë fjalët e tua që e sjellin këtë dyshim. Demokracia nuk
ka fron mbretëror, ajo është një rreth, ku të gjithë janë të
barabartë. Unë kështu e kuptoj dhe them se kam të drejtë. Madje, jam i
bindur se kështu është.
Tjetri nuk ktheu asnjë përgjigje. Dikur ndërhyri komandanti i Çetës
Plakë , që e solli bisedën rreth prurjeve të reja në radhët e çetës,
pastaj për dy tri përplasje me një çetë ballistësh që nuk pranonin
bashkërenditjen me veprimet kundër italianëve.
Kish kaluar mesnata kur Mehmeti e ftoi Hakiun të shkonin për të pirë
ujë te burimi i fshatit. Komandanti i priti aty; mendoi se do të ishte
i tepërt, ashtu si ishte ndier për një kohë të gjatë në debatin e tyre
gjithë mbrëmjen, për orë të tëra.
Mbase e tepëronte nga që po priste në ankth kthimin e tyre, po iu duk
se u vonuan shumë, ndoshta një orë dhe kur ishte duke e kapitur gjumi,
dëgjoi dy të shtëna armësh dhe përgjoi me gjak të ngrirë. Minutat iu
dukën orë pa fund e kufi, zemra po i rrihte aq fortë, sa pati ndiesinë
se do t'i çante krahërorin.
Dikur i dëgjoi edhe hapat që priste. Po Mehmet Shehu ishte vetëm.
Komandanti nuk guxoi ta pyeste. Priti mos i thosh vet ndonjë gjë, po
ai u drejtua për nga shtëpia ku do të flinte, pa e përshëndetur.
Të nesërmen njerëzit pëshpërisnin nën zë për atë vrasës zemërzi, që i
kish rrëmbyer pranverën e jetës një djaloshi të pafajshëm, sapo kish
zgjatur dorën për të këputur trëndafilin e parë të asaj pranvere... Ai
kriminel i kish ndërprerë rrugën e Lirisë një djaloshi ditën që ai
mbushi njëzetë vjeç.
Pse? Sepse ishte i mençur, poet, kompozitor, trim, sepse e donte
Lirinë pa ato njolla të zeza që po dukeshin në horizontin e të
ardhmes.
Haki Xhelo u vra dhe varri nuk iu gjet kurrë. Prindërve, vëllezërve që
e kërkuan u thanë që e kish vrarë Partia. Familja e tij u persekutua
me metodat më shtazarake e të pabesa deri në vitin 2018, kur, papritur
Kryetarja e SHOQATËS SË DËSHMORËVE, ZBULOI NË ARKIVIN E KOMITETIT
QËNDROR TË PARTISË SE HAKI XHELO DHE VËLLAI I TIJ QË ISHTE INTERNUAR
NË MATHAUZEN, MAHMUT XHELO FIGURONIN TË DY DËSHMORË QË NË VITIN
1945...Edhe më pas, kur ishin rishikuar, në vitin 1972.
Kjo ishte historia e një djali të pafajshëm njëzetëvjeçar, xhaxhait
tim. Edhe pse nuk e kisha njohur, gjithë njerëzit e fisit më thoshin
që unë i ngjaja atij dhe kjo bëri që ta kisha edhe unë thikë në zemër
Rininë e tij të vrarë.
Tragjeedi! Histori nga më makabret. E vret numri 2 i Partisë, nuk
tregojnë, po thonë që e vrau Partia, e bëjnë dëshmor dhe e mbajnë të
fshehtë, kurse familja vuan kalvarin e pafund të persekutimit.
Në maj të vitit 2018 u bë një ceremoni për dy vëllezër dëshmorë, që
për 75 vite të gjatë i kishin mbuluar me veladonin e kujtesës së
përhumbur të krimit, për të ndaluar një hakmarrje kundrejt vrasësit të
paskrupullt, Mehmet Shehut.
Haki Xhelo dhe Mahmut Xhelo sot janë dy dëshmorë pa varre... Nuk janë
as te të vdekurit, as te të gjallët.
Kush kërkoi falje për këtë krim?
As u tha, as u pranua, as u ndëshkua.
VEÇ KRIMI I PANDËSHKUAR NJOLLOS NDERIN E NJË SHOQËRIE NJERËZORE,
PRANGOS SHPIRTIN DHE LIRINË.
Ditën që u bëceremonia për dy xhaxhallarët e mi, interpretova një
poezi që shkruajta në të gdhirë të asaj dite, poezi që i përloti të
gjithë në sallë, edhe disa nga ata që mbase ndiheshin fajtorë për
jetët e mohuara të dy djemëve të një familjeje Atmëmëdhetare brz pas
brezi. Po e sjell këtu për kujtesë
Elegji
(Për. Haki. Xhelon)
Të lëndoi, mundoi padrejtesia ungji im?
E rëndë, si toka që s'ta prekëm kurrë,
E errët, si varri që s'ta dimë as në mendim,
Asnjë nga ata nuk u tregua burrë!
Se burra s'ishin! Të vranë pabesisht e i fshehën vrastarët Pastaj të
qanë... Më pas të quajtën armik...
U bëre pre e mirë për gjahtarët,
Kur s'kish më lepuj,që iknin në panik..
Nuk di, vallë a të ka tretur dot ai dhe,
Nuk di nëse të mbajti gjatë ai varr!
Veç e ndjej që po të dhëmb kjo plag' e re,
Se plagën e vjetër koha e pat tharë.
Vallë, a kishe ftohtë kur binte borë?
Ishe lagur kur binte shi në janar?
Nuk di në prisje lule a kurorë...
Pa ne s'ta gjetëm dot të ziun varr!
Nuk di nëse gjaku yt e skuqi tokën,
Nëse të thuash ndonjë fjalë të lanë,
Nuk di nëse plumbi ta rendoi koken...
Të qëlluan pas krahëve, apo përballë!
Ti ishe në ëndër, në një muzg prilli.
Edhe dashurinë ta prene,te lane
Jehonë të tretur të një këngë bilbili...
Zambak të paçelur... 20 vjeç xhaxha të vranë!
Mos koh' e gjatë ta bumbi durimin?
Mos të zbardhi, të rrudhosi. pritja e gjatë?
Apo malli u zverdh, u vyshk nga tundimi:
A mos shpirtin ta vranë, pësoi të njëjtin fat?
Tani unë po të shoh, të tjerët.mbase jo ,
Dhëmbja jote po më thotë: Jo urrejtje, jo hakmarrje!
(E reja dhe e vjetra) Po ç'dhëmbje janë këto....
Dhëmbje endacake, si era, pa varre?
Gjyshërit, tre djemtë, ku t'i qaj, ku t'i. gjej?
Një familje katërqind vite qytetare?
Shpirtrat ndoshta janë në parajsë, në qiej,
Apo nga kjo yllësi i larguan perfare?
Me shpirt këndonim"Dalngafalë po vjen behari"
Dhe nuk thoshim dot që e shkrove ti!
Poet i harruar, djalosh njëzetvjeçari,
Qe rininë e ndrrove pa kusht me liri!
Për ty nuk u këndua,, Nuk u tha asgjë
Ty nuk të lanë as emër, as miq.
Mëkot prite që lule të të sillte ndonjë...
Mbete piedestal i Lirisë n'udhëkryq!
Mos ki dert im ungj, po të këndoj unë
Bashkë me nipat e tjerë gjithëzbardhur.
Të të shihnin të gjithë do të doja shumë,
Se shpirti yt gjallë është... Ka ardhur!
Paçka, unë po të shoh, ja ku je,,
Zë i heshtur, jehonë e largët, e zvargur,
Vështrimin tretur, mjegulluar ke atje,
Atje ku vitet tashmë qenkan ndalur!
Rri i aetë ungji im... Sot je te të gjallët!
Pajtim Xhelo,24 maj 2018, ditën që morëm vesh që. Haki xhelo ishte
shpallur dëshmor që në vitin 1945,kurse ne na thoshin që e kish vrarë
partia si fraksionist... Gjithe jetën u trajtuam si të
persekutuar.Vallë ka ndonjë qelizë njerëzore kjo ngjarje makabre???E
vrau Mehmet Shehu ditën që mbushi 20 vjeç, pas një debati të ashpër
mes një injoranti dhe një gjeniu, i cili u pa si gurë në rrotat e
makinës vrastare. Hakiu ishte poet, kompozitor, trim i pashok,
idealist, ngriti në këmbë gjithë rininë e Vlorës, Bregut, Mallakastrës
në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare... Një hero me emër të
harruar, pa varr, pa lapidar.
Ndihem krenar që jam nipi i tij dhe i ngjaj Atij !
Pajtim Xhelo, 16 dhjetor
Kommentare